Berisha: Diaspora mbështet opozitën dhe PD, si forcën e vetme politike për shpëtimin e Shqipërisë! Hyjmë në garë me kryemagjistarin e fushatës, LaCivita ka ardhur për fitoren e PD

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME STRUKTURAT E PD, DEGA DURRËS

ESKTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë një takimi me strukturat e PD, dega Durrës, shprehu vlerësimin për entuziazmin e diasporës shqiptare dhe angazhimin e saj në zgjedhjet e 11 majit. Berisha theksoi se ky entuziazëm është pasqyrë e jetës në shtete të lira, ku shqiptarët e diasporës e kuptojnë më mirë persekutimin dhe shkeljen e të drejtave të opozitës në Shqipëri. Berisha kritikoi qeverinë aktuale për krijimin e një “narkoshteti” dhe “narkodiktature”, duke e bërë Shqipërinë një vend që shumë shqiptarë po e braktisin. Kryedemokrati tha se se mbështetja për PD dhe opozitën është një shenjë optimizmi për ndryshim.

Lideri demokrat, Sali Berisha tha se shqiptarët jashtë vendit mbështesin PD dhe opozitën si forcën e vetme për shpëtimin e Shqipërisë, duke e konsideruar këtë një avantazh të madh për partinë. Berisha akuzoi Erion Veliajn për lidhje të ngushta me Edi Ramën dhe për përfshirje në skandale korruptive. Sipas Berishës, Veliaj është dëshmitari më i fuqishëm i vjedhjeve të Ramës, dhe sulmet ndaj institucioneve janë të ngjashme me veprime të grupimeve kriminale. Berisha shtoi se Rama është në panik sepse ka sukseset që pretendon, por flet si banor i parkut zoologjik për zhaba e zhapikë.

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi programin e PD, duke theksuar se ai do të transformojë Shqipërinë me shpejtësi të madhe. Berisha premtoi se në tre muajt e parë do të eleminohet varfëria ekstreme dhe do të bëhen ndryshime të mëdha në shpërndarjen e buxhetit, duke siguruar rritje të pagave dhe pensioneve. Sipas tij, rroga minimale do të jetë 500 euro dhe rroga mesatare 1200 euro. Ai gjithashtu premtoi uljen e çmimit të energjisë dhe ujit, duke argumentuar se pasuritë e natyrshme të vendit mund të menaxhohen më mirë për të ulur kostot për qytetarët. Berisha e quajti këtë program “paketën e dhembshurisë” dhe premtoi masa emergjente për të ndihmuar qytetarët në muajt e parë të qeverisjes.

Lideri i PD, Sali Berisha theksoi se “Made in Albania” do të jetë simbol i krenarisë kombëtare dhe se Shqipëria do të rikthehet në një vend prodhues. Berisha kritikoi ashpër rënien e prodhimit dhe rritjen e çmimeve për ndërtimet, duke premtuar krijimin e një mjedisi të favorshëm për investitorët e huaj. Ai theksoi se Shqipëria ka burime natyrore të pasura dhe mund të zhvillojë një ekonomi më të fortë, duke bërë që “Made in Albania” të jetë një markë e njohur ndërkombëtarisht.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se Shqipëria ka disa nga potencialet më të mëdha për prodhimin e energjisë në rajon dhe Europë, duke përmendur burimet ujore, diellore dhe të erës. Berisha përmendi projekte të mundshme për energjinë eolike dhe solare, duke përfshirë një projekt italian për 3,000 megavatë energji nga Shëmria deri në Va të Dejës. Sipas tij, problemi nuk është mungesa e mundësive, por si të shfrytëzohen këto burime për të sjellë pasuri dhe të sigurohet furnizimi me energji të lirë për qytetarët dhe zhvillimi i ekonomisë.

Berisha njoftoi ndarjen e degës së Durrësit në dy degë të reja, dega e Durrësit dhe dega e Sukthit, për shkak të popullatës të madhe dhe potencialeve të zonës së Sukthit. Lideri demokrat theksoi se ky ndryshim është bërë për të përmirësuar strukturën e organizatës dhe ka pasur një proces demokratik me primaret që kanë ndihmuar për të përzgjedhur kandidatët.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se PD po hyn në garë me mbështetje të fuqishme nga diaspora dhe një program për një Shqipëri madhështore. Ai shtoi se Chris LaCivita, eksperti i fushatës që ka udhëhequr fushatën e Donald Trump, është angazhuar për fitoren e PD, duke e cilësuar atë si “kryemagjistari” i fushatës. Berisha e quajti të domosdoshme angazhimin e tij pasi LaCivita e ka luftuar suksesshëm propagandën dhe makinerinë shtetërore të partive të tjera.

Berisha gjithashtu theksoi se PD synon që të kthejë vendin në një Shqipëri të lirë dhe të drejtë, ku qytetarët e Durrësit do të votojnë pa ndikimin e bandave.

Berisha tha se ky do të jetë “viti i diasporës” dhe “viti i fitores” për PD dhe opozitën shqiptare.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma, dhe një përshëndetje të përzemërt!

Së pari, dua t’ju përshëndes ju përzemërsisht, të shpreh vlerësimin tim shumë të madh për punën dhe përkushtimin që treguat për angazhimin e diasporës shqiptare, për herë të parë, në historinë e këtij vendi për të shprehur vullnetin e tyre në zgjedhjet e 11 majit.

Puna e bërë nga ju, drejtuesit e degës, kandidatët, që nderuan garën krijuan një epërsi të madhe morale dhe numerike në mbështetjen e PD kudo në Itali, Gjermani, SHBA, Britani dhe kudo. Mendoj se, me fitoren tonë në diasporë, në kuptimin e një angazhimi, një entuziazmi, një optimizmi të pa parë, ju garantoj që unë kam përjetuar takime të tilla, veçse në vitet 1990-1991. Një entuziazëm i papërmbajtur, i papërshkruar i qytetarëve shqiptarë jashtë vendi.

Dhe e kam pyetur veten shumë herë, pse kjo, çfarë ndodh me ta?

Dhe përgjigja është vetëm një: sepse ata jetojnë në vende të lira dhe ata e kuptojnë më mirë se të gjithë të tjerët se çfarë do të thotë të persekutosh, të arrestosh për motive politike, drejtuesit e partive politike opozitare. Se çfarë do të thotë të marrësh mandate të fituara me votë të opozitës.

Se çfarë do të thotë të burgosësh deputetë të rinj të opozitës, vetëm e vetëm se guxojnë t’u thonë qytetarëve shqiptarë të vërtetën.

Ata, më shumë se të gjithë të tjerët e ndiejnë se Shqipëria nuk është një vend për t’u braktisur, por të tillë e bëri qeveria e sotme me narkoshtetin dhe narkodiktaturën.

Pra, në këto takime kam konstatuar, atë, të themi edhe urrejtje ndaj regjimit, por edhe optimizëm dhe entuziazëm për rrëzimin e tij. Dhe këtu, keni merita të mëdha, të gjithë ju që punuat, të gjithë ju që u angazhuat në dialog, në bashkëbisedim dhe i ftuat ata të kontribuojnë kësaj here për shpëtimin e Shqipërisë.

Kjo, përbën një avantazh të madh për PD. Ky entuziazëm dhe ky optimizë ka ngrohur shumë zemrat e shqiptarëve. Tashmë, është bërë e qartë përfundimisht se shqiptarët jashtë vendit mbështesin PD, mbështesin opozitën si forcën dhe forcat e vetme politike për shpëtimin e Shqipërisë.

Por, nga ana tjetër, në qoftë se krahu tjetër këndon çdo ditë hymnin e hajdutit të Erion Veliajt, apo të këtij apo atij, për të cilën ju them një gjë, qyetarët e Tiranës meritojnë një mirënjohje të pakufishme, se 44 javë nuk iu ndanë, në parimin latin se: pika e shpon gurin, jo me forcë, por duke rënë pa pushim. Edhe ajo protestë e nxorri nga Bashkia një nga hajdutët, që përveç Edi Ramës dhe Lubi Ballukut nuk ka shok apo shoqe tjetër në Shqipëri.

Tani, ata janë kapur, sepse Erion Veliaj është i lidhur si mishi me thoin me Edi Ramën. Erion Veliaj është dëshmitari më i fuqishëm, më autentik i vjedhjeve gjigande të Edi Ramës. Dhe ju e patë gjer në rrethimin, ai është akt grusht shteti, një degë e pushtetit shkon e sulmon një degë tjetër e pushtetit, ai përbën grusht shteti.

Këtë e ka bërë vetëm vetëm Eskobari në vitin ‘82 apo ‘83 në Bogota, në Kolumbi, dhe nuk e ka bërë kusuh kurrë. Kështu sulmuan edhe hordhitë e Eskobarit të Tiranës gjykatat dhe prokurorinë.

Pastaj, përpëlitje të përditshme për të nxjerrë se ishin të lidhur me Sali Berishën, për faktine  vetëm se ai kishte mbaruar studimet me vajzën time, Olsi Dado. Unë nuk e di, a i ka mbaruar me të, apo jo, nuk e kam pyetur gjer më sot. Ai ka vendime kundër meje në këtë periudhë. Por, problemi është që ata janë në një kaos, janë në një panik të tmerrshëm.

A mund të imagjinoni ju një kryeministër, thojuani këtyre socialistëve këtu. Si ka mundësi nëj kryeminsitër që ka qeverisur 12 vjet, dhe nuk është i zoti të mbrojë një vepër të tijën? Unë nuk them se janë zero. Nuk janë zero, se tuneli i Llogarasë është realitet. Se pllakat e shesheve janë realitet. Por problemi është se, kudo që t’i prekësh del një vjedhje. Se po të përmend tunelin e Llogarasë, del 50 milionë euro vjedhje. Dhe ky është realitet.

Se, po të përmend pllakat e shesheve të qyteteve kanë kushtuar të dashur miq më shumë se të gjitha rrugët, nga Hani i Hotit në Gjirokastër, nga Morina në Durrës, kanë kushtuar pllakat e shesheve të qyteteve rreth 2.3 miliardë euro. Pra, një vjedhje e 10-fishtë me çmimin. Ndaj dhe ai nuk ka se si  të flasë për sukseset, por flet për zhaba, për hardhucë, për zhapikë. Pra, e ka shndërruar veten në një banor të parkut zoologjik, që çdo mëngjes si zog qyqeje del dhe numëron marrëzira, tregon se është në panik, tregon se është i humbur.

E kundërta këtej nga ne.

Ne kemi një program, miq, ky është programi më madhështor që ka njohur Shqipëria dhe ju garantoj ju dhe çdo qytetar se, nëse ky program nuk do të ishte madhështor, nëse ky program nuk do të bënte Shqipërinë madhështore, kurrë nuk të kishim një pretendim të tillë dhe nuk do të shpreheshim në këtë mënyrë.

Ne këtë program e kemi shumë konkret, dhe e kemi një program shumë të shpejtë, me të cilin ne transformojmë me shpejtësi shumë të madhe Shqipërinë.

Së pari, në 3 muaj e parë ne bejmë që asnjë qytetar shqiptar të mos jetë në varfëri ekstreme, asnjë. Në vitin 2013, nga studimet që bëmë nga dolën që kishim 15 mijë familje në varfëri ekstreme. I regjistruam me qëllimin e vetëm që ta zhduknim, tu jepnim shumën e parave çdo muaj me të cilat nuk ishin më. Asnjë vend i lirë nuk ka varfëri ekstreme, asnjë vend anëtar i BE-së, nuk lejon varfërinë ekstreme sepse u jep qytetarëve.

Kur bëhet shpërndarja e të ardhurave, kujdeset që askush të mos jetë në mjerim. Kështu që ne bëmë regjistrin e tyre. Humbëm pushtetin dhe ata jo vetëm që nuk u zvogëluan, por u trefishuan me statistika dhe u shumëfishuan pastaj, ne konceptin relativ nga 12 ka arritur në 42%.

Çfarë do të bëjmë ne? Ne i kemi shpallur, do të shpërndajmë buxhetin krejtësisht ndryshe. Buxheti në radhë të parë do të ndajë paketën e emergjencës, do të vendosim minimumin jetik 200 euro, do rrisim pensionet, nuk do të ketë pension nën 200 euro, do rrisim pensionet me 20%. Nuk do të ketë rrogë minimale ndën 500 euro. Rroga mesatare do të shkojë në 1200 euro dhe përveç kësaj, çdo pensionisti, çdo rrogë ulëti do ti japim kartën e konsumatorit me të cilën atij do ti kompensohet, jo bonus siç thotë ky, por do ti kthehet taksa e ushqimeve dhe gjërave bazë që ka ble, e cila e llogaritur nga ekspertët shkon në 450 euro në vit.

Përveç kësaj, do ulet çmimi i energjisë. Do të zbresë në 7 lek për qytetarët, në 6 lek për biznesin. Ku e bazojmë ne këtë? E bazojmë se energjinë ne si vend e prodhojmë pjesën dërmuese të saj, e prodhojmë me kaskadën e Drinit, e cila e ka nxjerrë veten disa herë, por këta e rëndojnë gjithçka duke punësuar me mijëra patronazhistë dhe duke ua faturuar këtë, qytetarëve në çmim.

Jo, do të funksionojë si ndërmarrje publike me të gjitha kriteret e menaxhimit dhe qytetarëve do tu ulet çmimi, sepse kostoja e sotme me dyfishin e personelit që ka, është rreth 28 lek dhe këta e sheshin me 85 lek me çmimin e ri që vendosën.

Do të ketë përgjysmim të ujit të pijshëm, nuk mund të paguajë qytetari vjedhjet e tmerrshme që bëhen me ujësjellësat. Ju nuk e dini se çfarë bëhet me ujësjellësat. Të marrësh tenderat dhe ujësjellësat e Durrësit dhe Tiranës ku furnizimi është më keq se kurrë, ata vetëm vjedhin e ndajnë paratë. Kështu që çmimi i ujit do të përgjysmohet.

Në rast se ka një mall që ky vend mund të ua japë falas qytetarëve me kusht, menaxhimin e mirë është uji. Dhe ka një vend tjetër që e jep falas ujin qytetarëve dhe ky vend është Austria. Dhe pse e jep? Sepse ka ujëra thotë, se Austria është e pasur në ujëra dhe qytetarët duhet ta gëzojnë këtë pasuri. Ne në vend që të ulim çmimin, ne shkojmë duke trefishuar çmimin për shkak të vjedhjeve që bëhen.

Pra, paketa e Shqipërisë ta quajmë paketa e dhembshurisë, paketa e emergjencës, vendoset tre muaj e parë.

Pastaj shtyllë kryesore ‘Made in Albania’. Nuk ka vend që të ketë fuqi prodhuese për kilometër katror siç ka Shqipëria në çdo lloj aspekti. Si bujqësor, minerar, nëntokësor, etj.

Çfarë ndodh miqtë e mi. Në mënyrë dramatike bie prodhimi vit për vit. Statistika zyrtare. E dëgjoni të flasë ndonjëherë ky, zogu i qyqes çdo mëngjes ta përdorë fjalën prodhim? Asnjëherë të vetme, nuk ekziston.

Vetëm nga viti 2023-2024 eksportet që janë mirëfilltas prodhim, ranë me 32%. Atëherë, ne i rikthehemi me të gjithë fuqinë prodhuese potencialit tonë.

‘Made in Albania’ është Shqipëria e punësimit, është Shqipëria e begatimit, është Shqipëria e shndërrimit të të mirave që ka vendi, në të mira për qytetarët. Është Shqipëria që tërheq investitorët e huaj.

Ka 10 vite që një investitor serioz i madh në Shqipëri nuk shkel. Ikën ata që ishin, e braktisën Shqipërinë. Si do të bëhet, si do bëhet Shqipëria pa investime të huaja, pa kompanitë e mëdha. Jo.

Ne do të krijojmë mjedisin më miqësor.

A e dini ju se pse ndërtuam ne rrugë. Ne ndërtuam nga viti 2005-2013, 11 mijë e 3-400 kilometra rrugë. Por ama nga Hani  i Hotit gjer në Gjirokastër, që të gjitha me kompanitë më të mëdha, Italia, Gjermane, Amerikane e me radhë. Me çmime absolutisht në disa raste 10 herë më të ulëta se të sotmet.

Qytetarët duhet ta dinë se çmimet e lëndëve të ndërtimit, manualet e ndërtimit tregojnë se çmimet për punët publike janë rritur gjithsej 32 përqind. Çfarë ka ndodhur që këta i ndërtojnë rrugët me 10-fish? Vjedhin, kaq e thjeshtë. Vjedhin në çdo gjë.

Shkon në Turqi ai. Del tjetri ofron 130 mln euro për tunelin e Llogarasë. Jo, pas kuintave, perdeve e çojnë në 180 mln euro dhe ndajnë 50 mln aty për aty.

Ne do t’i rikthehemi Shqipërisë prodhuese, do të krijojmë një mjedis të shkëlqyer, për biznesin. Mos harroni se ka pasur raste në vitet 2005-2013 që Shqipëria renditej e 13-18 në botë për klimën e biznesit. Edhe ajo bëhet, por bëhet kur të mos i shikosh për ti vjedhur ata, por ti trajtosh barabar para ligjit dhe të pranosh, praninë e tyre.

Kështu që do të nxisim prodhimin me të gjitha mundësitë.

Nuk ka vend më të pasur. Ka çdo lloj minerali po thuajse. Ka ujëra më shumë se çdo vend i Ballkanit. Ka fushën më të madhe të naftës onshore në Europë, ka brigjet më fantastike.

Pra ‘Made in Albania’ do të jetë krenaria kombëtare.

Do ta lëmë pak historinë në punë e vet dhe do të merremi me veten tonë.

Do bëjmë historinë me ‘Made in Albania’ në mënyrë që shqiptarët të jetojnë të mëkëmbur, pa dhimbje me prodhimet e tyre dhe të ecin dhe në botë me këto marka.

Madhështore Shqipëria.

Kurrë nuk bëhesh i madh, po nuk pe ëndrra të mëdha.

Ëndrra dite e kam fjalën, jo ëndrra nate.

Jo, është kusht kjo!

Po marrim vetëm një moment, jam këtu me ju, Shqipëria ka potencialet ujore më të mëdha se të gjitha vendet përreth këtu.

Shqipëria ka potenciale diellore nga më të mëdhatë, sepse i ka ditë me diell nga më të shumtat në rajon.

Shqipëria ka platformat e erës ndër më të fuqishmet, nga Shëmria e Kukësit gjer në Tepelenë dhe Gjirokastër.

Shqipëria mund të ëndërrojë me të drejtë që të shumëfishojë këtë prodhime energjie që ka.

Mund të ëndërrojë me të drejtë që të ketë parqet eolike të energjisë ndër më të mëdhatë në Europë.

Ua them unë ju, ka projekt nga Shëmria gjer në Va të Dejës për 3 mijë megavatë, është projekt italian.

Më parë energjia luhatej, por tani ka dalë në plan të parë sepse ka pasur zhvillime pozitive, qoftë për turbinat e erës, qoftë për panelet diellore.

Vetëm kapaciteti i Pukës, i studiuar nga kompanitë më serioze të prodhimit të energjisë, është për 3200 megavatë turbina. Tepelena po kaq. Etj, etj me radhë.

Pra, këtu nuk është problemi. Problemi është se a guxon ti të mendosh se si t’i shfrytëzoj dhe t’i kthej këto në pasuri për qytetarët.

Si t’i furnizoj këta qytetarë në radhë të parë me energji me çmimin më të leverdishëm.

Si të eksportoj dhe përsëri të forcoj këtë ekonomi dhe këtë vend.

Unë mora një, mora vetëm energjinë, por kështu mund të marrësh çdo fushë.

Këta e ndaluan kohën.

Të dashur miq, në qoftë se e marrin në rrafshin filozofik, çfarë janë diktaturat?

Diktaturat janë ndalim ose ngadalësim kohe. Dhe kjo ka ndodhur.

Merreni me mend, 12 vite janë ndërtuar gjithsej 2-3 parqe diellore me kapacitet më të vogël se 16 megavatë.

Të gjitha janë hidrocentrale të firmosura gjatë qeverisë së mëparshme.

Po bëhen gjashtë vite, nuk kanë shtruar një tubacion gazi.

Po e dini ç’do të thotë të shtrosh tubacione gazi?

Do të thotë që jeta e secilit qytetar të jetë të paktën 20-30 përqind më e mirë dhe e lirë se e sotmja qoftë në gatim, qoftë në ngrohje.

Kontrata parashikon sasinë e gazit për Shqipërinë për prodhim energjie dhe për ngrohje.

Po a ishte projekt madhështor TAP? Projekt ndër më të mëdhenjtë në Europë.

Pra, në qoftë se themi Shqipëria Madhështore, ne nuk fluturojmë në erë.

Ne themi Shqipëria Madhështore se e kemi faktuar.

Kush e mendonte se do mund të ndërtoheshin 12 mijë kilometra rrugë dhe do shkurtoheshin distancat me katër-pesë herë në jug dhe veri siç u bë në vitet 2005-2013?

Askush, por ajo u bë realitet.

Kush mendonte se Shqipëria do ishte në NATO? Ajo u bë realitet.

Kush mendonte se Shqipëria do dilte nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta në shekuj, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, që ishte një gjë madhështore? Askush.

Kush mendonte që interneti që ishte me 4.8 përqind në vitin 2005, të arrinte në 63 përqind në vitin 2013?

Mund të numëroj një seri aktesh të tjera të cilat absolutisht provojnë madhështi, të ëndrrave madhështore që u bënë realitet.

Tani do jenë këto të tjera sa këto?

Jo, do jenë shumë më të mëdha se këto merren mbi bazën e këtyre.

Në qoftë se në vitin 2006 deklaruam se Shqipëria do bëhet superfuqi e vogël e energjisë në rajon, sot u them se do bëhet superfuqi reale e energjisë në rajon sepse Shqipëria mund të prodhojë mijëra megavatë nga gazi, era, dielli, uji.

Kështu që tani ne e kemi të gjithë Shqipërinë përpara dhe potencialet e saj, por kjo do detyrimisht që 11 maji të arkivojë këtë regjim që ka ndaluar kohën në këtë vend dhe po e zbraz Shqipërinë, po i dënon shqiptarët me varfërinë më të pamerituar.

Prandaj programi ynë Shqipëria Madhështore, aq sa mund të mund të duket një program fantazi, aq është real dhe i fuqishëm dhe do e sjellë Shqipërinë aty ku shumë njerëz nuk e imagjinojnë.

Do ta bëjë Shqipërinë e ëndrrave të vërteta të shqiptarëve.

Do e bëjnë krenar çdo shqiptar!

Tani, të dashur miq, në këtë betejë elektorale, jo krejtësisht për qëllime elektorale, sepse unë, Oerdi dhe këta bashkëpunëtorët e mi e dinë, personalisht prej shumë kohësh kam qenë i bindur se dega e Durrësit, se ky rreth duhet të ketë dy degë.

Duhet të ketë dy degë sepse popullata e zonës së Sukthit, ose të themi popullata jashtë qytetit të Durrësit, është një popullatë gjigante, shumë e madhe dhe që fatmirësisht për shkak të pëlqyeshmërisë së lartë dhe potencialeve që ka, ka mundësi që më shumë ikin nga qytetet se nga ajo zonë njerëzit.

Pra, një zonë dendësisht e populluar dhe një situatë të tillë nuk e kemi në zonat e tjera.

Tiranën psh e kemi ndarë në shumë degë.

Shkodra me Vaun e Dejës, Malësinë e Madhe, Pukën, përsëri është më me përmasa.

Po kështu edhe Fieri.

Në Durrës e kishim këtë problem që Sukthi dhe Durrësi ishin një degë shumë e madhe.

Prandaj kryesia ka menduar të ndajë degën e Durrësit në dy degë, dega e Durrësit dhe dega e Sukthit.

Tani për tani nuk është koha të hyjmë në zgjedhje.

Ju bëtë një ushtrim të përgjithshëm me primaret dhe unë u përgëzoj, në tërësi një proces demokratik, i cili ngjalli respekt në popullatë.

U ushtrua një e drejtë e anëtarëve tanë, kështu që procedura e përzgjedhjes të kandidatëve tani ka një bazë të fortë solide me vullnetin e anëtarëve të PD.

Natyrisht janë edhe kriteret e tjera që do shqyrtohen së bashku për të sjellë kandidaturat e PD dhe opozitës në mbarë Shqipërisë.

Por rikthehemi pak te ndarja e degëve. Nuk ishte koha që të hynim në zgjedhje.

U shfrytëzua një e drejtë e kryesisë për të komanduar dhe autorizuar përkohësisht drejtuesit e rinj të këtyre degëve.

Dua të falënderoj Luanin për punën e çmuar që ka bërë, për kontributin që ka dhënë në të gjithë këtë proces.

Respektoj plotësisht të drejtën e tij si çdo drejtues dhe çdo anëtar tjetër për të kandiduar për deputet dhe shpresoj dhe jam i bindur se qytetarët e Durrësit do japin vlerësimin e tyre.

Po kështu falënderoj edhe zotin Osman Stafa për gatishmërinë, një veteran i PD, i ditëve të para, i cili është ngarkuar të drejtojë degën e Sukthit.

Falënderoj zotin Ardi Muka që merr detyrën e kryetarit të degës së Durrësit në këto përmasa dhe Oerdin që ka punuar me shumë përkushtim të madh dhe ecim në Durrës të sigurt.

Çfarë synojmë ne këtu?

Ne synojmë të vendosim në piedestal vullnetin, fisnikërinë, dinjitetin e qytetarëve të Durrësit.

Të vendosin ata dhe jo bandat.

Kjo është e gjithë fushta jonë.

Dhe unë i garantoj që çdo njeri, që do të ndërhyjë në procesin elektoral në Durrës, jashtë ligjit, do marrë ndëshkimin më ekzemplar se për çdo krim pas zgjedhjeve të 11 majit.

Qytetarët e Durrësit duhet të votojnë jo sipas vullnetit të Gjushit apo bandave, por duhet të votojnë sipas vullnetit të lirë, qytetarë të lirë, qytetarë mijëravjeçarë në këtë trevë, në këtë vend, dhe jo t’u ndikojë kush.

Jam shumë i sigurt se ne do e përmbushim këtë mision.

Ne së bashku do bëjmë që durrsakët, qytetarë të mrekullueshëm me një trashëgimi të shkëlqyer qytetare, njerëzore, me datën 11 maj do të qëndrojnë në krye të fitores së PD dhe opozitës shqiptare. 

Hyjmë në këtë garë me një mbështetje të fuqishme të diasporës.

Hyjmë në këtë garë me një program real për Shqipërinë Madhështore.

Hyjmë në këtë garë me kryemagjistarin e fushatës më të jashtëzakonshme në historinë e njerëzimit, e rikthimit më të jashtëzakonshëm me votë në historinë e njerëzimit, fushatës së presidentit Donald Trump, me zotin Chris LaCivita, i cili ka ardhur këtu te ne për fitoren e PD dhe opozitës shqiptare.

Është domethënës prania e tij, ua them këtu haptas, sepse edhe në SHBA dhe kudo, në qoftë se ka sot një armik monstër, ai quhet Xhorxh Soros dhe siç e tha vetë zoti Chris LaCivita, Edi Rama është kukulla e Xhorxh Sorosit.

Në botë, kukulla numër 1 e Sorosit është Edi Rama.

Ndaj edhe ky është një faktor jashtëzakonsiht i rëndësishëm për fitoren e opozitës shqiptare.

Ai dëshmoi së bashku me zonjën Suzanë Vilis, se përballë malit më gjigant të propagandës, të medias, të makinerisë shtetërore, por e vërteta është, pothuajse të mbarë botës kundër, dinë të fitojnë dhe fituan.

Kështu që duhet ta falënderoj me shumë mirënjohje që ai pranoi ftesën tonë dhe ne ecim, do bëjmë gjithçka për fitoren.

Koalicioni që ne ndërtuam është sigurisht një arritje e madhe, prandaj ai e ka humbur. Ka dy ditë që nuk i shqitet, se unë ia njoh psikologjinë atij, gjërat që i dhembin shumë ai i mban në gojë vazhdimisht.

Po ky koalicion ka një të tretën e votave të qytetarëve shqiptarë.

Cilido është i ftuar nga ju të marrë librat e zgjedhjeve dhe të shohë se partitë e vogla, kur merren së bashku, ato arrijnë shifra një e treta e zgjedhësve shqiptarë.

Ne nuk mund të pranonim kurrë që këta t’i linim.

Se ky, për t’i dënuar këta me dënim kapital politik, e ndryshoi ligjin, dhe e bëri se në rast se bëjnë koalicion, të gjitha votat shkojnë te partia me të cilën bëjnë koalicion, PD në rastin konkret, përndryshe nuk janë të destinuara për të marrë asnjë deputet.

Unë u them ju se marrëveshja është e shkëlqyer dhe kjo marrëveshje është edhe kjo një moment tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm i marshimit tonë drejt fitores më 11 maj 2025.

2025-a, viti i diasporës.

2025-a, viti i fitores.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale