Berisha: Donald Trump fitoi me 5 nëntor si shpëtimtar i Amerikës, por edhe si shpëtimtari i lirisë së botës

PRONONCIM PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË EKSPOZITËN E ARTISTIT AVNI DELVINA

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha ka vizituar pasditen e sotme ekspozitën e artistit të mirënjohur, Avni Delvina me titull ‘TRIUMPH’, dedikuar presidentit të 47-të të SHBA-ve, Donald Trump.

Berisha e vlerësoi ekspozitën e artistit, Avni Delvina dhe e konsideroi të rëndësishëm rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Sipas Berishës, kjo ngjarje historike që shënon shpëtimin e Amerikës, por edhe lirinë së botës.

Kryetari i PD, Sali Berisha e cilësoi fitoren e Trump si një moment “hyjnor” që vjen pas një beteje të ashpër kundër forcave që ai i cilëson si armiq të lirisë, si marksistët, sorosianët dhe ekstremistët e majtë. Ai theksoi se këto forca përbënin një kërcënim për lirinë dhe identitetin njerëzor. Berisha foli mbi ndikimin e Xhorxh Soros dhe filozofinë marksiste në Shqipëri, duke i dhënë rëndësi luftës kundër censurës dhe diktaturës, që ka përqafuar ekstremi i majtë në SHBA dhe që ka pasuar një model të ngjashëm me diktaturat totalitare.

Kryedemokrati, Sali  Berisha shprehu kritika ndaj aktit të ish-presidentit Joe Biden për faljen e familjarëve të tij, duke e quajtur të papranueshëm dhe të paligjshëm. Berisha vlerësoi rëndësinë e fitores së Trump për reformimin e SHBA dhe lirinë botërore, duke përmendur edhe ndikimin e Elon Musk për të çliruar Twitter-in nga censura.

Lideri demokrat, përgëzoi Marco Rubio dhe theksoi se posti i diplomatit të parë të botës tani në duar të qytetarëve të lirë, është një lajm i mirë për ata që luftojnë kundër diktaturave.

PRONONCIMI I PLOTË

Së pari, dua të përgëzoj nga zemra Avni Delvinën për këtë ekspozitë, kushtuar ndofta ngjarjes më të rëndësishme pas luftës së dytë botërore dhe rënies së murit të Berlinit. Rikthimit me votën e lirë më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit të Donald Trump në fronin kryesor, në Shtëpinë e Bardhë.

Siç e shikoni në këtë ekspozitë, Avni Delvina ka një frymëzim sa tokësor aq dhe hyjnor. Por në mënyrë të pa mohueshme, rikthimi dhe inaugurimi i Donald Trump si president i 47 i SHBA-së, është një moment, sa hyjnor aq dhe tokësor.

Është hyjnor mbasi armiqtë e lirisë, përfaqësuesit e anëve më të zeza të njeriut dhe njerëzimit, marksistë-lelinistët, përtej marksistët, sorosianët ishin të angazhuar në një betim se Donald  Trump nuk do të bëhej kurrë president i SHBA-së.

Zoti i shpëtoi atij jetën në 1 të shumtën e milimetrit dhe ky episod u përsërit edhe më vonë, përsëri Donald Trump arriti të fitojë me 5 nëntor si shpëtimtar i Amerikës, por të jemi realist si shpëtimtari i lirisë së botës.

Nuk mund të mohohet se pushtimi i fuqisë së SHBA-së nga ekstremi i majtë nga marksistë-lelinistë dhe post marksistët, sorosianët, përbënte një rrezik madhor për lirinë, familjen dhe identitetin njerëzor.

Marksi siç e dini në doktrinën e tij terroriste, parashikonte krijimin me çdo çmim të njeriut të ri. Xhorxh Soros e çoi dhe më tej doktrinën e Marksit, krijimin, ndërhyrjen në gjininë njerëzore, në vetë identitetin biologjik të njeriut.

Nëqoftëse Marksi mbeti në rrafshin e psikologjisë, Sorosi e shtriu atë përtej psikologjisë dhe vetë biologjinë e qenieve njerëzore.

Për fatin më të keq Shqipëria, njëlloj si dikur që ishte kopshti i lulëzuar eksperimental i stalinizmit, u shndërruar në këto vite në kopshtin e lulëzuar eksperimental të monstrës së njerëzimit që quhet, Xhorxh Soros.

Flamuri i ekstremit të majtë amerikan ishte flamuri i censurës dhe kjo përbënte një kërcënim të jashtëzakonshëm për lirinë e botës.

Ne që kemi përjetuar diktaturën e kemi të qartë se gjithçka fillon me luftën kundër fjalës. Ekstremi i majtë në SHBA arriti ta shndërrojë censurën në politikë zyrtare ta imponojë atë në mbarë botën. Të krijohen zyrat e censurës, të krijohen komisionet e censurës.

Po kështu u krijuan drejtësitë njëlloj si në diktaturat totalitariste, të cilat duhet të përdoreshin sipas shembullit të SHBA-së, për burgosjen, ndëshkimin e kundërshtarëve politikë.

Pra u rikthye një moto, por tani në kushte të tjera të cilën e pa përshkruar me aq mjeshtëri At Zef Pllumi në librin e tij; Pas nesh, do jemi ne, nuk ka më alternativë.

Nuk mund të ndalem pa thënë dy fjalë të sinqerta këtu, prap.

Unë jam njeri që kam pasur respekt për Joe Biden, për vetë disa qëndrime të tij të qarta në favor të shqiptarëve.

Por kur pashë dekretet e tij për të falur familjarët e vet, ata që kishin predikuar drejtësi dhe ligj për Amerikën dhe botën, më është dukur për mua, një nga ngjarjet më të rënda dhe të pabesueshme.

Përdori fuqinë e vendit të tij të madh për të falë familjen e vet, e cila nëse ka kryer krime duhej të përballej. Unë nuk e di, por akti i këtij presidenti në largim është akti më i papranueshëm, akti më i paligjshëm në rrafshin moral në radhë të parë, sepse presidenti i SHBA ka të drejtë të firmosë atë që mendon.

Por ky moment në pamje të parë, disa akte, mendime dëshmon edhe njëherë se çfarë rëndësie të jashtëzakonshme kishte fitorja e Donald Trump dhe reformimi i atij vendi që udhëheq lirinë e botës dhe pafuqinë e të cilit, siç provojnë zhvillimet historike, liria e ka shumë të vështirë të rezistojë në kohën e sotme.

Për ta mbyllur, në një libër të dy studiuesve shkruhet dhe argumentohet me shembull se si, çdo 25 vite ndodhin ndryshime të mëdha, cilësore në botë të cilat nuk i ke imagjinuar, nuk i ke menduar, të cilat strategjistë shumë të rrallë mund ti kenë patur idenë se do të ndodhin.

Në fakt fitorja e Donald Trump në këtë aspekt shënon ndryshimin më të madh këtë çerek shekulli.

Ndaj dhe ti urojmë atij, ekipit të tij i përbërë nga gjeni. Të gjithë e duan Elon Musk, por njerëzit e lirë duhet ta duan atë më shumë se për çdo gjë tjetër, për blerjen që i bëri Tëitterit për ta nxjerrë nga kthetrat e censurës.

Nuk ka  më të keqe se censura.

Marco Rubio, një nga yjet në 30 vite të Senatit të SHBA-së. Fëmijë i dy prindërve të ikur nga diktatura e Kastros. Vendosja e tij sot në zyrën e diplomatit të parë të botës, është ogur i bardhë për njerëzit e lirë kudo dhe një lajm shumë i papëlqyer për sistemet dhe diktaturat totalitare në mbarë botën.

Nuk mund të mos e them se, posti i diplomatit të parë të botës doli nga duart e Xhorxh Soros dhe ju rikthye qytetarëve të lirë amerikanë dhe ky është një moment i madh, sepse në fakt paraardhësi i tij funksionoi si Xhorxh Soros, sekretar shteti.

Ndaj dhe dua që mikun tim, piktorin e talentuar dhe të madh ta përgëzoj dhe është njëri nga artistët që admiroj më shumë dhe i qëndroj më besnik admirimit të tij për Donald Trump.

Më tregoi se Sebastian Gorka i ka dërguar një mesazh. Gorka është një bashkëpunëtor i afërt i presidentit Donald Trump dhe i ka dërguar një mesazh me rastin e hapjes së kësaj ekspozite. Uroj që kjo ekspozitë të shëtisë dhe në vendin e Trump, por dhe në vende të tjera sepse në një mënyrë apo një tjetër, me të vërtetat e saj do ti bëjë më të lirë njerëzit që do të vizitojnë këtë ekspozitë.

Urimet më të përzemërta!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale