Berisha: Dokumenti i Kongresit të SHBA është historik! Aty nxin Edi Rama, Lubi Balluku, AKSHI dhe Lindat e tij. Me 24 janar, sheshet dhe rrugët e kryeqytetit do shndërrohen në tmerrin e regjimit

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN PARA KRYEMINISTRISË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, ka bërë të ditur se, qytetarët janë duke e pritur me padurim 24 janarin, ditën e protestës kombëtare kundër narkoshtetit.

‘Shqiptarët po presin 24 janarin si ditën e tyre, si orën e tyre, si të vërtetën e tyre të madhe.

Ndaj secili këtë javë, këto ditë, secili nga ne dhe çdo opozitar, të bëjë gjtihçka, të mos i mungojë Shqipërisë më 24 janar’, u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës para qytetarëve në ‘Foltore’ para kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se, në kongresin e SHBA-së, këtë javë është miratuar dokumenti që nxin Edi Ramën. Sipas tij, ky dokument frymëzohet nga guximi i protestuesve shqiptarë për të mbrojtur të vërtetat e këtij vendi dhe ndaj dhe duhet të frymëzohemi.

Kryedemokrati Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që në datën 24 Janar të derdhen në sheshet që vendi të ushtojë nga thirrjet për demokraci. ‘Le ta bëjmë ne natën ditë këtë javë, të trokasim në çdo votër, në çdo derë, në çdo zemër në Tiranë dhe kudo. Sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të shndërrohen në tmerrin e regjimit, në triumfin e lirisë, në triumfin e qytetarëve’, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në ‘Foltoren’ pra kryeministrisë.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju dhe të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Mirënjohjen më të thellë për praninë tuaj në këtë protestë, e cila dëshmon vullnetin tonë.

Dëshmon qëndresën tonë, vendimin tonë për t’u përballur me këtë narko-qeveri, me këtë bandë, organizatë kriminale, armike e betuar e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Për t’u përballur gjer në largimin përfundimtar nga skena të këtij regjimi, i cili ka shpërfytyruar dhe po shpërfytyron çdo ditë e më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Të dashur miq, kjo protestë e kësaj jave ka një rëndësi të veçantë sepse kjo javë është përcaktuese për 24 janarin, protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana ndonjëherë.

Zemërimin më të fuqishëm të shqiptarëve.

Guximin e tyre më të madh.

Miq, po vijmë nga parlamenti, ishte provokimi më i ulët që i bëhej shqiptarëve.

Karshi tyre qëndronte Lubi Balluku, hajdutja më e madhe e kohërave që kanë pasur shqiptarët në pushtet, e dërguar aty kastile nga Edi Rama për të provokuar shqiptarët, për të poshtëruar shqiptarët, për t’u thënë atyre se ne u kemi u vjedhur dhe do u vjedhim dhe ja ku jemi.

Rojet i dolën përpara, largohuni u thashë, mos u bëni maskë e fytyrës të saj, ta shohin shqiptarët se çfarë fytyre ka.

Miq, ka tejkaluar çdo lloj norme, çdo lloj morali, çdo lloj sjellje.

Shqiptarët po presin me padurim revoltën, kryengritjen paqësore, përballjen dhëmb për dhëmb me këtë regjim, fitoren e opozitës.

Shqiptarët po presin 24 janarin si ditën e tyre, si orën e tyre, si të vërtetën e tyre të madhe.

Ndaj secili këtë javë, këto ditë, secili nga ne dhe çdo opozitar, të bëjë gjtihçka, të mos i mungojë Shqipërisë më 24 janar.

Të mos i mungojë lirisë më 24 janar.

Të mos i mungojë guximit qytetar më 24 janar.

Të mos i mungojë dinjitetit njerëzor më 24 janar.

Miq, mbarë bota po pret fjalën tonë, zërin tonë, guximin tonë, veprimin tonë.

Ngjarje të mëdha, protesta e dhjetorit ushtoi fuqishëm në mbarë botën.

Zëri juaj u dëgjua në katër anët e planetit.

Këtë javë, në tempullin e demokracisë, komisionin e jashtëm të kongresit të SHBA, u miratua një dokument themelor, në të cilin pasqyrohen të gjithë ato për të cilat ju protestuat, dhe për të cilat do të protestoni me 24 janar.

Në këtë dokument nxin për faqen e zezë të tij Edi Rama dhe Lubi Balluku, që po bllokon ligjin dhe shtetin ligjor.

Protesta dhe vetëm protesta është rruga e mbrojtjes së tyre.

Por dokumenti, historik do ta quaja unë dhe është i tillë, e quan eksplozive, shpërthyese, AKSHI-n e Edi Ramës dhe të Lindave të tij.

Dokumenti i miqve tanë shkruan se ajo çka flitet për AKSHI-n, dhe çka del, është kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për SHBA, edhe për NATO-n.

Ky dokument denoncon me forcën më të madhe arrestimet politike të këtij regjimi dhe kërkon ndërhyrjen e Uashingtonit dhe të Brukselit kundër kësaj situate.

Ky dokument frymëzohet nga guximi juaj për të mbrojtur të vërtetat e këtij vendi.

Ndaj dhe duhet të frymëzohemi.

Duhet të bëjmë përpjekjet më të jashtëzakonshme që me 24 janar, bota të mësojë fuqinë tonë, guximin tonë, vendosmërinë tonë.

Edi Rama është një narko-diktator i cili vjedh shqiptarët nga mëngjesi gjer në darkë.

Qeveritarët e tij janë shushunja të vërteta që depozitojnë pasuri përrallore nga taksat e qytetarëve dhe pasuritë publike.

Është jetike, është vendimtare t’i përmbysim këta kriminelë dhe t’i çojmë përpara ligjit.

Shqipëria nuk do ketë kurrë Kushtetutë dhe ligj pa triumfin e opozitës, pa triumfin e qytetarëve, pa kryengritjen paqësore të shqiptarëve.

Le ta bëjmë ne natën ditë këtë javë, të trokasim në çdo votër, në çdo derë, në çdo zemër në Tiranë dhe kudo.

Sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të shndërrohen në tmerrin e regjimit, në triumfin e lirisë, në triumfin e qytetarëve.

Rroftë Tirana, rroftë Shqipëria!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale