FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës për media ditën e sotme, deklaroi se opozita do të vijojë me kryengritje paqësore, duke paralajmëruar se protesta e radhës do të hyjë në një fazë të re me forma të diversifikuara veprimi.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku për korrupsion dhe abuzime me pushtetin, duke theksuar se largimi i tyre nga qeverisja është, sipas tij, objektivi kryesor i protestave të opozitës.
Lideri demokrat theksoi se Rama ka zhvilluar negociata sekrete për të mbrojtur veten dhe familjen e tij, ndërsa paralajmëroi se çdo marrëveshje e mundshme politike do të përbënte kapitullim të drejtësisë. Ai shtoi se opozita është e vendosur të çojë deri në fund misionin për ndryshim politik.
I pyetur për problematikat në juglindje të vendit, Berisha i cilësoi shembjet e rrugëve dhe urave si pasojë e korrupsionit dhe ndërhyrjeve të paligjshme në lumenj, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe mosveprim të organeve të drejtësisë.
Ai përmendi disa segmente rrugore, duke theksuar se projektet infrastrukturore janë prekur nga abuzime financiare.
Sa i përket situatës në zonën e Baks-Rrjollit në Shkodër, Berisha deklaroi se PD mbështet pronarët e ligjshëm dhe kundërshton çdo formë arbitrariteti. Ai theksoi se, gjatë qeverisjes së demokratëve, projektet janë realizuar duke negociuar paraprakisht me pronarët për shpronësimet.
Kryetari i PD, SaliBerisha sqaroi se protesta nuk ka në fokus vetëm Ballukun, por kryesisht Ramën, të cilin e konsideroi përgjegjës për aferat e denoncuara nga opozita. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve, duke përmendur akuzat e opozitës lidhur me sistemet shtetërore të informacionit.
Në përfundim të fjalës së tij, kryedemokrati dënoi ndërhyrjen e policisë gjatë protestave të mëparshme dhe paralajmëroi për reagim politik nëse, sipas tij, do të ketë sulme ndaj selisë së PD.
Protesta e radhës e opozitës do të zhvillohet të shtunën, më 28 shkurt, ndërsa drejtuesit e saj kanë njoftuar se detajet e skenarit do të bëhen publike pas vendimmarrjes në forumet e partisë.

FJALA E PLOTË
Mirëdita!
Së pari, Isa edhe 120 vite.
Ky është urimi tradicional.
Një jetë plot shëndet, suksese me më të mirat me njerëzit tuaj.
Ka një vendosmëri të papërmbajtur për t’i shkuar gjer në fund këtij misioni.
Siç e dini, kryengritja paqësore e 20 shkurtit paraqiti para çdo shqiptari dyshen Rama-Balluku më të nxirë se kurrë ndonjëherë.
Por kjo nuk ndodhi vetëm para shqiptarëve.
I rrufeshëm ka qenë pasqyrimi i kësaj ngritje në mediat më të mëdha të botës.
Nga Zelanda e Re në Alaskë, nga Poli i Veriut në Polin e Jugut, në të katër anët e globit, pas Ajatollahëve të Teheranit, figurat më të nxira në mediat botërore kanë qenë Edi Rama dhe Lubi Balluku.
Kjo është e vërteta.
Ka pasur një mirëkuptim të plotë dhe total nga mbarë shqiptarët dhe mbarë njerëzimi për kryengritjen paqësore të opozitës shqiptare më 20 shkurt.
Ka një vendosmëri të papërmbajtur për t’i shkuar gjer në fund këtij misioni me rëndësi të jashtëzakonshme për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Largimin e këtij binomi famëzi nga qeverisja.
Ju jeni dëshmitarë se si Edi Rama ka bërë ditë të tëra negociata sekrete të fshehtë për lëkurën e tij dhe të bashkëshortes së tij në shkëmbim të Lubisë.
Por në qoftë se një marrëveshje e tillë arrihet, ky do ishte kapitullimi përfundimtar i drejtësisë.
Kjo do të ishte marrëveshja e asgjësimit përfundimtar të institucionit të akuzës.
Unë jam i vetëdijshëm që Lubi Balluku ka shkelur ligjin dhe ka vjedhur, por gjithçka ka bërë, e ka bërë me urdhër të Edi Ramës dhe si aksionere në minorancë me Edi Ramën.
Se ti kujtove se thashë minorene, të shkon mendja tek Epstein direkt, se ajo e Ergys Agasit është një lloj Epsteini shqiptar.
Pra, gjithçka është bërë për lëkurën e tij, për familjen e tij.
Sot në parlament zhvillohet seanca e shtyrë 3 muaj, shtytje me të cilën Lubisë iu dha mundësi të shkatërrojë mijëra e mijëra dokumente, të intimidojë, të kërcënojë me dhjetëra dëshmitarë.
Ajo, aty nuk është.
Komshia thotë prej katër ditësh nuk e kam parë të hyjë në shtëpinë e saj.
Tjetër, nuk mund të them.
Një gjë i them, edhe prapa diellit të shkosh, do të gjejmë dhe do të sjellim në Shqipëri.
Prandaj, mos tento të largohesh nga Shqipëria. Asaj dhe çdo njeriu tjetër.
Ndërkohë e dini, e shtuna është dita e kryengritjes paqësore.
Qytetarët mezi e presin për të shprehur zemërimin, revoltën e tyre, urrejtjen e tyre ndaj hajdutëve.
Dhe, do të jetë një revoltë, një kryengritje do të thosha më e fuqishmja që ka njohur vendi.
Nuk do jetë e llojit të atyre që keni parë.
Tani, kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve dhe veprimtarive të saj.
Për të gjitha do informoheni në përputhje me vendimet që do merren.
Por e shtuna është dita e triumfit të opozitës, e triumfit të shqiptarëve mbi hajdutët.
PYETJE-PËRGJIGJE
Isa Myzyraj, Ora News: Z. Berisha, ju thatë që do diversifikohet protesta e të shtunës. Sali Berisha ka ndonjë ide se si duhet të duket kjo protestë që do të shtroni në forumet e PD?
Sali Berisha: Unë ide kam sigurisht, por para vendimeve të nevojshme për t’i quajtur ato platformë, unë nuk kam pse t’i bëj publike idetë. Duhet të vendosen bashkërisht me bashkëpunëtorët e mi.
Osman Stafa, News 24: Z. Berisha, prej disa ditësh juglindja e vendit është e izoluar. Rrugë, të cilët janë duke pasur problematika të ndryshme. Në informacionet tuaja, çfarë është duke ndodhur?
Sali Berisha: Ajo që po ndodh me të gjithë juglindjen e vendit është dëshmia më flagrante se si korrupsioni mund të godasë pothuaj 1/3-tën apo 1/4-tën e shqiptarëve.
Prej tri ditësh, e gjithë juglindja e vendit është e dënuar nga një shembje e krijuar, absolutisht nga dora kriminale e njeriut të korruptuar.
E pabesueshme!
Është një shembje e rrugës dhe urës që nuk mund të ndodhte kurrë, në qoftë se nuk do t’i gërryenin lumin dhe mbështetjen e saj në skarpatin në lumë.
Pa asnjë model është ndërhyrë në lumë dhe është shembur ura, hekurudha dhe rruga.
Shembje që nuk kanë asnjë lidhje as me motin, as me mbipesha, por janë krejtësisht nga dora e njeriut.
Dhe, siç keni parë, nuk ka mbetur segment rruge të ndërtuar nga dyshja Rama-Balluku që të mos jetë shembur.
Shembet rruga Kuç-Fterë e Lumit të Vlorës.
Shembet rruga në një fshat tjetër në Korçë.
Shemben rrugët në të katërta anët e vendit sikur të ishin të ndërtuara me kashtë dhe jo me strukturat e duhura të ndërtimit.
Të gjitha janë vepra të korrupsionit.
Ajo që është më dramatike se vetë shembja është heshtja kriminale e organeve të prokurorisë.
Asnjë të arrestuar, asnjë të marrë në ndjekje, që të gjitha rrugët pa përjashtim të shembura.
Shembet unaza e Burrelit. Shembet Rruga e Arbrit. Shembje, shembje dhe kudo vetëm shembje dhe sikur ato i kanë ndërtuar alienët dhe jo kompani të kontraktuara nga qeveria me paratë e taksapaguesve.
Nuk veprohet sepse paratë janë ndarë me qeveritarët.
Kurse vetë Edi Rama fluturon në Korçë me 30 mijë euro fluturimi. Ka shkuar me dy helikopterë.
Helikopteri Tiranë-Korçë shpenzon 15 mijë euro udhëtim.
30 mijë euro bileta e tij e mëngjesit.
U bëj thirrje qytetarëve të Korçës ta gjuajnë me domate dhe vezë kudo që ta shohim.
Vezë dhe domate, domate dhe vezë ndaj kryehajdutit!
Ky duhet të jetë qëndrimi i qytetarëve shqiptarë në çdo skaj ndaj çdo qeveritari.
Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, një tjetër situatë e nxehtë është duke u zhvilluar thuajse në përditshmëri në Shkodër në Baks-Rrjoll. Çfarë e pengon PD për të mbështetur këta banorë?
Sali Berisha: Absolutisht, nuk e pengon asgjë dhe PD qëndron prapa çdo shqiptari që i cenohet e drejta, i cenohet prona.
Asnjë gjë.
Asnjë pengesë nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Deputetët tanë kanë qenë aty.
Në qoftë se ju mendoni se PD do të jetë pjesë në çdo protestë, kjo besoj se është… PD mbështet çdo protestë të drejtë.
Dhe, të them një gjë këtu, kemi ndërtuar më shumë se kushdo në histori dhe më shumë se kurrë dhe nuk kemi pasur absolutisht, përveçse në një rast, asnjë protestë nga pronarët për shpronësimin e tokave të tyre.
Pse?
Sepse nuk kemi bërë asnjë hap pa i dëmshpërblyer ose pa firmosur marrëveshjen me ta se në këtë kohë do marrin paratë.
Dhe do u jap një shembull.
Rruga e Kombit ka bërë shpronësimet më të mëdha dhe ajo është ndërtuar duke bërë dizajnin dhe duke ndërtuar.
Çfarë bëmë ne?
Ne krijuam një ekip ekspertësh kompetentë dhe e bashkëngjitëm me dizajnin me një qëllim të vetëm, që aty ku vihej vija për të marrë tokën, negociohej me pronarin, i ofrohej shpërblimi, firmosej kontrata me të dhe nga Rrësheni gjer në Morinë, nuk ka pasur asnjë protestë sepse nuk ndërtohej pa zgjidhur problemin e pronësisë.
Atëherë, çfarë duhet të them me këtë?
Përgjegjës kryesor për këtë është qeveria, e cila në asnjë rast nuk duhet të firmosë asnjë leje pa marrë garanci të plotë se është zgjidhur plotësisht problemi me pronarët.
Kurse qeveria merr paratë vetë dhe i lëshon lejet sipas dëshirës.
Ne, qoftë në Rrjoll, qoftë kudo që dalin, ne mbështesim plotësisht pronarët e ligjshëm.
Ne nuk pranojmë kurrë arbitraritetin ndaj tyre.
Ata që përpiqen ta politizojnë, ata mashtrojnë.
Meqenëse në terren nuk shkoni dot për t’i mbështetur në përditshmëri, nga selia e PD sa deklarata keni bërë?
Sali Berisha: PD mbështet politikisht.
Sa deklarata keni bërë?
Sali Berisha: PD mbështet politikisht. Duhet të jenë komunitetet ata…
Por përveçse rasteve kur u kemi bërë pyetje, në sa raste ka dalë PD në një deklaratë për shtyp për të dalë në mbështetje ose për të kërkuar një zgjidhje të situatës?
Sali Berisha: Kjo është të paktën e treta herë që unë prononcohem para medieve.
Pas pyetjeve…
Sali Berisha: Jo, edhe pa pyetje se kemi pasur deputetin atje ne, përfaqësuesin tonë.
Dhe prapë e them këtu, kudo dhe në çdo rast ne qëndrojmë prapa pronarëve të ligjshëm.
E theksoj këtë.
Por ne fajësojmë qeverinë në radhë të parë sepse qeveria nuk duhet të japë asnjë leje pa u garantuar plotësisht se komuniteti ka marrë atë që i takon.
Kjo është.
Ne kemi vepruar në këtë mënyrë për veten tonë. Rasti i Rrugës së Kombit, sepse Rruga e Kombit u ndërtua në atë formë, kurse të tjerat jo, të tjerat bëhej projekti, pastaj shpronësoheshin.
Dhe në 8 vite, 11.300 kilometra rrugë, qindra e qindra shkolla, kopshte, kanalizime, ujësjellësa, të vetmen përplasje që kemi pasur ka qenë me banorët tek Shkolla Teknologjike, të cilëve u ofruam zgjidhje dhe ata ranë plotësisht dakord.
Nuk kemi pasur.
Kjo që ndodh nuk duhet të ndodhte kurrë.
Dhe nuk mbrojmë asnjë njeri në mënyrë absolute.
Qëndrimi ynë është ky, të zgjidhet problemi me pronarët. Cilido qoftë dhe kushdo që të jetë.
Dhuna shtetërore ndaj pronarëve nuk mund të përdoret kurrë se këtë e krijon qeveria.
Qeveria paguhet dhe bën këto gjëra.
Klajdi Bodlli, Syri Tv: Z. Berisha, ju thatë që keni një plan, një ide për protestën e 28 shkurtit që do ia paraqisni kryesisë, apo Këshillit Kombëtar për të marrë një vendim. A varet skenari i protestës nga qëndrimi i mazhorancës ditën e sotme për zonjën Balluku? Dhe në idenë tuaj, a është përfshirë qëndresa pa ndalim apo ngujimi i një pjese të zyrtarëve të PD?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Protestat tona nuk kanë në fokus kryesor Ballukun. Fokusi kryesor i protestave tona është kryehajduti i kombit, Edi Rama.
Balluku është vetëm një aksesore e tij.
Por, protesta, revolta, kryengritja paqësore ka në epiqendër Edi Ramën për ne.
Dhe çdo qytetar duhet të ketë të qartë. Ai është mater matrix, nëna e nënës të gjitha këtyre aferave që kanë dalë, këtyre gjirizeve që kanë shpërthyer.
A e dini ju se AKSHI është të paktën tre herë më kriminal, më i rëndë se çdo aferë tjetër?
A e dini ju se në qoftë se në aferën Rama-Balluku janë vjedhur taksat e çdo shqiptari, në aferën e AKSHI-t janë vjedhur të dhënat personale të çdo shqiptari.
Çdo e dhënë që ka ekzistuar për çdo qytetar shqiptar.
Që të gjitha janë plaçkitur pas vendosjes me rastin e bllokimit të TikTokut të atyre aparaturave të kërkimit të thellë.
Gjithçka është kontrolluar nga Lindat e AKSHI-t dhe Edi Rama. Nga bota e krimit.
A e kuptoni ju se ç’do të thotë se kartelet e drogës dhe organizatat kriminale kanë tani në dorë çdo të dhënë për çdo qytetar, për çdo kundërshtar, për çdo rival, për çdo politikan, për çdo deputet, për çdo ambasador, për çdo njeri që jeton në Shqipëri.
A e dëgjuat ju zëdhënësin Baton Stanishiqin që tha se ambasada ka dërguar vetëm një kabëll nga 16 dhjetori për AKSHI-n.
Kjo është një shkelje flagrante e konventave ndërkombëtare që garantojnë normale të trupit diplomatik në Shqipëri.
Ne e kemi denoncuar këtë me kohë.
AKSHI është afera më e pashembullt në historinë e Europës. Janë vjedhur të dhënat e çdo qytetari shqiptar, çfarëdo që ka ai. Të gjitha janë vjedhur.
Ndaj dhe nuk bëhet fjalë këtu që ne të kemi objekt, e kemi Lubinë, por kryesor është Edi Rama.
Dhe e themi këtu, çështja më madhore është AKSHI.
AKSHI tejkalon çdo lloj krimi.
E kupton ç’do të thotë të vjedhësh të dhënat e çdo shqiptari?
Ndaj dhe kryengritja thirret për Edi Ramën si kreu i organizatës kriminale.
Atëherë, të përshëndes heronjtë e revoltës. Dënoj me forcën më të madhe keqtrajtimin policor që u bë ndaj të rinjve, të cilët ishin energjia, guximi dhe fytyra e vërtetë e protestës.
Dënoj me forcën më të madhe sulmin ndaj selisë së PD dhe e paralajmëroj Edi Ramën të ndërpresë çdo sulm ndaj selisë sepse përgjigja mund të jetë ajo që nuk ia pret mendja atij.
Degët e PD kanë marrë porosi të bëjnë rikonjicion për të gjitha selitë e PS në qarqe dhe rrethe dhe unë e paralajmëroj edhe njëherë sepse ju e keni parë, sulmi në mënyrën më absurde u përqendrua tek selia.
Aty u pozicionuan një grup banditësh me uniformë që qëllonin me të gjitha mjetet në drejtim të selisë dhe një grupi protestuesish që ishin në rrugë para selisë.
Çfarë po bënin ata? Çfarë kërcënimi përbënin ata që qëndronin para selisë së tyre?
Në fakt, po sulmohej selia.
Dhe unë përsëri i them, Edi Rama u garantoj ju se për të shpëtuar lëkurën e tij, do donte që t’ia digjnim pesë herë selinë e PS aty ku është.
Por ajo nuk do ndodhë kur do ai.
Këtë e siguroj.


