Berisha: Edi Rama kriminalizoi policinë. Brenda 16 muajve qeverisja e PD do të godasë të gjitha organizatat kriminale shqiptare dhe rajonale

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME DEPARTAMENTIN E SIGURISË

EKSTRAKT

Në fjalën e tij në tryezën e organizuar nga Departamenti i Sigurisë mbi çështjet e sigurisë dhe rendit, kryetar i Partisë Demokratike Sali Berisha theksoi se si Policia e Shtetit, institucion dikur i ndërtuar mbi parime të forta bashkëpunimi ndërkombëtar dhe përkushtim ndaj ligjit, është degraduar nën drejtimin e qeverisë aktuale.

Duke nisur me Saimir Tahirin, të cilin e quajti “gangsterin e parë” që hapi dyert për një epokë kriminalizimi, Berisha akuzoi gjithë pasardhësit e tij si pjesë të kësaj spiraleje korruptive. Ministri i Brendshëm aktual dhe drejtori i policisë u përshkruan si figura të inkriminuara, të lidhura me banda dhe të përfshira në veprime korruptive e kriminale.

Lideri i demokratëve Sali Berisha theksoi se pa pastrimin e policisë nga elementët kriminalë, zgjidhja e sfidave të tjera të vendit bëhet e pamundur. Ai akuzon Edi Ramën si arkitekt të këtij sistemi, të lidhur me grupe kriminale kombëtare dhe ndërkombëtare, që kanë përdorur policinë për interesa politike dhe ekonomike, veçanërisht gjatë zgjedhjeve. Me një angazhim për zero tolerancë ndaj krimit, Berisha garanton se çdo zyrtar policor i përfshirë në krime, përfshirë ato zgjedhore, do të përballet me ligjin.

Në programin e PD, Berisha premton një luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me synimin për çmontimin e plotë të grupeve kriminale brenda një periudhe 16-mujore. Ai i drejtohet bosëve të krimit duke deklaruar se nuk do të ketë vend ku ata mund të fshihen dhe se drejtësia do t’i ndjekë kudo që të jenë. Berisha e quan shkatërrimin e bandave detyrën më të rëndësishme, duke e lidhur këtë me mbrojtjen e ekonomisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Lideri i opozitës Sali Berisha, teksa mori pjesë në tryezën e sigurisë dhe rendit të organizuar nga Partia Demokratike, akuzoi qeverinë socialiste për përdorimin e krimit si pjesë të identitetit politik, duke theksuar se krimi i organizuar ka depërtuar në çdo nivel të qeverisjes. Ai vuri në dukje se emërimet në Ministrinë e Rendit, drejtimin e Policisë dhe listat e deputetëve janë të diktuara nga bandat kriminale. Sipas tij, kjo situatë përbën një kërcënim serioz për sigurinë dhe demokracinë në vend. Berisha premtoi një luftë pa kompromis kundër lidhjeve të politikës me krimin, duke premtuar asgjësimin e këtyre strukturave brenda një periudhe 18-mujore. Ai propozoi krijimin e një Komisioni të së Vërtetës për të zbardhur dosjet dhe lidhjet kriminale me ndihmën e arkivave dhe shërbimeve partnere. Me këtë angazhim, Berisha shprehu besimin se njerëzit e ndershëm do të triumfojnë mbi bandat dhe korrupsionin.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, njoftoi ndryshime të rëndësishme në trajtimin e efektivëve të Policisë së Shtetit, duke i vendosur ata në qendër të programit të ardhshëm qeverisës. Ai theksoi rritjen e pagave për të gjithë punonjësit e policisë me 20% gjatë vitit të parë të mandatit, duke ngushtuar diferencat mes pagave të drejtuesve dhe inspektorëve.

Në vijim, kryedemokrati përmendi përmirësimin e dietave të udhëtimit, nga 55 në 80 euro, dhe rritjen e kompensimit ushqimor me 35%, duke siguruar se pagesat përkatëse do të kryhen pa vonesa dhe do të përfshijnë të gjithë punonjësit, pa dallim grade. Gjithashtu, ai propozoi një shtesë prej 30% në paga për specialistët e IT-së dhe profesione të tjera specifike, duke vënë theksin te rëndësia e këtyre roleve.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju, për të gjithë anëtarët e Policisë së Shtetit, që u larguan nga krimi që erdhi në pushtet nga kjo polici, për shkak të kontributit të çmuar që ata dhanë në luftën kundër kriminalitetit, në sigurimin e jetës dhe veprimtarive të qytetarëve shqiptarë.

Dua të përshëndes me këtë rast edhe të gjithë ata anëtarë të Policisë së Shtetit që janë sot në detyrë, por që kanë arritur mes vështirësive të jashtëzakonshme të qëndrojnë të papërkulur, para krimit dhe lidhjeve të tmerrshme të tij. Ti siguroj se ata kanë dhe do të kenë, vlerësimin më të madh.

Të dashur miq!

Edi Rama betejën e tij, për krijimin e narkoshtetit e nisi kundra jush, kundra Policisë së Shtetit. Për këtë qëllim ai vendosi në krye të ministrisë së Rendit, një gangster, një trafikant, një ordiner siç ishte Saimir Tahiri, i cili ishte edhe politikani i parë shqiptarë që do të blinte skafin e trafiqeve, personal.

Me vendosjen e një eksponenti të krimit në krye të Ministrisë së Rendit, Rama dhe mëkëmbësi i tij filluan operacionin e spastrimit të policisë nga qindra oficerë të guximshëm, trima që i bënë vendit shërbime të jashtëzakonshme, duke asgjësuar dhe vendosur para ligjit mbi 206 grupe dhe organizata kriminale më të rrezikshme në Shqipëri dhe në rajon.

Ndërkohë pasi bën këtë spastrim të radhëve të policisë, ata rekrutuan malavitën me të cilën erdhën në pushtet dhe nisën haptas, publikisht, zyrtarisht e narkoshtetit me kanabizimin e të gjithë Shqipërisë.

Ata rikthyen në detyra, të gjithë ish-trafikantët, ish-oficerët e inkriminuar të larguar nga detyra jo vetëm nga qeveria e PD, por e vërteta të larguar nga detyra edhe nga qeveritë socialiste para saj.

Edi Rama në raport me krimin, në historinë kombëtare mund të konsiderohet vetëm me etërit e tij, Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, që sigurisht rrethoheshin nga vrasës dhe kriminelë, se  me asnjeri tjetër.

Historia e kriminalizimit të piradimës drejtuese të Policisë së Shtetit dhe policisë në tërësi, është drama e madhe e një institucioni jetik për ligjin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë, për të cilën shqiptarët kishin investuar vite dhe dekada. Komuniteti ndërkombëtar kishte farkëtuar me këtë institucion një bashkëpunim të admirueshëm.

Njëri pas tjetrit, ministrat që erdhën pas gangsterit të parë dhe trafikantit Tahiri, ishin jo më pak trafikant dhe delikuent se sa ai, nga i pari tek i fundit. Ata janë të njohur për publikun.

Por ç’mund të them unë për këtë të fundit?

Ky është ministri me tre mbiemra dhe disa vila. Ky ka qenë një gjobëvënës i neveritshëm në Policinë Rrugore, dhe në çdo detyrë ka funksionuar si delinkuent i vërtetë.

Drejtori aktual Proda, bashkëpunëtor i ngushtë i bandave më të rrezikshme të Shqipërisë, atyre në Elbasan, edhe sot e kësaj dite telefonin e ka në duart e prokurorisë, sepse komunikimet e tij kriminale, tashmë janë të njohura, por natyrisht Skapi i partisë e ka me regji edhe akuzën, ndaj dhe ajo përdoret. Telefoni i sekuestruar i tij nga drejtësia, përdoret për ta marrë peng atë për ta përdorur dhe keqpërdorur në radhë të parë, kundër misionit të Policisë së Shtetit dhe pastaj në funksion të partisë shtet.

Vitet 2014-2024 ishin dhjetëvjeçari i zi për Policinë e Shtetit, 10-vjeçari në të cilin edhe për shtetin shqiptar, 10-vjeçar në të cilin shteti dhe krimi, krimi dhe shteti u shkrinë në një sipërmarrje të përbashkët, siç dëshmojnë rezolutat tashmë të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë.

Dhe e vërteta më dramatike, më tragjike është, kjo sipërmarrje e përbashkët krim-pushtet, pushtet-krim.

Pra nëqoftëse analizojmë aktualitetin është me të vërtetë shumë dëshpërues.

Policë të inkriminuar që çdo ditë prishin prova, manipulojnë dosje, fshehin krime, vendosin gjoba për të rrjepur qytetarët.

Këto janë tiparet dominuese sot, të Policisë së Shtetit të drejtuar nga Proda, me qindra mijëra faqe mesazhe dhe biseda, jerarkët e policisë së Edi Ramës, zënë një vend qendror në komunikimet e tyre me bandat kriminale, me vrasësit, me trafikantët dhe ata kanë qenë përdorues ndër më kryesorët, pothuajse sa banditët të telefonave të enkriptuar.

E vërteta është se Shqipëria ka disa emergjenca sot, por një nga emergjencat e mëdha të saj dhe në mënyre të pamohueshme pa zgjidhjen e së cilës, pa të tjerat nuk mund të zgjidhen është gjendja e Policisë së Shtetit.

Ky institucion është i përbërë nga individë të përfshirë në kultivimin, trafikun e drogave, shpërndarjen e drogave, tregtimin e tyre, ndihmën ndaj trafikantëve dhe nëqoftëse ne nuk pastrojmë policinë nga këta individë, kriminelë, ne nuk do të kemi kurrë institucionin që ne duam. Ndaj dhe jam këtu për të garantuar ju dhe mbarë shqiptarët, se të gjithë ata individë të përfshirë në veprimtari të tilla, do të largohen nga policia dhe do të përballen me ligjin për veprimtarinë e tyre kriminale.

Po kështu të gjithë ata punonjës, oficerë, inspektorë policie, që kanë përdorur komunikimet elektronike sekrete me telefona të koduar, Sky Enchro chat apo Matrix, se ky Proda është një Matrix i gjallë do të largohen nga strukturat dhe do të penalizohen.

Zero tolerancë në lidhjet me krimin.

Të gjithë ata persona, anëtarë të Policisë së Shtetit që kanë disponuar informacione për përfshirjen në aktivitete kriminale nga punonjës të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës, të vendit apo të huaj, edhe ata do të largohen nga Policia e Shtetit.

Nëse nuk e pastrojmë shtëpinë tonë, ne nuk do ta gëzojmë atë. Ndaj dhe puna jonë do të fillojë me pastrimin e shtëpisë tonë.

Gjatë këtyre viteve Edi Rama që është një eksponent botëror krimi, mik i Sinaloas së Meksikës, por edhe i Pëllumb Gjokës së Velipojës, i Bajrave të Dobraçit të Shkodrës, e Çelëve të Elbasanit, Troplinëve të Durrësit dhe gjithë bandave kryesore të vendit, i ka angazhuar gjerësisht bashkëpunëtorët e tyre në polici, së bashku me këto banda në fushatë elektorale, duke bërë që ata të kryejnë krime të rënda elektorale.

Garantoj se, çdo efektiv i Policsë së Shtetit që është implikuar në krim elektoral në forma të ndryshme, do të ndëshkohet. Jo vetëm do të largohet nga policia, por do të ndëshkohet rëndë për krimin elektoral, si një krim kushtetues, si një krim i rëndë politik, si një atentator ndaj demokracisë së vendit.

Në programin tonë, në rast se do e nisim nga pastrimi i shtëpisë tonë, ne do të kalojmë në luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kjo luftë synon goditjen dhe çmontimin e të gjitha grupeve dhe organizatave kriminale, vendase, rajonale dhe kudo që ndodhen në një afat kohor 16 mujor. Ne u shpallim luftë atyre dhe i garantoj se nuk do të ketë paqe me ta, deri në vendosjen e tyre para ligjit.

Le të shkojnë ku të dojnë, në Dubai apo ne Zelandën e Re, Australi apo Afrikë të Jugut. Do të kapen dhe do të vendosen para ligjit. Shkatërrimi i bandave shqiptare është detyrë mbi çdo detyre.

Janë këto banda që po shkatërrojnë me narkoeurot ekonomi shqiptare.

Janë këto banda që po shkatërrojnë demokracinë në Shqipëri, në bashkëpunim me Edi Ramën

dhe qeverinë  e tij.

Beteja ndaj tyre do të jetë përparësi absolute dhe u them atje ku janë, kudo që ndodhen, kthehuni pak prapa dhe kujtoni, se ku janë gjetur bosët. Nuk jemi ne të taktikës ‘të hanë kokat e njëri-tjetrit’. Jo jo, kokat do të ua hajë ligji atyre. Kjo është taktika jonë.

Dhe ky operacion sado që duket i vështirë, garantoj se policia e rendit ka çdo potencial për ta përmbushur me kompetencë të plotë dhe njësi kohe. Kur kryeministri shkon e takon bandat, e kuptoni vetë ju se çfarë mburoje bëhet për to. Kur mban koordinator në zyra për të koordinuar bandat, ato janë pastaj vetë shteti.

Në vitin 2005, bandat sundonin ç’është e vërteta edhe atëherë se këta janë të pandarë nga krimi. Kjo parti krimin e ka, identitetin e vet. Identiteti i vërtetë i kësaj partie është krimi. Të themi realitetin. Mua më vjen keq kur e them këtë, se ka socialistë me qindra e mijëra që thonë, pse na akuzon në këtë mënyrë. Por nuk mund të them ndryshe, kur drejtuesi i tij kryesor është i lidhur me qëllim, këmbë e krye.

Kur ministrat e tij të rendit, i cakton sipas lidhjeve që kanë me krimin.

Kur drejtorin e Policisë e caktojnë bandat.

Kur listën e deputetëve ja bëjnë bandat kriminale.

Atëherë unë i them çdo socialisti, më thuaj pak a janë realitete këto apo nuk janë. Por kjo është një forcë politike. Unë nuk kam ndërmend socialistët e thjeshtë, kur them identiteti kanë krimin. Por kjo forcë politike identitet ka krimin.

Ndaj dhe kjo luftë nuk do të njohë as kufi, as ndërprerje gjer në asgjësimin e tyre të plotë dhe vendosjen para ligjit.

E kam thënë disa herë. Në 2005 njëri prej më erdhi në zyrë e më tha; Z. Kryeministër këtë betejë që kemi nisur, a je i sigurtë që nuk do të na ktheni pas. E dëgjova me çudi dhe i them, çfarë do të thuash me këtë? E më tha, që do të na jepni urdhër të mos e vazhdoni. Urdhër të mos e vazhdoni, urdhër keni gjer sa ti shtypni aty ku janë. Dhe e vërtetat është se në 18 muaj ju bëtë një punë të jashtëzakonshme.

Prandaj nga situata ku ndodhemi, kam besim të plotë se njerëz të ndershëm, me uniformë, të betuar, janë qindra herë më të fuqishëm se sa, banditët, trafikantët, hajdutët, fuqia e të cilëve buron vetëm nga lidhje me pushtetin, se pastaj të gjejnë vrimën e miut ku të futen.

Në një hark kohor 18 mujor, Shqipëria del nga harta kultivimit të kanabisit dhe i çdo lloj bime tjetër narkotike.

Me gërshërë do të priten të gjitha lidhjet e politikës me krimin. Është minierë floriri arkiva e bisedave telefonike, me telefona të koduar. Aty janë politika dhe krimi në sipërmarrje të përbashkët, duke përcaktuar veprime, duke ndarë përfitime e duke dhënë urdhra njëri-tjetrit.

Kështu që do të krijohet Komisioni i të Vërtetës, dhe dosjet ato që po quhen ‘Metamorfoza’ ato do të zbardhen që ti marrë vesh çdo shqiptar.

Fatmirësisht ato janë dokumentet e vetme që sado ti falsifikojnë dhe manipulojnë Dumanët

dhe mercenarët e Skapit, sado ti përdorin për pengmarrje ato ekzistojnë në disa arkiva. Përveç arkivës së Skapit. Kështu që në këtë aspekt është një arkivë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe do të zbardhim para shqiptarëve të gjitha lidhjet.

Cili politikan me lidhjet e tij me bandat, ka përfituar, ka ndihmuar vrasësit, ka marrë pjesë në vrasje, ka marrë pjesë në trafiqe, etj. Pra kemi një moment përpara shumë të rëndësishëm me dokumente kësaj here, falë shërbimeve inteligjente të vendeve partnere që i kanë zbuluar dhe sjellë në Shqipëri. Mirëpo ata i përdorin për të marrë peng njëri-tjetrin.

Struktura e posaçme dhe e specializuar për korrupsionin, Skapi i partisë është shndërruar në mburojë. Dua të informoj edhe njëherë shqiptarët se Task Forca e viteve 2007-2013, e cila kryesohej nga prokurorë, por përbëhej nga një grup më i gjerë prokurorësh dhe jo prokurorësh, punonjës policie dhe shërbimit informativ, gjë që e bënte pothuajse të pamundur fshehjen dhe manipulimin e dosjeve.

Dhe pikërisht për këtë arsye, kjo task force në vitin 2007-2008, sipas statistikës së botuar në raportet e Departamentit të Shtetit, vendosi nën akuzë 1430 punonjës. Nga këta, u dënuan nga gjykata 630 punonjës. Në dy vite. Në dy vitet kulmore të Skrapi, kësaj prokurorisë speciale, janë dënuar gjithsej 199 persona.

Në kohën kur janë male, krimet janë sa mali, djegësi i Tiranës që nuk ekziston është 130 mln euro. Gjurmë nuk ka. Durrësi, disa miliardë euro. Sterilizimi dhe koncensionet e shëndetësisë, 300 mln euro.

Ska njeri përgjegjës për djegësin që mungon. Erion Veliaj hetohet për garderobën e Velicës dhe jo për 130 mln eurot e zhdukura, për ndërtimin e djegësit ku nuk është hedhur asnjë tullë dhe që ka qenë përgjegjës direkt për mbikëqyrjen, është zotuar për pagesë etj., me radhë.

I dhashë këto shembur, se kjo strukturë ekzistuese është bërë mburojë e krimit dhe korrupsionit.

Të dashur miq!

Shkoni e lexoni statistikën. Prokuroria e Krimeve të rënda, në një rast të caktuar firmosi 53 mandate arresti. Arrestoi mbi 40 e ca. Firmosi Skrapi 51 mandate arresti, arrestoi 11.

Mandatet e arrestit janë shndërruar në letra bixhozi që i përdorin për të nxjerrë fitime përrallore, duke i njoftuar paraprakisht që të ikin. Merr fund.

Një strukturë e posaçme do të ngrihet e cila ndër të tjera do të hetojë të gjithë veprimtarinë kriminale të Skrapit të partisë.

Do të fuqizohet Agjencia e Administrimit të Aseteve Kriminale dhe natyrisht në bashkëpunim me policitë e vendeve fqinj do të vendoset një kontroll rigoroz mbi kalimet e kufirit, transportit flukset kriminale ndër kufitare.

Një rëndësi e veçantë do të jetë marrëdhënia mes policisë dhe komunitetit.

Nuk heqim kurrë dorë nga kjo.

Bashkëpunimi mes policisë dhe komunitetit është një kusht kryesor për suksesin. Se cili është ky bashkëpunim u faktua me vrasjen në dyer e shkollës të 14-vjeçarit Martin Cani. Pas vrasjes së tij në prag të shkollës, policia dhe komuniteti vrapuan të betoheshin se kishin bërë në mënyrë të përkryer detyrën. Faktikisht e vranë për së dyti vogëlushin.

Ata që paguheshin për sigurinë e nxënësve, ata lanë duart në një mënyrë kriminale, kurse kreu i narkoshtetit, deklaroi se fajin e kishte tik toku për vrasjen e Martin Canit. Një sherr që ishte zhvilluar në 1 javë dhe tani kanë bërë gjithçka për të fshehur hetimin dhe nuk hetojnë.

Ministrja thotë se, bëra punën maksimale, drejtoresha thotë se ka bërë punë me përgjegjshmëri të lartë, oficerja thotë se ka bërë punë të shkëlqyer.

Nuk ndodh kurrë një mungesë e tillë përgjegjësie për një ngjarje kaq dramatike, por ky është

narkoshtetit, ndërgjegjja dhe morali i tij.

Ndryshimi i trajtimit të efektivëve dhe punonjësve të policisë do të jetë një objektiv madhor i qeverisë së PD-së. Edi Rama ka vendosur standarde të vjetra, të sistemeve totalitare në rrogat në piramidën shtetërore.

Në vendet e lira, hendeku mes rrogave të mëdha, të mesme, të ulëta është shumë mirë i përpjesëtuar. Dhe nuk denigrohen njerëzit nëpërmjet përcaktimit të rrogave të tyre, inferiore në shkallë të atillë sa përbëjnë një diskriminim të pafalshëm.

Në këtë kontekst ju garantoj se diferenca e rroga mes drejtuesve dhe inspektorëve do të ngushtohet qartësisht sikundër pagat vitin e parë do të rriten me 20%.

Pagat e punonjësve të policisë do të rriten me 20%.

Dietat e udhëtimit. Standardi i tyre do të ndryshojë nga 55 në 80 euro, sepse të tilla janë çmimet sot. Pa le që në shumë raste as nuk ua japin. Në dhjetëra raste punonjës të Policisë dhe Shërbimit Informativ më kanë informuar se nuk u japin pagesën e misioneve, detyrave që kanë përmbushur jashtë rrethit. Për këta i vjedhin, se janë të përcaktuara në buxhet, se nuk kanë as turp, as cipë, asgjë.

Kompensimi ushqimor do të rritet në masën 35%. Apo nga 450 në 600 lek në ditë. Pagesat përkatëse do të kryhen brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, duke përfshirë të gjithë punonjësit e policisë, me apo pa grada.

Shtesë në paga, për specialistët e IT dhe profesione të tjera të veçanta. Shtesë në masën 30% në pagat e këtyre punonjësve.

Indeksim vjetor për punonjësit jashtë vendbanimit të tyre.

Njohja e vjetërsisë për punonjësit e larguar pas vitit 2013, do të njihet 50% e periudhës së këtyre viteve, si vjetërsi shërbimi për gradën.

Pra ne jemi të vetëdijshëm se detyrat që ka Policia e Shtetit për të zgjidhur, janë të vështira, janë të rënda, dhe ajo meriton një trajtim krejtësisht tjetër nga ky i sotmi. Por ne jemi të vendosur ta mbështesim fuqimisht atë në mënyrë që shtetit shqiptar të mos jetë kurrë me një sipërmarrje e përbashkët me krimit siç është sot, por të jetë shtet i ligjit, i sigurisë së jetës, veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, me besimin më të madh se ju, se policia do ta përmbushë këtë mision me sukses të plotë.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale