Berisha fton çdo qytetar nesër në protestë: T’i presim biletën e disfatës së plotë narkoregjimit më 11 maj. Ahmetaj dha dëshminë e shekullit, shqiptarët mësuan me dokumente vjedhjet familjare të Ramës

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Në konferencën për media, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një sundimtar absolut dhe të degjeneruar. Ai ftoi qytetarët që e ndiejnë veten të mashtruar nga ky regjim të bashkohen protestës së nesërme masive në Tiranë, duke e cilësuar atë si një mundësi për të shprehur pakënaqësinë ndaj abuzimeve dhe korrupsionit të qeverisë.

Berisha u shpreh se, dëshmitë e prezantuara, përfshirë ato të Arben Ahmetajt, përbëjnë prova të pakundërshtueshme të keqpërdorimit të pushtetit nga ana e Edi Ramës. Ai ka theksuar se luksin e shfrenuar të kryeministrit dhe vjedhjet e mëdha kanë pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë.  Ai ka kërkuar që qytetarët të qëndrojnë të bashkuar për të kërkuar llogari dhe drejtësi për këto veprime të dëmshme për vendin.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka denoncuar ashpër qeverinë e Edi Ramës, duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme për shkak të akuzave të rënda që e kanë prekur. Ai tha se Edi Rama nuk ka guximin të largohet nga pushteti, pasi dosjet e tij janë të tilla që ai nuk mund të shpëtojë nga dënimi. Berisha i bëri thirrje çdo qytetari, sidomos të rinjve dhe pensionistëve, të bashkohen nesër në protestën e organizuar për të kundërshtuar qeverinë dhe për të kërkuar ndryshim.

Sipas tij, programi i opozitës do të sigurojë rritje të rrogave, ulje të taksave dhe një ndihmë të madhe për sektorin e bujqësisë dhe pensionistët, duke garantuar një ndryshim të madh për Shqipërinë. Ai u shpreh se qeveria e aktuale ka lënë pas dore fshatin dhe ka shkatërruar ëndrrën e të rinjve për të jetuar në vendin e tyre. Berisha gjithashtu premtoi se do të reduktojë çmimet e energjisë dhe do të luftojë korrupsionin me zero tolerancë. Ai kërkoi që qytetarët të angazhohen aktivisht për ndryshim dhe për të sjellë fundin e regjimit të Edi Ramës.

Berisha, ka deklaruar se opozita nuk do të votojë amendamentet e propozuara nga qeveria nëse nuk pranohet njohja e dokumenteve të identitetit të shqiptarëve të prodhuara jashtë vendit. Sipas tij, kjo është një çështje kushtetuese dhe qeveria po përpiqet të kufizojë të drejtën e shqiptarëve për të votuar. ‘Opozita nuk do të bëjë asnjë lëshim në këtë drejtim dhe do të kundërshtojë çdo përpjekje për të penguar pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje. Ai i bëri thirrje mazhorancës të reflektojë deri më 13 shkurt, duke theksuar se përgjegjësia për çdo pengesë në këtë proces do të bjerë mbi qeverinë’, tha Berisha.

Në një konferencë për gazetarët, lideri i opozitës, Sali Berisha, e cilësoi reformën në drejtësi si një nga aferat më të mëdha korruptive në Shqipëri, duke pretenduar se ajo është përdorur për të eliminuar opozitën dhe për të konsoliduar pushtetin e Edi Ramës.

Berisha iu referua deklaratave të fundit të Elon Musk, duke pohuar se ai ka denoncuar USAID-in si një organizatë kriminale, çka sipas tij konfirmon akuzat e mëparshme të opozitës. Ai kritikoi edhe përfshirjen e ambasadores Yuri Kim në marrëveshjet për reformën në drejtësi, duke e quajtur atë një ndërhyrje të papranueshme në sistemin gjyqësor. Sipas tij, vendimi i fundit për pezullimin e fondeve duhet të pasohet me një hetim më të thellë për të zbuluar korrupsionin në këtë reformë. Berisha u shpreh se opozita ka durimin dhe vendosmërinë për të zbardhur të vërtetën dhe për të rikthyer shtetin ligjor. Ai theksoi se denoncimet e tij për financimet e dyshimta në këtë proces janë konfirmuar tashmë nga burime ndërkombëtare.

Duke folur për votimet e 11 majit kreu demokrat Berisha tha se, ‘ne kemi propozuar që emigrantët të mos paguajnë postën dhe këtë amendament e votojmë ne që nesër’. Në një konferencë për gazetarët, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli mbi protestën e radhës, duke e cilësuar atë si një ngjarje të veçantë. Ai theksoi se, ndryshe nga protestat e mëparshme, kjo do të jetë një demonstrim i fuqishëm në shesh. Sipas Berishës, strategjia dhe hapat që do të ndërmerren do të bëhen të ditura në momentin e duhur. Kryetari i PD-së, la të kuptohet se protesta do të ketë një qasje të ndryshme, duke nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes masive të qytetarëve.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita!

Jam sot për të ftuar çdo qytetar që e ndjen veten të mashtruar nga ky regjim të bashkohemi në protestën më të fuqishme që ka parë Tirana në historinë e saj.

Dëshmitë tronditëse me dokumente dhe okulare të Arben Ahmetajt në çdo vend të botës rrëzojnë çdo qeveri.

Kjo është e vërteta.

Nuk gjendet kund një popull i civilizuar që mund të tolerojë një kryeministër, i cili i lejon vetes luksin më të shfrenuar, më të pabesueshëm.

Kur unë lexova për herë të parë se Edi Rama shijonte Romanee Conti në restorantin e tij, m’u duk e pabesueshme, por kur doli shishja dhe dëshmitari okular, ajo përbën një abuzim ekstrem të një zyrtari.

As perandori i Japonisë, as mbreti i Britanisë së Madhe, vende demokratike, nuk i lejon vetes një abuzim të tillë.

Këto janë tipare tipike të sundimtarëve absolutë që nuk i lidh asgjë me qytetarët e tyre.

Po në qoftë se luksi i shfrenuar është dëshmi e karakterit të degraduar të Edi Ramës, vjedhjet e tij të mëdha kanë pasoja të rënda tek qytetarët shqiptarë.

Me 20 milionë euro avion taksi, me 5 milionë euro vazo në oborrin e kryeministrisë, me bileta 28 mijë euro për një ndeshje, me 10 mijë euro për seanca detoksi, tejkalohet çdo lloj norme morale për një njeri të civilizuar, në një kohë kur dhjetëra mijëra, në mos qindra mijëra shqiptarë mezi mbyllin javën apo muajin me gjysmë pensionet, çerek pensionet që marrin.

Dëshmia e Arben Ahmetajt do mbetet dëshmi e shekullit, sepse në këtë dëshmi, shqiptarët mësuan me dokumente vjedhjet familjare të Edi Ramës.

Shqiptarët kishin lexuar se tenderat e AKSHI-it i përcaktonte tërësisht, Armand Frangu, kunati i Linda Ramës me kunatën zonjë të kryeministrit.

Kishin dëgjuar se regjistrimi ambiental fliste për këto gjëra, por Arben Ahmetaj solli prova me shkresa se baxhanaku i Edi Ramës i shisnin kompjuterët shtetit me çmime të dhjetëfishta.

Fitonin dhjetëra milionë euro tendera pa garë dhe se urdhër arresti për të dhe drejtoreshën e AKSHI-t ishte grisur nga Edi Rama.

Shqiptarët mësuan nga kjo dëshmi se djegësi i Tiranës u firmos nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, por ky i fundit e ka firmosur nën presion të madh të Edi Ramës, çka tregon pengmarrjen reciproke të tyre.

Si dëshmitar okular, Arben Ahmetaj u faktoi shqiptarëve se në një takim në Ankara, Edi Rama dhe Belinda Balluku siguruan për veten e tyre 50 milionë euro me tunelin e Llogarasë.

5B-a e Belinda Ballukut ishte dëshmia tjetër e një organizate kriminale, ministra të emëruar nga Lubia.

Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen të nesërmen, por nuk ka kurajë sepse dosjet e tij janë aq të rënda, që edhe dy jetë po t’i ketë, vitet e burgut që meriton, nuk i kryen dot.

Ndaj dhe jam sot para jush për të ftuar çdo të ri shqiptar të dalë nesër në shesh në përballje me këtë qeveri që nuk meriton asnjë ditë pushteti, që rrënon dhe shkatërron ëndrrën shqiptare, ëndrrën më të bukur të një të riu për të jetuar në vendin e tij. Që i përzë nga Shqipëria në mënyrën më të pamëshirë.

Ftoj çdo rrogëtar të ndershëm të bashkohet me ne sepse me emergjencë rrogat nuk do jenë kurrë këto që janë sot.

Do vendoset rroga minimale 500 euro, do vendoset rroga mesatare 1200 euro, të shkëputen nga ky regjim.

Ftoj çdo biznesmen të bashkohet pasi ne do ulim të paktën me 50 përqind barrën fiskale. Ne do luftojë me zero tolerancë korrupsionin dhe gjobat që paguajnë.

Energjia, që sot e paguajnë 18 lekë, do u shitet me 6 lekë, me një çmim tre herë më të lirë.

I garantoj për transparencë, konkurrencë të ndershme.

Ftoj fermerët të bashkohen në këtë protestë. Fshati është i përjashtuari i madh nga Shqipëria. Ka vetëm një alternativë, falimentimin.

Garantoj se pensionet, të cilat sot në fshat janë 120 euro, 3 muajt e parë të qeverisjes së PD, do jenë 200 euro.

Garantoj se një skemë e konsoliduar e subvencioneve për çdo rrënjë, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi, do jetë politika jonë transformuese për bujqësinë. Investime të mëdha në infrastrukturë dhe trefishim i buxhetit për bujqësinë.

Ftoj çdo pensionist dhe pensioniste që po keqtrajtohen sot në mënyrën vërtet poshtëruese dhe të pamëshirë.

Edi Rama me qëndrimet që mbajti dhe politikat që ndoqi, bëri që pensionistët shqiptarë, që në vitin 2013 kishin pensionet më të larta në rajon, sot i kanë ato të paktën 3 herë më të ulëta se pensionet e rajonit.

Dhe Edi Rama pretendon se në qoftë se do i rrisim ato, Shqipëria falimenton. U shtroj vetëm një pyetje pensionistëve që në vitin 2005 merrnin pensionin e ulët 36 euro, a nuk u rrit ky pension në 82 euro? Pensionistët me pension të mesëm 110 euro a nuk u rrit ky pension në 146 euro?

A falimentoi Shqipëria? Absolutisht jo. Përkundrazi. Shqipëria u begatua dhe varfëria u luftua.

Ndaj ftoj që asnjë pensionist të mos mashtrohet më nga ky i pashpirt.

Garantoj qytetarët se përmbysja e Edi Ramës do të thotë çlirim i dhimbjeve që ata përjetojnë nga situata ekonomike.

Nafta nuk do shitet më kurrë me çmim 10 përqind plus-minus çmimin e naftës në Kosovë dhe Maqedoni.

Të gjithë personat me të ardhura të ulëta do kenë kartën e konsumatorit dhe energjia për konsum familjar do zbresë në 7 lekë.

Pra, me pjesëmarrjen tuaj nesër në protestë ju jepni një kontribut të madh.

I prisni biletën e disfatës së plotë me 11 maj regjimit të narkoshtetit të Edi Ramës.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Osman Stafa, News24: Në fillim të fjalës tuaj, thatë se deklaratat e Arben Ahmetajt rrëzojnë qeveri. Protesta e nesërme e juaja është për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.

Sali Berisha: Ajo që thashë unë është një e vërtetë e padiskutueshme. Nuk ka vend dhe popull të qytetëruar që të pranojë, të tolerojë një kryeministër që i lejon vetes një jetë të shfrenuar si Edi Rama. Të mendosh se meqë je kryeministër të takon të shpenzosh 20 mln euro me avion në dispozicion, në një kohë kur një mori vendesh për kryeministrat përdorin linjat e pasagjerëve, do të thotë se je i shkëputur kryekëput nga realiteti.

Të blesh 5 mln euro vazon, instilacionin sikur të ishte pronë e Surrelit, do të thotë se nuk ke asgjë, asnjë ndjesi për vuajtjet, problematikën që kanë qytetarët e tij. Do të thotë që je i papranueshëm për ta.

Kjo është e vërteta.

Është në dorën e qytetarëve, por nëse qytetarët nesër thonë se, nuk e durojmë dot më, Sali Berisha i mbështet ata plotësisht. Ky duhet të kishte dhënë dorëheqjen që të nesërmen. Më thoni, a hodhi poshtë ndonjë akuzë? Asnjë. I nxori altoparlamentët e tij, duke thënë se,  ka qenë dhe ky zëvendës i tij. Ai nuk e tha që nuk kam qenë zëvendës i tij. Ai tha kam qenë zëvendësi i tij dhe kam parë, këto e këto. Disa prej tyre ishin me dokumente. Kjo ishte mbrojtja që bëri Edi Rama.

Edi Rama i ka bërë të gjitha këto, po ka qenë dhe ai. Ai tha mos e kanabizo Shqipërinë, ky nuk pyeti. Çfarë ti thuash atij. Ky bëri një shërbim shumë të madh vendit, ua them unë qytetarëve. Po mo, ka qenë zëvendës kryeministër, nuk mohon. Po zv/kryeministër por ai ishte një akt pendimi, ndaj po ju them.

Osman Stafa, News24: Nëse ju fitoni zgjedhjet, çfarë ndodh me SPAK, drejtësinë e re?

Sali Berisha: E kam deklaruar dhe deklaroj se, ne me Komisionin e Venecias, jo vetëm, jo si qeveri, por me Komisionin e Venecias do ti kthejmë drejtësisë shqiptare pavarësinë, varësinë nga ligji dhe do të çmontojmë organizatën kriminale Skrapi i partisë. Skrapi i partisë është një organizatë kriminale. Ju e morët vesh, e patë me dokumente se çfarë deklaratash skandaloze kishte mercenari i  Skap për apartamentet e tij.

Kur unë ju deklaroja shqiptarëve se nuk ka zyrtar që me një rrogë të blejë 3 apartamente në mënyrë absolute, me një rrogë uluni e llogariteni, nuk blen dot një apartament po nuk more një kredi që ta shlyesh, sepse e shlyen në kohë. Ky me tre apartamente, para ryshfeti. Nuk mund të them para droge, por nga i kanë siguruar paratë ata që ja kanë dhënë, sigurisht para të pista, janë ryshfete, gjoba.

E patë ju me çfarë çmimesh kishte marrë apartamentet, qesharake. Dhe pastaj banon me qira tek vjehrri. Se kush i paguan qiranë shokut hajde merre vesh, por faktikisht është me 4 shtëpi, një me qira dhe 3 në pronësi. Kush e beson këtë, kategorikisht. Ajo ishte një procedurë tërësisht kriminale, e kryer mbi bazën e falsifikimit dhe mashtrimit, nga ata që e kanë bërë. Asnjë verifikim nuk kishin bërë.

Pse shtëpia e tij kushtoka 300 e ca euro, kurse shtëpia ngjitur kushton 700 euro. Si ka mundësi kjo. Pra, nuk mund të diskutohet. Plus pastaj që unë kam faktuar para jush dhe do të vazhdoj faktimim, që aty dosjet e krimit janë palë, palë. Këta i marrin, i trajtojnë, i vjelin, i mjelin. Siç është rasti i Ymer Lalës. 1 milion pyetja. E shpëtoi atë nga akuza. Ymer Lala i akuzuar nga dëshmitari i drejtësisë se ka vra, doli se nuk ka vra, se ky është ushtari i tij. Nuk mund të ketë asnjë lloj, hezitimi.

Përkundrazi unë kam premtuar dhe tjetrën që ato dosje do të bëhen publike. Do të ketë Komision të Vërtetës dhe shqiptarët do të marrin vesh të gjitha lidhjet e politikës me kriminelët, të gjitha, një më një.

Mariglen Kume. MCN TV: Ju e keni lidhur në fakt drejtësinë e re edhe me përfshirjen e Xhorxh Soros dhe rolin e tij që ka pasur në SHBA. Por ndërkohë vetëm ditën e djeshme Delegacioni i BE në Shqipëri, ka deklaruar se, do të vijojë të mbështesë SPAK dhe për ta kanë dhënë rezultate konkrete dhe të prekshme. Do të dilni edhe kundër BE-së.

Sali Berisha: Ato që kam thënë unë për drejtësinë e re, në një mënyrë ose një tjetër, i përsëriti vetë një nga drejtuesit më kryesorë sot të administratës së SHBA, Elon Musk.

Ai e shpalli USAID-in një organizatë kriminale.

Ndër të tjera rreshtohet reforma sorosiane e drejtësisë në Shqipëri dhe jo njëherë, por janë disa publikime tani.

Por edhe po të mos ishin, ju jeni dëshmitarë se njeriu i parë që ka denoncuar 10 milionë dollarë dhënë Delina Ficos për ndihmesat juridikë privatë, është Sali Berisha para të gjithë të tjerëve.

Fatmirësisht tani qeveria e SHBA po mban qëndrim ndaj këtyre akteve superkorruptive.

E kam cilësuar atë ditë, sa kanë firmosur marrëveshjen Llagami-Yuri Kim. Çfarë do ambasadorja në atë marrëveshje? Çfarë do ajo aty? Ndan paratë. I ndan me Llagamin dhe Delinën.

Pra, unë e përshëndes vendimin e pezullimit dhe u bëj thirrje ta analizojnë se është krijuar një drejtësi politike, e cila u angazhua në misionin e një Shqipërie pa opozitë të Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës.

Kjo është e vërtetë.

Komisioni Europian, e lexova unë atë. Do bëjmë prapë punë. Do sqarojmë çdo gjë. Mos harro se është një nga aferat më të mëdha korruptive.

Nuk them se deklarata është korruptive, se ajo bëhet se duhet të ketë drejtësi, por afera në reformën e drejtësisë është një nga aferat më të mëdha.

Dhe do faktohet ajo, ne kemi durim.

Ne jemi parti e shtetit ligjor, e ligjit.

Por dje bashkëbiseduesve të mi teksa u shpjegoja, në mënyrë periodike shpreheshin se këto janë të tmerrshme. Janë jashtë imagjinatës.

A funksionon? Në qoftë se ne nuk kemi arritur akoma të zbardhim dhe të bëjmë transparencën e plotë, ne do ia arrijmë, iu garantoj unë.

Kësaj i thonë rikthim i opozitës.

Mariglen Kume, MCN TV: PD ka kërkuar dhe kërkon që kartat e identitetit dhe pasaportat të shtyhej afati edhe për qytetarët që jetojnë në Shqipëri. Ndërkohë qeveria mori vendim që afati i tyre të zgjatet vetëm për qytetarët që jetojnë jashtë vendit. Çfarë qëndrimi do të mbani për këtë?

Sali Berisha: Ne këtë moment e lidhim me, në qoftë se qeveria nuk do njohë dokumentet e identitetit të qytetarëve shqiptarë në vendet e huaja ku janë prodhuar, ne nuk votojmë amendamentet që kërkon qeveria. Pikë. Nuk i votojmë.

Se ka kërkuar jo të lëvizin afatet, jo të bëhet kjo e ajo.

Çfarë po kërkojmë ne? Që sa më shumë shqiptarë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese.

Këta po kërkojnë që sa më pak shqiptarë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese.

Po qe se votojnë njohjen e dokumenteve, ne do votojmë kërkesën e KQZ për lëvizje të afateve.

Ne nuk shkelim Kushtetutën, përkundrazi. Pse po e kushtëzojmë ne? Që t’u mundësohet e drejta kushtetuese atyre.

Këta nuk e pranojnë duke shkelur të drejtën kushtetuese.

Nuk e shkelim kurrsesi të drejtën kushtetuese ne.

Po është evidente. Kushtetuta nuk thotë se është shtetas shqiptar ai që ka pasaportë shqiptare. Jo mo. Mund të kesh pasaportë greke, italiane dhe mund të jesh shtetas shqiptar.

Ata po e bëjnë këtë. Ne në kundërpërgjigje nuk e votojmë këtë me datë 13.

Prandaj kanë kohë gjer me datë 13 të mendojnë si të duan.

Andon Kello, AbcNews: Për kushtin që vendosni ju, PS është e sigurtë për ti dërguar ndryshimet në Kod në 13 shkurt pavarësisht se duhen 84 vota. Tani përpara kushtit tuaj, një nga amendamentet për të cilin kishit rënë dakord, ishte që shteti të paguante postën vajtje ardhje, pra emigrantët nuk do të paguanin. Nëse ju vendosni veton dhe nuk do të mblidhen 84 vota, atëherë rrezikohet që emigrantët të paguajnë postën vajtje ardhje. Me qëndrimin tuaj rezulton se, ju jeni të interesuar që emigrantët të harxhojnë para nga xhepi për të votuar, qoftë edhe votues demokratë…

Sali Berisha: Nuk është e vërtetë. Ky ka qenë kushti ynë. Këtë amendament e votojmë ne. Nuk votojmë tjetrin ne, lëvizjen e afateve. Këtë që nesër, se është propozimi ynë, që emigrantët të mos paguajnë asgjë.  

Pse mos të paguajnë asgjë, sepse qytetarët në Shqipëri nuk paguajnë asgjë, thjeshtë për efekt barazie. Kjo rrjedh nga ky vendim. Këta kanë kërkuar lëvizje afatesh burokratike, këto nuk i votojmë ne, nëse ata nuk pranojnë të votojnë me dokumente biometrike të vendit ku jetojnë, emigrantët shqiptarë.

Andon Kello. AbcNews: Më 13 shkurt Sali Berisha voton këtë amendament, pavarësisht kushtit për dokumentet e huaja…

Sali Berisha: Nuk mund të ngrihem kundër amendamentit që kam propozuar unë. Ai është amendament i propozuar nga ne. Nuk mund të mendohet që ne të votojmë kundër tij. Çfarë kanë propozuar ata, nuk  votohet nga ne.

Denada Jushi: Ju nëser jeni në protestën e parë pas daljes në liri, cili është skenari i protestës dhe çfarë do të ndodhë me mosbindjen civile.

Sali Berisha: Kjo nuk është protesta e parë. Kam qenë edhe në të tjera, por kjo është e veçantë.

Kjo është një protestë tjetër, është një protestë në shesh.

Ato ishin protesta me veprime. Skenari nesër do shpallet plotësisht se nuk duhet që armiku të dijë të gjitha taktikat tona.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Duke parë dhe ditët që kalojnë, a ka një datë se kur do të mbahen primaret, referuar dhe zërave brenda opozitës se nuk ka kohë që të mbahet ky proces. Ka një vendim përsa i takon kësaj çështje, pasi në mars duhen dorëzuar listat në KQZ,.

Sali Berisha: Në shqetësimin e shprehur nga drejtues të PD, ka një të vërtetë, koha është e ngushtë, por kjo nuk i përjashton se ai është një vendim statutor, nuk është vendim i kryetarit.

Kryetari është i detyruar të zbatojë statutin. Kjo erdhi nga vota e diasporës.

Sot kemi një përqendrim shumë të madh aty. Ju e patë besoj, këtyre iu janë fikur motorët. Nuk i presin më.

Ku janë takimet e tyre? Një me katër në krahasim me ne. Nuk po i pret Durrësi këta. Socialistët e Durrësit e bënë për ujë të ftohtë padrinon. Na morët fytyrën, nuk mund të dalim me ju, nuk na pranojnë qytetarët. Po si mund t’i pranojnë kur këta kanë vjedhur në mënyrë të papërmbajtur.

Si mund t’i pranojnë kur 5 vite pas tërmetit, as çereku i qytetarëve nuk kanë marrë zgjidhje. Ua kanë hequr edhe qiranë që paguanin. Nuk duan të na shohin me sy qytetarët, thonë ata. Të votuan në vitin 2021, por nuk të votojnë më. Kjo është e vërteta. Në diasporë nuk shkelin dot më. Dërgo, dërgo nga Tirana, por në fund të fundit ja këto janë.

Do shkonte këtu, do shkonte aty, nuk shkoi kurrkund. Zotohet se do bëhet kongresi botëror i ligjit dhe thotë se është ngjarje e madhe shumë. Atë kongres të tregoj se sa ngjarje do jetë.

***

Pra, edhe njëherë u falënderoj dhe u ftoj nesër në protestë ta ndiqni dhe siç e shihni, kampi tjetër po shkon drejt shkërmoqjes. Socialistët çdo ditë e më shumë po e kuptojnë se nuk kanë parti dhe nuk i lidh asgjë me Edi Ramën. Rilindja është një sekt armiqësor për të gjithë shqiptarët.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale