Berisha: Elmar Brok na ndihmoi kur PS vodhi zgjedhjet e vitit 2001. Bashkë me të, ne e kthyem Shqipërinë në rrugën e duhur

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur në tubimin qytetar, ka përshëndetur politikanin Elmar Brok dhe u shpreh se, ai ka zgjedhur të ndajë ditëlindjen së bashku me ne si një ogur shprese, si një mbështetje e fuqishme e idealeve tona evropiane.

Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, pasi përshëndeti të pranishmit, deklaroi se, Elmar Brok e ka ndihmuar opozitën, kur PS-ja vodhi zgjedhjet e vitit 2001. ‘Bashkë me të, ne e kthyem Shqipërinë në rrugën e duhur’, tha gjatë fjalës së tij, kryedemokrati, Sali Berisha.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka garantuar përfaqësuesin e CDU-së, Elmar Brok se ideali i integrimit evropian të Shqipërisë mbetet vendosmëria kryesore e Partisë Demokratike.

Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalës në tubimin qytetar, pasi përshëndeti të pranishmit, deklaroi se, fitorja është në pëllëmbë të dorës. ‘Ne po ecim të sigurt drejt qeverisë teknike’, deklaroi kryetari i PD-së gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të zjarrta qëndrestarë dhe qëndrestare, guximtarë dhe guximtare, misionarë të vërtetë të lirisë, dinjitetit, shpresës dhe fitores.

Të dashur miq!

Më lejoni që në emër tuaj dhe të PD të shpreh mirënjohjen më të pakufishme mikut të shquar të kombit shqiptar, personalitetit të njohur të partisë së Helmut Kohlit, ish-drejtuesit prej rreth 20 vitesh të Komisionit të Politikës së Jashtme, Sigurisë dhe të Drejtave të Njeriut në Parlamentin Europian, zotit Elmar Brok.

Të dashur miq!

Zoti Brok na ka nderuar sot në një ditë të veçantë të jetës së tij.

Ka zgjedhur të ndajë ditëlindjen së bashku me ne si një ogur shprese, si një mbështetje e fuqishme e idealeve tona evropiane, e përpjekjeve tona për integrimin e Shqipërisë në Europë.

Të dashur miq!

Duhet të përshëndes këtu sonte praninë e kryetarit të Partisë së Lirisë, fjalën e tij dhe të gjithë oratorëve që folën këtu nga ky parlament i lirisë.

Miqtë e mi, njohja ime, miqësia ime me Elmar Brok daton në përpjekjet tona më të fuqishme për integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO.

Unë kam kënaqësinë të informoj shqiptarët, se në një moment kritik për historinë e vendit, kur vota e shqiptarëve në vitin 2001, u rrëmbye, rezultati u përmbys, Shqipëria po vidhisej në honet e historisë, humbi rrugën evropiane të saj, bashkë me zotin Elmar Brok, me ndihmën e tij, ne rikthyem Shqipërinë në rrugën e duhur, në drejtimin e saj evropian.

Do mbetet në analet e historisë ftesa dhe organizimi nga ana e tij të dëgjesës të partive politike shqiptare në Parlamentin Europian.

Rezoluta e këtij komisioni dhe parlamenti, që i kërkonin PS-së të mos zgjedhë presidentin me votën e vjedhur, se Parlamenti Europian nuk do ta njohë kurrë.

Elmar Brok ishte protagonist i kësaj iniciative dhe për dijeninë tuaj, një hearing ishte organizuar vetëm një herë për Ahmet Masudin dhe herën e dytë për Sali Berishën dhe shqiptarët.

Sot ai ndodhet midis nesh, por dëshiroj të shtroj disa pyetje para jush.

Kush ka vjedhur votën e shqiptarëve?

Kush ka vjedhur paratë e shqiptarëve?

Kush ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin?

Kush i bllokoi Shqipërisë rrugën e integrimit?

Kush i shpopulloi shqiptarët sa asnjë pushtim në histori?

A kemi ne rrugë tjetër përveç rrugës evropiane, përveç integrimit të Shqipërisë në Europë si e ardhmja më e shkëlqyer?

Miqtë e mi, ndaj dhe unë sot këtu para jush dua të garantoj mikun tonë të të shquar, Elmar Brok se idealet tona të integrimit të Shqipërisë në Europë, se vullneti ynë në rrugën e integrimit, se e ardhmja jonë më e shkëlqyer në BE janë dhe mbetet zotimi, përkushtimi, vendosmëria jonë kryesore.

Për Shqipërinë dhe shqiptarët, integrimi në BE është interesi më madhor kombëtar.

Është e ardhmja më e shkëlqyer e kombit.

Ndaj dhe e gjithë beteja jonë është betejë për vlerat e lirisë.

Është betejë për votën e lirë.

Për vullnetin e lirë të shqiptarëve.

Për idealet e tyre demokratike.

Për idealet e tyre evropiane.

Sot dua të përshëndes protestuesit në betejën e tyre të fuqishme, mosbindjen civile që zhvilluan tek bashkia e Tiranës.

Sot ju faktuat se nuk ka barrikadë që t’u pengojë ju pa ndëshkuar hajdutin dhe se fitorja është në pëllëmbë të dorës.

Se fati ynë është në dorën tonë.

Sikundër, dua t’u garantoj ju dhe mikun tonë të shquar se masat e pashembullta në historinë e Europës, vendosja e masave kufizuese nga afërmendshi, pa pyetur parlamentin, por konsideron Irena Gjokën ligj dhe parlament, pavarësisht nga këto, pavarësisht nga tmerri i Edi Ramës nga kthimi i Sali Berishës, pavarësisht nga çdo masë që do marrin, ne ecim të sigurt drejt qeverisë teknike.

Ecim të sigurt drejt zgjedhjeve të reja.

Idealet tona, fuqinë e tyre nuk ka forcë në botë ta mposhtë.

Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme ndaj jush, ndaj mikut tonë.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale