Berisha: Duke sulmuar Kushtetuesen, Rama po fakton se ai është hajduti kryesor i aferës së tunelit të Llogarasë. Kjo është beteja vendimtare, të hënën tjetër, përsëri këtu!

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN TEK KRYEMINISTRIA

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, duke folur në ‘Foltoren-Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve’, ka lëshuar akuza të forta ndaj Edi Ramës, lidhur me aferën  korruptive të tunelit të Llogarasë.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se, reagimet publike të Kryeministrit ndaj procesit në Gjykatën Kushtetuese dhe ndaj akuzave për vjedhje të fondeve publike përbëjnë, sipas tij, një pranim të përgjegjësisë politike dhe morale. Ai e paraqiti situatën si pjesë të një krize më të gjerë qeverisëse, të cilën e konsideroi si kulmin e degradimit institucional dhe ekonomik të vendit gjatë dekadës së fundit.

Me tone të ashpra Berisha iu drejtua qytetarëve brenda dhe jashtë vendit duke i ftuar të mos pranojnë ‘vjedhjen sistematike të shtetit’ dhe të angazhohen në atë që ai e cilëson si betejë për ndryshim politik dhe largim të qeverisë aktuale.

Kryedemokrati Sali Berisha duke folur në ‘Foltoren-Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve’, lëshoi një seri akuzash të forta ndaj qeverisë dhe Edi Rama, duke u ndalur te buxheti i shëndetësisë, arsimit dhe mënyra e menaxhimit të fondeve publike.

Berisha u shpreh se, sipas tij, buxheti i shëndetësisë është reduktuar me rreth 500 milionë euro krahasuar me vitin 2013, ndërkohë që sistemi shëndetësor dhe ai arsimor janë degraduar në nivele të paprecedenta.

Ai theksoi se qeverisja aktuale po përdor vjedhjen si mjet kryesor të kontrollit politik dhe ekonomik, duke sjellë si shembull tenderin prej 60 milionë eurosh për portin e Vlorës, të cilin, sipas tij, e ka fituar padrejtësisht një person pa përvojë profesionale. Me tone të ashpra kreu i opozitës bëri thirrje për të mos u tërhequr nga beteja politike derisa, siç u shpreh ai, ‘të shpëtohet Shqipëria nga kjo bandë që ka kapur pushtetin’.

Duke folur në ‘Foltoren e qytetarëve dhe deputetëve’ të zhvilluar para Kryeministrisë, lideri i opozitës Sali Berisha, akuzoi Edi Ramën për bashkëqeverisje me botën e krimit dhe për kapjen e institucioneve shtetërore nga ekonomia e drogës.

Berisha deklaroi se trafiku i lëndëve narkotike ka deformuar ekonominë, ka mbyllur ndërmarrje, ka nxitur emigracionin dhe ka varfëruar qindra mijëra shqiptarë. Ai e cilësoi parlamentin si të shndërruar në një institucion të keqpërdorur dhe të nënshtruar, duke theksuar se opozita dhe qytetarët nuk do të lejojnë që ai të përdoret si instrument i qeverisë.

Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që të mos pranojnë normalizimin e kësaj situate dhe të vijojnë betejën politike derisa, siç tha ai, ‘të marrë fund koha e zezë e kësaj bande’.

Lideri i opozitws Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren – Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve’ të zhvilluar tek Kryeministrisë, u shpreh se me Edi Ramën nuk shkohet kurrë më në zgjedhje.  Në fjalën e tij, Berisha akuzoi Ramën për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, për kapjen e institucioneve dhe për degradimin e proceseve demokratike në vend. Sipas tij, korrupsioni qeveritar ka arritur nivele të paprecedenta dhe se qytetarët po paguajnë kosto të shumëfishta për abuzime shtetërore.

Berisha deklaroi se beteja opozitare ka hyrë në fazën vendimtare dhe se protesta do të vijojë çdo të hënë, deri në largimin e Kryeministrit Rama. Kryetari i PD-së u shpreh se, ky moment është si një pikë kthese për demokracinë, duke theksuar se ‘zgjedhjet dhe vota nuk falen’, ndërsa fitorja, sipas tij është e pashmangshme.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, opozitareve dhe opozitarëve në këtë shesh që ne e kemi pagëzuar Sheshin e Lirisë.

Në këtë shesh, i cili është sheshi i misionit të madh, të burrave dhe grave, djemve dhe vajzave guximtarë për të përzënë nga pallatet e krimti një bandë, e cila është zhytur në krim, në vjedhje, ndër më të rëndat në historinë e këtij kombi.

Miq, në ekzistencën tonë të gjatë ne kemi njohur shumë pushtime, kemi njohur diktatura dhe mynxyra, por kurrë ndonjëherë nuk kemi shkuar brenda 10 viteve 100 vite mbrapa siç kemi shkuar këto vite.

Kurrë ndonjëherë nuk kemi humbur ne mbi 45 përqind të materies kombëtare siç kemi humbur këto 10 vite.

Asnjëherë nuk jemi varfëruar më shpejt se këto 10 vite.

Asnjëherë nuk ka pasur një klikë, një grup kaq antishqiptar në çdo aspekt sa ç’kemi sot.

Ne jemi dëshmitarë këto ditë të një krize ndër më të paimagjinueshmet.

Një krize, e cila zhveshi lakuriq para shqiptarëve hajdutin më të madh të kombit shqiptar të të gjitha kohërave, Edi Ramën.

U desh akuza e bazuar në dokumente zyrtare të vjedhjes së 50 milionë euro nga zëvendëskryeministrja, për të bërë që Edi Rama t’u thotë shqiptarëve se hajduti jam unë, se paratë i kam marrë unë dhe se drejtësisë i tregoj bërrylin dhe nuk e lejoj të veprojë.

Nuk ka ndodhur kurrë kjo, as mbret, as perandor, as diktator, as kryeministër, që t’i lejojë vetes një akt të tillë.

Cilido do kishte vetëm një rrugë, largimin e menjëhershëm. Por nuk e largon dot se paratë i ka marrë ai, se vjedhja është bërë me urdhër të tij, se paratë i kanë ndarë së bashku dhe se kjo është vetëm një sasi e vogël e tyre.

Edi Rama ka dy ditë që ka humbur çdo gjë dhe në një përçartje të neveritshme del merr në mbrojtje haptas, po mbroj ministren, nuk po mbroj Lubinë.

Po mbroj kryeministrin, nuk po mbroj Edvinin.

Po të dy jeni hajdutë mor, ku ka hajdutë si ju.

Po ti atë që bën kundër Gjykatës Kushtetuese, fakton se ti je hajduti kryesor i kësaj afere.

Pra, le t’u drejtohemi bashkë shqiptarëve, çfarë do bëjmë ne të dashur qytetarë, të dashur bashkëatdhetare kudo që jeni?

Do pranojmë ne të vazhdojmë të vidhemi nga një kusar që nuk ka asnjë normë morale, që kërkon të bllokojë edhe vendimin e gjykatës, apo nuk do i ndahemi atij gjer ditën e fundit të largimit nga pushteti.

E dyta është misioni ynë.

Të dashur miq, këto ditë ka sjellë në parlament buxhetin e shëndetësisë.

E rrita, thotë.

E vërteta është se krahasuar me vitin 2013, buxheti i shëndetësisë është ulur të paktën me 500 milionë euro.

A ka sot hall më të madh për shqiptarin se sa të sëmurët?

Erdhi koha të themi Zoti e shpëtoftë nga spitalet, sepse shkon në spital, duhet të blejë çdo ilaç, duhet të paguajë çdo shërbim.

Ka shkatërruar një sistem të tërë dhe për vete vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh.

Po arsimi?

Po shkollimi?

Një shkatërrim me dokumente, me vlerësime zyrtare, si në asnjë vend tjetër.

Të dashur miq, Edi Rama ka dy armë për të shkatërruar këtë komb, ai nuk përdor kampet e përqendrimit, nuk përdor burgjet e mëdha politike, ndonëse burgos politikisht.

Përdor vjedhjen.

Vjedh me bandën e tij 90 përqind të të gjitha fondeve për punët publike.

A mund të imagjinoni ju, një magazinier i Salillarit është fitues tenderi 60 milionë euro për portin e Vlorës?

A ka akt më flagrant vjedhjesh se sa ky?

A mund të imagjinoni shqiptarë që rruga të ndërtohet me çmim 10 herë më të lartë se në Europë.

Lexoni, në qoftë se gjeni kund në botë një rrugë gjithsej 19 kilometra, që ishin pa ndërtuar nga Unaza, dhe të ndahet ajo në 17 lote.

Po nuk mund të ndahet kurrë, kurrë. Maksimumi në dy lote, tre. Se si t’u vjedhë 17 herë ju.

Si të vjedhë 17 herë shqiptarët.

Se si të rrisë çmimin 5 herë në vjedhje.

A do vazhdojmë ne?

Jo, ne nuk e lëshojmë këtë shesh.

Ky është sheshi ynë.

Ne dalim nga ky shesh vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët. Vetëm kur të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo bandë.

Miq, arma e dytë e tmerrshme e kësaj bande është droga.

Çfarë ndodh me drogën?

Euro përtokë sepse vijnë eurot e drogës me kontejnerë.

Me qindra ndërmarrje të eksportit falimentojnë.

Me mijëra punëtorë dalin pa punë dhe marrin rrugët e dheut.

Kjo është mënyra. Ikin se shkatërrohen vendet e punës.

Çfarë ndodh? 35 përqind zhvlerësohet euro.

Ata pensionistë që jetojnë me ndihmën e familjarëve të tyre, marrrin 35 përqind më pak, bëhen 35 përqind më të varfër.

Çfarë ndodh?

Çmime stratosferike në ndërtime se baronët e drogës nuk i kanë gjë paratë.

Çfarë ndodh?

Ligjin e bën droga. Droga vret në aeroport, droga vret në Elbasan, vret kudo, vret dhe vret cilindo.

Dhe Edi Rama qeveris së bashku me ta.

Do e pranojmë ne këtë?

Jo, kurrë.

Ky e ka shndërruar parlamentin në institucionin më qesharak, më të turpshëm të vendit

Po parlamenti është përfaqësuesi juaj, është vota juaj, është vullneti juaj.

A do e lejojmë ne ta përdorë parlamentin në mënyrën siç po e përdor ky?

Jo, kurrë.

Ndaj dhe koha është e jona.

Këtyre u ka ikur koha.

Koha e tyre është një kohë e zezë dhe këta duhet të shkojnë për veprat e tyre të zeza që u kanë bërë shqiptarëve.

Edi Rama kërkon t’i diktojë Gjykatës Kushtetuese, por unë i garantoj se vendimet e diktuara të gjykatës që po bën ti, do t’i paguash shumë shtrenjtë.

Nuk pret Shqipëria.

Nuk jemi ne ata që do presim nga një prokuror apo një gjykatës shpëtimin.

Jo, shpëtimin do ta presin shqiptarët nga ne.

Ne jemi shumë.

Do të jemi edhe më shumë dhe nuk heqim dorë gjer në largimin e Edi Ramës nga qeveria.

Pse shemben rrugët?

A e dini ju qytetarë se çdo tullë e pallatit në pajë të Linda Ramës është vjedhur ju, sepse ai

pronari i firmës që ndërtoi pallatin, ka ndërtuar rrugën që shembet Korçë-Qafë Plloçë.

Dhe sa e ka ndërtuar ai?

Me çmim të pesëfishtë, të gjashtëfishtë.

A e shihini pra ju sa keni paguar pallatin.

10 herë më shtrenjtë keni paguar sarajet e Surrelit.

36 mijë euro paguani shishen e verës të sulltanit këtu.

Çfarë duhet të bëjë më shumë se kaq për t’i treguar vendin?

E ka mbushur dhe po derdhet kupa.

Ndaj dhe ne sheshin nuk e lëshojmë dhe ne kemi hyrë në betejën vendimtare.

Demokrate e demokratë, kjo është beteja vendimtare.

Me Edi Ramën nuk shkojmë më kurrë në zgjedhje.

Zgjedhjet dhe votën nuk ia falim kurrë.

Iu garantoj se fitorja është e jona.

Se Rama të ardhme nuk ka.

Se do jetë e shkuara e zezë e këtij vendi.

Ligji, Kushtetuta, liritë tuaja, të drejtat do triumfojnë përsëri.

Të hënën tjetër, përsëri këtu.

Dhe çdo të hënë do ta nisim javën me betejë, dhe nisja e javës me një betejë kundër kryehajdutit të kombit të të gjitha kohërave, është fati i javës, është rruga drejt fitores.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale