Berisha: Ftoj çdo demokrat nga viti ’91 të na bashkohet. Do shkarkoja çdo ministër pa dalë nga restoranti, po të bënte si Lubi Balluku

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN E FIERIT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në ceremoninë e 34 – vjetorit të themelimit të degës së Fierit. Berisha ka përshëndetur demokratët themelues të kësaj dege dhe drejtuesit aktualë të PD-së së Fierit. “Në 34 vite të ekzistencës, ne transformuam Shqipërinë. Nga vendi i hiperkolektivizmit total, e shndërruam në vendin e iniciativës së lirë të qytetarëve të vet. Nga vendi i izolimit më të plotë, Shqipëria u integrua në Këshillin e Europës, në NATO dhe u hap ndaj gjithë botës”, tha kreu demokrat gjatë fjalës së tij.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë 34-vjetor, Sali Berisha ka bërë thirrje nga Fieri për bashkim të demokratëve që nga viti ’91. ‘I bëj thirrje çdo demokrati, nga viti 1990 gjer sot, të bashkohemi në kontributet tona. Sepse Shqipëria në 34 vite nuk ka pasur periudhë më kritike se kjo’, theksoi gjatë fjalës së tij, Berisha.

Duke sulmuar Belinda Ballukun, nga Fieri, Berisha u shpreh se, nëse një ministër i tij do të ishte kapur siç u kap, Balluku duke ngrënë 1 mijë euro biftekun, do ishte shkarkuar pa dalë ende nga restoranti. ‘Për vete, rrogat në stratosferë. Për vete, çarter. Për vete, Lubi Balluku biftekun 1 mijë euro. Ju jap fjalën e nderit se po të kishte imagjinuar një ministër i PD një gjë të tillë, pa dalë nga restoranti do merrte dekretin e shkarkimit’, theksoi kryedemokrati, Sali Berisha.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka hedhur akuza dhe ndaj Edi Ramës, pasi sipas tij ka lënë pas dore pensionistët, fermerët dhe krejt shqiptarët. “Vetëm një kolonialist që urren kombin që ka pushtuar, mund të lerë 16 milionë euro për 780 mijë pensionistë”, tha kreu demokrat gjatë fjalimit para demokratëve ne Fier. Ai ka akuzuar qeverinë e rilindjes se vjedhin 90 përqind të atyre që prokurojnë.

Myzeqeja arriti në 35 mijë kokë lopë race. Myzeqeja arriti me dhjetëra e qindra sera. Çdo gjë degradoi me Ballkanin e Hapur. Çdo gjë degradoi me ndërprerjen e subvencioneve”, u shpreh kryetari i PD-së Sali Berisha gjatë takimit në Fier.

FJALA E PLOTE

Të dashur demokratë të qytetit dhe qarkut të Fierit, një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju dhe banorët e këtij qarku.

Një përshëndetje të përzemërt kam për drejtuesit e PD, drejtuesin politik të qarkut të Fierit, zotin Bardhi, deputetin e Fierit, Luan Baçi, kryetarin Rrapi Gjiko dhe të gjithë të pranishmit në këtë sallë.

Sot jemi në një përvjetor dhe është normale që të përulemi me nderimin më të madh ndaj të gjithë atyre qytetarëve të këtij qyteti, që 34 vite më parë, në kushtet e një terrori të fortë, guxuan dhe firmosën për krijimin e PD, si parti e të drejtave dhe lirive themelore të mohuara të njeriut, si parti e interesit kombëtar të shqiptarëve, parti e iniciativës së lirë, parti e integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO.

Një nderim të veçantë kam unë sot për të gjithë ata të rinj të Fierit, që me 20 shkurt ranë nën breshëritë e terrorizimit të kuq. Gjaku i tyre skuqi Gjanicën, por demokratët e Fierit qëndruan të pamposhtur.

Të dashur miq, themelimi i PD 34 vite më parë ishte themelimi i një force politike të idealeve më fisnike të njeriut, të idealeve të ndaluara, të vlerave të shkelmuara.

Kjo forcë politike ka një trashëgimi që bën krenar çdo njeri.

Trashëgimia e saj janë të vërtetat supreme të njeriut, liritë, të drejtat, dinjiteti, interesi kombëtar.

Forca tjetër politike ka një histori krimi dhe nuk mund ta mohojmë. Rëndojnë mbi të kasaphana e luftës së klasave. Rëndojnë mijëvjeçarë vite rinie të shkrira në kampet e përqendrimit. Mijëra e mijëra jetë të rëna para skuadrave të pushkatimit.

Pra, trashëgimia jonë ndryshon si nata me ditën me trashëgiminë e forcës tjetër politike.

Në 34 vite të ekzistencës, ne transformuam Shqipërinë. Nga vendi i hiperkolektivizmit total, e shndërruam në vendin e iniciativës së lirë të qytetarëve të vet. Nga vendi i izolimit më të plotë, Shqipëria u integrua në Këshillin e Europës, në NATO dhe u hap ndaj gjithë botës.

Nga vendi që në vitin 1992, kishte të ardhurat për frymë të tretat më të ulëta në botë, 234 dollarë për frymë. Dhe kur një ditë u thashë që u bëra president me një rrogë 16 dollarë në muaj, një ndjekës në rrjetet sociale më thoshte Sala paska lajthitur. Qesha sepse e vërteta është se ai kishte të drejtë, nuk mund të imagjinonte se cila ishte Shqipëria e vitit 1992.

Por atë realitet, ne e transformuam. Ne ia dolëm që në vitin 2008, shqiptarët më të keqpaguar në kohëra, të dalin në krye për rrogat dhe pensionet në të gjitha vendet e rajonit. Dhe ky ishte një kërcim i madh.

Miqtë e mi, PD në vitin 2013, humbi zgjedhjet dhe doli në opozitë duke garantuar një proces zgjedhor të drejtë.

Por në pushtet erdhi njeriu me lidhjet më të fuqishme me krimin e diktaturë së shkuar dhe krimin e këtyre viteve.

Pas vitit 2013, me shpejtësi në Shqipëri u instalua narkodiktatura, e cila hapi çdo ditë e më shumë një gropë të zezë të tmerrshme në këtë vend, nga e cila largohen çdo ditë shqiptarët.

Ky regjim largoi nga Shqipëria më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo fatkeqësi natyrore në ndonjë vend tjetër të planetit. Dhe ky largim ndodhi në 10 vite.

PD pësoi gjithashtu në 3 vitet e fundit tronditje të mëdha. Ndaj saj u bënë përpjekje të padrejta, të pandershme ta asgjësonin, ta përçanin, t’i emëronin kryetarin, de facto ta tjetërsonin si forcë politike.

Por, pas një procesi herë-herë dhe kalvari, sot jemi më të bashkuar, më të fortë, më në këmbë se kurrë.

Kjo sepse ne jemi njerëz që bashkohemi në të vërtetat që besojmë.  Kjo është arsyeja kryesore.

Ne nuk udhëhiqemi nga ideologjira ekstremiste. Ne udhëhiqemi nga respekti i dinjitetit njerëzor, i investimit dhe kontributit të secilit në ëktë proces. Ne nuk pranojmë kurrë të shkelmojmë mbi kontributin e tjetrit në familjen tonë.

Ne udhëhiqemi nga një parim madhor, toleranca. Këtu me datën 20 shkurt, kur breshëritë korrnin jetë të rinjsh, demokratët nuk rrëmbyen, por demokratët qëndruan dhe me tolerancën e tyre, bënë pluhur përpjekjet e tyre për të krijuar republikën e Vlorës, siç u grupuan forcat enveriste.

Pra, cilido që e konsideron veten demokrat, nuk duhet të harrojë se një vlerë themelore e kësaj partie është toleranca.

Ne kemi bërë gjënë më të madhe.

Do u tregoj një histori të shkurtër.

Po vija nga Berati në Fier në vitin 1991 me Viktor Margilajn.

Në një fshat, ishte muzg, një mësues me nja 30-40 fëmijë kishin bllokuar rrugën. Unë në fakt nuk e kisha kuptuar se kishin bllokuar rrugën. Shoh Viktorin unë, doli në breg aty, mirëpo ata që kishin nxjerrë fëmijët, harruan se fëmijët filluan të thonë ‘Sali Berisha’ me dy gishtat. I them, Viktor, ç’po bën aty. Jo, më thotë, kanë dalë të na gjuajnë, na kanë zënë rrugën.

Pra, ne nuk u tërhoqëm nga këto, ne qëndruam sepse ishim të bindur se ne duhet të ofrojmë mirëkuptim dhe tolerancë ndaj qytetarëve shqiptarë. Përndryshe nuk bëheshim shumicë ne, përndryshe mbeteshim pakicë. Përndryshe nuk fitonim. Përndryshe nuk ishim forcë demokratë.

Pse e evokova këtë? Pra, në qoftë se marrim historikun, çfarë na shërbejnë ne këto 3 vite?

Këto tre vite na shërbejnë ne kaq, që ne jemi forca politike e të pamundurave, asgjë më shumë. Menduan të na shuajnë, ja ku jemi në këmbë.

Menduan të na heshtin, ne bëmë opozitën më të fuqishme që ka pasur Shqipëria në 34 vite.

Menduan të na izolojnë, sot vijmë forca politike më e mbështetur me tre rezoluta ndërkombëtare.

Pra, demokrate e demokratë, pse na duhet ky 34-vjetor? Na duhet sepse tani nga forcë e qëndresës, do jemi forcë e fitores.

Asgjë në botë nuk mund të ndalë vrullin tonë drejt fitores së 11 majit.

Kurrë ndonjëherë fitorja nuk ka qenë në duart tuaja siç ka qenë kësaj here.

Kjo fitore ka një kusht: të bashkohemi me çdo demokrat nga viti 1990 gjer sot, që do të rikthehet tek kontributi i tij.

Asnjë nga ne nuk del jashtë teorisë së gabimeve.

Çfarë është fanatiku, po të më pyesni mua? Fanatiku është një njeri që nuk pranon se gabon. Por ne pranojmë se gabojmë, ne i  korrigjojmë gabimet.

Po të jetë puna për krime, ne nuk pajtohemi. Por ne nuk jemi parti me krime, ne jemi parti me merita të jashtëzakonshme. Jemi përballur dhe përballemi.

Prandaj dhe këtu nga Fieri, i bëj thirrje çdo demokrati, nga viti 1990 gjer sot, të bashkohemi në kontributet tona.

Sepse Shqipëria në 34 vite nuk ka pasur periudhë më kritike se kjo.

Ky regjim po shkatërron Shqipërinë.

Për një moment ju ftoj të mendoni se çfarë mund të ndodhë me regjimin e Edi Rramës kur 1 milion e 100 mijë janë larguar vetëm në hapësirën e Shengenit, çfarë do ndodhë 4 vitet e ardhshme? Të paktën 1 milion do  largohen dhe do bashkohen me ta.

Së dyti, bashkimi ynë si kusht themelor për një front të madh me të gjithë qytetarët e Fierit, me të gjithë njerëzit punëtorë të këtij qyteti dhe të këtyre zonave, të cilët përjetojnë një regjim që i shfrytëzon me egërsinë më të madhe, të cilët përjetojnë një regjim që sillet ndaj tyre si një regjim kolonial. Po, po, si regjim kolonial. Që të jesh kryeministër, të vësh përpara taksat tuaja, paratë tuaja, 8.2 miliardë euro dhe të lesh për rrogat për qytetarët gjithsej 800 milionë euro, pra vetëm 10 përqind, dhe të lësh për 780 mijë pensionistë, 16 milionë euro, një të 512-tën e buxhetit, të lësh për fermerët shqiptarë gjithsej 31 milionë euro, në një kohë kur japin 19 përqind të gjithë prodhimit të brendshëm të vendit, asnjë kolonialist i pamëshirë nuk do e bënte këtë.

Për vete, rrogat në stratosferë. Për vete, çarter. Për vete, Lubi Balluku biftekun 1 mijë euro.

Ju jap fjalën e nderit se po të kishte imagjinuar një ministër i PD një gjë të tillë, pa dalë nga restoranti do merrte dekretin e shkarkimit.

Prandaj dhe ju duhet të uleni me çdo banor të këtij rrethi, të uleni.

Kemi premtuar 200 euro minimum jetik dhe me këto 200 euro ndryshojmë jetën e 57 përqind të pensionistëve në Shqipëri që nuk marrin pension të plotë. Ndryshojmë jetën e të gjithë pensionistëve në fshat. Ndryshojmë jetën e çdo qytetarit të papunë. Ndryshojmë jetën e çdo qytetari në ndihmë ekonomike.

Pse kjo?

Po një qeveri që zgjidhet nga qytetarët e vet, detyrë parësore ka të mbrojë interesat e tyre.

Vetëm një kolonialist që urren kombin që ka pushtuar, mund të lerë 16 milionë euro për 780 mijë pensionistë.

Do i thonë se ku i gjen ky lekët? Secilit do u jepni dy sqarime. Kur ky zotëria ishte kryeministri, buxheti nuk ishte 8 miliardë, ishte më së shumti 4 miliardë. Por buxheti ndahej, fondi për rrugët dhe fondi për qytetarët. A u dyfishuan rrogat? Të dalë një arsimtar, një infermier, një mjek që të thotë nuk u dyfishuan rrogat.

Por sigurisht nëse vepron siç vepron ky që lë një të dhjetën për rrogat dhe një të 512-tën për pensionet, natyrisht njerëzit do flasin me vete, natyrisht njerëzit do vuajnë për kafshatën.

Atëherë pra, shtroni pyetjen, si ka mundësi me një buxhet sa gjysma e këtij, u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë nga Hani i Hotit në Koshovicë të Gjirokastrës. Si ka mundësi që u dyfishuan rrogat, u dyfishuan pensionet? Sigurisht se paratë ndaheshin.

Çfarë ndodh sot? Ku shkojnë paratë e tjera? Paratë e tjera shkojnë në xhepat e qeveritarëve.

Sepse miqtë e mi, jeni dëshmitarë, këtë rrugën që lidh Lushnjen me Fierin, e kemi ndërtuar me 1 milion euro kilometrin.

Rrugën nga Shkëmbi i Kavajës gjer në Lushnje, përveç segmentit që kemi gjetur, e kemi ndërtuar me 1.2 milion euro kilometrin.

Bajpasi i Fierit ishte në projekt me 2.3 milion euro kilometri, që është 27 metra i gjerë, me gjithë ato vepra arti.

U fut Edi Rama me Vali Bizhgën dhe e transformoi çmimin.

Pra, ku do i gjejmë paratë? Paratë janë sepse këta ndërtojnë rrugën me 10-fishin, me 15-fishin e çmimit. A janë rritur çmimet e ndërtimit gjatë këtyre viteve? Po. Sa janë rritur? Çmimet janë rritur gjithsej 35 përqind.

Pra nëse ka kushtuar 1 milion euro, sot duhet të kushtojë 1.3 milionë euro, jo të kushtojë 15 milionë euro. Këta vjedhin 90 përqind të atyre që prokurojnë.

Ku do i gjejmë paratë? 1.3 miliardë euro do i marrim nga Porti i Durrësit. Po mbyll portin mijëravjeçar për të ndërtuar në Porto Romano me 1.3 miliardë euro portin e ri. Jo, nuk do ndërtohet. Ato 1.3 miliardë do u shpërndahen qytetarëve rroga dhe pensione.

Dhe u garantoj një gjë ju, që ky është vetëm fillimi.

Ky është vetëm fillimi dhe është me rezerva të forta se mund të themi edhe më shumë.

Ky bazament është i shkëlqyer që ne të ecim dhe të dalim sërish në krye.

Ju duhet të shkoni tek çdo qytetar i Fierit, tek çdo pensionist.

Garantoj rritje progresive me 15-20 përqind gjersa të dalim në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet.

Të vërtetat e këtij programi duhet të jenë Leva e Arkimedit e juaj për të bindur çdo qytetar të këtij rrethi.

Shkoni tek fermerët, çfarë kanë lënë këta për fermerët këtë vit? 31 milionë euro. Kanë lënë ekzakt 0.9 përqind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. Fermerët i japin vendit 19 përqind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. A mund të imagjinohet kund në botë kjo? Keni dëgjuar ju të flitet më për fermerët, të flitet për ullinjtë, të flitet për lopët e racës? Nuk ekzistojnë më në fjalor.

Myzeqeja arriti në 35 mijë kokë lopë race. Myzeqeja arriti me dhjetëra e qindra sera. Çdo gjë degradoi me Ballkanin e Hapur. Çdo gjë degradoi me ndërprerjen e subvencioneve.

Do subvencionohet fermeri për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti.

TVSH-ja për përpunuesit do jetë e njëjtë në shitje dhe blerje.

Absolutisht do mbrohen prodhimet e fermerëve shqiptarë.

Përsëri u kthemi projekteve tona, nga 4 milionë kaluam në 11 milionë rrënjë ullinj. Do ecim drejt 20 dhe drejt 50 milionë rrënjë ullinj në kodrat e mbarë Shqipërisë, nga Hani i Hotit gjer në Gjirokastër.

Pra, do i rikthejmë fermerit tonë suksesin, mundësinë e pasurimit me djersën e tij.

E njëjta gjë me bizneset. I shkatërruan bizneset me konkurrenc të pandershme, me narkoeurot. Nuk ka sukses më në biznes. Falimentojnë njëri pas tjetrit. Përgjysmim i taksave për bizneset, garantim i konkurrencës së ndershme. Prerja me gërshërët e ligjit e të gjitha lidhjeve me krimin.

Do t’i kapim kriminelët atje ku të jenë, kudo që të jenë.

Sepse aty ku rrinë në Dubai, në Aruba apo kudo tjetër, përcjellin helm në Shqipëri.

Paratë e tyre janë para toksike, para që shkatërrojnë ekonominë shqiptare.

…Ja urdhëro, as ata 31 milionë euro nuk ua japin fermerëve, ua vjedhin.

Ai 8 miliardë do ndahet mirë. Nuk do ndahet kurrë në këtë mënyrë.

Do jepet karta e konsumatorit. Rroga minimale nuk do jetë kurrë nën 500 euro. Sipërmarrësve do u kompensohet çdo gjë që humbasin nga rritja e kësaj rroge.

Ne kemi pra një program, i cili përmbys shpërndarjen e të ardhurave dhe vendos qytetarin në epiqendër.

Kemi një program që i jep goditje të fortë mjerimit, e zhduk nga Shqipëria mjerimin, siç e kanë zhdukur kombe të tjera.

Kemi një program që barazon fermerin shqiptar me fermerët e rajonit.

Kemi një program që mbështet fuqishëm biznesin.

Ndaj dhe kërkohet të takojmë, të bisedojmë çdo ditë me qytetarët e Fierit, me fermerët e Fierit dhe të ecim të sigurt drejt fitores.

Dhe njëherë ju falënderoj dhe në emër tuaj i çoj një përshëndetje vëllazërore nënkryetarit të PD, deputetit, martirit të fjalës së lirë, Ervin Salianji.

E garantoj se ata, të cilët u sollën si xhelatë të fjalës së lirë, do përgjigjen me rreptësinë më të madhe para ligjit.

Edi Rama ndoqi rrugën e të atit, ndaj dhe do i japim atë që meriton.

Edhe njëherë, le t’i shndërrojmë këto muaj në muajt e betejës tonë fitimtare.

Rrofshi ju, rroftë Fierit, fitore, fitore.

Është radha jonë.

Është radha jonë.

Është radha jonë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale