Berisha denoncon skandalin: Petrit Malaj, anëtar i klanit të Gjolekë Malajt, u bë ministër Financash ditën që certifikoi censusin e falsifikuar me kompaninë e tij!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët të mbajtur ditën e sotme, akuzoi ministrin e Financave, Petrit Malaj, duke e cilësuar atë si anëtar të klanit të Gjolekë Malajt dhe duke e lidhur me një skandal të falsifikimit të censusit kombëtar. Berisha deklaroi se kompania BDO Albania, ku Malaj ka qenë administrator bashkë me familjarët e tij, certifikoi një census të falsifikuar, dhe pikërisht në ditën që u dorëzua ky certifikim, Malaj u emërua ministër Financash. Ai e akuzoi Malajn për mashtrim në deklarimin e të ardhurave, duke u paraqitur si profesionist i lirë, ndërkohë që ka qenë drejtor ekzekutiv i kompanisë, duke fshehur të ardhurat dhe evazuar tatimet. Berisha shtoi se, ky emërim përbën një kërcënim serioz për financat e vendit dhe është një dhuratë e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

Lideri opozitar tha se, të ardhurat e deklaruara nga ky klan janë qesharake dhe se në Shqipëri kandidatëve për akademinë e rendit u kërkohet vërtetim për integritet nga Skapi i partisë, ndërsa për ministra si Malaj, vendimet merren në baza klienteliste dhe lidhje kriminale. Berisha theksoi se mashtrimi i Malajt në deklarimin e pasurive dhe konflikti i interesit e bëjnë emërimin e tij të paligjshëm dhe të rrezikshëm për financat shqiptare.

Në lidhje me Erion Veliajn, Kryetari i PD, Sali Berisha e akuzoi drejtpërdrejt për zhdukjen e 130 milionë eurove nga inceneratori i Tiranës, në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, duke përmendur gjithashtu 60-70 milionë euro të zhdukura për dherat dhe rreth 13 milionë euro në projektin “EcoPark” në Porto Romano, ku vetëm 6.7 milionë janë përdorur nga 19 milionët e planifikuara. Berisha denoncoi edhe vjedhje familjare të Veliajt përmes fondeve të bashkisë të kaluar në llogaritë e OJF-ve dhe Velicës, në shumën 860 mijë euro.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se Rama është më i implikuar se Veliaj në këto skandale, por se tani kryeministri ka frikë se Veliaj mund t’ia nxjerrë ato në shesh, ndaj dhe ka vepruar me shantazhe, duke përmendur burgosjen e Vangjush Dakos për të takuar Veliajn në qeli. Berisha e quajti Dakon “urith” dhe e paralajmëroi të mos bëhet spiun ordiner.

Kryetari i PD, Sali bëri me dije gjatë konferencës me gazetarë se, Partia Demokratike do të votojë për shkarkimin e Veliajt, por kërkon që ai të dëgjohet në Këshillin Bashkiak para vendimmarrjes, duke sfiduar Edi Ramën që të mos e pengojë këtë dëgjim nëse nuk ka frikë nga ato që Veliaj mund të tregojë. Berisha theksoi se këshilltarët e PD-së janë të gatshëm të nxjerrin në pah gjithë dosjet e zeza që lidhen me Veliajn.

Në aspektin politik, Berisha deklaroi se PD ka disa kandidatë të shkëlqyer për Bashkinë e Tiranës, të pakrahasueshëm me kandidatin e mazhorancës, të cilin e quan “Korba e Korrupsionit”. Kryedemokrati theksoi se PD do të bashkëpunojë me partitë aleate opozitare për përzgjedhjen e kandidatit, por zëri kryesor në këtë proces do të jetë ai i Partisë Demokratike.

Lideri demokrat, Sali Berisha kritikoi ashpër mbylljen e parlamentit nga Rama dhe kryeparlamentari, Niko Peleshi, duke i akuzuar për përdorim të dhunës dhe shkelje të Kushtetutës për të shmangur transparencën dhe për të fshehur korrupsionin dhe skandalet e qeverisë. Berisha tha se opozita do të kërkojë mocion mosbesimi për Peleshin dhe do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Në lidhje me zgjedhjet e 11 majit, Berisha theksoi se asnjë prej rezolutave ndërkombëtare që dënojnë farsën elektorale nuk ka rënë në fuqi dhe nuk do të pranohet kurrë nga Partia Demokratike manipulimi i procesit zgjedhor nga qeveria Rama. Ai sqaroi se ambasadori i BE-së nuk përfaqëson partitë politike, por institucionet e BE-së, dhe se rezolutat politike mbeten në fuqi.

Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi lidhjet kriminale të Edi Ramës dhe njerëzve të tij me korrupsionin, zhdukjen e fondeve publike, mashtrimet në deklarimin e pasurive dhe manipulimin e institucioneve shtetërore, duke kërkuar mobilizim opozitar dhe protesta masive për të rivendosur ligjin, demokracinë dhe Kushtetutën në Shqipëri. Berisha theksoi se protesta është e vetmja rrugë që ka opozita për t’i imponuar këtij narkoregjimi respektimin e ligjit dhe Kushtetutës.

FJALA E PLOTË

Mirëdita!

Lidhjet me krimin janë leva e Arkimedit për postet ministrore dhe të gjitha postet në administratën e narkoshtetit.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, anëtar efektiv i klanit Gjolekë Malaj, vjen në detyrën e kësaj ministrie tejet të rëndësishme pasi kompania e tij BDO Albania, në të cilën ky ka qenë administrator, i ati dhe e motra, aksionerë të rëndësishëm, kësaj kompanie i besohet auditi i censusit të përgjithshëm të falsifikuar nga Edi Rama.

Kompania BDO, e vjehrrit, motrës dhe e këtij, se ky ishte administrator, pra certifikoi censusin e falsifikuar në shifra kolosale.

Dhe, ditën që ka dorëzuar certifikimin e censusit, klani Malaj, klani Gjolekë Malaj, ky përfaqësues i tyre emërohet ministër i Financave.

Ministri i Financave vjen në atë detyrë pasi kishte detyrë shtetërore drejtor i AKBN-së.

Para tij, drejtor i AKBN-së ishte kunati i tij, Doda, Doda, i cili shkarkohet dhe ndiqet penalisht për shpërdorime dhe abuzime, por pavarësisht nga ajo, ai punon në një detyrë të rëndësishme dhe sot.

Vetë ministri, në deklaratat e tij, ka paraqitur veten si profesionist i lirë, në një kohë kur ai ka qenë me dokumente zyrtare drejtor ekzekutiv i kompanisë BDO. Pra ka kryer mashtrim.

Ka qenë drejtor ekzekutiv, siç ka pranuar vetë në CV, i BDO që prej vitit 2014. Në regjistrin e pagave figuron deri në vitin 2021 si profesionist i lirë, me NIPT, jo si drejtor ekzekutiv.

Pra, ky është një fshehës, një evazor.

Dhe ky sot drejton financat e vendit me të njëjtat parime që drejtojnë bandat.

Po të shihni të ardhurat e deklaruara të këtij klani, janë qesharake.

Pra, po lexoja dje se kandidatëve për akademinë e rendit, u kërkohej një vërtetim nga Skapi i partisë, ata e dinë sepse, për të parë integritetin e tyre.

Kurse për t’u bërë ministër, Rama dhe Lubia të bëjnë në funksion të pagesave që u bën, të shërbimeve që u kryen.

Kur një ministër Financash mashtron për të paktën 7 vite, nuk deklaron rrogën e tj si drejtor ekzekutiv, por paraqitet si profesionist i lirë.

Kur lidhjet e tij me famëziun Gjoleka dhe bandat përreth tij, janë shumë komprometuese.

Mendoj se Petrit Malaj është me mashtrimin që ka bërë, në deklarimin e pasurive, me konfliktin e plotë të interesit, atë post e ka marrë në mënyrën më obskure.

Mirëpo keni parasysh ju, ai post është dhuratë totale e Edi Ramës, Lubi Ballukut.

Dhe përbën nivelin më kërcënues për financat shqiptare, po të kemi parasysh se në mënyra të përsëritura, ministra socialistë, kanë refuzuar firmat e urdhrave të paligjshëm të Edi Ramës, dhe jo njëherë, dhe kanë zbatuar ligjin.

Emërimi i këtij skllavi në atë detyrë përbën kërcënim madhor për financat e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Faleminderit!

PYETJE-PËRGJIGJE

Daniela Maloku, Report Tv: Një ngjarje e rëndësishme që pritet të ndodhë ditën e e nesërme do të jetë mbledhja e këshillit bashkiak të Tiranës për shkarkimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj, dhe duket se në sfond janë edhe zgjedhjet për kryeqytetin. Duke qenë se PD, e ka kërkuar prej kohësh shkarkimin e z.Veliaj dhe duke qenë se ka qenë ajo e para që ka depozituar në këshillin bashkiak kërkesë. A ka PD emrin e rivalit të Manastirliut?

Berisha: Së pari, Erion Veliaj është atje ku është… PD ka denoncuar krimet e tij me 47 protesta, të adresuara direkt kundër tij.

Dhe ajo nuk e ka bërë kurrë këtë për problemet e mëdha, sherret e brendshme politike që kanë pasur ai me Edi Ramën dhe Lubi Ballukun.

Jo, absolutisht.

Por, në bindjen time më të thellë, ai është përgjegjës direkt për zhdukjen e 130 milionë eurove të djegësit të Tiranës bashkë me Edi Ramën dhe Lubi Ballukun.

Dhe do mbetet në turpin më të madh, në krimin më të shëmtuar, akti i Altin Troplinit dhe ekipit që hetoi djegësin e Tiranës, të cilët lëshuan mandat arresti ndaj një ministri që e kishte kundërshtuar pesë herë djegësin.

Dhe nuk e morën në pyetje Edi Ramën, Lubi Ballukun se ku shkuan paratë. Si mund të disbursohen 130 milionë euro nga thesari me firmat e tyre.

Pra, kjo është e vërteta.

Erion Veliaj po dënohet për garderobën, vjedhjet që janë bërë. Vjedhje familjare.

Të mos u duket gjë e vogël ju se dje po lexoja se ish-kryetarja e bashkisë së Parisit po hetohet jo për 860 mijë euro, për 84 mijë euro garderobë.

Po, po, merreni dhe lexojeni. 84 mijë euro garderobë. Jo 860 mijë si Velica.

Dhe të gjitha para të kaluara nëpërmjet bashkisë tek OJF-të dhe Velica.

Ajo që kërkojmë ne është që Erion Veliaj të lejohet të flasë para Këshillit Bashkiak.

Këshilltarët tanë janë të parët që kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur shkarkimin e tij. Nuk ka diskutim se vota e tyre është automatikisht për shkarkimin.

Por në qoftë se Edi Rama nuk ka frikë nga Erion Veliaj, se i nxjerr krimet e tij, ta lërë të flasë aty.

Të jeni edhe ju mediat aty dhe të flasë.

Se ky është rregulli.

Tani ajo pyetja. PD ka jo një, por disa kandidatë të shkëlqyer, të pakrahasueshëm me Korbën e Korrupsionit, e cila përbën kandidaten më të zezë në tërë historinë e qytetit të Tiranës.

Po unë besoj se kandidatët nuk mund të jenë gjë tjetër, veçse emra.

Ka emra… nuk jam unë i autorizuar të nxjerr emra këtu, por të siguroj që PD ka kandidatë të pakrahasueshëm me Korbën e Covid-it, përgjegjëse direkte me vjedhjet e tmerrshme të fondeve dhe politikave që ndoqi gjatë pandemisë së Covid-it, duke i çuar vdekjet e shqiptarëve në nivelet më të larta në botë.

Pra, ka pa diskutim jo një, por disa kandidatura…

Daniela Maloku, Report Tv: Duke qënë se, ju vet thatë që Erion Veliaj duhet të lejohet që të dëgjohet, vet këshilltarët e djathtë të PD do marrin ndonjë iniciativë për të dërguar zyrtarisht, mbase, shkresa në institucionet që bëjnë të mundur lejen?

Berisha: Erion Veliaj ka bërë letër kërkesë që të dëgjohet.

Këshilltarët tanë, të garantoj që do të votojnë që ai të dëgjohet.

Nuk ka diskutim. Ajo është një e drejtë që nuk mund t’i mohohet atij.

Përkundrazi të jeni aty dhe ju do shihni se si do ia rendisin këshilltarët tanë të gjithë dosjen e zezë. Edhe ato që renditur Skapi, edhe ato qëka fshehur Skapi, të gjitha së bashku.

Pra, kjo është.

Por besoj se është gjëja më elementare që tjetrit, ndaj të cilit merret një masë, të dëgjohet. Mbrëmë ai ka fjetur me Gjushin në qeli.

E morët vesh? Po. Gjushi u dënua tetë ditë vetëm e vetëm që të shkojë në qeli tek ai.

Ja, këto nuk i pëlqej unë. Jo, këto unë jam kundër tyre.

Do të respektohen të gjithë rregullat.

Se Gjushi është si urith.

Dhe i them Gjushit ke bërë gabimin më të madh të jetës. Mos u bëj spiun ordiner.

Ç’punë ke ti me Erion Veliajn? Lëre aty.

Tetë ditë Gjushi burg, por kjo është…

Vazhdojmë….

Elda Menga, Top Channel: Z.Berisha, ju cituat 47 protesta kundër Erion Veliajt. A duhet të kishte PD gati kandidatin për kryebashkiak në hije. Ju folët se keni disa kandidatë, por nuk na jepni asnjë emër. A mund të na jepni një profil? Së pari, do i nënshtrohen këtyre kandidaturave primareve, apo ju nuk do i fusni në primare. A do të jetë një kandidat që vjen brenda radhëve të PD, apo do jetë një kandidat që vjen jashtë radhëve të PD?

Berisha: Drejt, dakord jam me ju. Janë dy momente të rëndësishme. Së pari PD do të bëjë përpjekje të hyjë me koalicion. Ne do përpiqemi të rakordojmë, biem në ujdi në bashkëpunim me ato parti që ndihen opozitare.

Aty pastaj sigurisht debati do të jetë për kandidaturat. Ne nuk themi që, o kandidatura jonë, o nuk ka koalicion me ne. Por secili është i vetëdijshëm që zë kryesor për përzgjedhjen do të jetë PD.

Prandaj dhe pasi të ulemi me aleatët dhe partitë opozitare të tjera, aleatë në tërësi, të debatohet, të diskutohet, do të ua japim kandidatin.

PD ka jo një, por disa kandidat të shkëlqyer, brenda, jashtë kudo. Nuk kemi asnjë problem.

Osman Stafa, News 24: Ditën e sotme delegacioni i BE-së ka uruar kryeministrin Rama për fitoren dhe për qeverinë e re. Ndërkohë, nga ana tjetër ju keni numëruar disa rezoluta, ku keni deklaruar se në institucionet e BE i keni njoftuar dhe deklaruar për vjedhjen e zgjedhjeve, për lidhjen e qeverisë me lidhjet kriminale. Por, ndërkohë ditën e sotme delegacioni i BE, që reagon në emër të BE, uron kryeministrin Rama për qeverinë e re.

A bien kështu z.Berisha rezolutat e tuaja?

Berisha: Rezolutat nuk bien asnjëra. Ambasadori i BE-së nuk përfaqëson në detyrën e tij, organizatat e partive politike. Ai përfaqëson BE-në.

Pra këtu nuk ka asnjë lloj ngjarje të paqartë.

Rezolutat përkundrazi janë në fuqi dhe do jenë, e ju garantoj ju se farsa elektoral e Edi Ramës e dënuar tashmë nga të gjitha rezolutat ndërkombëtare të forcave politike të qendrës së djathtë dhe të djathtë, nuk do pranohet kurrë nga PD-ja.

Osman Stafa, News 24: nga njëra anë, kur kryeministri Rama paraqiti publikisht, kërkoi që Erion Veliaj të shkarkohej, shprehu keqardhjen e tij, për të, për drejtësinë, etj., por ndërkohë nga ana tjëtër janë vet socialistët që nuk i japin të drejtë të shprehet, sicc ju thoni, para këshillit bashkiak të Tiranës. Pse scoialistët nuk duan ta dëgjojnë Erion Veliajn?

Berisha: Edi Rama është më i implikuar se Erion Veliaj, jo në garderobën e Velicës, jo në garderobën. Edhe njëherë e theksoj se edhe ajo është akt i pamohueshëm. Por nëqoftëse bëhet fjalët 860 mijë euro para të bashkisë të kaluara nëpërmjet OJF-ve dhe kompanive tek llogaritë e Velicës, janë të zhdukura vetëm me djegësin e Tiranës, 130 mln euro.

Janë të zhdukura 60-70 mln euro të dherave.

Janë të zhdukura rreth 13 mln me ‘EcoParkun’ e Porto Romanos. Nga 19 është realizuar me 6.7 mln euro. Që të gjitha direkt implikime të Edi Ramës.

Ai do ta shndërrojë Erion Veliaj. Tani e ka kuptuar që gjithçka është vepër e Edi Ramës dhe ai e ka kuptuar këtë që Veliaj mund t’ia nxjerrë ato në shesh.

Prandaj dhe Gjushin.

Thashë unë, telefonoi Gjushit, bëji një telefon, si e kalove natën mbrëmë thuaj.

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, po me kaq interes, zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, ndiqet edhe situata politike në parlament. Dy seancat e fundit nuk kanë qenë normale, janë ndërprerë për shumë pak minuta. Cili do të jetë qendrimi i opozitës në seancën e radhës. Keni kërkuar ripërsëritje të seancës së 18 shtatorit, por me shumë gjasë, mazhoranca nuk do të pranojë. Cili do të jetë qendrimi konkret i opozitës dhe pyetja e dytë lidhet me protesta.

Është artikuluar, të paktën në mbledhjet e grupit të PD, por edhe nga vet ju, që protestat janë një plan i opozitës në vjeshtë. A ka një gjë konkrete për protestat opozita?

Berisha: Siç e patë ju, parlamentin e mbylli Edi Rama me Niko Peleshin, të cilët donin me çdo kusht që shqiptarët të mos kuptonin, të mos njiheshin me vjedhjet, shpërdorimet monstruoze të Edi Ramës, familjes dhe ministrave të tij.

Shqiptarët të mos njiheshin me lidhjet e tmerrshme të krimit të ministrave dhe deputetëve të Edi Ramës.

Shqiptarët të mos njiheshin me mashtrimet e mëdha që Edi Rama kishte përgatitur ntë ashtuquajturin program të tij.

Ndaj dhe përdorin dhunën, shkelmimin e Kushtetutës, shkelmimin e rregullores për të mbyllur seancën.

Kjo është një betejë në vazhdim.

Ne do të insistojmë me të gjitha mënyrat.

Është bërë një vendim që ët kërkohet një mocion mosbesimi për Peleshin e Ramës dhe do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.

Tani unë u garantoj ju se protesta dhe vetëm protesta është rruga e vetme që ka opozita për t’i imponuar këtij narkoregjimi ligjin dhe Kushtetutën.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale