Berisha: Duhet të bëjmë gjithçka për suksesin e protestës, ky është nderimi më i madh që u bëjmë martirëve të lirisë që u vranë gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME TË PËRNDJEKURIT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në takimin e organizuar me qëllim përkujtimin e inxhinerëve dhe drejtuesve të shquar të sektorit të naftës, që u pushkatuan nga diktatura e Enver Hoxhës. ‘Enver Hoxha në llojin e vet disa aspekte ja kalonte dhe Kim Jong Un-it. Se të paktë janë ata që e dinë sot që ai kishte vepër edhe për naftën. Dhe në veprën e tij mbi naftën, për naftën, ai përcaktonte dhe se ku duhej të shpohej. Se ma thotë kjo mendja ime, thoshte, se ky trekëndësh apo ky katërkëndësh ka naftë. Dhe natyrisht inxhinierët ishin të detyruar të shponin. Po aty naftë nuk kishte, sepse e thoshte mendja e tij. Dhe pastaj vinte sabotimi, pastaj vinin proceset, vinte persekutimi dhe terrori ndaj tyre’, tha Berisha.

Gjatë fjalës së mbajtur në takimin e organizuar nga departamenti i të përndjekurve në PD, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, sot në Shqipëri xhelatët dhe banditët nderohen njësoj si në diktaturën e Enver Hoxhës. ‘Sot në Shqipëri nderohen, për fatin më të keq, xhelatët. Nderohen banditët dhe kriminelët. Kohë identike në rrafshin moral me atë të diktaturës së Enver Hoxhës. Të vendosësh në qytetin e Durrësit një rrugë me emrin Kristaq Rama, është një fyerje, është një poshtërim, është një dhunë morale për të gjithë shtresën e të përndjekurve politikë të Shqipërisë.’, tha Berisha.

Lideri i opozitës Sali Berisha gjatë fjalës në takimin me të përndjekurit ka akuzuar Edi Ramën se përfaqëson një formë të re diktature, duke e krahasuar me regjimin e Enver Hoxhës. Ai u ndal te krimet e regjimit komunist dhe solli në vëmendje varjen e poetit Havzi Nela, duke deklaruar se ai ishte një figurë e rëndësishme që kishte mbrojtur të drejtat e njeriut dhe çështjen kombëtare. ‘Kristaq Rama ishte njeriu që firmosi për varjen e Havzi Nelës, një poet kolos, i cili vargjet e tij ia kushtonte të drejtave të njeriut, frymëzimit nga Helsinki dhe Kosovës’, deklaroi Berisha. Sipas kreut të PD-së, ekzistojnë ende në Shqipëri raste ku persona të dënuar nga historia mbahen në kujtesë publike me emra rrugësh apo nderohen. Berisha akuzoi mazhorancën socialiste se po rikthen, të njëjtin model moral të së kaluarës.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ka bërë thirrje simpatizantëve dhe qytetarëve që ti bashkohen protestës që të arrihet suksesi i saj. Sipas tij, kjo do të ishte nderimi më i madh për martirët e lirisë, që u vranë gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.  ‘Një protestë e madhe qytetare rinore është në vazhdim. Duhet të bëjmë gjithçka që të finalizohet me sukses misioni i saj.  Kontributi i gjithsecilit është i jashtëzakonshëm.  Ky është nderimi më i madh që u bëjmë ne martirëve të lirisë, të rënëve të kombit, shërbimi më i madh që i bëjmë të ardhmes së fëmijëve tanë dhe të kombit shqiptar dhe Shqipërisë.’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt të gjithë ju të pranishëm në këtë sallë, deputetë, miq, familjarë të elitës së martirizuar të naftës në Shqipëri.

I dashur Shkëlqim, e dashur Elizabeta.

Jemi mbledhur sot për të nderuar martirizimin e elitës intelektuale të naftës, e përbërë nga atdhetarë të flaktë, nga inxhinierë të shquar, të përkushtuar, të cilët u eliminuan, u torturuan, u burgosën, u ekzekutuan vetëm e vetëm sepse shfaqën mendimin e tyre shkencor.

Njerëz që i shërbyen Shqipërisë dhe kombit në një fushë strategjike të një rëndësie të madhe. Por që për diktatorin dhe diktaturën ishte po aq ideologjike sa letrat dhe ushtria.

Historia e elitës së naftës është një histori e pashembullt tragjike. Fillon me ekzekutimin e një kolosi të madh të gjeologjisë botërore, Stanislav Zuber, dhe inxhinierëve të tjerë të shquar, bashkëpunëtorë të tij.

Të gjithë të dyshuar si sabotatorë.

Enver Hoxha në llojin e vet disa aspekte ja kalonte dhe Kim Jong Un-it. Se të paktë janë ata që e dinë sot që ai kishte vepër edhe për naftën.

Dhe në veprën e tij mbi naftën, për naftën, ai përcaktonte dhe se ku duhej të shpohej. Se ma thotë kjo mendja ime, thoshte, se ky trekëndësh apo ky katërkëndësh ka naftë.

Dhe natyrisht inxhinierët ishin të detyruar të shponin. Po aty naftë nuk kishte, sepse e thoshte mendja e tij.

Dhe pastaj vinte sabotimi, pastaj vinin proceset, vinte persekutimi dhe terrori ndaj tyre.

Në fakt në tërësi qëndrimi i diktatorit ishte një qëndrim i një njeriu paranojak, për të cilin asgjë s’mund të besohej, gjithçka duhet të dyshohej.

Në këtë kalvar që ai vendosi inteligjencën e naftës, disa inxhinierë dhe drejtues të shquar të këtij sektori u pushkatuan, të tjerë u burgosën, grupe pas grupesh, si armiq të popullit, si sabotatorë, pavarësisht se ata kishin bërë më të mirën për popullin e tyre, për vendin e tyre.

Ata ishin njerëz të zotë, të aftë, por meqenëse pritshmëritë e diktatorit nuk realizoheshin, ata

goditeshin.

Njëri prej tyre, Enriko Veizi, në një vepër të tij, do ta quajmë të serialit ‘Rrno për me tregue’, përshkruan në këtë mënyrë kalvarin e tij: ‘Më arrestuan dhe më thanë se je agjent i CIA-s. Ti, Enrik, je agjent i CIA-s’.

Unë, thotë, s’kisha ku… Si përfundim, kishin studiuar dobësinë time, që ishte bashkëshortja, e cila ishte pa njerëz të vet në rrethin familjar. Kështu që domethënë e dinin që unë do bëja ç’është e mundur që ajo të mos vuante nga persekutimi im.

Dhe më thonë: ‘Tani, zgjidh e merr: Ose bashkëshorten do ta internojmë, do bëjmë këto, këto, këto, ose prano që ti je agjent i rekrutuar i CIA-s’.

Për hir të saj pranova. Pranova sepse këto ishin rrethanat.

Më rekrutoi CIA në një udhëtim që pata në Algjeri, tek kthehesha në Romë. Më erdhi agjentja dhe firmosa. Firmosa dhe fillova aktivitetin.

E mbajnë në burg gjashtë muaj tani, duke e përpunuar se si do fliste në gjyq. Pas gjashtë muajsh, i thonë: ‘Jo Enrik, ti nuk je agjent i CIA-s, ti je agjent i KGB-së’. Ky thotë: ‘Jo, tani nuk pranoj’.

‘Po tani gjashtë muaj unë u bëra agjent i CIA-s. S’kam asnjë lloj lidhje mbi tokë! Çfarë mund të pranoj? Mirë atë e kisha një udhëtim në Algjeri dhe gjeta një shkak, po këtu s’kam’.

‘Ta gjejmë ne,’ i thonë. Dhe e gjetën njërin nga ata që ata keqpërdorin nëpër burgje, dhe ai thotë: ‘E kam rekrutuar unë këtë. Unë jam agjent edhe e kam rekrutuar’.

E tregova këtë rast të përshkruar nga ky inxhinier i naftës, i cili pas grupit të Lipe Nashit, se kështu quheshin ato, u dënua disa vjet mbrapa edhe ky me një grup shokësh, ishte nëndrejtor i Institutit të Naftës.

Pra, ky ishte kalvari për të cilin, Nuredini kalon një vepër të pavdekshme, Enriku po ashtu, dhe kujtesa e tyre është një detyrim madhor për shoqërinë shqiptare, për inteligjencën shqiptare, dhe realisht ata janë të pavdekshëm si me kontributin ashtu dhe me martirizimin e tyre.

Por sot në Shqipëri nderohen, për fatin më të keq, xhelatët. Nderohen banditët dhe kriminelët. Kohë identike në rrafshin moral me atë të diktaturës së Enver Hoxhës.

Të vendosësh në qytetin e Durrësit një rrugë me emrin Kristaq Rama, është një fyerje, është një poshtërim, është një dhunë morale për të gjithë shtresën e të përndjekurve politikë të Shqipërisë.

Dua ta pranoj, në shoqërinë e kaluar ekzistonte grupi i xhelatëve. Ishin ata të cilët përgatisnin dosjet, thyenin kockat, bënin dëshmitë e rreme, firmosnin ekzekutimet, firmosnin burgosjet, dhe natyrisht ishte grupi i martirëve, ata që i nënshtroheshin këtij kalvari, për të vërtetat që mbronin.

Kristaq Rama ishte njeriu që firmosi për varjen e Havzi Nelës, një poet kolos, i cili vargjet e tij ia kushtonte të drejtave të njeriut, frymëzimit nga Helsinki dhe Kosovës.

Dhe nuk është vetëm ky. Janë shumë e shumë të tjerë, që mbajnë firmën e Ramiz Alisë dhe Kristaq Ramës.

Është fshatari pa emër nga Vithkuqi, të cilin e arrestojnë, e akuzojnë se atje tek përroi vrave filanin, filanin e vrau Sigurimi. Dhe ky thotë: ‘në jetën time nuk kam pasur pushkë në dorë, sepse edhe në ushtri më futën në brigadë të punës, unë mbaja vetëm pushkë druri. Unë s’di ta përdor armën’.

‘Jo, i thonë, armën ta solli shërbimi grek, dhe ti me atë armë vrave filanin’.

E shtrojnë xhelatët në dru, e pranon.

Po kur shkon në gjykatë, i thotë gjykatësit: ‘O zoti gjykatës, unë kurrë nuk kam pasur pushkë me fishek në dorë’.

Lexohej kjo para Ramiz Alisë dhe Kristaq Ramës, në mbledhjen e presidiumit.

‘Hë,’ thotë Ramizi, ‘e kanë shtruar në dru në prokurori dhe i ka pranuar në dru’.

Dhe çdo njeri në këtë rast mendon se atij do t’i falet jeta. Jo, nuk i falet jeta. Të dy ata firmosën për ta ekzekutuar fshatarin, firmosën ekzekutimin e fshatarit nga Vithkuqi, sepse ajo zonë duhej të terrorizohej.

Dhe bëheshin herë pas here këto akte.

Pra, ky person, dhe ka dhe të tjerë, ka rrugë të Tiranës që kanë emra kriminelësh, të damkosur të popullit shqiptar, të kombit shqiptar. Tani së fundi, siç e keni konstatuar, nderimet u shkojnë kriminelëve ordinerë.

Nderohet i ati i Ergys Agasit si fisniku i Partisë Socialiste për Durrësin, për meritat që i biri është një nga mafiozët më të rrezikshëm jo të Shqipërisë, po të Evropës.

Nderohet Jurgis Çyrbja, deputeti që shërbente si informator për Altin Hajrin, vrasësin mizor që i mori jetën Jan Prengës edhe ia preu trupin copa-copa. Dhe ky njeri bën tre vite burg se iu gjetën të gjitha telefonatat dhe çdo gjë, dhe del dhe nderohet me dekoratë nga, me firmë të Edi Ramës.

Pse i theksova këto? Është i njëjti moral. Por sot Shqipëria nuk mund të ketë skuadra pushkatimi, sot Shqipëria nuk mund të ketë kampe internimi dhe përqendrimi, por në kuadrin e atyre që mund të bëjë kjo Shqipëri, ngjet tërësisht nga ana, në rrafshin politik me Shqipërinë e dikurshme, se këto mund të bëjë ky.

Ndaj dhe një dramë më të madhe për një komb, se në një hark kohor në distancë 30 e ca vjeçare të provojë një diktaturë të dytë, nuk ka.

Dhe kjo diktaturë e dytë në disa aspekte është regjimi më shkatërrimtar i kombit shqiptar në histori. Në kuptimin fare të thjeshtë që, në zbatim të një doktrine të spastrimit etnik të shqiptarëve, kjo ka larguar nga Shqipëria dy herë më shumë se serbët nga Kosova në zbatim të doktrinës së Çubriloviçit.

Ndaj dhe, nderimi më i madh që ne u bëjmë viktimave të asaj diktature është të luftojmë me të gjitha mundësitë tona këtë regjim, këtë diktaturë autoritare që po shkatërron si asnjë regjim tjetër qenien shqiptare, që është një rrezik ekzistencial për kombin tonë.

Një protestë e madhe qytetare rinore është në vazhdim. Duhet të bëjmë gjithçka që të finalizohet me sukses misioni i saj.

Kontributi i gjithsecilit është i jashtëzakonshëm.

Edi Rama para gjithë botës tashmë është një tiran. Por tiranët kurrë nuk ikin vetë. Ndaj dhe çdo

shqiptar dhe shqiptare duhet të jetë i përgatitur për betejën vendimtare me këtë regjim, për të shpëtuar Shqipërinë.

Ky është nderimi më i madh që u bëjmë ne martirëve të lirisë, të rënëve të kombit, shërbimi më i madh që i bëjmë të ardhmes së fëmijëve tanë dhe të kombit shqiptar dhe Shqipërisë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale