Berisha denoncon skandalin: Edi Rama mashtroi hapur shqiptarët dhe Europën, duke iu referuar Komisionit të Venecias. Ky është presion i jashtëzakonshëm mbi Gjykatën Kushtetuese

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, akuzoi ashpër kryeministrin Rama për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë një akt të pashembullt në Shqipëri dhe Europë. Berisha tha se, Rama po përpiqet të mbrojë ministren Belinda Balluku nga përgjegjësia penale për aferën ku janë humbur dhjetëra miliona euro.

Lideri demokrat, Sali Berisha deklaroi se Rama po mashtron publikisht për qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke thënë se këto institucione nuk e kundërshtojnë pezullimin e ministrave dhe se proporcionaliteti është parim i njohur në çdo procedurë ligjore.

Berisha akuzoi kryeministrin se po sulmon drejtësinë dhe po deformon faktet për të mbrojtur veten. Kryedemokrati theksoi se në Europë ka raste ministrash e kryeministrash të pezulluar ose të larguar nga drejtësia, ndërsa shtoi se në rastin e Ballukut, masa e duhur duhet të ishte arrestimi.

Në vijim te konferencës, Berisha paralajmëroi se Partia Demokratike do të padisë Edi Ramën për mashtrim publik dhe pengim të drejtësisë, duke e akuzuar se po manipulon opinionin dhe po ushtron presion institucional.

Ai u shpreh se Rama është i tmerruar nga hetimet dhe se drejtësia nuk mund të ndalet pavarësisht deklaratave të kryeministrit.

Gjatë sesionit të pyetjeve me gazetarët, kryetari i PD Sali Berisha komentoi zhvillimet më të fundit politike, duke u fokusuar te presioni që kryeministri Edi Rama po ushtron mbi Gjykatën Kushtetuese për çështjen e pezullimit të ministres Belinda Balluku. Berisha deklaroi se vendimi i Kushtetueses të dhënën e 2 dhjetorit është kritik për shtetin ligjor, ndërsa paralajmëroi se gjykata po përballet me presione mafioze.

Berisha akuzoi Ramën se po manipulon opinionin publik me interpretime të rreme të Komisionit të Venecias dhe se po tenton të mbrojë veten nga hetimet për korrupsion. Kryetari i PD shtoi se nëse drejtësia do të frenohet, përgjigjen do ta japin qytetarët.

Sa i përket ndryshimeve të propozuara nga mazhoranca në ligjet e reformës në drejtësi, Berisha deklaroi se PD nuk do të marrë pjesë, duke i cilësuar përpjekjet e PS-së si tentativë për të mbrojtur zyrtarë të korruptuar pas heqjes së veprës shpërdorim detyre.

I pyetur për takimet brenda PD-së, Berisha tha se diskutimet dhe debatet janë të natyrshme dhe se ai ka takuar anëtarë dhe drejtues që kanë qenë në grupin e diskutimeve informale, duke i cilësuar ata si personalitete të çmuara.

Në lidhje me akuzat se ai vetë ka sulmuar gjyqtarë e prokurorë, Kryetari i PD, Sali Berisha tha se kritikat e tij ndaj drejtësisë bazohen në shkelje konkrete të ligjit dhe raste korrupsioni, jo në presion politik, ndërsa theksoi se ndaj tij nuk është gjetur asnjë shkelje ligjore në 34 vite.

Në lidhje me protestat, Berisha tha se PD po zhvillon një betejë vendimtare kundër qeverisë dhe se foltorja para kryeministrisë është vetëm një nga format e kësaj përballjeje. Ai mohoi se opozita është pasive, duke nënvizuar se protesta dhe presioni politik do të intensifikohen, pasi Shqipëria ndodhet nën një autokraci të mbështetur nga fuqia e drogës”

Kryetari i PD, Sali Berisha e konsideroi Belinda Ballukun një nga figurat më të korruptuara të qeverisë, duke theksuar se përgjegjësi kryesor është Edi Rama. Ai u shpreh se opozita nuk do të tërhiqet nga beteja për rikthimin e votës së lirë.

Në fund, Berisha deklaroi se kjo periudhë është prova më e rëndësishme për opozitën dhe se beteja kundër qeverisë do të vazhdojë me të gjitha format që PD i konsideron efektive.

FJALA E PLOTË

Dita e djeshme shënoi një akt të pashembullt, multidimensional në historinë e Shqipërisë dhe të Europës.

Dje, Edi Rama mori përsipër presionin e jashtëzakonshëm mbi Gjykatën Kushtetuese, presion të hapur, të dënuar me ligj në çdo vend, për të mbrojtur veten e tij dhe Belindën, pas shpinës të së cilës ka ngrënë vetë dardha dhe kumbulla të prishura.

Edi Rama mashtroi në mënyrën më të paskrupullt, mashtroi shqiptarët dhe Europën sepse sipas tij, Komisioni i Venecias nuk pranon apo është kundër pezullimit të ministrave.

Krahas Komisionit të Venecias, ai rreshton Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila siç dihet është gjykata garante e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Le të marrim pak sulmin e paskrupullt, e pashembullt ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe sistemit evropian të drejtësisë, Komisionit të Venecias për sa mund të kuptohet kur ky mashtrues shqiptar dhe ndërkombëtar i referohet Komisionit për ato, të cilat ai kurrë nuk i ka thënë.

Edi Rama thotë se pezullimi i Ballukut, duke iu referuar Komisionit të Venecias, është joproporcional.

Është një mashtrim fund e krye.

Komisioni i Venecias kërkon vetëm proporcionalitet në çdo gjë.

Por Edi Rama harron se proporcionaliteti është një nga parimet bazë edhe të Kushtetutës së Shqipërisë.

Sepse është parimi i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Antidemokratike.

Nuk ka asgjë më demokratike se sa funksionimi i shtetit ligjor. Nuk ka demokraci pa funksionimin e shtetit ligjor dhe ky është një mashtrim që ai u bën shqiptarëve.

Një gjykatë ka ngritur padi, ka marrë nën hetim dhe më pas ka ngritur akuzë penale ndaj një ministri për një aferë, në të cilën shqiptarët humbën 97 milionë euro, por në dokumentet bazë, 50 milionë euro.

Antidemokratike do të ishte nëse do injoronin këtë superskandal të Belinda Ballukut.

Antikushtetuese në përmbajtje.

Në asnjë nen, Komisioni i Venecias ka qartësuar se pezullimi nuk shkel, nuk cenon kushtetutshmërinë. Parimi i pezullimit pra.

Them edhe njëherë, nuk gjen kurrë ndonjë fjalë të vetme që Venecia të ketë shqiptuar për ministrat.

Por Venecia thotë se pezullimi si akt nuk cenon kushtetutshmërinë.

Pra, Edi Rama mashtron në mënyrë të pacipë, të turpshme.

Nuk ka asgjë antikushtetuese, sipas Komisionit të Venecias dhe sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, akti i pezullimit. Jo!

Nënshtrimi i ekzekutivit.

Sigurisht që të gjithë jemi nën ligjin.

Këtu qenka puna?

Pa diskutim që të gjithë jemi nën ligjin dhe nga lashtësia gjer sot, të drejtën për të gjykuar zbatimin apo moszbatimin e ligjit, shoqëritë ia kanë besuar gjykatësve dhe prokurorëve.

Dëshmon përmbajtjen e tij psikike.

Qenka mbi ligjin.

Çfarë do të thotë kjo?

Do të thotë që për ekzektuviin nuk ekziston ligji.

Vazhdon nga pozicione ekstremiste të majta.

Kërcënim i paprekshmërisë së vullnetit demokratik.

Dëgjojeni.

Vullnetin demokratik e kërcënojnë jo ata që mbrojnë ligjin dhe zbatojnë ligjin, por ata që vjedhin pasuritë publike duke shkelur ligje dhe Kushtetutë.

Kush e kërcënon vullnetin demokratik?

E ka fjalën për kërcënimin e paprekshmërisë. Po a nuk u largua Koço Kokëdhima nga parlamenti se kishte marrë fonde nga Abisneti?

Lexoni çfarë thotë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

A nuk ishte Koço Kokëdhima në parlament si përfaqësues i vullnetit demokratik të zgjedhësve?

A ka mashtrues më ordiner se ky person që thotë këtë?

Kërcënim i paprekshmërisë së vullnetit. Pra nxjerrja për leckash jashtë nga parlamenti dhe grisja e mandatit qenka normale, kurse pezullimi duke lënë mandatin, kjo qenka paprekshmëri e vullnetit, sepse paskemi lindur të papezullueshëm ne që votohemi.

Çfarë është ajo mor? Është ministre ajo, është pozicion publik, pezullohet.

E shpall presionin e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese si një akt kundër ndarjes së pushteteve.

Po që kur është krijuar drejtësia, është krijuar të mbikëqyrë pushtetet për zbatimin e ligjit.

Po në qoftë se Edi Rama beson në ndarje pushteti, pamundësinë apo paligjshmërinë e drejtësisë për të gjykuar, për të vendosur, për të ndëshkuar anëtarët e degëve të tjera të pushteteve kur ata shkelin ligjin, atëherë çfarë mbetet këtu?

A e kuptoni ju sa i rrezikshëm është ky njeri.

Kundër standardeve të Venecias.

Edhe njëherë, Venecia nuk ka asnjë gjykim, asnjë vlerësim, për asnjë ministër, që nga themelimi i këtij Komisioni të nderuar gjer sot.

Pse? Sepse nuk ka ministër dhe të pafytyrë që pasi të kapet duke vjedhur dhe të akuzohet nga drejtësia, të shkojë nga Venecia për t’u mbrojtur.

Nuk ka shkuar njeri.

Po, Venecia ka vlerësime për nenin e pezullimit. Konkretisht nenin 117 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Absolutisht e gjen plotësisht të përputhshëm me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, me Kushtetutën e Kosovës, por thekson që duhet të ruajë proporcionalitetin, thekson që duhet të ketë bazë ligjore.

Pra, përcakton kushte që në rastin e Ballukut jo janë mbushur, por janë stërmbushur.

Pra, Venecia nuk thotë në asnjë këshillë të saj, se pezullimi i zyrtarit publik nuk ka të bëjë me ministrin.

Në asnjë prej tyre.

Kundër jurisprudencën së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Mashtrim, mashtrim dhe vetëm mashtrim.

Asnjë ministër nuk ka marrë mundimin të ankohet pas pezullimit në gjykatë, por ka dhënë dorëheqjen.

Kanë dhënë dorëheqjen.

Dhe vazhdon.

Të pezullosh një ministër nuk do të thotë thjesht të pezullosh vetëm një individ apo funksionar, por do të thotë të pezullosh një autoritet me fuqi ekzekutive vendimmarrëse dhe t’i pamundësosh pjesëmarrjen në Këshillin e Ministrave.

Mashtrim, mashtrim dhe mashtrim i paturp.

Kur një ministër sëmuret 6 muaj dhe e pezullon i gjithëfuqishmi, është zëvendësi që përfaqëson ministrin në Këshillin e Ministrave, që kryen detyrat e ministrave.

Pra, me këtë që thotë, pranon fajësinë e vet sepse përpiqet të mashtrojë publikun me çdo lloj argumenti.

Po u pezullua ministri, nuk ka kush sjell vendimet.

Vendimet i sjell zëvendësministri.

Po ai vetë do pezullohet sepse Lubia, 80 përqind të firmave në vend të kryeministrit janë të Lubisë.

Çfarë do të thotë ai kur gjykatësi të kërkojë pezullimin, se nuk ka kush e paraqet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave? E paraqet zëvendësi. Pa diskutim.

Nuk ka asnjë ministër në Shqipëri që është zgjedhur nga sovrani si ministër. As kryeministri nuk është zgjedhur si kryeministër. Ka vetëm një botë, Izraeli ku zgjidhet kryeministri.

Në Shqipëri jo.

Kështu që ikën, nuk ka asnjë gjë. Çfarë ka këtu?

E kuptoni ju ku shkon nga tmerri, paniku dhe frika që ka?

Çfarë mendoni ju se ky qan hallin e Lubisë?

Po ky nuk pyet për njeri në botë kur vjen puna për veten e tij.

Sado që e ka përdorur Luibinë në shkallë ekstreme, ai do e lëshonte atë në Lanë, por nuk e lëshon dot se janë mesazhet në dosje në të cilat është më delinkuent Rama se Lubia. Dhe nuk janë vetëm në dosje.

Prandaj ky konstitucionalist i madh thotë se kryeministri rri në detyrë ose largohet nga detyra me dorëheqje. Ose me dënim të formës së prerë sipas ligjit.

Këto janë trillime dhe mashtrime.

Komisioni i Venecias, meqenëse i referohet, nuk ka asnjë fjalë në asnjë rresht, në asnjë këshillë për ministrat.

Por masën e pezullimit e parashikon së pari për të mbrojtur të dhënat e hetimit.

Së dyti për të parandaluar përsëritjen e të njëjtit krim.

Kurse për Edi Ramën, vetëm kur të dënohet.

Po ky është kaq i inkriminuar, i ka humbur mendja këtij.

Ky nuk fle më. E dini ju? E kam thënë dhe e them prapë këtu, shkon një i vdekur me një të gjallë.

Keni parë apo nuk keni parë, shkon një i vdekur me një të gjallë, hipur të dy mbi një kalë.

Tani gjejeni vetë.

Prandaj kishte dalë dje.

Unë i bëj thirrje t’i hapin padi penale për presionin që bëri ndaj gjykatës.

Dhe thotë, pastaj rreshton ato: apo në in ekstremis me dënim të formës së prerë sipas ligjit, tjetër nuk ka, thotë, prokuroritë dhe gjykatat nuk hyjnë fare në këtë mes dhe nuk e bëjnë kurrsesi këtë në Europë.

Mashtrues, shumë e shumë raste në Europë.

A ka turp ky njeri?

I ka plasur cipa nga tmerri.

Është i aftë t’u thotë shqiptarëve çdo gjë.

Jep orientimin tani, dëgjojeni, Gjykata Kushtetuese t’i japë drejtim kësaj rruge të pashkelur në Europë, por sa jemi të informuar deri tani, askund në botë.

Ky, po të mos jemi para një mashtrimi ndërkontinental, nuk ia vlen të merresh me të.

Janë kryeministra të pezulluar nga gjykata.

Janë kryeministra që pasi është shpallur hetimi, janë larguar.

Janë ministra, një seri ministrash që për mbrojtje të të dhënave dhe parandaluar përsëritjen e akteve, janë pezulluar nga gjykata.

Por ka të drejtë në një pikë. Gjykata nuk mund të kishte vendim tjetër përveç arrestimit të Lubi Ballukut.

Edhe tani vazhdojnë të prishin provat me Edi Ramën për krimet që kanë kryer.

Po, po ajo duhet arrestuar dhe zyrat duheshin vënë të gjitha në sekuestro.

Të shkonte diku tjetër të drejtonte qeverinë.

Por, thotë, të ndajmë me ju se çfarë thotë Komisioni i Venecias dhe Gjykata Europiane e Strasburgut për këtë çështje.

Nuk mund të ketë njeri më të papërgjegjshëm.

Qëndrimi i Venecias në fakt është shumë i prerë.

Sipas tij, gjykatat nuk duhet të pezullojnë anëtarët e qeverisë sepse cenojnë balancën e pushteteve.

Absolutisht mashtrim në çdo germë, në çdo fjalë, në çdo frymë.

Një përkufizim i tillë nuk ekziston në asnjë nga këshillimet, çështjet e trajtuara nga Komisioni i Venecias.

Nëse gjykata, thotë, e pezullon, ajo praktikisht ndërhyn në punët e qeverisë.

Po gjykata dhe prokuroria janë për të ndërhyrë në çështje ku ka krim.

E ndërron përbërjen e ekzekutivit. E shpëton ekzekutivin nga kriminelë.

Merr kompetenca që i takojnë kryeministrit dhe presidentit. Absolutisht jo. Po kur kryeministri dhe presidenti janë të zhytur gjer te veshët, atëherë del një njeri që në emër të shtetit bën ligjin.

Dhe kjo konsiderohet nga Venecia shkelje e palejueshme e kufirit ndarës midis pushteteve.

Të gjitha këto, PD do bëjë një padi për mashtrim publik ndaj Edi Ramës.

Ai do paditet që nesër për mashtrim publik para qytetarëve për këto që shkruan.

Nuk ka asnjë dokument të Venecias që të thotë se pezullimi i një ministri është shkelje e palejueshme e kufirit ndarës midis pushteteve.

Së dyti, thotë, duke bërë këtë gjë, gjykatat krijojnë mundësinë e instrumentalizimit të drejtësisë dhe Venecia paralajmëron kundër shtrirjesë së krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me politikën sepse kjo për pasojë i hap rrugën presioneve politike.

Dëgjojeni rrufjanin, thotë se është Erion Veliaj prapa vendimeve.

Sepse nuk mund të thotë fajin e ka Saliu këtu.

Po si mund të thotë një i çmendur kështu?

Kjo i hap rrugën presionit politik ndaj qeverisë dhe destabilizimit institucional. Destabilizim sjell vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja.

Përkundrazi, largimi i hajdutëve i shërben stabilitetit të institucionit.

Manipulimit të ekzekutivit përmes proceseve penale.

Këtu i shkon gjuha tek dhëmballa, tek vetja e tij.

Këtë ky e quan, meqenëse është vetë i implikuar, tani thotë këta godasin Belindën, që të më godasin mua.

Po, do të vijë edhe tek ti, në mos drejtësia, populli do vijë.

Të garantoj këtë.

Nuk ke shans të shpëtosh.

Jo. Ik më mirë, jep dorëheqjen, largohu sepse në mënyrë absolute shqiptarët do të kërrejnë nga ai vend.

Ministrat kanë funksione politike joadministrative.

E dëgjoni çfarë flet?

Ky njeri tregon me këtë se është i aftë të përqafojë standardin e injorancës, padijes së plotë në këto që thotë, vetëm të mbrojë vetën e tij se për Belindën e kishte hedhur 100 herë në Lanë.

Ministri nuk është zyrtar administrativ. Ministri emërohet me akt administrativ. Deputeti zgjidhet nga populli, ministri emërohet me akt administrativ.

Dhe ky bën një mashtrim të madh publik.

Së fundmi, dëgjojeni, pezullimi gjyqësor i ministrit është de facto presion për shkarkimin e tij.

A ka avokati më të neveritshme se kjo?

Imagjinoni ku shkon kryeministri.

Në vend që të thotë se në këtë rast kryeministri është i detyruar të shkarkojë ministrin, tani thotë se është presion për shkarkimin e tij.

Për ata që kanë standarde etike dhe morale, ky është sigurisht detyrim për largim.

Nuk pezullohet një individ.

Mashtrim publik. Ka zëvendësministra që mbulojnë sektorët dhe qënë momentin që ministri nuk është në detyrë, marrin automatikisht detyrimet e tij.

Dhe kjo, thotë, është këmbë e krye antikushtetuese. Ky është i trallisur nga frika, nga tmerri.

Atëherë qenkan zëvendësministrat jokushtetues.

Ky nuk di se ç’flet.

Komisioni i Venecias, mashtron ky, ka theksuar shprehimisht se qeveria mund të shkarkohet nga organet politike, jo nga organet gjyqësore.

Ministri nuk është qeveria.

Është një ministër.

Pse shkarkohet një ministër nuk është e vërtetë që shkarkohet qeveria.

Nuk shkarkon gjyqësori një qeveri. Qeverinë e shkarkojnë ata që i kanë dhënë mandatin.

Ky është një mashtrim. Ministri nuk është qeveria. Qeveria është Këshilli i Ministrave.

Urdhëro tani, Rama dhe Lubia që kanë vjedhur 50 milionë, qenkan qeveria. Dy hajdutë që duhet të ikin natën nga qeveria.

Lidhur me Gjykatën Europiane e pranoi vetë se nuk ka asnjë rast. Se nuk shkon hajduti, përveç hajdutëve në qeverinë shqiptare, të tjerët nuk e bëjnë këtë.

Pra, si përfundim Edi Rama do paditet nesër për mashtrues publik si njeriu që kërkon të pengojë drejtësinë.

Dy vepra penale të rënda.

Citon parime, së pari thotë Strasburgu se masat e sigurisë nuk mund të përdoren për qëllime politike.

Atëherë tregon se këtu qeveris Erion Veliaj.

A tha ai ndonjë fjalë kur u vendosën masat për Erion Veliajn? Jo, përkundrazi. Jo e pezulloi, e shkarkoi dhe shpalli zgjedhjet në kundërshtim.

Jashtë proporcionalitetit.

Po, është e vërtetë se proporcionaliteti i takon të ishte në burg Lubia.

Të jemi të vërtetë këtu.

Po pse Erion Veliaj u fut në burg me akuzën 1 milionë euro garderobën, kurse kjo me 50 milionë euro jo?

A kemi një standard? A do flasim për një standard?

Proporcionaliteti e kërkonte që të ishte në burg, jo pezullim. Në burg.

Dhe e treta nuk mund të përdoret për të ndikuar ekzekutivin.

Të faktojë se çfarë interesash ka gjykatësi dhe prokurori që kanë vendosur këtë masë?

Çfarë kërkesash kanë ata ndaj ekzekutivit që kanë dashur t’i bëjnë presion.

Shpifje, shpifje dhe kjo do renditet në aktpadinë tonë ndaj tij.

Pra, sa herë ta komentosh këtë, gjen një mashtrues ordiner, publik, të papërgjegjshëm, i tmerruar gjer në palcë nga vjedhjet që ka bërë bashkë me Lubinë.

Sepse ky e ka çuar Lubinë në Ankara dhe jo Lubia atë. Dhe atje është bërë pazari i vjedhjeve dhe tani i bën Gjykatës Kushtetuese presionin më të madh që është bërë ndonjëherë në historinë e këtij vendi.

Pra, ky është Edi Rama.

PYETJE-PËRGJIGJE

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, teksa akuzoni kryeministrin Rama se i ka bërë presion Gjykatës Kushtetuese, po ju, a keni një thirrje për Kushtetuesen një dita para se ajo të mblidhet në seancën e 2 dhjetorit për të vendosur nëse do ta kalojë ose jo për shqyrtim ankimimin e qeverisë, dhe duke marrë parasysh që kjo seancë është shtyrë pas ikjes së Holta Zaçajt dhe me drejtimin e komanduar të Marsida Xhaferllarit?

Berisha: Është një moment jashtëzakonisht kritik për vendin. E them këtu, është një moment kur Kushtetuta, shteti ligjor janë sulmuar në mënyrën më të egër, më antikushtetuese dhe antidemokratike.

Është një moment që një vendim gjykate do të ishte përcaktues për të shpëtuar nga vdekja e sigurtë klinike nga funksionimi i ligjit në Shqipëri. Se çfarë do të vendosin ata, nuk mund të them.

Ajo që mund të them unë, janë këto; që Edi Rama mashtroi publikun shqiptar dhe ndërkombëtar, për presion ndaj gjykatës duke cituar Komisionin e Venecias për opinione që ai kurrë nuk i ka dhënë. Hajde dalim sonte në media, edhe ti nxjerrë ku i ka.

Shkojmë ne debat, ku i ka vendimet e Venecias kundër pezullimit të ministrave.

Ku i ka pretendimet e tij se pezullimi është antidemokratik, është jo kushtetues, në një kohë kur Venecia thotë se, akti i pezullimit është kushtetues.

Unë uroj që gjykata të mos bjerë viktimë e presioneve të gjithëanshme mafioze që po bëhen, përveç kësaj që keni dëgjuar ju, presione të jashtëzakonshme më thonë burime të ndryshme, po bëhen mbi të.

Unë nuk e di se çfarë do të vendosë ajo nesër.

Por çdo tezë e shtruar nga Edi Rama, jo nuk ka ndodhur në Europë, ja ku është zinxhiri i pafundmë i atyre që janë pezulluar.

Jo ka thënë Venecia. Asnjë fjalë Venecia. Gënjeshtër. Sepse kjo do të ishte gjëmë e madhe për vendin.

Absolutisht Edi Rama nuk do të mund ta mbrojë vjedhjen e tij. E garantoj se nuk do të mund të mbrojë vjedhjen e tij. Edi Rama po përpiqet të mbrojë vjedhjen e tij, por nëqoftëse gjykatat nuk do të veprojnë, do të veprojnë qytetarët.

Andon Kello, Abc News: Z.Berisha, PS ka propozuar ndryshime në reformën në drejtësi, ka çuar në parlament dy amendamente të cilat parashikojnë korrigjime në dy ligje të sistemit të drejtësisë, atë për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë. Por, ndërhyrja kryesore është ashpërsimi i kritereve të pasurisë dhe integritetit të figurës për përzgjedhjen e anëtarëve të KLP dhe KLGJ që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë. Këto dy ligje kërkojnë konsensus në parlament, mbi 84 vota. Cili është qëndrimi juaj?

Berisha: Ne nuk marrin pjesë në asnjë ndërhyrje në ligjet e reformës së drejtësisë.

Ne i kemi shprehur qëndrimet tona. Ata duan të hapin shtegun, se ju e dini se ata kanë përgatitur Kodin Penal nga i cili kanë hequr shpërdorimin e detyrës, për të shpëtuar zinxhirin e hajdutëve të tyre, nga Rama e poshtë.

Nuk kemi asgjë të përbashkët me propozimet e tyre për ligjet për drejtësinë. Ti bëjnë vetë ata, i  kanë votat.

Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha, javën e kaluar një kafe e disa eksponetëve të PD trazoi selinë tuaj. Gjatë kësaj periudhe, a keni patur ju takim me persona që u mblodhën në këtë takim informal me z.Salianji, Alimehmeti, apo edhe të tjerë?

Berisha: Së pari unë kam pritur dhe pres çdo ditë anëtarë, mbështetës dhe drejtues të PD, cilido që kërkon takim, ose persona që i thërras për arsye pune.

Së dyti kjo parti ka forumet e veta dhe ka forume demokratike, në të cilat çdo anëtar, drejtues, mbështetës është i ftuar të shprehë lirisht çdo mendim.

Natyrisht duke thënë këtë nuk kam ndërmend ti them asnjë njeriu që ato mendime të mos i shprehë publikisht edhe në mediat e qeverisë, apo ku të duash.

Por normale në një parti, kudo është, që mendimet, propozimet, opinionet, kritikat të shprehen brenda forumeve të partisë.

A kam pritur, po. Kanë ardhur prej tyre, kanë ardhë vetë. Nuk kam thirrur asnjërin prej tyre, normal. Se një kafe, një kafe. Por kanë ardhur dhe kanë biseduar.

E kam thënë dhe e them, ato janë personalitete të çmuara të PD-së. Natyrisht, PD si çdo forcë tjetër politike në Shqipëri, Europë, botë, ka aktivitetet e saj brenda forumeve të saj.

Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha thatë se z.Rama është duke sulmuar, shantazhuar Gjykatën Kushtetuese. Ju jeni një politikan që shpeshherë keni sulmuar gjyqtarë dhe prokurorë, sidomos drejtuesin e Prokurorisë Speciale, z.Dumani, ish-drejtuesen e GJKKO, znj. Irena Gjoka dhe gjykatës e prokurorë të tjerë. A bie ndesh kjo me atë çfarë keni thënë?

Berisha: Absolutisht jo. Nëqoftëse unë, ish-kryeministër, ish-president, njeri që ua them këtu, besimi im politik është ligji dhe kushtetuta, e kjo është faktuar.

Armiqtë e mi shqyrtuan veprimtarinë time 34-vjeçare, dhe kanë sjellë zero shkelje ligji. Ata mashtruan në rast se u kujtohet se, ka marrë vendime për të ndihmuar dhëndërin. Ju kujtohet kjo.

I thotë një fjale që gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra, doli që gjithë jetën e tij Sali Berisha nuk kishte marrë kurrë një vendim nominal për të favorizuar njeri, përveç se njëherë, po e them këtu një vendim për Ismail Kadarenë.

Kur shtëpia e tij në Gjirokastër u kërkua nga shteti që të bëhej muze, për atë arsye qeveria vendosi ti dhurojë një shtëpi në Golem mos gaboj, diku në atë zonë, por atë e kam bërë me vendim të Këshillit të Ministrave me ndërgjegje të plotë se ai e meritonte, e meritonte pa asnjë diskutim.

Nëse shteti i detyrohej kujt, i detyrohej atij dhe kombi për kontributin e jashtëzakonshëm.

Ky është i vetmi vendim nominal i gjithë karrierës time.

Edi Rama vetëm për të vjedhur me ligj, me vendim tokën e pronarëve tek ish-uzina, ka 4 vendime me emër për Karlo Bolinon.

Ka vendimin për Olsi Ramën. Janë 4 vendime, ka vendim për tokën, vendim për të ja prishë ndërtesa dhe vendime për të ulur çmimin, etj., me emër dhe ka sa e sa vendime të tjera, të gjitha.

38 mijë metra katrorë i ka dhënë Olsi Ramës tek ‘Rrapi i treshit’ si drejtor i sipërmarrjes së Klubit Partizani.

Pra në këtë aspekt nëqoftëse Sali Berisha ka shkelur kund ligjin, është i ftuar çdo person ta denoncojë. Por unë nuk mund të thua ti mua, se unë po bëj presion kur unë kryej detyrimet e mia publike.

Në rast se një gjykatës qëndron në detyrë në kundërshtim me Kushtetutën, Irena Gjoka është në detyrë në kundërshtim me nenin e Kushtetutës që e detyron atë të largohet sepse nuk ka integritetin për 1-2-3, është e përcaktuar në Kushtetutë dhe në ligjin e drejtësisë.

Dhe e mban Altin Troplini sepse i hapi hetim paraprak edhe pasi erdhën të gjithë dokumentet.

Çfarë duhet të bëj unë nëse unë shoh një dosje që shkruan; prokurori ka ofruar Suel Çela 30 mijë euro, jo nuk i marr dua 70 mijë. Dhe është aty me të.

Çfarë duhet të them unë, kur shkruhet aty; Taulant merr Vat Stakën dhe shko e nxirri nga burgu ata që vendosën tritolin në shalën e biçikletës së Lulzim Kullës. A janë kriminale këto, kur ti nuk i dënon, i injoron.

A nuk është ky bashkëpunim me krimin.

Unë uroj që drejtësia të gjej forca për tu pastruar nga këta individë, se këta nuk bëjnë drejtë. Nuk bëjnë drejtësi. Urdhëroni se ç’ndodh.

Katër vite ka banda e Troplinëve që menaxhon Durrësin. Me dhjetëra e dhjetëra tonelata kokainë ka shpërndarë nëpër Europë. Dhe zotëria e tij nuk ja konfiskon hotelin që e kishte me atë kompaninë franceze, se i thotë Rama mos e prek se jam unë ndërmjetësi i tyre.

Pra së pari a duhet këta të zbatojnë ligjin.

A ka fakte më flagrante për krimin elektoral se sa dosja e botuar në Gjermani dhe në të gjithë botën. A duhet të zbatojnë ligjin. Nëse këta nuk zbatojnë ligjin, atëherë këta janë bashkëpunëtor me krimin dhe të mos i denoncosh? Do i denoncosh në emër të interesit publik.

Nuk ka asnjë krahasim pra në qëndrimet e Ramës. Rama po mbron korrupsionin, unë po dënoj korrupsionin e tyre. Po dënoj lidhjet e tyre me krimin, por po e dënoj me fakte. Se dosjet e krimit elektoral janë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Se dosja ‘Toyota Yaris’ merreni ju, që donte ta mbante sekret ai, se çfarë thuhet për Taulant Ballën ai.

Ministri që u thoshte atyre, që mi kaloni mua, se i mbaj unë, i vonoj unë që të dalin jashtë afatit në parashkrim.

Si mund ti kapërdij unë këto, si mund ti kapërdij. Mban mandatin ndërkombëtar të Elvis Doçit 1 muaj në xhep, se ai po merrej me zgjedhjet dhe pastaj çan ferrën dhe ikën. A është bashkëpunim ky.

Jo jo, një nga këta Çopjat që e arrestuan në Kosovë, jo tha e kemi pasur nga prokuroria, nuk kam pasur njoftimin nga policia. Policia nuk është se s’ka kusur.

Ja u vra dje ai. E vrau Proda apo kush e vrau, unë nuk e di. Por Proda është anëtar i bandave të themi atë që është apo jo. Nuk mund ta mohojë kush se Proda është i tyre, nuk marr përsipër të gjej vrasësin, sigurisht.

Por di këtë se Proda është anëtar i tyre, e dinë të gjithë, e di Rama. Rama prandaj e mban. Dhe e di më mirë Altin Troplini, e di shumë mirë. Nëse e di dhe thua policia … kape ti, fute. A i shërben ti këtij vendi apo jo. Apo koka, koka.

Prandaj mos krahasoni të pakrahasueshmen. E them në interesin tuaj.

Osman Stafa, News24: Z.Berisha, në datën 8 janar 2022, ju keni sjellë përpara PD qindra demokratë për të marrë selinë, që atëherë drejtohej dhe që ishte e Lulzim Bashës. Duke marrë parasysh përplasjet e demokratëve me njëri tjetrit, që u zhvilluan në sytë e kamerave atë ditë, duke marrë parasysh shkallmimin e dyërve, gazin lotsjellës, e çdo gjë tjetër, për atë që ju besonit dhe që ka qenë në interesin tuaj për PD. Por kur vjen puna të vjedhjet dhe akuzat që ka ngritur prokuroria ndaj Belinda Ballukut si zv.kryeministre e Shqipërisë me 50 mln euro dhe akuza e tjera për Unazën e Madhe, ju nuk bëni asgjë për atë që është interesi i qytetarëve, madje jeni shumë të butë. Pse ndodh kjo z.Berisha?

Berisha: Më vjen keq, ne jemi dhe do jemi në mbështetje të kësaj mase.

Por unë nuk mund të them se do pranoj unë Belinda Ballukun si kryehajdute në tunelin e Llogarasë. Është Rama.

Prandaj ne ngulëm platformën para kryeministrisë.

Nuk ikim ne nga andej.

Jo, nuk ikim. Aty do jemi ne.

Ju them një gjë unë ju, ne këtë betejë e kemi vendimtare.

Ta dijë çdo shqiptar se kjo është një betejë vendimtare sepse ne jemi në një autokraci, në një diktaturë autoritare apo autokraci elektorale, por në dallim nga disa autokraci elektorale të tjera, kjo ka fuqinë e pamasë, të jashtëzakonshme të drogës. Dhe po e rrënon vendin.

Ne nuk ikim.

Ne kemi filluar analizën, do fillojmë analizën. Por i garantoj se tani strategjia jonë është betejë vendimtare për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë.

Pra, për ne Lubi Balluku është hajdutja më e madhe në historinë e Shqipërisë pas Edi Ramës dhe Lubia numër 2 është drejtoresha e kopshtit privat të Edi Ramës. Linda e AKSHI-t.

Edhe ajo.

Edhe ajo është, i ka falur Zoti motra siameze në vjedhje.

Po Lubia ka pasur para sa asnjë ministër tjetër në historinë e shtetit shqiptar në 100 vite. Në dorë.

Jo. Asnjë!

Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, çfarë duhet t’i ndodhë një opozite më shumë se sa një zv.kryeministre të hetohet për korrupsion, të ketë akuza që ju keni bërë 3-4 vitet e fundit, përveç Edi Ramës, më të akuzuarit janë Belinda Balluku dhe Edi Rama. Kur në fakt, edhe protesta që ju keni bërë para bashkisë së Tiranës kanë qenë më të forta, sepse keni përdorur molotov, jeni përplasur me policinë, keni djegur gomat, kur në fakt në dy foltoret tuaja deri më tani kanë qenë thjesht foltore. Mos po doni të justifikoni mosprezencën e njerëzve, protestave masive me njerëzit me foltoren, sepse nuk mund t’i organizoni dot?

Berisha: Mendoj se edhe njëherë kjo është beteja përfundimtare dhe ne nga kjo betejë nuk shqitemi.

Ta dish këtë.

Ta dijë çdo demokrat.

Jo, ne nuk tërhiqemi.

Ne e kemi filluar atë.

Mund ta fillonim në mënyra të ndryshme. Por kemi gjykuar se kjo është një mënyrë, një foltore.

Absolutisht po funksionon, do funksionojë, po është në detyrimin tonë të padiskutueshëm të shqyrtojmë të gjitha format të ndajmë Shqipërinë nga kjo e keqe.

Nuk kërkojmë asgjë tjetër vetëm që qytetarët shqiptarë të votojnë me votën e tyre të lirë.

Kjo është kërkesa jonë.

Tani është prova jonë.

Kjo është prova jonë.

Ne kemi bërë të gjitha të tjerat, kjo është prova jonë.

Nuk mendoj se me foltore do e rrëzojmë Edi Ramën.

Kanë qëllimet e veta. Sigurisht unë nuk jam naiv.

Por foltorja është zëri i qytetarëve, i parlamentarëve kundër kësaj qeverie.

Është një tribunë.

Në diktaturat autoritare, që shtypin pluralizmin, pra që grabisin votën, ato me votë nuk ikin,

Unë e kam thënë.

Unë në vitin 2021 nuk kisha asnjë rol, asnjë funksion, por kam deklaruar të nesërmen e atij votimi që vota vdiq pa hyrë në kuti.

Por kjo u injorua në atë kohë.

Tani ne e mbrojtëm votën në kuptimin e asaj që ka një denoncim universal ndërkombëtar nga raporti i OSBE/ODIHR, nga rezolutat e partive simotra dhe të jeni të sigurt se ato bëjnë efektin e tyre, jo të menjëhershëm, por pa efekt ato nuk janë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale