Berisha denoncon skandalin: Lubi Balluku është përgjuar në një bisedë telefonike duke i kërkuar një shumë të majme një biznesmeni për një tender, por Rama e hodhi në kosh sepse janë të lidhur bashkë si mishi me thoin

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme për mediat, ka denoncuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku si të përfshirë të një përgjim ku ajo ka kërkuar një shumë të madhe parash nga një biznesmeni për ti dhënë një tender.

‘Lubi Balluku është përgjuar në një bisedë telefonike duke i kërkuar një shumë të majme një biznesmeni për një tender’, u shpreh Berisha gjatë konferencës me gazetarët në selinë blu.  Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi sot se qeveria Rama-Balluku ka kryer vjedhjet më të mëdha në sektorin e energjisë, duke i shkaktuar dëme kolosale interesit publik të shqiptarëve.

Gjatë deklaratës për mediat, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi kryeministrin dhe ministren e Infrastrukturës se kanë zbrazur në mënyrë të përsëritur digat e mëdha të vendit, duke shitur energjinë me çmime të ulëta për kompani të afërta me pushtetin, ndërsa më pas ajo është rishitur me shumëfishin e çmimit në tregun ndërkombëtar. Sipas tij, kjo praktikë ka detyruar Shqipërinë të blejë energji me çmime të papërballueshme në kulmin e konsumit, duke rënduar qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Gjatë konferencës me gazetarët, kreu i PD-së Sali Berisha, deklaroi se opozita ka kërkuar prej kohësh shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ai akuzoi mediat e kontrolluara nga Erion Veliaj për manipulim, duke shpërndarë lajme të rreme se ekziston një aleancë Rama-Berisha për shkarkimin e tij.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se opozita ka zhvilluar 46 protesta dhe në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak PD ka kërkuar largimin e Veliajt. Sipas tij, është vetë Edi Rama që tani po kërkon ta sakrifikojë kryebashkiakun për interesat e tij politike. ‘Misioni me Veliajn është përmbushur, tani radhën e ka Edi Rama’, theksoi gjatë fjalës së tij në konferencë, kryedemokrati Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Qytetari dixhital sot është para jush me informacionin shumë të rëndësishëm.

Qytetari dixhital informon se Lubi Balluku lakohet shumë në bisedën telefonike të një biznesmeni me një person tjetër.

Lakohet për një tender, në të cilin Lubi Balluku, sipas biznesmenit, ka kërkuar një përqindje të majme për të akorduar tenderin.

Sipas qytetarit dixhital, ky regjistrim i është dërguar kreut të organizatës kriminale, Edi Rama, nëpërmjet famozit Ergys Agasi.

Mënyra se si është bërë regjistrimi, nuk kam të dhëna nga qytetari dixhital.

Por ai pohon dhe insiston se ky regjistrim është dërguar dy javë më parë në zyrën e Edi Ramës.

Natyrisht ky regjistrim nuk e ka penguar Edi Ramën të emërojë atë zëvendëskryeministre, pasi me Lubinë e lidhin aferat e tmerrshme korruptive.

E lidh tuneli i Llogarasë, në të cilin del se kanë futur në xhep jo 50 milionë, por 90 milionë euro.

E lidh bllokimi i supervizimit të ndërtimit të djegësit të Tiranës nga drejtoria që varej direkt nga Lubi Tuneli, dhe meqë Rama ishte përfituesi kryesor i 130 milionë eurove të zhdukura, kjo nuk ka dorëzuar qoftë një raport të vetëm të mbikëqyrjes, që është detyra me kontratë, të ndërtimit të djegësit, duke besuar se do lante duart me krimin e saj të shëmtuar dhe do fajësonte Erion Veliajn.

Theksoj këtu se Erion Veliaj në këtë çështjen e supervizimit është po aq fajtor sa vetë Lubia, pra janë bashkëfajtorë, sepse edhe ky ka pasur zotim me shkrim që do ta mbikëqyrë.

Por, as njëri, as tjetri nuk janë marrë me të.

Qytetarët duhet ta dinë se dyshja Rama-Balluku vjedhjet më kolosale i kanë bërë në fushën e energjisë.

Vjedhjet e tyre, që kapin qiellin në energji, shqetësuan shumë institucionet ndërkombëtarë.

Arriti problemi, në mënyrë të përsëritur digat, rezerva e artë energjetike e Shqipërisë, në kuptimin që Shqipëria mund të depozitojë në digat e liqenit të Vaut të Dejës, Komanit dhe Fierzës, sasi kolosale, qindra milionë euro energji, të cilat në ligjin e interesit publik të shqiptarëve, duhet t’i ruajë për kohërat kur çmimi i energjisë shkon në maksimum.

Lubia me Edi Ramën kanë zbrazur digat, duke ua shitur operatorëve të tyre në Shqipëri, kompanive me çmime qesharake, 40 euro.

Dhe këto, duke ua shitur kompanive të huaja me çmim 140 euro.

Dhe kjo si pasojë, duke blerë Shqipëria për shkak të zbrazjes së energjisë, në pikun e konsumit të energjisë me 200 dhe 300 euro megavatin.

Besoj se e shpjegova se çfarë vjedhje të tmerrshme ka bërë Lubi Balluku me Edi Ramën me energjinë.

Insistimi i institucioneve ndërkombëtare, Bankës Botërore dhe FMN-së, për ngritjen e bursës, kishte për qëllim pikërisht të frenonte këtë vjedhje të tmerrshme.

Por, bursa u ngrit dhe Lubia vazhdoi të gjithë transaksionet e energjisë jashtë bursës.

Pra, Rama, për të mos thënë pastaj aferat e tjera të mëdha, është i lidhur me Lubinë si mishi me thoin në vjedhje, vjedhje dhe korrupsion.

Ndaj dhe regjistrimi i fundit që i shkoi para dy javësh, ku biznesmeni i thotë me zë dhe figurë thotë që Lubia ka kërkuar kaq përqindje, Edi Rama e ka hedhur në kosh dhe e ka sjellë dje në parlament.

E kuptoni vetë pse e mbyllën dje në mënyrën më kriminale dhe më antikushtetuese seancën për 20 minuta, duke shënuar rekordin më të zi në historinë e botës të miratimit të një qeverie.

As në kohë lufte nuk ka ndodhur ndonjëherë kjo.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Lidhur me zhvillimet e fundit dhe mbylljen e seancës  një ditë më parë, cili do të jetë qëndrimi i opozitës në parlament, në kushtet kur nuk ka një reflektim nga mazhoranca, por ka përjashtim të deputetëve. Nëse provokoheni sërish ashtu siç e cilësoni nga Diella në parlament dhe fjala e saj të jetë në çdo seancë, a ka opozita një plan tjetër se çfarë duhet të bëjë në betejën e saj në parlament.

Sali Berisha: Opozita e ka shumë të qartë se me këtë narkoqeveri, që ka shndërruar procesin zgjedhor në farsë elektorale, ka vetëm luftë frontale me të gjitha format e saj, në parlament, jashtë parlamenti dhe ne do i përgjigjemi dhëmb për dhëmb të gjithë kësaj përpjekje për të shtypur pluralizmin në Shqipëri.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Në bashkinë e Tiranës duket se po afrojnë më shumë zgjedhjet. A është gati opozita dhe kandidati do të jetë politik brenda PD, apo do të negocioni me forcat e tjera që të keni një kandidat gjithëpërfshirës të opozitës për të pasur një kandidat sa më të mirë.

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen, por para se të përgjigjem, do bëj një sqarim për opinionin publik. Mediat e kontrolluar nga Veliaj, kanë përgatitur titujt të informojnë se sot pasdite u vendos aleanca Rama-Berisha në shkarkimin e Erion Veliajt.

Ky është një trillim i paskrupullt.

Qytetarët janë dëshmitarë se janë 46 protesta të opozitës kundër korrupsionit të Erion Veliajt.

Qytetarët janë dëshmitarë se në çdo mbledhje të këshillit bashkiak, këshilltarët e PD kanë kërkuar, kanë insistuar për shkarkimin e menjëhershëm të Erion Veliajt.

Dhe nëqoftëse Edi Rama vendos të bashkojë votat me opozitën për shkarkimin e tij, ne natyrisht nuk mund të mos votojmë për plotësimin e asaj kërkese që ne e kemi bërë në çdo mbledhje të këshillit bashkiak.

E qartë kjo besoj?

E qartë.

Pra nuk jemi ne… se i kanë bërë tituj gati ata dhe sot kjo ka qenë ajo porosia e nëndheshme.

Nuk jemi ne që po bashkojmë votat, janë ata që po vijnë tek ne.

Natyrisht jo për qëllimet tona, por vetëm për qëllimet e Edi Ramës.

Edi Rama nuk mund ta mbajë Erion Veliajn si gur varri në qafë, do ta groposë përfundimisht dhe sa më parë.

Por ne do mbajmë të njëjtin qëndrim ndaj Edi Ramës.

Mision i përmbushur me Erion Veliajn, tani radhën e ka Edi Rama me Lubinë.

Të gjitha çështjet që ngrite këtu, do marrin përgjigje në ditët në vazhdim nga forumet dhe konsultat e PD, qoftë me forumet, qoftë me aleatët.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale