Berisha: Ftoj dhe njëherë të gjithë drejtuesit lokalë dhe qendrorë të PD-së në dalin në ballë të revoltave dhe mosbindjes civile në të katër anët e vendit

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë me gazetarët, dënoi heqjen e mandatit të Ervin Salianjit. Sipas Berishës, me këtë vendim, Rama ka marrë pushtetin në komisionin e mandateve.

Në konferencën me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar edhe kërcënimet e ministrit të Brendshëm ndaj deputetëve të opozitës, pas situatës në kuvend.

‘Bastardi i familjes Hoxha do marrë vendin që meriton’, tha Berisha gjatë fjalës së tij.

Kreu i PD-së u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve lokalë dhe qendror të Partisë Demokratike, që të dalin në ballë të protestave dhe mosbindjes civile në të gjithë vendin.

Opozita ka zbritur në shesh, deklaroi kreu i PD-së, Sali Berisha i pyetur nga gazetarët nëse do të ketë përshkallëzim të reagimit të saj.  ‘Të gjitha këto janë akte të një regjimi kriminal, i lidhur kokë e këmbë me krimin dhe drogën, me të cilin kërkon të shuajë zërat e opozitës.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka shprehur qëndrimin e tij në lidhje me reagimet e ndërkombëtarëve në Tiranë, pas incidenteve të djeshme në Kuvend.

I pyetur në lidhje me Komisionin e të Vërtetës, që ka propozuar një ditë më parë, deputeti Edi Paloka, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, ky komision do të zbulojë lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës me krimin.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita.

Përshëndes ju të gjithëve në sallë, përshëndes të gjithë qytetarët që ndjekin këtë takim në distancë timin me gazetarët.

Sot, jam para jush për të dënuar me forcën më të madhe qëndrimin brutal të Edi Ramës, i cili me zëdhënësen e tij, që nuk po përdor epitete, duke marrë pushtetin e Komisionit të Mandateve, ekzekutoi në një akt antikushtetues, antiligjor, vendimin politik të kreut të krimit të organizuar dhe narkoshtetit në Shqipëri, Edi Ramës, për burgosjen e deputetit Ervin Salianji, nënkryetarit të grupit të PD, për rrjedhojë anëtarit të kryesisë së parlamentit shqiptar.

Ky akt, që tejkalon edhe standardet e vendeve më moniste, tregon fytyrën e vërtetë, tregon ringjalljen në shpirtin dhe qenien e Edi Ramës të babait të tij xhelat, Kristaq Rama, që urdhëronte me 10 gusht të vitit 1988, varjen në litar të disidentit Havzi Nela.

Ky akt prej burracaku dëshmon se jo deputeti guximtar Ervin Salianji, por është Edi Rama i tmerruar nga krimet, lidhjet e tij me krimin dhe urdhëron shkelmimin e Kushtetutës, shkelmimin e parlamentit.

Unë sot gjithashtu dënoj me forcën më të madhe deklaratën e bastardit me tre mbiemra, direkt kërcënimet e tij bastardit të familjes Hoxha, kërcënimet e tij ndaj deputetëve të opozitës.

I them këtij bastardi, sikundër Edi Ramës, edhe Enveri të ngrihej nga varri, deputetët e opozitës as nuk tremben, as nuk tuten, por janë të vendosur ta çojnë gjer në fund mosbindjen civile dhe betejën për një Shqipëri pa narkodiktaturë, për një Shqipëri të shtetit ligjor dhe zgjedhjeve të lira.

Në këtë kontekst, i them këtij banditi të shndërruar në ministër për biografinë e tij, çlirohu nga inspirimet e diktatorit më satanik që ka njohur Shqipëria, sepse opozita dhe opozitarët do të japin ty vendin që meriton.

Së treti, jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë deputetëve të parlamenteve lokale, të bëjnë gjithçka në mosbindje civile për t’i shkurtuar ditët regjimit të drogës, krimeve monstruoze.

Të ftoj dhe njëherë të gjithë drejtuesit lokalë dhe qëndrorë të PD-së në dalin në ballë të revoltave dhe mosbindjes civile në të katër anët e vendit.

T’u faktojmë shqiptarëve dhe botës se diktatura në Shqipëri i ka ditët e shkurtra.

Se Shqipëria sundohet nga grupi mafioz më i rrezikshëm qeveritar në Europë.

Se shteti ligjor është zëvendësuar me kodin e mafies.

Se Shqipëria është vendi i të burgosurve politikë dhe i përpjekjes satanike të mafies shqiptare dhe ndërkombëtare për të shkatërruar opozitën e vendit në funksion të Edi Ramës, kryemafiozit të Shqipërisë dhe Europës.

Se shqiptarët janë të gatshëm për çdo sakrificë për të votuar të lirë si të gjithë qytetarët europianë.

Se ata do përdorin të gjitha mjetet e ligjshme të protestës kur janë përballur me regjime diktatoriale në Europë dhe botë.

PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET:

Mola Luku, OraNews: Z. Berisha, ditën e sotme BE dhe ambasada e SHBA kanë reaguar në lidhje me protestën e djeshme në parlament, duke u shprehur se dhuna nuk është zgjidhje dhe se duhet ti riktheheni dialogut. Si i komentoni deklaratat e tyre dhe a do të ketë një mundësi për komunikim.

Sali Berisha: Unë shpreh qëndrimin tim. Në këtë rast theksoj se ditët dhe vitet në burg të Ervin Salianjit janë një aktakuzë ndaj të gjithë atyre që mbrojnë narkogjimin e Edi Ramës. Se për çdo njeri të lirë, vitet rinore në burg të një deputeti, pas ekzekutimit të tij, janë gjëja më e rëndë që mund të ndodhë në një vend. Por në këtë rast, përgjigja ime është kjo: Ervin Salianji pati kurajën qytetare, pati përgjegjësinë politike të denoncojë me dokumente, me regjistrime të gazetarëve investigativë se vëllai i Fatmir Xhafës, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge si një rrezik për rendin dhe sigurinë e republikës italiane, jo vetëm që nuk ekstradohej, jo vetëm që fshihej në Vlorë, por trafikonte tonelata drogë nën mburojën e vëllait të tij ministër. Unë besoj se denoncimi i Ervin Salianjit nuk ishte vetëm në interesin e shqiptarëve, por ishte edhe në interesin e qytetarëve të vendit fqinj, Italisë. E vërteta është se pas këtij denoncimi të Ervin Salianjit, Geron Xhafa u paketua dhe u ekstradua në orën 6 të mëngjesit të asaj dite në burgjet e Italisë. Pra, Ervin Salianji bëri një detyrë jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj partnerëve dhe miqve tanë përtej detit. Ervin Salianji bëri një detyrë edhe ndaj partnerëve tanë përtej oqeanit, atyre që besojnë se shteti ligjor është jetik për një demokraci. Atyre që besojnë luftë kundër krimit të organizuar dhe drogës është vendimtare për ligjin, rendin dhe zhvillimin. Natyrisht nuk bëhet fjalë për ata që ndërmorën grushtin e shtetit kundër opozitës shqiptare.

Ardit Hoxha, EuroNews: Ditën e sotme ju e thatë pak gjatë fjalës tuaj, ka një procedim ndaj 24 deputetëve të PD, të cilët përveç se rrezikojnë dënime afatgjata nga parlamenti, ndoshta do të duhet të përballen edhe me procese gjyqësore, apo drejtësinë. Si e shikoni këtë lloj vendimmarrje dhe a mund të ketë ndonjë përshkallëzim akoma e më të madh të aksionit të opozitës në parlament, më shumë seç e pamë dje me djegien e karrigeve.

Sali Berisha: Të gjitha këto janë akte të një regjimi kriminal, i lidhur kokë e këmbë me krimin dhe drogën, me të cilin kërkon të shuajë zërat e opozitës. Ju garantoj se opozita ka zbritur në shesh dhe gjer në përmbushjen e misionit të saj, e vendosur për çdo sakrificë, e vendosur për qëndresën më të fuqishme, ajo nuk tërhiqet.

Osman Stafa, News24: Në momentin e vendimit të gjykatës së Apelit i keni kërkuar ndërkombëtarëve të reagojnë, se heshtja e tyre merrje si mbështetje për Ramën. Me nisjen e aksionit të PD, ambasadat kanë reaguar ditën e sotme. A do i marrë parasysh PD edhe në vijim deklaratat e ambasadat në Shqipëri.

Sali Berisha: PD ka respekt për partnerët ndërkombëtarë, por ka respekt edhe për popujt e vendeve partnere, të cilët sa herë gjenden përpara një padrejtësie, i japin përgjigjen e tyre të merituar cilitdo. Kjo është edhe përgjigjja ime. Në qoftë se unë vërtet në fjalën time kërkova që të mos heshtin para dhunës politike që është forma më e egër e dhunës, përpara burgosjes së një njeriu, i cili edhe njëherë, nuk mbrojti vetëm interesat e shqiptarëve, por edhe të qytetarëve të BE, për aq sa është Italia një vend kryesor i BE. Por, edhe për aq sa administrata e SHBA dhe vendeve të tjera është e interesuar për prerjen e lidhjeve të politikës me krimin dhe luftën kundër kriminalitetit. Natyrisht unë jam i vetëdijshëm për fuqinë e jashtëzakonshme korruptive, siç është faktuar, të kreut të narkoshtetit. Por prapë, interesat nuk mund t’i korruptojnë. Thirrja ime kishte të bënte me interesat e përbashkëta, me vlerat e përbashkëta që ne ndajmë me partnerët. Por secili përcakton qëndrimin e tij.

Osman Stafa, News24: Dje Edi Paloka ka kërkuar krijimin e Komisionit të së Vërtetës për të evidentuar lidhjet e krimit me politikën. A mund të na jepni më shumë informacion se çfarë është ky komision.

Sali Berisha: Në qoftë se lexon një të pestën e njërës nga dosjet të paraqitur gjer sot, apo po të marrim këtë të fundit, të asaj që hyri në zhargon si dosja Balla apo Toyota Yaris, ju konstatoni aty se lidhjet e politikës me krimin, lidhjet e qeveritarëve gjer tek Edi Rama, e gjykatësve, prokurorëve, policëve, janë tragjedia dhe drama më e madhe e shqiptarëve. Janë një rrezik i jashtëzakonshëm në potencial jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri, për rajonin, për Europën dhe më gjerë. Kam kohë që unë shqyrtoj, analizoj, mendoj për këtë problem dhe i garantoj shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë se ka vetëm një zgjidhje për t’u dhënë përgjigjen e plotë atij Everesti të zi të lidhjeve të tmerrshme me krimin nga Edi Rama dhe poshtë të kësaj administrate dhe këtij shteti dhe kjo është një ‘truth commission’ me prani edhe të përfaqësuesve të partnerëve ndërkombëtarë. Kemi fatin që tashmë jemi përpara zbulimit të zi më të madh të shekullit porsa i përket lidhjeve të politikës me krimin. Atëherë cfarë do bëjmë? Do lejojmë që këto lidhje të pasohen nën tokë, mbi tokë dhe të përcaktojnë të ardhmen e këtij vendi, të rrezikojnë rajonin dhe Europën, apo me një komision të të vërtetës do presim këto lidhje për të shpëtuar kombin shqiptar, shoqërinë shqiptare nga kthetrat e tmerrshme të krimit qeveritar dhe joqeveritar që e kanë ngërthyer atë. Pra, ky është një zotim para shqiptarëve.  Shqiptarët do lemerisen, do lebetiten kur të dëgjojnë të vërtetuara këto lidhje. Edhe njëherë, informoj se nga 60 mijë telefonata të koduara në Europë dhe botë, 15 mijë kanë qenë në duart e shqiptarëve. 8 mijë prej tyre në duart e zeza të pushtetarëve në Shqipëri. nga të cilat, 73 në duart e zeza të Edi Ramës dhe punonjësve të tij në kryeministri. Pra, jemi këtu, çfarë do bëjmë, do heshtim, do ulim kokën apo do qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të interesit të qytetarëve shqiptarë. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë Komisionin e të Vërtetës në parlament dhe kudo.

Bekim Bici, TopNews: Ju dhe deputetë të tjerë të PD, jeni shprehur kundër bojkotit dhe djegies së mandateve. Sot është dita e dytë që deputetët e opozitës po bojkotojnë komisionet parlamentare. A është ky një qëndrim i dyfishtë i PD-së dhe çfarë do të ndodhë me PD, do i bojkotojë komisionet dhe parlamentin apo do të ketë përballje.

Sali Berisha: Nëse themi nuk ka bojkot, është fjala për të përhershme. Jemi plotësisht brenda normave tona statutore. Besoj unë ju përgjigja pyetjes tuaj.

Bekim Bici, TopNews: Nëse i referohemi deklaratave të disa deputetëve ditën e djeshme pas aktit të djegies së karrigeve. Është shprehur se koha e fjalimeve të bukura ka marrë fund. Çfarë do të ndodhë në 7 tetor?

Sali Berisha: Veprim, veprim, veprim.

Enkel Xhangoli, KlanNews: Tashmë është e qartë që ju keni hapur dy fronte aksioni në parlament por edhe me protestën që do të zhvilloni më 7 tetor. Çfarë do të ndodhë në 8, 9 tetor dhe në vazhdim, do jenë protesta të përjavshme, duke qenë se ju keni thënë që do të zhvilloni protesta të qëndrueshme dhe të vazhdueshme?

Sali Berisha: Së pari, nuk janë fronte, është një front. Këtë ta kemi të qartë. Dhe ky front udhëhiqet nga organet të PD dhe nga grupi parlamentar i saj, kryesia e me radhë me radhë. Pra, ajo që keni parë dje në parlament është pjesë e qendrimeve të PD. E vërteta është, ua them këtu, që kurrë jashtë zgjedhjeve të lira Shqipëria paqe dhe stabilitet nuk do të ketë. Zgjedhjet e lira janë kusht i të gjitha kushteve për paqen, stabilitetin, Kushtetutën dhe ligjin. Si mund të flasësh, kur këtu Kushtetuta është shndërruar në një letër pavlerë, që Edi Rama e përdor si leckë për këpucët e tij. Çfarë mund të flasësh, kur drejtësia është shndërruar në një zyrë të PS, ku qytetarët shqiptarë duhet presin 14.6 vite për një proces gjyqësor për shkak të reformës Xhorxh Soros-Lu-Vllahutin. T’u pyes unë, të dashur qytetarë shqiptarë. A meritoni ju, si të gjithë qytetarët europianë, si të gjithë qytetarët e botës një proces civil të drejtë ligjor, ç’ka do të thotë brenda afateve ligjore të caktuara. Unë u them këtyre zotërinjve që mbrojnë dështimin kolosal në të drejtën korruptive të drejtësisë, se në vendet e tyre ku procesi zgjedhor civil nuk zhvillohet në afatin ligjor të caktuar, pala që padit shpallet fituese. Apo shqiptarët konsiderohen si kavje sepse, korruptohet Lu, Vllahutin dhe Xhorxh Soros, do të bënin eksperimentin e dështuar. Na thoni, a meritojnë shqiptarët një proces të drejtë ligjor, apo një prokurori speciale që funksionon e tëra mbi bazën e lidhjeve të saj me krimin dhe kontrollin e Edi Ramës? Pra, kam vetëm një kërkesë: mos mbroni dështimin, sepse kjo merr nuanca jashtëzakonisht të papërshtatshme. Shqiptarët njëlloj si qytetarët e tjerë të Europës dhe të botës meritojnë procesin ligjor. Unë ju garantoj ju, se qytetarët shqiptarë gjatë diktaturës, në procese penale janë trajtuar me ligjet e diktaturës, por proceset civile kurrë, nuk kanë pritur 14 vjet, as 10 vjet, as 8 vjet, as 6 vjet, as 7 vjet, as 4 vjet. Si është e mundur? Çfarë korrupsion i tmerrshëm është ky? Çfarë diskriminimi është ky që iu bëhet qytetarëve shqiptarë? Nuk janë kavje. Janë qënie njerëzore. Është vend anëtar i KE. Është vend që aspiron integrimin në BE. Është vend anëtar i NATO-s.

Të marrin përgjegjësinë ata që u angazhuan në këtë mega aferë ndërkombëtare korruptive dhe i shkatërruan sistemin ‘fragil’ të drejtësisë së një kombi. Nuk mund të them protesta të përditshme, as të përjavshme por të vazhdueshme gjer në rikthimin qeverisë teknike dhe votës së lirë shqiptarëve.

Anisa Kadesha, TVSH: Ata që ju quajnë opozitë e opozitës këtë periudhë ju kanë akuzuar se keni një pakt të fshehtë me kryeministrin Edi Rama, përmes së cilit Rama merr mandatin e 4-t qeveritar, ndërsa ju me aktet e mosbindjes civile justifikoni humbjet në zgjedhjet e ardhshme. A keni një koment në lidhje me këto akuza?

Sali Berisha: Papagaj të Edi Ramës, thjesht papagaj të Edi Ramës. Po unë kam bindjen se shqiptarët tashmë kanë kuptuar se çfarë janë këta, thjesht papagaj të atij që ju hedh nga një copë ushqim në kafaz. Asgjë tjetër. Është koha e bashkimit me të gjithë opozitarët. Ftoj çdo qytetar. Unë e kuptoj se sot ka njerëz të lodhur, e pse jo dhe të rraskapitur. Sepse kanë pritur 11 vite. Por ka një problem. Këta qytetarë dhe qytetare duhet të kuptojnë, se jemi në diktaturë, se diktaturat me votë nuk largohen. Nuk largohen me votë, largohen me lëvizje të fuqishme popullore e cila krijon kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.  Ndaj dhe i ftoj të bashkohemi, dhe i garantoj se kjo kalbësirë mafioze që qeveris Shqipërinë do ketë rezultatin që pati PPSH, paraardhësja e saj, madje edhe më të vogël në vitin 1992.  Po mos harroni, se jemi në kushte të një diktature. Dje u betua hajduti i mandatit të Himarës, Tavo. Dje nja mafioz. U emërua në Himarë, në një kohë kur qytetarët e Himarës e votuan masivisht kundër, vetëm për të mbështetur vjedhjen e pronave nga Edi Rama dhe organizata kriminale e tij, qeveri dhe banditë.

Ju falënderoj! Dhe njëherë ftoj demokratet dhe demokratët, të gjitha strukturat e PD, të gjithë këshilltarët, drejtuesit e saj të vazhdojnë betejën e nisur gjer në rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve. Një kauzë e drejtë duhet t ëmbrohet me çdo çmim.

Mbrojtja e së vërtetës kërkon sakrifica dhe shkakton dhimbje, por triumfi i saj është triumfi i njeriut të lirë, triumfi i shpresës dhe i besimit të qytetarëve në të ardhmen e tyre.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale