Berisha: Do përgatisim çdo akt që do sjellë desorosizimin e shpejtë të shoqërisë shqiptare. Sot dorëzojmë ligjin që njeh vetëm dy gjini, dënohet kush flet për Prindin 1 dhe Prindin 2

FJALA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Në Mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se, do të bëhen gati të gjitha vendimet e 100 ditëve të para të qeverisjes së PD-së, pas fitores në 11 maj. Sipas tij, këto vendime të bëhen gati para fushatës, në mënyrë që ato të firmosen në përputhje me Kushtetutën, si vendime qeverie apo akte normative, për të bërë realitet programin tonë transformues të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati ka bërë publike edhe nismën për desorosofikimin e Shqipërisë. Berisha ribëri thirrjen e tij, ndaj Aleksis Soros që të largojë fondacionin e tij nga Shqipëria para zgjedhjeve, pasi me të ardhur në pushtet Partia Demokratike, ai nuk do të ketë më vend në Shqipëri.

Kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, deklaroi se, një grup deputetësh i drejtuan një letër bordit të UNDP-së, ku kërkuan që zonja Rama të mos bëjë raportet e qeverisë Rama. Deputetët morën një përgjigje të papërgjegjshme, pasi për këtë organizatë nuk ekziston konflikti i interesi.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i opozitës Sali Berisha tha se në këtë periudhë, Edi Rama është angazhuar në krime të mëdha elektorale, ku krimin shtetëror elektoral e kryeson Lubi Balluku. ‘Përdorimi i shtetit elektoral për të dhunuar votën e shqiptarëve është një thirrje e brendshme për demokratët për mosbindje civile dhe Edi Rama nuk mund të grabisë kurrë këto zgjedhje’- u shpreh kreu i PD-së, Sali Berisha.

Gjatë mbledhjes me deputetët e Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha foli edhe për intervistën e Arben Ahmetaj. Berisha tha se, autopsia që Ahmetaj i bëri Edi Ramës, ishte një shërbim i madh për çdo qytetar, pasi ai si njeri që njeh nga viti 2013 gjer në vitin 2022, u tha shqiptarëve se Erion Veliaj ka firmosur dhe është pronar në djegësin e Tiranën, por firmën e ka vënë nën presionin e madh të Edi Ramës.

‘Arben Ahmetaj si dëshmitar origjinal i zhvillimeve në qeveri faktoi ato që opozita ka denoncuar me forcën më të madhe. E them këtu se sot Edi Rama i ka mbyllur, siç ka thënë Lubia, me Altinin nuk na hyn gjembi në këmbë, por e garantoj atë se për këto që ka bërë dhe ata që i fshehin këto, do ketë ligjet më të rrepta’- theksoi gjatë fjalës së tij, me deputetët, kryetari i PD-së.

Lideri i demokratëve Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të mbajtur ditën e sotme, ka paralajmëruar sot krijimin e një grup ekspertësh, juristësh dhe një departament i luftës kundër korrupsionit, ku qeveria do procedojë dosjet e korrupsionit për Edi Ramën dhe familjarët e tij. ‘Koha po ndryshon dhe unë në respekt të OKB-së, në respekt të UNDP, u bëj thirrje përsëri të rishqyrtojnë qëndrimin e këtij personi që drejton misionin. Përndryshe ne nuk mund të pranojmë korrupsionin mbi shqiptarët’- u shpreh kreu i PD-së, gjatë mbledhjes me grupin parlamentar.

Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se, sot do të dorëzohet në parlament ligjin që njeh vetëm dy gjini dhe që të dënohet kush flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. ‘Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Në mënyrë që t’i japim fund çdo lloj tentative dhe përpjekje’- theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar.

FJALA E PLOTE:

Së pari, dëshiroj t’u përshëndes ju për angazhimin shumë serioz që keni bërë në fushatën elektorale brenda dhe jashtë vendit dhe duke vlerësuar veprimtarinë tuaj, del qartë se nuk është vetëm radha jonë, nuk është vetëm stina jonë, por është edhe dallga jonë.

Shqiptarët çdo ditë e më shumë janë të bindur se në pushtet me datën 11 maj do të jetë PD.

Dhe, kjo është një përgjegjësi e madhe, por i garantoj me këtë rast se 100 ditët do jenë 100 ditët e transformimit rrënjësor të Shqipërisë.

Koha nuk pret, ndaj duhet të përgatiten të gjitha vendimet e 100 ditëve të para gjatë këtyre muajve para fushatës, në mënyrë që ato të firmosen në përputhje me Kushtetutën, si vendime qeverie apo akte normative, për të bërë realitet programin tonë transformues të Shqipërisë.

Është një domosdoshmëri e madhe, ka një diskreditim të madh kombëtar dhe ndërkombëtar të këtij regjimi.

Personalisht të Edi Ramës, i cili është i aftë të marrë çdo vendim, të marrë çdo akt dhe veprim për të siguruar karrigen e tij, pasi e di se në Europë, ai dhe Lukashenko dhe Putini janë tre kampionët e krimeve ndaj vendit të tyre.

Krimeve politike, por ky edhe të gjenocidit të butë ndaj shqiptarëve, përzënies së tyre nga vendi.

Në të gjithë përgatitjen tonë, është e domosdoshme një seri aktesh, vendimesh, të cilat sjellin desorosizimin e shpejtë të shoqërisë shqiptare.

Është fakt i pamohueshëm se në botë, kopshti eksperimental i Xhorxh Sorosit u bë Shqipëria.

PD nuk është një parti e ekstremit të majtë, por është një parti që i qëndroi fuqishëm.

Ndaj dhe ajo merr përsipër para shqiptaërve me akte dhe ligje të desorosizojë Shqipërinë.

Unë i bëra thirrje Aleksis Soros të mbyllë fondacionin në Shqipëri, sepse i jap fjalën, që javën e parë pas 11 majit do të mbyllet me dekret ligj që të mos shkelë më në Shqipëri.

Ky fondacion i ka bërë të këqija të mëdha Shqipërisë.

Është bërë mbështetës i ekstremit të majtë në Shqipëri dhe i kulturës uoke të shkatërrimit të familjes dhe identitetit gjinor.

Ndaj dhe në detyrimin tonë si forcë politike është përgatitje e të gjitha akteve dhe ligjeve që sjellin desorosofikimin e Shqipërisë.

Nuk ka një vend të dytë në Europë dhe botë që pësoi pasojat e superspekulantit, supercensorit.

Xi Jinping dhe Vladimir Putin ushtrojnë censurë në vendet e tyre, kurse Xhorxh Soros me doktrinën e tij në mbarë botën.

Pra, a e imagjinoni ju që paratë e taksapaguesve financojnë censurë të SHBA.

Financojnë Fatmir Xhafën.

Financojnë Erion Braçen dhe zyra të tilla.

Ne nuk u bëmë pjesë e kësaj axhende në parlament dhe mbajtëm qëndrimin më të drejtë.

Por ne zotohemi se duke ruajtur absolutisht standardet më të mira të lirive dhe të drejtave njerëzore, të respektit të Kushtetutës, të drejtësisë së pavarur, por desorosizimi i Shqipërisë do jetë një objektiv madhor.

Pasoja të paimagjinueshme.

Një grup deputetësh me të drejtë i drejtuan letër bordit të UNDP, ku i kërkuan që zonja Rama të mos bëjë raportet e qeverisë Rama.

Ishte përtej çdo pritshmërie përgjigjja e papërgjegjshme që erdhi. Ishte legjitimim ndërkombëtar i korrupsionit.

Në qoftë se për këtë organizatë nuk ekziston konflikti i interesit, për këtë organizatë nuk ekziston korrupsioni.

Por nuk janë këto parimet mbi të cilat bazohet një institucion ndërkombëtar.

Mora këtë shembull…

Ju them unë ju, kam informacione shumë të sakta se asnjë raport nga ky institucion nuk shkon pa u miratuar nga qeveria.

Nuk është vetëm një McGonigal. E ka Sergei Esenin: Sa mace ka kjo botë, vargut të tyre fundin nuk ia gjen dot. Po, e vërteta.

Kështu që të thotë diplomatja se e kemi zgjedhur me kritere, po kujt i thua moj zonjë…

Nuk mund t’ia kalojnë shqiptarëve në këtë mënyrë gjërat.

Ndaj dhe ajo letër dhe ajo përgjigje do shpërndahet në të gjitha mediat e botës.

Përndryshe bëhet e pashpresë lufta kundër korrupsionit këtu.

Në qoftë se Linda Rama çon raportet ndërkombëtare për performancën e Edi Ramës, në vend që t’u thonë faleminderit zotërinj deputetë për letrën që dërguat, marrin në mbrojtje shkelmimin e parimit universal të konfliktit të interesit.

Nuk ka akt më të papranueshëm.

Por e thamë atë, McGonigali nuk është i vetëm.

Zonja dhe zotërinj deputetë, në këtë periudhë është shfaqur me gjithë shëmtinë e tij shteti elektoral.

Në këtë periudhë, Edi Rama është angazhuar në krime të mëdha elektorale.

Krimin shtetëror elektoral e kryeson Lubi Balluku.

E kryeson ky person, që në vjedhjet e saj tejkalon pas Edi Ramës çdo person tjetër në historinë e vendit.

Kjo ka hapur zyrat në të gjithë Myzeqenë me punonjësit e ministrisë, të cilët ngulen aty si xhandarë elektoralë, si terroristë elektoralë.

Përdorimi i shtetit elektoral për të dhunuar votën e shqiptarëve është një thirrje e brendshme për demokratët për mosbindje civile.

Edi Rama nuk mund të grabisë kurrë këto zgjedhje.

Ne jemi të përgatitur për një fushatë elektorale të ndreshme, të qetë, të drejtë, të konkurrojmë me alternativë.

Por në qoftë se ai shpalos shtetin elektoral, ne do shpalosim zemërimin e qytetarëve kundër shtetit elektoral.

Lubi Loti është një monstër e shtetit elektoral.

Peshkopinë e drejtonte me Ymer Lalën nga resorti i Ymer Lalës, që ia çonte edhe rrugën automobilistike gjer tek dera e resortit.

Tani, në Fier përdor metodat e një terrorizmi të vërtetë elektoral.

Dhe nuk është vetëm ajo, të njëjtën gjë bëjnë kudo këta.

Kryetarët e bashkive kanë braktisur detyrat, përveç atij të Elbasanit që thonë se Suel Çela e ka shtruar në dru dhe po kurohet në spitalet e Greqisë, nuk e di është a e vërtetë apo jo, por nuk mund të mos e them këtë, të tjerët janë zhdukur, qytetarët nuk ekzistojnë.

I përshëndes dhe i përgëzoj emigracionin që po i refuzon masivisht aq sa nuk janë në gjendje të filmojnë takimet e tyre sepse janë të dështuara të gjitha.

Por kjo është e vërteta, kryetarët e bashkive nga Saranda në Kukës janë shpërndarë si terroristë elektoralë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjin.

Edi Rama po përdor trafikantë dhe oligarkë, ai ia paguan takimin në Milano, këtu i jep lejen e ndërtimit. Sipas medieve, një Ujka, Ujka.

Pra, data 8 është dita në të cilën ne tregojmë të gjithë fuqinë tonë në mbrojtje të votës së lirë dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ju dhe qytetarët e dëgjuan autopsinë që i bëri klanit Rama, Ballukut dhe Dumanit, Arben Ahmetaj me një vërtetësi të jashtëzakonshme. Me dokumente.

Dy urdhër arresti të anuluara për AKSHI-n, e cila qindra milionë euro i ka ndarë me Edi Ramën nëpërmjet baxhanakut të Edi Ramës.

E dëgjuat që blihet kompjuteri 10 herë më shumë se ç’kushton, me dokumente tatimore.

Ministrja e Arsimit dhe respiratorët me çmim të 10-fishtë. Dhe për Altin Lalën, këto janë pakujdesi. Cilësohen pakujdesi dhe jo vjedhje monstruoze që ka rënduar jetën e të sëmurëve.

Pra, mendoj se autopsia që i bëri kësaj kalbësire Arben Ahmetaj ishte një shërbim i madh për çdo qytetar.

Ai, si njeri që njeh nga viti 2013 gjer në vitin 2022, me hollësi çdo zhvillim, u tha shqiptarëve se Erion Veliaj ka firmosur dhe është pronar në djegësin e Tiranën, por firmën e ka vënë nën presionin e madh të Edi Ramës. Çka dëshmon se pse për Erion Veliajn, Edi Rama tha se po ia linçojnë familjen.

Cilën familje? Familjen që iu gjetën vetëm fatura të garderobës 200 e ca mijë euro. Pra, blerjet shkojnë në rreth 2 milionë euro. Imagjinoni ju Velicën, që nuk i ka 2 milionë euro as një mbretëreshë ka rrezik. As gratë e miliarderëve.

Po këta po e linçojnë këtë. 300 mijë euro i gjetën në garazh në kontrollin e fundit. U fshehën. Po ka njerëz që edhe i rrjedhin gjërat, edhe i thonë gjërat.

Arben Ahmetaj si dëshmitar origjinal i zhvillimeve në qeveri faktoi ato që opozita ka denoncuar me forcën më të madhe.

E them këtu se sot Edi Rama i ka mbyllur, siç ka thënë Lubia, me Altinin nuk na hyn gjembi në këmbë, por e garantoj atë se për këto që ka bërë dhe ata që i fshehin këto, do ketë ligjet më të rrepta.

Opozita ka bërë një punë shumë të mirë. Shumë e kanë kritikuar se pse po dorëzon dosjet në SPAK. Opozita e ka pasur të qartë se ato dosje do mbylleshin nga SPAK-u. Por ajo nuk ka pranuar të sillet sikur jeton në një rend parashtetëror. Pra ka treguar një respekt për institucionet si të tilla dhe jo individët që përdhosin këto institucione.

Tani do krijohet këtu një grup, një departament i luftës kundër korrupsionit, në të cilën ekspertët tanë do përgatisin çdo dosje me të gjithë dokumentacionin se të harrojë kush që mund të kalojë krimet që ka bërë i mbrojtur nga njerëz të marrë peng.

Jo, krahas vendimeve, qeveria do procedojë dosjet e korrupsionit për Edi Ramën, familjarët e tij.

Linda Rama është e regjistruar me regjistrim ambiental.

Ju besoj e dëgjuat se çfarë tha Arben Ahmetaj për fiskalizimin, se peshkaqeni ishte Olsi Rama që donte të merrte fiskalizimin.

Gjithçka sillej në këtë intervistë rreth familjes së tij.

Pra, do të krijohet një grup ekspertësh, juristësh, dosjet ne i kemi, i kemi dorëzuar 50 dosje atje. Nuk kemi lënë dosje pa dorëzuar, po ata i mbyllin, ata grisin urdhër arreste.

Ata çojnë për ndjekje penale Bardh Spahinë pse ka pushuar nga puna një të dënuar për vjedhje. Kjo është e vërteta.

Fshehin urdhër arrestin dhe dosjen për Benet Becin, i cili ka shuma të mëdha të ndara me qeveritarët.

Dhe i del ish-xhelati i Sigurimit të Shtetit dhe Edi Rama së bashku dhe e marrin në mbrojtje se Edi Rama duhet të marrë mandatin me bandat.

Çdo gjë, ne do përgatisim dosje pas dosje dhe këta ta dinë se në mënyrë absolute nuk do ketë asnjë lloj amnistie për akte korruptive, përkundrazi, korrupsioni do shpallet krim i rëndë.

Po, nuk luftohet ndryshe veçse me masa drakoniane.

Këta u bënë të gjithë ndaj paratë e buxhetit. Nëndrejtoresha e merr tenderin, edhe tenderin tjetër e fiton djali.

Vendi është zhytur në një korrupsion të tmerrshëm. Del edhe ajo diplomate e thotë se Linda Rama është zgjedhja jonë. Por ka një kod. Si mund ta thuash këtë? Janë të gjithë këta deputetë që kanë firmosur dhe kthen përgjigje flakë për flakë se zgjedhim ne. Vë dorën në zjarr për Linda Ramën.

Por koha po ndryshon dhe unë në respekt të OKB-së, në respekt të UNDP, u bëj thirrje përsëri të rishqyrtojnë qëndrimin e këtij personi që drejton misionin. Përndryshe ne nuk mund të pranojmë korrupsionin mbi shqiptarët.

Ndaj dhe duhet të marrin fund këto praktika.

Së fundmi, çështje madhore është çështja McGonigal.

Çështja McGonigal mbahet peng nga Altin Lala.

Dhe ta dinë mirë shqiptarët se Dumani është një ushtar i Ymer Lalës me lidhje të vjetra me Ymer Lalën, të cilën e ka ekzoneruar nga vrasja, gjer këtu shkon.

Tani, ky ka marrë përsipër gjoja të hetojë një çështje që është e hetuar gjer në palcë nga drejtësia amerikane.

E hetuar, një çështje e dokumentuar, një çështje në të cilën prokurori amerikan ka urdhëruar dy vite më parë tërheqjen e të gjithë komunikimit dixhital të Edi Ramës dhe ministrave të tij.

Dhe ky kujton se do e mbulojë me Altin Lalën.

Kjo nuk mund të ndodhë. Ndaj dhe ne do bëjmë gjitha përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Le të marrë avokat Ulsi Manjën, se Ulsiun e ka si ndërmjetës kryesor, takimet e fshehta me Dumanin i bën edhe vetë, por ia sjell edhe Ulsi në takime tek vila e diktatorit të dytë, kështu që Ulsiu nuk mund ta mbrojë Edi Ramën nga afera McGonigal.

McGonigal ishte një armik i egër i opozitës shqiptare, por e vërteta është edhe i presidentit Donald Trump, siç kanë faktuar dokumentet në SHBA.

Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Në mënyrë që t’i japim fund çdo lloj tentative dhe përpjekje.

Ligji tjetër me dënim ai që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. Do ketë sanksione.

Këto janë vetëm fillimet, këta e kanë shtrirë në shkolla, e kanë shtrirë në falsifikimin e historisë, uoke është bërë një rrymë e veçantë jo vetëm në media, por është degëzuar në shumë drejtime.

Lufta me kulturën uoke do jetë një betejë pa kompromis e jona.

Është beteja për të vërtetën. Ne nuk kërkojmë asnjë deformim. Gjërat siç janë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale