FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Në konferencën e ditës së sotme me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha denoncoi kërcënimin me jetë të gazetarit Osman Stafa. Berisha u shpreh se përgjegjës kryesor për këtë është Rama dhe qeveria e tij.
Sipas liderit demokrat, kërcënimi vjen pas investigimeve të Stafës për abuzimet dhe mungesën e trajtimeve thelbësore në Spitalin Onkologjik, të cilat i cilësoi si krime kundër njerëzimit. Berisha deklaroi se pacientët me sëmundje malinje janë privuar nga ilaçet dhe aparaturat jetike, për shkak të korrupsionit, tenderave të manipuluar dhe kapjes së tregut farmaceutik nga dyshja Nushi–Doshi, të cilët kanë lidhje direkte me Ramën.
Kryedemokrati e akuzoi Ramën se ushtron klimë presioni dhe frike ndaj gazetarëve, duke përmendur si shembuj rastin e rrëmbimit të një gazetari në kryeqytet dhe atentatin ndaj gazetarit italian Ranuçi.
Berisha sulmoi ashpër edhe ndërhyrjet e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se po përdoren presione dhe materiale komprometuese kundër gjyqtarëve për të mbrojtur interesat e ministren Balluku dhe vetë kryeministrit. Ai denoncoi gjithashtu miratimin e amnistisë fiskale, duke e cilësuar si akt të lobimit korruptiv, në kundërshtim me kritikat e BE-së dhe SHBA-së.
Lidhur me zhvillimet e fundit institucionale, Berisha akuzoi mazhorancën se ka grabitur institucionet përmes emërimeve të njëanshme dhe përjashtimit të kandidatëve të propozuar nga opozita.
Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve me gazetarët, deklaroi se Partia Demokratike ende nuk ka vendosur nëse do ta çojë Paqen Fiskale në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se opozita nuk beson më tek institucionet që, sipas tij, kontrollohen nga Edi Rama.
Berisha sulmoi ashpër SPAK-un dhe Taulant Ballën, duke i akuzuar se kanë bllokuar dosjet e krimit elektoral: “Skapit i kemi çuar mbi 100 dosje dhe zëdhënës i tyre është bërë Taulant Balla”, tha ai.
Sa i takon zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, Klodian Braho, Berisha u shpreh se procedura e votimit këtë herë ka qenë kushtetuese, ndryshe nga mandati i paraardhësit. Ai kritikoi KLP-në për “mizogjni”, duke theksuar se kandidatja grua nuk mori asnjë votë.
Për urimin që Rama i bëri Brahos, Berisha u shpreh me ironi: “Mëshirë, mëshirë, mëshirë”.
I pyetur për mungesën e Ervin Salianjit në festën e 35-vjetorit të PD, Kryetari I PD, Sali Berisha tha se ai nuk e ka ndjerë të jetë i pranishëm. Ndërsa për retushimin e Lulzim Bashës në videon historike, kryedemokrati deklaroi se po ta kishte bërë vetë klipin do t’i vendoste një kryq të kuq, duke e akuzuar Bashën se ka dëmtuar opozitën.
Lideri opozitar, Sali Berisha theksoi se Rama nuk ka hequr dorë nga kontrolli i SPAK, duke pretenduar se pas shpërthimit të çështjes së Ballukut, “frenat i mori Lubia”, ndërsa ndërkombëtarët u angazhuan për të penguar kapjen e institucioneve nga qeveria.
Berisha përsëriti akuzat e tij se brenda SPAK ekziston një grup i strukturuar kriminal, duke i ftuar kritikët e tij të lexojnë dosjen “Toyota Yaris”, dosjet 184 dhe 339: “Aty faktohet gjithçka kam thënë”, tha Berisha.
FJALA E PLOTË
PD denoncon dhe dënon me forcën më të madhe kërcënimin me jetë nga mafiozë qeveritarë apo të lidhur me shtetin, të gazetarit Osman Stafa, i cili ndodhet i pranishëm në këtë sallë.
Kërcënimi i gazetarit Osman Stafa, vjen vetëm një muaj pasi mafia më e rrezikshme e Europës, mafia e Edi Ramës, i vendosi minën gazetarit të njohur italian, Ranuçi, për emisionin e tij kundër mafies shqiptare.
Osman Stafa, me investigimet e tij, ka provuar para shqiptarëve dhe mbarë Europës se regjimi i Edi Ramës në Spitalin Onkologjik ka kryer krime kundër njerëzimit.
Se të sëmurët, me sëmundje neoplazike, janë privuar nga ilaçet jetike në betejën e tyre me sëmundjet.
Se të sëmurët me këto sëmundje, janë privuar nga aparaturat e domosdoshme të diagnozës dhe mjekimit të këtyre sëmundjeve.
Se këto qëndrime, që tejkalojnë çdo imagjinatë, kanë kushtuar me qindra e qindra vite jetë të këtyre të sëmurëve të marrë së bashku.
Edi Rama është kryeministri i parë që pohon publikisht se ilaçet nuk i siguruam sepse të sëmurët me këtë sëmundje ishin shumë.
Nuk ka deklaratë më cinike, më çnjerëzore se sa një deklaratë e tillë.
Të pretendosh se një shtet, që në 12 vite administron 67 miliardë euro buxhete, të deklarojë se nuk ka ilaçe se të sëmurët janë shumë, është absolutisht si të firmosë me dorë dënimin e tyre kapital.
Është papërgjegjshmëri ekstreme dhe krim kundër njerëzimit.
Dhe, duhet të them këtu, se në investigimet e tij, Osman Stafa ka faktuar se në shumë raste kanë qenë vjedhjet dhe abuzimet për interesa mafioze pasurimi, të atyre që kanë plaçkitur, kanë bërë tenderin dhe nuk kanë sjellë një ilaç të vetëm, drejtorë kryesorë të spitalit dhe ministra.
Kanë ndodhur krime të rënda në 32 vjet, por unë garantoj shqiptarët se krimi më i shëmtuar i 32 viteve ka ndodhur në Spitalin Onkologjik.
Nuk kanë munguar ilaçet, nuk është e vërtetë, edhe njëherë e them, nuk kanë munguar në mënyrë absolute më përpara ilaçet.
Jo, nuk bëhej fjalë.
Do sillej çdo ilaç i domosdoshëm për jetën.
U informoj që jo ilaçet për këtë sëmundje, por qeveria më parë ka sjellë të rimbursueshme Ekszaden, një preparat që përdoret tek të sëmurët me talasemi, i cili i shpëton ata nga përdorimi i injeksioneve të vazhdueshme në bark.
Pra, Ekszade nuk ishte një ilaç jetik, por ishte një ilaç që ndryshonte shumë jetën e djemve dhe vajzave të reja.
Ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm, por e kemi marrë.
Nuk mund të konceptohej t’u thuhej të sëmurëve se nuk blejmë dot ilaçet bazë të mjekimit të këtyre sëmundjeve.
Përveç kësaj, kjo dramë e tmerrshme që është luajtur dhe zhvilluar në pavijonet e Spitalit Onkologjik, ka edhe një shkak të dytë. Mafia Nushi-Doshi që ngërtheu të gjithë tregun, përzuri një nga një të gjitha kompanitë e mëdha evropiane dhe botërore që kishin zyrat në Shqipëri për produktet e tyre, në kohën kur ligji nuk lejonte tregtimin e asnjë ilaçi që nuk tregtohej në dy vende anëtare të BE.
Pikërisht për të pasur siguri të plotë në veprimet e tyre.
Pushtimi i tregut farmaceutik nga këta dy mamuthë, të lidhur kokë e palcë me Edi Ramën që të dy, bënë që kompanitë e mëdha prodhuese të ilaçeve kundër sëmundjeve malinje, të largohen njëra pas tjetrës nga Shqipëria, çka i la këta të sëmurë në mëshirën e fatit dhe sot jetëgjatësia e tyre në Shqipëri është të paktën 60-70 përqind më e ulët se në vendet e tjera ku mjekohen.
Për të mos thënë raste kur u janë dhënë ilaçe tjetër për tjetër.
Ndaj e paralajmëroj Edi Ramën se çdo kërcënim dhe çdo shqetësim që mund t’i krijohet gazetarit Osman Stafa, do mbahet ai vetë direkt përgjegjës.
Të gjejë me shpejtësi autorin e kërcënimit.
Kjo klimë kërcënimi ndaj gazetarëve është element kryesor i narko-regjimit.
Mos harroni se një koleg i juaj u rrëmbye në mes të bulevardit nga Altin Troplini, nga Poja i Skapit, që flet sot në Durrës.
Thuaju durrsakëve pse e mbajte në xhep mandat-arrestin e Elvis Doçit?
Se pashë një titull që po fliste në Durrës.
Ndjek Edi Ramën me klimë terrori ndaj gazetarëve.
Rrëmben gazetarin në mes të bulevardit apo në kafene pse kishte video për Edi Ramën në dokumentet e tij.
Dhe në çdo dalje do thoshte që kemi presione dhe rreshtonte edhe gazetarët për presione.
Cili gazetar të ka bërë presion për një kriminel ty?
Apo e quan presion kur denoncojnë lidhjet e tua me krimin?
Dhe këto i quajnë presione ata.
Pra, një klimë mafioze.
Të njëjtën gjë ka bërë me Lapsin.
Kur Lapsi publikoi të dhënat, listën e patronazhistëve, shtiu hanxharët e tij të krimit mbi Lapsin.
Pra, kjo është një klimë në narkoshtet dhe kësaj klime i prin, e frymëzon, e udhëheq Edi Rama.
Ndaj dhe i kërkoj me urgjencë të gjejë autorin që ka kërcënuar gazetarin Osman Stafa.
Se për Ranuçin po e gjejnë, u arrestua në Dubai ai, Sinomati, por Antimafia Italiane është tjetër dhe pritet të zbardhet e gjithë skema se si u kërcënua, si u hodh në erë makina e gazetarit kur aty afër po kalonte vajza e tij.
Së dyti, dënoj edhe njëherë me forcën më të madhe si një akt të mirëfilltë antikushtetues, ndërhyrjet brutale të Edi Ramës në Gjykatën Kushtetuese për mbrojtjen e vetes së vet, në aparencë, Ballukut.
Në fakt, ai mbron veten e tij.
Tani, më duhet t’u rikujtoj shqiptarëve, por edhe atyre ndërkombëtarëve, të cilët janë të interesuar për të vërtetat në këtë vend.
Në janar të vitit 2011, pas një video të manipuluar nga Edi Rama dhe Filip Çakulli, në të cilin në mënyrë false akuzonin Ilir Metën për një ryshfet, që nuk ishte kurrë i tillë, u faktua, prej 700 mijë eurosh, Ilir Meta, pa ardhur kërkesa nga prokuroria për hetim, për imunitet, ka dhënë dorëheqje nga zëvendëskryeministër dhe ka hequr dorë nga imuniteti.
Në atë kohë, prokurore ishte Ina Rama, dhe në rastin tjetër para Ilir Metës, Fatmir Mediu ka dhënë dorëheqjen dhe heqjen e imunitetit.
Lulzim Basha ka dorëzuar imunitetin.
Ndërsa Lubi Balluku as nuk jep dorëheqjen, as nuk shkarkohet, siç shkarkova unë Ilir Rusmalin.
Po, absolutisht, me dokumente. Tjetër punë se në një akt njerëzie, u njoftua si dorëheqje.
Jo, nuk ishte dorëheqje, sepse i vëllai i tij, të cilin unë e njihja, ishte kryetar i dhomës së eksporteve, kishte bërë presion ndaj drejtorit të përgjithshëm të burgjeve për një tender dhe e kishte kërcënuar.
Ai e kishte regjistruar.
Drejtori ishte një njeri i ndershëm.
Dhe ministri, në vend që të dënonte vëllanë e tij që i kishte përmendur emrin, shkarkonte drejtorin që e kishte regjistruar.
Dhe unë shkarkova ministrin.
Ky është standardi normal.
Por këto nuk duhet t’i mohojë se nuk shërbejnë, se duke mohuar këto, ja ku arritëm, kryeministër që bën avokatinë e ministrit të tij.
Gjykata Kushtetuese është në ditën më të vështirë për shkak të presioneve, kërcënimeve të shumanshme.
Deklaroj këtu gjithashtu se sipas disa të dhënave, për personelin e asaj gjykate janë përdorur për komprometim edhe video absolutisht të ndaluara për përdorim.
Po, për t’u imponuar dorëheqje, për t’u imponuar largim.
Se tani, me këto regjistrime që bën Skapi, mund të ndodhë çdo gjë aty.
Por kjo që u them është e sigurt.
A e ka bërë Skapi apo ka ndonjë maniak që vë kamerat aty, këtë nuk e di.
Por janë përdorur.
Nuk ka asnjë bazë që ajo çështje të mbahet për shqyrtim.
Ajo gjykatë refuzoi të shqyrtojë kërkesën e 30 deputetëve në rastin tim, duke thënë në mënyrë antikushtetuese që nuk legjitimohen, në një kohë kur një nen i saktë i Kushtetutës u jap atyre pikërisht këtë të drejtë.
Dhe tani, të legjitimojë Edi Ramën për të mbrojtur dosjen e vet.
Është ditë e vështirë shumë sot.
Shumë ditë e vështirë.
Megjithatë, besimi im është tek qytetarët shqiptarë.
Së fundi, duhet të denoncoj me forcën më të madhe zëvendësimin e standardeve me lobime korruptive nga Edi Rama.
Ky ka qenë një faktor shkatërrimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Shqipëria dhe shqiptarët kanë paguar çmimin më të lartë në tërë historinë e tyre.
Do marrim vetëm zhvillimet e 10 ditëve të fundit, asgjë tjetër.
Zëvendëskryeministrja shndërron Këshillin e Ministrave në zyrë avokatie për korrupsionin e saj, në fakt të Ramës.
Nuk ka ndodhur kurrë në Europës, as në histori.
Po në këtë hark kohor, Edi Rama kalon amnistinë fiskale për të cilën partnerët ndërkombëtarë në unison ishin kategorisht kundër si një masë që kërcënonte sigurinë e vendeve të tyre, dhe që duhet të pranojmë këtu se brenda një jave, Komisioni Europian ka reaguar dy herë për këtë masë, kundër kësaj amnistie, dhe administrata e SHBA.
Por Edi Rama nuk pyet.
Nuk pyet sepse ka zëvendësuar standardet me lobim korruptiv.
Së treti, një proces i instaluar prej shumë vitesh, u përmbys dje duke rrëmbyer dhe institucionin e fundit, që kishte ngelur gjysmë, se ajo ka qenë një kandidaturë konsensuale.
Zonja Ballanca ka qenë një kandidaturë e pranuar nga të dy palët.
Megjithatë ne kemi vlerësuar punën.
Ky pushtet, kjo grimë, ky segment kishte ngelur.
Refuzoi në mënyrë kategorike zotin Besim Ndregjoni, refuzoi në mënyrën kategorike zonjën Adriana Kalaja, refuzoi në mënyrë kategorike çdo kandidaturë tjetër të mbështetur nga PD dhe grabiti opozitën që donte.
Në kundërshtim, duke i futur një thikë të madhe një procesi shumë delikat, shumë të vështirë, por që dëshmon se Edi Rama është i gatshëm të shkelmojë çdo gjë.
Pra, imagjinoni ju, një person në një hark kohor 10-ditor, nuk po ndalem në zgjedhjen e kreut të Skapit, se edhe përqendrimi aq i lartë i trupit diplomatik në sallën e zgjedhjes, se ajo u bë me qëllimin e vetëm për të neutralizuar dorën e zezë të Edi Ramës dhe presionet ndaj anëtarëve të KLP-së.
Ku i bazon ai këto?
I bazon në lobime korruptive.
Por ne do qëndrojmë siç kemi qëndruar, edhe ndaj atyre të cilët mbulojnë këto vepra të Edi Ramës, kudo që janë.
Ne mbrojmë interesat jetike të shqiptarëve.
Edi Rama pra ka zëvendësuar respektimin e kritereve me lobime korruptive.
PYETJE-PËRGJIGJE
Marsi Korreshi, Syri Tv: Ditën e djeshme në Kuvend u miratua edhe Paqja Fiskale, përpo të gjitha kundërshtimeve të ardhura nga BE, FMN-ja dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. A do ta çojë opozita dhe PD në Gjykatën Kushtetuese Paqen Fiskale të miratuar dje në Kuvend?
Berisha: Ne jemi duke riparë të gjitha qëndrimet tona, ndaj institucioneve të kontrolluara nga Edi Rama. Nuk them se nuk do e çoj, por nuk them se do ta çoj.
Sepse kemi dërguar në Skap mbi 100 dosje për krimin elektoral dhe dilnin e mashtronin zëdhënësit e Skapit, Taulant Balla e dëgjuat ju vetë, se çfarë paturpësie, që të gjitha dosjet janë pa asnjë provë dhe fakt, thoshte.
E bëri zëdhënës i Skapit, aty.
Se nuk e bënte, sepse Skapi ka gjithë ato dokumente që Taulant Balla është anëtar kryesor i bandës kriminale të Elbasanit, i Bajrëve, i Rrajave, etj.
I ka me dokumente, me regjistrime.
Taulant Balla ose i ka shpërblyer ata ‘in kind’ ose i shpërblyer me para, ndaj dhe bën zëdhënësin e tyre në parlament.
Marsi Korreshi, Syri Tv: Ditën e djeshme u zgjodh kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, keni një koment për këtë?
Berisha: Dje u zbatua Kushtetuta. Nuk u zgjodh si i pari me 5 vota, që ishte jo kushtetuese dhe që nuk mund të rrinte asnjë ditë në detyrë. Jo.
I dyti mori 7 vota dhe komenti i dytë, aty ishte një zonjë, ç’ka tregon se ajo trupë e KLP-së është mizogenike dhe nuk i dhanë asnjë votë.
Kështu është. Ishte një zonjë aty, ajo nuk shkoi vetë aty. Aty në KLP e dërgoi komisioni i Skapit, shkoi atje dhe dy-tre zonja që ishin në KLP nuk menduan t’i jepnin një votë. E nxorën pa asnjë votë.
Këto dy komente kam unë për zgjedhjet e djeshme. U zgjodh në përputhje me Kushtetutën, në dallim të madh nga pararendësi i tij, që nuk ka kushtetutë as ligj, por këtu u zbatua kushtetuta.
Kishin bërë rregulloren vetë për votim të hapur, gjersa kanë rënë dakord, në ujdi. Normal në institucione votimi është i mbyllur, por ata kanë rënë dakord vetë dhe nuk mund të ua diskutojë kush të drejtën për të vendosur si të votojnë.
Andon Kello, Abc News: Z.Berisha, i pari nga politika që e uroi Klodian Brahon për detyrën e re ishte kryeministri Rama, po ju?
Berisha: Lexo pak, si e uroi, mëshirë, mëshirë, mëshirë.
Kaq ishte, mëshirë, mëshirë, mëshirë.
Andon Kello, Abc News: Ditën e djeshme në 35 vjetorin e PD, këtu në selinë blu pati një mungesë, Ervin Salianji, i cili zgjodhi ta festojë në Gjirokastër me një foltore. Ishte mungesë me arsye apo pa arsye?
Berisha: Nuk e ka ndjerë. Për të qenë aty duhet të ndjesh përvjetorin. Kaq.
Nuk e ka ndjerë…
Isa Myzyraj, Ora News: Në historikun për 35 vjetorin, në një klip prej 15 minutash për historinë e PD, zyra juaj kishte retushuar Lulzim Bashën, 8 vjet kryetar i PD. I mirë,apo i keq ju ka drejtuar për 8 vite. Ju nuk e ndjetë për ta vendosur Lulzim Bashën, të paktën për një fraksion sekondi në atë klip?
Berisha: Së pari, dua të të siguroj se po ta kisha bërë unë atë klip, do ta kisha bërë ndryshe.
Por po të kisha vënë Lulzim Bashën, do ti vija një kryq të kuq, sepse Lulzim Basha e dëmtoi opozitën shqiptare.
Nuk them se mund të mos ishte, por do ishte me atë që meritonte.
Besoj se u përgjigja.
Ishte me Taulant Ballën. Ja! Prandaj të lutem shikoji pak me vëmendje.
E sheh, paska qenë. Në punën e tij ishte….
Isa Myzyraj, Ora News: Ju thatë se z.Rama kërkoi mëshirë dje nga Klodjan Braho, kjo do të thotë se sipas PD ka marrë fund epoka kur z.Rama kontrollonte SPAK, sipas jush?
Berisha: Tani, ti drejtë e ke. Të garantoj që Edi Rama nuk heq dorë kurrë nga kontrolli i SPAK, nuk mund të heqë dorë ai.
Merrni pak, transkriptoni bisedën që ka bërë ai, të nesërmen e komunikimit të akt-akuzës së SPAK ndaj Lubi Ballukut.
Të nesërmen ajo i ka kërkuar Ramës të mbledhë në selinë e PS-së, kryesinë e PS-së dhe qeverinë. Imagjino tani ti.
Në atë mbledhje violinë e parë nuk ka qenë Rama, ka qenë Lubia, e cila u kërcëlliti dhëmbët secilit aty, me kërcënimin guxoni.
Sepse filluan ato të ja fshijnë statuset, pëlqimet, sharet nga rrjetet sociale. Edhe kjo e kuptoi se, nga kjo fshirja do të kalojnë në komente negative. I pari që do të flasë, do ta marr me vete u tha aty.
Dhe me gisht njëherë tregonte Ogertën të cilës i kishte shkuar ndërmend se, do ta zëvendësonte, herën tjetër Pëllumbeshën.
Pra nuk la, sepse shumicën e vet, shumicën e ministrave i ka zgjedhë vetë. Pra këto që i konsideronte, fliste dhe i tregonte me gisht.
Dhe Rama pas saj, të themi këtu thoshte që, SPAK-u është kundër PS-së, sipas qytetarit dixhital gjithmonë. Nuk ka asgjë Belinda, jo, jo, e kanë me mua. Çdo gjë thoshte Rama e kanë me mua.
Pra, aty frenat në dorë i ka marrë Belinda, Lubia.
Sigurisht që, kjo çështje tani ka shpërthyer, por edhe kjo ka habitë e vetë brenda. Se të lësh në arrest shtëpie ti, ata drejtorë që mund të përmbysin çdo arkivë, të pezullosh Lubinë, hajde për Lubinë se, mbase e gjykojnë se Rama nuk do të ja heqë imunitetin dhe janë detyruar, sepse ata për hatër do e çonin Lubinë te Lalë Vjedhësi. Pra janë ca gjëra të paqarta dhe nuk ka diskutim që, unë përveç atyre të dhënave të qytetarit dixhital që janë të shumë llojtja, nga paritja, tek presioni, tek të gjitha mbi ata të KLP-së.
Por një faktor i sigurtë është se, ajo prani aq e fuqishme ndërkombëtare ka patur vetëm një qëllim, që Edi Rama dhe qeveria të mos e kapë Skapin.
Kjo do të thotë, që kështu e interpretoj unë këtë.
Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Z.Berisha, tashmë me largimin e Dumanit nga Prokuroria e Posaçme, a do të vazhdoni ta quani SPAK si organizatë kriminale dhe a besoni se Klodian Braho do të bëjë hetime të drejta?
Berisha: Cilido që mendon se deklaratën për organizatë kriminale e kam politike, i kërkoj vetëm një gjë, të lexojë dosjen Toyota Yaris.
Vetëm këtë.
Ka shumë dosje të tjera, por unë po them vetëm këtë, dhe do bindet nëse ka në Skap një grup të strukturuar kriminal apo një organizatë kriminale.
Unë mund të numëroj këtu brenda Skapit të paktën pesë emra aty.
Atëherë?
Në qoftë se ti i ke të gjitha këtu, dhe ti nuk merr asnjë masë, brenda Skapit, si mund të besoj unë?
Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’u kërkoj atyre që kanë objeksion për këtë cilësim tim, lexoni atë dosje dhe më thoni kush e ka gabim.
Dhe nesër po t’i gjej një dosje këtij, absolutisht do e them.
Unë jam opozitë, do mbroj interesin publik pavarësisht nga çdo çmim.
Merr dosjet 184 dhe 339, dosje zyrtare legale të krimit monstruoz elektoral.
Çfarë t’i them unë atij?
Por ato kanë të bëjnë me themelet e pluralizmit.
Kjo është e vërteta.
Dosja Toyota Yaris fakton atë që kam thënë unë.
Ka edhe dosje të tjera që e faktojnë.
Pse ti shkon dhe merr një komisioner apo një person X, kurse Taulant Balla që bën pazarin e votave me bandën e Elbasanit, dhe e ke në dosje, nuk i thua një fjalë?
Më thuaj, a është kjo? A duhet opozita të qëndrojë?
Unë them se po.
Ne prandaj edhe qëndrojmë.

