Përshëndetje të nderuar qytetarë!
Përshëndes secilin prej jush që na ndjek drejtpërsëdrejti dhe ata që do të na ndjekin më vonë përmes ekranit të medias.
Përshëndes edhe gazetarët të pranishëm në këtë konferencë të posaçme për shtyp, në të cilën ndodhem në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm, Kryetarit të Grupit Parlamentar dhe nënkryetarit të partisë dhe nënkryetarit të Kuvendit, për të njoftuar se pak minuta më parë Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë amendamentet kushtetuese në lidhje me 3 prioritete absolute për të nxjerrë Shqipërinë dhe shqiptarët nga depresioni, nga kriza dhe gjendja e mjerueshme, produkt i tetë viteve të keqqeverisjes, të korrupsionit dhe të shkatërrimit të çdo institucioni, duke përfshirë edhe institucionin e votës së lirë.
Ashtu sikur ju kam njoftuar në nisje të këtij procesi, këto 3 çështje kryesore që pasqyrohen në amendamentet tona kushtetuese kanë të bëjnë me:
-Reformën Zgjedhore, përfshirë me të gjitha aspektet e saj. Çështje të sistemit, çështje të garancive që do t’u jepen shqiptarëve që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë përsëri një arenë për lukunitë e krimit të organizuar dhe shtetit për të trysnuar qytetarët dhe asnjë fushë veprimi për sigurimin e ri të shtetit, patronazhistët e Partisë Socialiste, të cilët bashkë me kreun e tyre i pret belaja, në të gjitha aspektet, ligjore dhe të gjithanshme.
Po kështu, për të organizuar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, hapin e parë për daljen e Shqipërisë nga kriza që është kthimi i Shqipërisë në shinat e legjitimitetit dhe demokracisë, që ndoshta për shqiptarët duket abstrakte. E kam fjalën për shqiptarët e Shqipërisë, por le të pyesin vëllezërit dhe motrat në Kosovë e ta kuptojnë se çdo të thotë të ketë zgjedhje normale, ku lënia e pushtetit nuk është dramë, por është realiteti që përkufizon demokracinë.
Në këtë kuadër amendamenti kushtetues kanë të bëjnë më zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të 30 korrikut, të kaluara pa vullnetin e opozitës dhe depozitimi i kërkesës për komisionin zgjedhor, për të nisur sa më shpejt nga puna me qëllim që reforma zgjedhore me të gjithë komponentët e saj pa asnjë paragjykim edhe për sistemin zgjedhor të nisë një orë e më parë.
-Amendamenti tjetër ka të bëjë me katastrofën e përditshme që përjetojnë shqiptarët, si në zonat urbane edhe në zonat rurale, për shkak të asaj që Këshilli i Europës, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Evropian dhe vetë progres-raporti e konsideron si një dështim total, e ashtuquajtura reformë territoriale, e cila u hoqi shqiptarëve 25 vite progres të ngadaltë, me zik-zake e kthime prapa shpeshherë, por në tërësi progres në vendosjen e decentralizimit të pushtetit lokal, pushtetit më afër qytetarëve që merret me përditshmërinë, që nga mbledhja e plehrave, tek uji i pijshëm, tek shtrimi i rrugëve, tek kujdesi për ambientin, tek kujdesi për fëmijët, profesionistët, për pensionistët, tek një pushtet tashmë i shkatërruar dhe i zëvendësuar nga 61 bajraktarë dhe qindra të emëruar të tyre të cilët vetëm në terma financiare i grabisin çdo vit buxhetit afro 120 milionë euro më shumë sesa ç ‘kushtonin të punësuarit e 370 e ca kusur bashkishë e komunash para 2015-ës.
Në këtë kuadër, propozimi ynë është fare i qartë.
Në Kushtetutë ka një nen, ku komunat akoma ekzistojnë. Ka një vullnet që unë personalisht e kam prekur në çdo tur që kam zhvilluar në Shqipëri, edhe të fundit që kam zhvilluar para pak muajsh, vullnetin e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm të demokratëve, për të patur pushtetin vendor afër qytetarëve.
Të shumtë janë ata që mendojnë se jo vetëm kanë asgjësuar çdo shërbim dhe çdo akses në shërbim me këtë ndarje që kanë bërë, por kjo ndarje nuk i përgjigjet as kërkesës më elementare të qytetarëve për përfaqësim, për një derë për të trokitur dhe për të zgjidhur hallet e tyre. Përkundrazi i çon për shërbimin më të vogël dhjetëra, nganjëherë qindra kilometra larg, me shpenzime, me halle me probleme dhe pa garanci që do të zgjidhin problemin e tyre.
Ne kemi paraqitur amendamentin tonë i cili parashikon bashki urbane dhe bashki rurale. Pak rëndësi ka nëse bashkitë rurale do të quhen komuna apo do të quhen bashki rurale, këto janë çështje të teknikës ligjore të praktikave më të mira të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, rëndësi ka që pushteti vendor të shkojë afër qytetarëve dhe t’u shërbejë qytetarëve dhe të zgjidhet nga qytetarët dhe të shkarkohet nga qytetarët kur nuk e bën punën, si dhe të financohet në masën e mjaftueshme nga taksat e shqiptarëve. Për ato punë të cilat i janë ngarkuar dhe të posedojë të gjitha mjetet, burimet njerëzore që u shërbejnë njerëzve dhe jo partive politike.
Propozimi i tretë dhe ai që është më i detajuari në këtë depozitim të projektligjit për disa shtesa dhe ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që sapo është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, ka të bëjë me vettingun e politikanëve.
Rastësisht dje pashë, edhe sot në mëngjes, disa tituj në media që thonin: rikthehet vettingu i politikanëve.
Kjo është pjesërisht e vërtetë.
Me të vërtetë ideja, koncepti i 2018-ës për ta pastruar parlamentin e Shqipërisë dhe politikën shqiptare nga politikanë të lidhur me krimin e organizuar, nga politikanë që nuk justifikojnë pasuritë e tyre, ky objektiv ka qenë objektivi i 2018, është edhe objektivi i sotëm. Por ka një ndryshim themelor.
Ndryshimi themelor vjen përmes këtij dokumenti, të cilin gjithsecili prej jush dhe çdo qytetar i interesuar mund ta gjejë në faqen e Komisionit të Venecias në internet. Ky këtu është opinioni i Komisionit të Venecias për kërkesën e Partisë Demokratike në vjeshtën e vitit 2018, për të mundësuar vettingun e politikanëve. Opinioni, për ta përmbledhur në dy fjalë, së pari konstaton: që në kushtet kur Shqipëria ndodhej në 2018-ën, jo më tani, e ka të domosdoshme të ndërmarrë një hap për të pastruar politikën nga influenca e krimit të organizuar që shkon deri në praninë e njerëzve të krimit të organizuar në politikë. Qofshin këta deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë të këshillave bashkiak, ministra, drejtorë të përgjithshëm, kryeministra, apo drejtues të lartë të institucioneve të ndryshme shtetërore, kushtetuese apo jo.
Pra, Komisioni i Venecias ka thënë në gjuhën e përdorur nga ata që qëllimi për të cilin kërkohen këto ndryshime është i përligjshëm, është legjitim. Por ka kërkuar që një proces i tillë, të bëhet në kushtet e proporcionalitetit, qartësisht ligjore dhe të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Që mos të kthehet pra në një gjueti shtrigash, por të garantojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por nga ana tjetër të mundësojë pastrimin e politikës nga këta politikanë të cilët për shkak të lidhjeve të tyre me krimin e organizuar, për shkak të korrupsionit, nuk i shërbejnë interesit të njerëzve, por janë pengesë dhe shkaktarët e krizës së gjithanshme ku ndodhet sot vendi.
Një nga pyetjeve të cilave ne, me thënë të drejtën nuk i jemi përgjigjur dot drejtpërdrejte në 2018-ën, ku ju shpesh e keni ushtruar: kush do ta bëjë vettingun e politikanëve? Po kështu kam marrë përgjigje me amendamentin kushtetues për vettingun e politikanëve. Atëherë përgjigjja jonë ndaj pyetjes tuaj ishte që nuk duhet ta bëjë politika. Politika nuk mund të votojë politikën.
Sot përgjigjja është e definuar, është e përcaktuar, është e shkruar në propozimin kushtetues dhe ia kalon këtë detyrë një institucioni i cili është ngritur tashmë, funksionimi i të cilit është akoma në provë, por që është një institucion mbi të cilin janë investuar jo thjesht milionat e taksapaguesve amerikanë, europian dhe shqiptarë, por dhe shpresat e të gjithë atyre që duan një Shqipëri të pastër nga krimi, me një politikë ku politikanët e korruptuar nuk promovohen, por ndëshkohen. Dhe kjo është Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion në tërësinë e saj. Që nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion, te Gjykatat e sistemit të Apelit përbrenda kësaj strukture të posaçme Anti-Korrupsion.
Çfarë do të kontrollohet?
Natyrisht, siç e kemi thënë prej fillimit, siç e thotë raporti i OHDIR-it, siç e thotë raporti i sotëm i Bashkimit Europian, pandëshkueshmëria e politikanëve të lartë të korruptuar dhe të lidhur me krimin dhe bosët e krimit të organizuar të pandëshkuar, janë një nga problemet kryesore pse Shqipëria nuk ecën dot përpara në rrugën e Integrimit Europian. Ndaj dhe vëmendja jonë kryesore, është pikërisht tek shkëputja e lidhjeve të krimit të organizuar me politikën.
Largimi i atyre politikanëve të cilat janë ose drejtpërdrejtë përfaqësues të krimit të organizuar, ose drejtpërdrejtë pjesë të krimit të organizuar, në secilin prej niveleve për të cilat u shpreha pak më parë.
Por nuk ndalet këtu.
Ne e dimë fare mirë se procesi i kontrollit të deklarimit të pasurive dhe të konfliktit të interesit, ka qenë nën kritikë të vazhdueshme për shkak të presionit politikë që ushtrohet mbi këtë institucion dhe si rezultat, numri dhe niveli i atyre subjekteve që kanë provuar forcën e ligjit në këtë aspekt është shumë modest. Ndërkohë që kemi fakte konkrete që ne i kemi denoncuar, fakte që ju media i keni publikuar, të pasurive marramendëse të politikanëve shqiptarë. Në emër të tyre, në emër të familjarëve të tyre, apo në emër të ortakëve të tyre.
Nga ana tjetër kemi dhe akuza në të dyja drejtimet.
E pra, akuzat e paprovuara shërbejnë vetëm për të mbuluar këtë llum korrupsioni ku është zhytur një pjesë e politikës, duke vjedhur paratë dhe pronat e shqiptarëve, në kuptimin pronat private, madje edhe pronat publike të shqiptarëve.
Dhe ky është momenti që siç thotë populli, të ndahet shapi nga sheqeri.
Ky është momenti që me instrumentet dhe me praktikën tashmë të njohur të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Struktura e Posaçme Anti Korrupsion të marrë si fillim këta 200 e ca politikanë të lartë, deputetë, krerë bashkishë, kreun e shtetit, kryeministrin, kreun e Kuvendit, kryetarët e institucioneve të pavarura dhe ti fusë në sitën e kontrollit rutinë, kontrollit që do të thotë të hollësishëm, si sa i përket lidhjeve të mundshme me krimin e organizuar, si sa i përket pasurive të tyre, të familjarëve të tyre dhe të ortakëve apo ta themi në një gjuhë më të kujdesshme, të personave të tretë të cilët mund të mos jenë familjarë, por mund të jenë persona të cilët menaxhojnë administrojnë pasuri të paligjshme të politikanëve, qofshin këto të pronave apo llogari bankare, biznese brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Për ta bërë këtë Shqipëria tashmë disponon instrumente ligjore siç është Ligji Anti-mafia i miratuar që në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike.
Ndaj ajo që kërkohet është vullneti politik.
Kjo që tani është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqëson vullnetin politik të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Nëse masakra zgjedhore e 25 prillit nuk do të kishte ndodhur dhe Partia Demokratike do të ishte aty ku shqiptarët e donin dhe e duan, në qeverisje të vendit, nuk kam asnjë dyshim se do të kishim 94 votat e nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën. Por edhe po ti kishim po jua them, do ti qëndroj sot kësaj si kryetari i opozitës, i qëndroj dhe nesër nga pozitat e kryetarit të mazhorancës, unë gjykoj se ndryshime të tilla kushtetuese duhet të kenë konsensus bipartizan. Këto nuk mund të shikohen si masa propagande apo si masa represive ndaj njërës anë apo anës tjetër.
Është interesi i të gjithë shqiptarëve, i socialistëve dhe i demokratëve të thjeshtë, që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit, nga njerëz që këto 30 vjet pavarësisht prej siglës politike që kanë mbajtur, nganjëherë e kanë ndërruar, nganjëherë kanë dalë me sigla të reja, kanë përdorur politikën për tu pasuruar paligjshmërisht dhe ç’është më e keqja, kanë futur në politikë llumin e shoqërisë, krimin e organizuar.
Kanë shkatërruar konkurrencën në treg që është themeli i zhvillimit të ekonomisë dhe punësimit, duke fuqizuar një grusht njerëzish vetëm e vetëm se ndajnë me ta favore, privilegje, pushtet dhe para në kurriz të qindra-mijëra sipërmarrësve të ndershëm.
Kush e shikon këtë si një ekspeditë të PD ndaj krimit të organizuar, oligarkët dhe shefave të tyre, shefit të tyre politik aktualisht dhe qeverisë së tij, e kanë gabim.
Pa pikë diskutimi meritojnë një ekspeditë ndëshkimore, por ne nuk jemi ekspeditë ndëshkimore. Ne jemi opozita e vendit.
Ne jemi zëri dhe aspirata e qytetarëve që duan një Shqipëri ndryshe, duan një Shqipëri më të mirë. Ne kemi detyrimin moral, qytetarë, njerëzor, prindëror, në radhë të parë, dhe pa diskutim, politik, që këtë që vlon nga kafet e qendrës së Tiranës, deri tek kafet më të largëta të Vermoshit dhe Konispolit, ta përkthejmë në një vullnet politik për të ndryshuar.
Ndaj palës tjetër, e cila sigurisht vjen nga një pozitë e pafavorshme, ka 8 vjet që qeveris, rekordet e saj janë tashmë botërisht të njohura, i lind detyrimi që të dalin haptas para shqiptarëve duke pranuar këto propozime kushtetuese bashkërisht i mbyllim derën tranzicionit me vetëdijen më të plotë dhe qetësinë më të madhe se kushdo që meriton që përmes këtyre masave të largohet nga politika, duhet të largohet nga politika. S’ka rëndësi është socialist, demokrat, apo ndonjë partie tjetër.
Çdo alibi vetëm sa nxjerr zbuluar qëllimin e llumit të tranzicionit për ta mbajtur Shqipërinë peng. Peng të një klase politike të ndryshkur, të majmur, të zvetënuar, të dalë nga vetja dhe të shkëputur nga realiteti i përditshëm i shqiptarëve.
Ne refuzojmë të jemi pjesë e asaj klase politike.
Ky ka qenë lajtmotivi i gjithë qëndrimeve tona për dy vite.
Ndryshimi ka qenë kryefjala e fushatës tonë zgjedhore. Nuk ka masakër zgjedhore të na heqë ne nga misioni i ndryshimit.
Ndryshimi do të bëhet me çdo kosto.
Ndaj kur kemi thënë që në parlament do të shkojmë për ti rikthyer legjitimitetin, që është një fjalë ndoshta abstrakte për shumë shqiptarë, ja ku janë hapat që po hedhim. Çdo politikan që nuk justifikon dot pasurinë e vet, të familjes së vet, madje dhe të ortakëve, personat që njihen botërisht se administrojnë pasuritë apo pronat e tyre, duhet të largohet nga politika dhe ky mekanizëm i largon nga politika.
Çdo politikan i lidhur me krimin e organizuar, s’ka rëndësi nëse është vetë pjesë e një strukture kriminale apo ka përdorur dhe përdor një strukturë kriminale për të mbledhur vota, për të shantazhuar qytetarë, për t’iu dhënë tendera, për t’iu dhënë leje ndërtimi, për t’iu futur njerëz në punë, për t’iu bërë pra pjesë të politikës, për ti bërë ata vetë pjesë të politikës, kur në fakt ata duhet të jenë para drejtësisë, duhet të largohet dhe ky mekanizëm e largon nga politika.
Ky nuk është thjeshtë dhe vetëm interesi i Partisë Demokratike, është një zotim i yni.
Ky është një interes kombëtar dhe jam i bindur në këto momente që flas, që nuk ka socialist të ndershëm, çfarëdo që të mendojë për mua apo për Partinë Demokratike, mos të më japë të drejtë kur numëron kacidhet e fundit në fund të muajit dhe sheh bosët politikë të zhytur ne luks në Shqipëri dhe në restorantet më të shtrenjta të botës.
Për të mos folur për demokratët, në raport me këtë qeveri. Po në raport edhe me llumin e qeverisë tonë, se dhe ne kemi pasur llumin tonë.
Llumi i tranzicionit, siç e kam thënë dhe në parlament, është një dhe vetëm një.
Nuk ka rëndësi se nga cila sigël apo pas cilës sigël mundohet të fshihet, janë njerëz që abuzojnë me besimin e dhënë nga partia e tyre, nga elektorati, nga qytetarët dhe janë këto abuzime të pandëshkuara që na kanë sjellë në këtë pikë. Natyrisht, miratimi i këtyre amendamenteve kushtetuese është një hap i stërmadh.
Kushdo që mundohet ta zvogëlojë, ose nuk e kupton, ose ka frikë.
A ka sfida të tjera Shqipëria? Patjetër që po.
A kam hequr unë dorë nga projekti që kam shpalosur para demokratëve dhe para gjithë shqiptarëve, për një Republikë me pushtete të balancuara, të kontrolluara, me një kryeministër me jo më shumë se dy mandate, me një sistem ndoshta bilateral, ose në qoftë se jo bilateral me një parlament që e merr kohën e duhur për të kaluar ligjet dhe nuk i kalon brenda natës për të favorizuar inceneratorët, apo oligarkët, apo rrugët e florinjta, apo grabitjen e pronave në bregdet, apo heqjen e akcizës e të TVSH-së për jahtet luksoze.
Jo nuk kam hequr dorë.
Një reformë edhe më e thellë kushtetuese është në pikëpamjen time domosdoshmëri dhe për këtë arsye në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike dhe pas tij kam përsëritur, dhe sot dua dhe një herë të afirmoj përpara çdo shqiptari, vendosmërinë time dhe të ekipit tim, që përmes një instrumenti bashkëbisedimi, dialogu dhe bashkëpunimi me gjithë forcat e gjalla të shoqërisë, ata që nuk dorëzohen para të keqes, ata që nuk ikin edhe kur mendojnë se duhet të ikin, por qëndrojnë, atë që e kam quajtur platforma qytetare për demokracinë, të bëjmë gati një reformë të thellë kushtetuese, e cila të adresojë, pra të zgjidhë edhe këto problemet e tjera.
Por, urgjencat janë këto.
Sot kemi një republikë të rënë, një demokraci të vrarë më 25 Prill, një parlament i cili nuk është mbartës as përfaqësues i vullnetit të qytetarëve, një qeveri që nuk ndodhet aty si zgjedhje e njerëzve, por si imponim i gjithë atyre që ODIHR-i i ka thënë më konçiz, sesa mund t’jua përsëris unë.
Ndaj detyra jonë e parë është të merremi me këtë problem madhor, sepse çdo pasojë, që nga shtrenjtimi i çmimeve të bukës, të energjisë, të djathit, të vajit, të sheqerit, që nga shpunësimi që po nis si rezultat i zinxhirit të përkeqësimit, ngrihen çmimet bie konsumi, bien xhirot, bie fitimi, largohen njerëzit nga puna, mbyllen bizneset, zanafillën e ka tek kjo, te kapja e Shqipërisë nga një grusht njerëzish. Dhe ç’ kapja e Shqipërisë, natyrisht, nuk do të përfundojë me këto masa, por këto masa do të jenë jo thjesht fillimi i fundit, por një pjesë e mirë e punës për ta pastruar politikën nga njerëzit e lidhur me krimin, nga njerëzit e korruptuar në parlament, në bashki dhe institucionet shtetërore, sikundër për ti dhënë shqiptareve garanci se vota e tyre do të jetë e lirë, e fshehtë dhe do të numërohet ashtu siç do të hidhet. Sikundër, pushteti vendor do të jetë i tyre dhe jo i bajraktarëve të 2015-tës.
Këto janë me pak fjalë ato që sot janë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe për të cilat, krahas iniciativave tona siç janë reforma territoriale, reforma zgjedhore, komisionet hetimore, përfshirë komisionin hetimor Bechetti, për të cilin do të depozitohet shumë shpejt padia, apo më mirë të themi ankesa në Gjykatën Kushtetuese, janë pjesë e betejës tonë parlamentare, që do të vazhdojë krah për krah me betejën tonë qytetare, duke inkurajuar, nxitur gjitha format e reagimit qytetar ndaj këtyre problemeve, ndaj problemeve të mëdha, siç janë ato që pamë ditën e parë të universiteteve me studentët, ndaj problemeve të çmimeve, ndaj çdo problemi tjetër.
Sepse këto janë prioritetet e shqiptarëve dhe për ne s’mund të ketë asnjë prioritet tjetër më të rëndësishëm se prioritetet e tyre.

Pyetje: Zoti Basha, ju thatë që ndryshe nga 2018-ta dhe konstatohet në fakt, që drafti për vettingun politik është dukshëm më i thelluar dhe i detajuar, por nga ajo se çfarë ne lexojmë, ndryshe nga 2018-ta, mbetet një komponent i pandryshuar dhe ai lidhet me integritetin e figurës, kontrollin e integritetit të figurës. Kemi lexuar edhe në 2018-ën opinionin e Venecias dhe e kemi rilexuar pas draftit tuaj për vettingun dhe Venecia ka një moment kur thotë se të njëjtat parime që ndiqen për prokurorët dhe gjyqtarët, nuk mund të ndiqen për politikanët. Në fakt janë thuajse të njëjtat parime përsa i përket tek drafti juaj me parimet që ndiqen për gjyqtarët dhe prokurorët, për komponentin e pastërtisë së figurës, integritetin. A po japim një pretekst për ta rrëzuar sërish këtë nismë tuaj?

Lulzim Basha: Në dijeninë time nuk ka një mospërputhje dhe s’ka se si të ketë një mospërputhje. Logjika të do që një kontakt i papërshtatshëm, pra afërsia e një magjistrati, gjyqtari, prokurori me krimin e organizuar është kaq e pa tolerueshme, sa afërsia e një politikani, e një ligjvënësi, apo e një ministri, apo e një krye-bashkiaku, apo e një kreu të një institucioni kushtetues, apo një institucioni te pavarur, me krimin e organizuar.
Kështu që nuk shoh që Venecia t’i diferencojë të dyja dhe s’ka arsye t’i diferencojë të dyja. Për këtë arsye edhe ne duke u mbështetur në një praktikë të miratuar nga Venecia, nuk i diferencojmë sepse ai kontakti i papërshtatshëm për gjyqtarin dhe prokurorin nuk mund të jetë i përshtatshëm për politikanin.
Sigurisht pastaj këtu futemi në fushën e abuzimeve si për shembull rastis që mund të nxjerrin dikë përpara, mund të ta sjellin edhe në zyrë dhe ti s’e njeh, bën edhe fotografi edhe del pastaj “Toyota Yaris” dhe të thotë ja ku e ke thotë. Por këto janë lojëra fëmijësh dhe ndërkohë që ligjet janë shumë serioze dhe praktika është e konsoliduar edhe në Itali se nuk po operojmë në vakum. Tjetër gjë është kontakti i rastësishëm.
Mund të dali përpara një person i dalë nga burgu thjeshtë që të të komprometojë. Ti je në fushatë, je duke takuar zonjat tek Pazari i Ri për shembull, je duke i pyetur si po ecin gjërat dhe papritur del një aty, duket që është i futur për të prish punë, për të treguar që shiko ti ke lidhje me kriminelët, të hedh edhe dorën në qafë, ti as që e njeh fare.
Nuk është ky kontakti i papërshtatshëm.
Ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë përpiqen t’i ikin të vërtetës. Ata që s’e kuptojnë kanë kohë të sqarohen një sqarim po ua jap unë sot. Kontakti i papërshtatshëm është kur ka mjaftueshëm indice dhe prova që zonja apo zotëria në fjalë, nga politikani më i lartë tek politikani më i ulët i grupit të politikanëve që do t’u nënshtrohet vettingut, është ose vetë anëtar i një strukture kriminale, një grupi të strukturuar kriminal siç thotë Kodi Penal ose është përfaqësues apo ka marrëdhënie ekonomike, politike apo të tjera me një grup të strukturuar kriminal.
Për fat të mirë jurisprudenca italiane këtu është jashtëzakonisht e avancuar dhe magjistratët e ndershëm shqiptarë nuk do të kenë nevojë të shpikin rrotën sepse edhe ligji shqiptar është shumë i qartë.

Gazment Bardhi: Ajo që ka thënë Komisioni i Venecias është që konkluzionet që ekspertët e komisionit kanë arritur në rastin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk merrej automatikisht si konkluzion në rastin e vettingut të politikanëve sepse aplikohen kritere të ndryshme dhe në këtë rast Komisioni i Venecias ka përcaktuar 2 kritere. Ndryshe nga rasti i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kriteri numër një është që të ketë qëllim të ligjshëm dhe Komisioni i Venecias arrin në konkluzionin që për shkak të problemeve të dukshme që ka Shqipëria shkëputja e lidhjes së krimit të organizuar dhe politikës është një qëllim i ligjshëm.
Dhe së dyti respektimi i parimit të propocionalitetit duke lënë detyra konkrete se si iniciativa kushtetuese e asaj kohe mund të arrinte standardet e respektimit të standardit të propocionalitetit.
Të gjitha këto këshilla të dhëna nga ekspertët e Komisionit të Venecias janë pasqyruar në draftin që ne kemi depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë.
Pra, nuk ka një konkluzion si ai që ju cituat në opinion e Komisionit të Venecias. Ajo që ka thënë është që nuk aplikohen motamo apo automatikisht të njëjtat konkluzione që janë thënë në opinionin e mëparshëm. Pasi nëse do të ishte ashtu nuk do të kishin dhënë një opinion të dytë për rastin e vettingut të politikanëve, por kanë dhënë një opinion, një opinion të detajuar, sugjerimet dhe vërejtjet e të cilit janë reflektuar në draftin që kemi depozituar.

Pyetje: Zoti Basha ju jeni shprehur për zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese Berisha-Rama të 2008-ës. Pse në amendamentet kushtetuese që keni dorëzuar nuk parashikohet diçka e tillë?

Lulzim Basha: Për arsyen që shpjegova në fund të fjalës time, sepse së pari sa i përket sistemit zgjedhor vetë, nuk ka asnjë pengesë që Komisioni i Reformës Zgjedhore që do të ngrihet në bazë të të kërkesës tonë, të shqyrtojë sistemin tonë zgjedhor të 2008-ës.
Unë personalisht e kam bërë të ditur preferencën time për një maxhoritar të pastër. Unë personalisht kam folur për nevojën për 2 dhoma pa rritur numrin e deputetëve dhe të senatorëve, pa rritur kostot mbi publikun, por duke i dhënë përfaqësuesve të popullit dy instrumente për të kontrolluar vendimet dhe veprimet e qeverisë.
Personalisht i qëndroj 100% asaj që kam shpallur në janar të këtij viti që mandati i figurës më të pushtetshme që ka ky sistem kushtetues deri tani, përveçse nëse ndryshon, pra i kryeministrit duhet të jetë jo më shumë se 8 vjet, 2 herë nga 4.
Personalisht besoj se një president nga populli është një opsion që nuk duhet përjashtuar. Personalisht mendoj se ka mënyra të tjera për të fuqizuar rolin e institucioneve të pavarura kushtetuese qofshin të natyrës strikt anti-krim, anti-korrupsion, qofshin të natyrave social-ekonomike, që janë bordet apo autoritetet e konkurrencës etj.
Por, unë gjykoj se vendi është në një krizë e cila përkeqësohet dita ditës dhe këtu ka nevojë që ne të lëvizim paralelisht.
Me këtë paketë urgjente stabilizimi dhe së dyti me ato ndryshime të cilat i kam përmendur për herë të fundit në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, por të cilat po kështu siç ju thashë në fund të fjalës time, duhet t’i nënshtrohen një diskutimi të gjerë me shoqërinë dhe për këtë arsye shpejt ne do të nisim këtë diskutim, këtë platformë qytetare për demokracinë ku të gjithë do të ketë mundësinë të japin kontributin e tyre.
Jo të gjithë jemi ekspertë kushtetues, jo të gjithë kemi të drejtë në mënyrën se si e shohim një republikë funksionale dhe në funksion të qytetarëve, por të gjithë duhet të kenë mundësinë të thonë fjalën e tyre përpara se të merren vendimet dhe vendimet që për këto lloj ndryshimesh që në thelb do të ndryshojnë tërësisht natyrën e republikës, nëse ndërmerren në gjykimin tim pastaj duhet të kalojnë përmes një referendumi popullor.

Pyetje: Sipas një sondazhi, rreth 80% e anëtarësisë së PD-së është kundër drejtimit të PD-së nga ana juaj. A mendoni se në këto kushte duhet te jepni dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike për mos ta çuar PD-në në përçarje?

Lulzim Basha: Sipas sondazheve të mija, 95% e demokratëve kërkojnë që unë të udhëheq betejën kundër regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe mbështesin agjendën e përcaktuar nga unë për të pastruar politikën nga llumi i tranzicionit.

Pyetje: Zoti Basha, ju përmendët Vettingun e politikanëve si një çështje shumë themelore në draftin e propozimeve që janë dorëzuar në kuvend. A duhet të ketë edhe vetting të administratës si dy elementë të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin?

Lulzim Basha: Është pyetje shumë legjitime, sepse edhe dikush i trajnuar në fushën juridike si unë, i bëra të njëjtën grupit të ekspertëve dhe përgjigja në fakt ishte e qartë dhe shteruese. Detyra kryesore e politikanëve të pastër, është të sigurojnë që institucionet të përbëhen nga zyrtarë të pastër.
Kjo tashmë është parashikuar me ligj dhe nuk ka nevojë që këto ligje të ndryshohen.
Ajo që ka nevojë është që këto ligje të zbatohen. Që këto ligje të zbatohen, duhet që politikanët të jenë të aftë dhe të pastër. Pra me fjalë të tjera, administrata shtetërore është në gjendjen që është për shkak të korrupsionit të politikës, për shkak të lidhjeve të politikës me krimin. Për shkak se kanë braktisur qytetarët dhe i shërbejnë xhepit të vet dhe i shërbejnë xhepave të ortakëve me të cilat sundojnë Shqipërinë.

Pyetje: Zoti Basha kam një pyetje më shumë sqaruese, duke qenë se u prek pak në pjesën tuaj të hyrjes. Përsa i përket reformës territoriale, ju deklaruat se kërkoni që në propozimet tuaja që të ndahen bashkitë në rurale dhe urbane, por a ka Partia Demokratike një skicë të re territoriale dhe sa mund të jetë numri i bashkive dhe komunave që ajo propozon?

Lulzim Basha: Partia Demokratike ka ngritur një grup të brendshëm, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, në përbërje të të cilit ndodhen deputetë, drejtues të pushtetit lokal ndër vite, ekspertët më të mirë të decentralizimit me trajnime në institucionet më elitare të Europës dhe me përvojë pune, në kohën kur decentralizimi në Shqipëri ka ecur përpara.
Finalizimi i një dokumenti të brendshëm pune nga këto tre faktorë. Do të ecë paralel me depozitimin e kërkesës tonë për ngritjen e komisionit të reformës territoriale.
Dhe këtu që padiskutim që ne do të shkojmë me propozime të qarta të cilat do të jenë në funksion të qytetarëve dhe jo siç bënë këta në 2015-ën, në funksion të grabitjes së pushtetit vendor duke bërë absurditete të tilla që s’kanë nevojë për komente, por që sot qytetarët i vuajnë sepse siç thashë, u duhen me qindra kilometra për të marrë shërbimin më bazik dhe prapë se marrin. Kthehen prapë në shtëpi, kthehen të nesërmen e prapë se marrin.
Ndërkohë që të ashtuquajturit administratorë ose s’kanë pushtetin e nevojshëm për t’i mbështetur ose kur e kanë, abuzojnë dhe si përfundim rrinë e dredhin zinxhirin, ndërkohë që zinxhiri në qafën e shqiptarëve vjen e shtrëngohen sepse pushteti lokal që duhet të jetë pushteti më afër qytetarëve, praktikisht de fakto është asgjësuar.

Pyetje: Propozimin tuaj për vettingun e politikanëve, ju keni renditur disa pika që ndalon një person për të kandiduar për deputet. Do përfshihet në vettingun e politikanëve edhe një pikë që lë jashtë listave për deputet persona që janë shpallur non grata nga SHBA apo nga një shtet tjetër?

Lulzim Basha: Kush e shikon këtë propozim me syzet e politikës së përditshme, bën gabim. Bën një gabim klasik në raport me mua.
Për të mirë apo për të keq, në këto vite në shërbim të publikut jam përpjekur të shoh përtej të përditshmes. Sepse e përditshmja shpesh i mbush njerëzit me pesimizëm, i mbyt në dëshpërim dhe iu heq shpresën dhe vizionin për të parë se çfarë mund të jemi ne.
Çfarë mund të jetë ky vend?
Çfarë mund të jetë rinia e këtij vendi?
Si mund të jetojnë më mirë prindërit tanë që janë ropatuar një jetë të tërë dhe sot me atë pension nuk blejnë dot as ilaçe, nuk paguajnë dot as faturën e energjisë dhe bukën.
Dhe që të shohësh përtej, duhet të mendosh përtej të nesërmes apo të sotmes.
Në qoftë se rri si miu në çark, me bishtin tënd ndër dhëmbë, atëherë sillesh vërdallë dhe nuk sjell asnjë zgjidhje. Dhe këtë besoj e kemi provuar 8 vite dhe gjëja më e keqe, shërbimi më i keq që PD-ja apo unë mund të bëjmë, është të përsërisim atë model.
Jo rrallë, ne këtë e kemi paguar me kosto jo të vogël, duke sjellë propozime vizionare, programe pune, programe për zhvillimin e ekonomisë, programe për punësimin, për universitetet, për shëndetësinë, për luftën kundër varfërisë, për ndarjen e emigracionit, ndërkohë që pala tjetër shkonte kapte banditët, oligarkët, blinte vota, shantazhonte qytetarët dhe pastaj del dhe krekoset si gjeli në majë të PPP-ve, që të ruajmë etikën në këtë komunikim, se është orë që mund të na ndjekin edhe fëmijët.
Prandaj, si në çdo propozim tjetër, edhe në këtë propozim, interesat tona janë interesa e shqiptarëve. Interesat e shqiptarëve.
Sigurisht sot shqiptarët vuajnë të përditshmen, por interesat e shqiptarëve janë afatgjata. Dhe interesi i parë dhe kryesor, është ndarja e politikës me krimin dhe largimi i politikanëve të korruptuar.
Dhe për këtë nuk ka pse t’i hedhim sytë as tek vendet e tjera, as në qiell dhe as në det, por të shikojmë çfarë mund të bëjmë ne, shqiptarët vet. Se në fund të fundit ky është vendi ynë, s’është as i Edi Ramës, as i Sali Berishës, as i Ilir Metës, as i imi, është i të gjithë shqiptarëve.
Duke qenë i të gjithë shqiptarëve, të gjithë shqiptarët kanë një interes për ta parë që vendi të ecë përpara. Dhe që vendi të eci përpara, duhet që praktikat e dështuara të 30 viteve tranzicion, të marrin fund.
Si marrin fund?
Me fjalë?
Jo! Me vepra.
Urdhëro ku e ke, merri hiqi politikanët që nuk justifikojnë pasurinë e tyre, të familjeve të tyre, midis tyre apo të ortakëve të tyre. Politikanët e lidhur me krimin. Urdhëro, jepi SPAK-ut resurset e nevojshme. Filloje me mua, me kryetarin e Partisë Demokratike, me kryetarin e opozitës në qoftë se ke frikë ta fillosh me kryeministrin. Filloje me mua vettingun e politikanëve dhe çoje deri në fund.
Kjo nuk është sfide, por kjo është e vetmja mënyrë për të ndarë llafet, thashethemet, baltën nga e vërteta.
Nis kontrollin e pasurive, nis kontrollin e kontakteve të papërshtatshme, merr sipas ligjit vendimet e duhura, largo politikanët e korruptuar ose ata që nuk iu mbajnë këllqet jepi mundësinë të bëjnë të vetmin akt të denjë në jetën e tyre, të japin dorëheqjen e të largohen nga politika para se t’i largojë ky ligj.

Pyetje: Të gjithë kemi qenë dëshmitarë që për të arritur tek marrëveshja e 5 qershorit, u deshën mjaftë muaj diskutime në Këshillin Politik dhe shpeshherë kishte ndërprerje të atyre mbledhjeve për shkak se palët nuk arrinin një dakordësi. Madje arriti deri aty saqë në tryezë u desh që të uleshin tre ambasadorë, e SHBA-ve, i BE-së dhe ai Britanik që palët të shkonin drejt marrëveshjes së 5 qershorit. Ndërkohë që çfarë ju bën ju që të besoni që pas këtyre tre propozimeve për ndryshimet kushtetuese që kryeministri Edi Rama do t’iu pranojë këto amendamente, në një kohë kur ai sot ka deklaruar se nuk pranon që të dialogojë me opozitën në anglisht dhe në një kohë kur faktorin ndërkombëtarë do të mungojë në këto tryezë, a besoni se Partia Socialiste do pranojë të diskutojë dhe të votojë në fund këto ndryshime? Dhe a janë këto amendamente propozime të panegociueshme të Partisë Demokratike në tryezën e dialogut?

Lulzim Basha: Padiskutim që ne ulemi për të çuar përpara plotësimin e këtyre amendamenteve kushtetuese dhe nuk shkojmë atje me çarkun e pushkës për t’i thënë firmosni tani.
Në qoftë se kanë diçka për të shtuar që është e vlefshme, le ta shtojnë. Në qoftë se kanë pyetje, le ta na pyesin. Ama këtë do ta zhvillojmë në sytë e të gjithë shqiptarëve. Ndoshta ka mundësi për ta pasuruar, për ta bërë dhe më të fortë, për gjithçka që e bën vettingun më të fortë, në parim jemi gati.
Në gjithçka që e dobëson, në parim jemi kundër.
Siç iu thashë, edhe nëse masakra zgjedhore nuk do të kishte penguar ardhjen e natyrshme të Partisë Demokratike në pushtet, mundësia që ne të kishim mjaftueshëm vota për të ndryshuar kushtetutën do ishte shumë e vogël.
Dhe së dyti, edhe po të kishim mjaftueshëm vota bashkë me aleatët tanë për të ndryshuar kushtetutën, është bindja ime e thellë nga formimi im, si demokrat, me përgjegjësitë që mendoj se i takojnë një kryetari të Partisë Demokartike të shekullit të XXI, nga kultura dhe etika që përshkon të gjithë ekipin drejtues të Partisë Demokratike, se një vendi që kërkon të bëhet anëtarë i Bashkimit Europian, nuk i takon që një parti edhe po t’i ketë votat ta ndryshojë kushtetutën pa pyetur opozitën.
Kështu që edhe po t’i kishim votat në qeverisje, ne prap do shkonim tek socialistët në opozitë, ku duhet të ishin normalisht pa masakrën zgjedhore, dhe do t’i thonim ejani ta bëjmë bashkë.
Sepse nuk është ekspeditë ndëshkimore, jo se se meritojnë, po nuk mund të jemi ne ekspeditë ndëshkimore. Ejani të bëjmë atë që duan shqiptarët, një politikë të pastër nga korrupsioni dhe nga krimi. Një sistem zgjedhor të drejtë, ku garantohet liria dhe sekreti i votës dhe çdo votë numërohet. Që të prodhojë institucione që varen nga njerëzit dhe jo nga Ram-Dosh-Rakipët. Në mënyrë që t’i shërbejë njerëzve dhe prapë njerëzit vendosin sa herë që i vijnë zgjedhjet: na shërbyen mirë këta, po, po iu japim edhe një herë besim. Nuk na shërbyen mirë, t’i largojmë të vijnë këta të tjerët.
Ky është mekanizmi bazë i demokracisë dhe vetëm me këtë mekanizëm pasuritë e panumërta të Shqipërisë mund të kthehen në mirëqenie për shqiptarët dhe jo në një luks të shfrenuar për një grusht njerëzish dhe mjerim për pjesën tjetër të shqiptarëve. Se ky nuk është një vend shkretëtirë. Ky është një vend i pasur në mes të Europës, por që është vjedhur dhe zhvatur në këto 30 vite, në veçanti këto 8 vite, dhe ka krijuar këtë hendek ku një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk ushqejnë dot fëmijët me bukë dhe të tjetër ndezin purot me 500 euro, siç me siguri i keni parë në instagram.

Pyetje: Në një kohë kur SPAK bllokon çështjet në lidhje me qeverinë gjë që të cilën ju e keni denoncuar herë pas here, si mund t’i besoni vettingun e politikanëve?
Pyetje: Ju keni deklaruar se zoti Berisha po kërkon të bunkerizojë PD-ën, përse rrini në seli dhe nuk dilni në bazë të përballeni me anëtarët e PD-së siç bën zoti Berisha meqenëse sapo deklaruat 95% e anëtarëve iu mbështesin?

Lulzim Basha: Kam dalë më shumë se çdo kryetar i Partisë Demokratike në këto 30 vite dhe do të dal përsëri. Por unë nuk jam nga ata që shfrytëzojë momente të tilla për të bërë garë se kush e ka autokolonën më të gjatë e kush i mbush sallat më shumë sepse e di që ajo është një garë e lehtë për mua dhe nuk është e drejtë ndaj askujt, as ndaj zotit Berisha ta vendos në pozitë të tillë inferioriteti.
Plus që kjo nuk është midis meje dhe zotit Berisha, s’ka qenë kurrë dhe s’kishte për të qenë kurrë kjo situatë.
Situata dihet fare mirë dhe meqë më cituat pjesërisht korrekt, se shumë prej atyre që dalin deformohen, situata dihet fare mirë: Vendimmarrja ka ardhur pas një vendimmarrje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe interesit më të mirë të demokratëve dhe të nesërmes së shqiptarëve, të cilës nuk mund t’i shërbehet pa një Parti Demokratike të fortë dhe të vendosur të përballet me regjimin e Edi Ramës dhe masakrës zgjedhore, nuk i shërben përçarja e partisë për interesat personale të Lulzim Bashës dhe as të Sali Berishës.
Kjo është arsyeja se pse jam vetëpërmbajtur dhe do të vazhdojë të vetëpërmbahem me besimin më të madh, me bindjen e thellë se siç jam i qartë unë, siç janë të qartë demokratët, janë të qartë shumica e shqiptarëve dhe me thirrjen ndaj çdokujt që është i paqartë apo i zemëruar të qetësohet dhe të qartësohet. Ndërsa oportunistëve dhe inatçorëve ju them që rruga pa krye ku jeni futur dhe abuzimit që i bëni gjendjes aktuale të ish-kryetarit historik do t’iu vijë me faturën që s’jua kam dhëne këto tetë vite, politike sigurisht .
Pyetje: Sa kohë do vetëpërmbaheni, kur prisni të dilni?

Lulzim Basha: I lëmë se tjerat u sqaruan, i dinë demokratët tjerat, nuk turbullohen kollaj demokratët, janë njerëz të zgjuar, kanë kaluar furtuna, e dinë shumë mirë se kush është armiku i Shqipërisë. E dinë shumë mirë se kush janë ata që vazhdojnë ta mbajnë Shqipërinë peng dhe më kanë parë këto vite në krye të betejave duke sakrifikuar gjithçka dhe do vazhdoj të sakrifikoj gjithçka deri sa ta rrëzojmë këtë të keqe.
Pavarësisht prej sinergjisë që po krijohet me llumin në të dyja anët e politikës për ta mbajtur status quo-në, nuk ka shans, zero shans.
Tani tek SPAK.
SPAK meriton zero besim, zero.
SPAK është deri tani harxhimi më i madh i kredive dhe parave të aleatëve tanë dhe të shqiptarëve .
E quajta në Kuvend: SPAK qilimkuqi, nëse e mbani mend, për shkak të paradave që na bëjnë në tapetin e kuq. Por me këtë akt, SPAK-ut po i japim një shans që të krijojë besueshmëri, që të fillojë të bëjë punën për të cilën paguhen, ruhen, ju janë dhënë makina speciale, ju janë dhënë zyra, ju janë dhënë stafe mbështetëse, sekretarë , statuse, trajnime jashtë shtetit.
Po ju japim një shans të ngrihen në lartësinë e detyrës për të cilën janë investuar shqiptarët , taksat e tyre, Ëashingtoni, Brukseli, Berlini , Londra, Roma, Parisi dhe po demonstrojmë dhe njëherë se ndryshe nga përrallat e Edi Ramës që është sabotatori i vetëm, kryesor, por jo i vetëm i reformës në drejtësi, ne jo vetëm që nuk i trembemi institucioneve të drejtësisë, por jemi gati të investojmë besimin tonë politik, pikërisht për ti dhënë një shans që të bëjnë punën për të cilën janë krijuar dhe për të cilën paguhen.
Sigurisht që vazhdojnë të mos ta bëjnë. Këtu do jemi dhe siç flasim me zë të butë, e kemi dhe një hu me vetë siç thoshte një nga presidentët më të mëdhenj të Amerikës, Theodor Ruzvelt.

Pyetje: Kam dy pyetje në fakt, por unë po e nis me atë që ka më shumë interes. A do japë Partia Demokratike votën për zgjatjen e afateve për organet e vettingut? Pra do ta kushtëzoni ju këtë votë me paketën e ndryshimeve kushtetuese që ju tashmë keni depozituar në Parlament? Ju kemi dëgjuar disa herë në fakt edhe në këtë dalje për shtyp, kur thoni që edhe gjatë qeverisje së Partisë Demokratike ka patur llum. Nuk mendoni se ka ardhur koha që të flisni me emra konkretë? Cilët janë këta ish-ministra apo funksionarë të lartë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, ta mësojmë dhe në të medias?

Lulzim Basha: E dini ju të medias, e dinë dhe pronarët tuaj, e di dhe prokuroria, e di dhe Edi Rama. Kriteri më i mirë që ju jap është shikoni kush është graduar, kush është pasuruar, pasi kemi lënë pushtetin në 2013 dhe do të shikoni që, ndoshta jo të gjithë, por një pjese e mirë prej tyre është graduar, grepuar, pasuruar sepse ka vendosur që sakrificën e demokratëve në tetë vite të qeverisjes tonë, ta përdorë për tu pasuruar dhe këto tetë vite në opozitë jo vetëm nuk është kujtuar për Partinë Demokratike, por i ka vënë shkelmin asaj sakrifice duke bashkëpunuar haptazi në nivel politik por edhe ekonomik, financiar me Edi Ramën.
I njohin demokratët, jua dinë bëmat, jua dinë dhe pazaret, jua dinë dhe intrigat, kështu që këtu mendoj se komentet e mia janë të tepërta.
Sigurisht ka gjithmonë një kohë për pendesë dhe besoj do të ketë gjithmonë një kohë edhe për drejtësi.
Thelbi i asaj që thashë është që unë jam i vetëdijshëm që siç shpresoj të ketë dhe jam i bindur që do të ketë socialistë të ndershëm në nivelin e socialistëve të thjeshtë, jam i sigurt se i kam takuar, i kam përgëzuar, por shpresoj edhe në nivelin e socialistëve me pushtet që do të mbështesin paketën për vettingun e politikanëve.
Pra siç ka nga të dyja anët e politikës njerëz që e duan pastrimin e politikës, padiskutim ka në të dyja anët e politikës njërës që nuk e duan pastrimin e politikës dhe i tremben pastrimit të politikës.
Sa i përket çeshtjes tjetër, tani besoj se është çështje e shteruar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm në mbledhjen e Këshillit te Integrimit dhe nga zoti Alibeaj dhe nga zoti Rushaj.
E para punës nuk ka vakum kushtetues. E dyta e punës, vettingu vazhdon.
Ideja që vetingu u ndalka është një gënjeshtër.
Kushtetuta ka parashikuar që vettingu nuk ndalet derisa të mbarojë vettingu i çdo gjyqtari dhe i çdo prokurori.
Kështu? E dini besoj këtë apo jo?
Mundësisht t’ia sqaroni sa më mirë shqiptarëve, çfarëdo që të ndodhë vettingu do të vazhdojë.
Ajo që kërkohet ka të bëjë me zgjatjen e mandatit të 14 individëve, që kanë patur katër vjet e ca kohë për të bërë vettingun.
Para se të merret një vendim për këtë çështje dhe në kundërshtim të plotë me mënyrën harbute që Edi Rama mendoi se do na bënte apelin nga selia e Partisë Socialiste ditën e premte, që kjo është diçka që nuk negociohet dhe pikë.
Para se ky vendim të merret duhet të diskutohet fillimisht se çfarë kanë bërë këto njerëz këto katër vite e kusur? Si ka ecur procesi? Si kanë qenë ritmet, kanë qenë të shpejta apo të ngadalta? Pse kanë qenë të ngadalta? A janë ndodhur para presioneve ata? A kanë qenë para presioneve faktorë tjerë të vettingut? Kush ju ka bërë presion? Çfarë mund të korrigjohet?
Pra një analizë të plotë që të jemi në gjendje të vendosim cila është më e mira për qytetarët që presin drejtësi.
Çdo vendim i yni, për bazë do të ketë interesin më të mirë të qytetarëve dhe asnjë qëndrim tjetër qoftë ky në formë ultimatumi apo në formë propagande.

Pyetje: Disa javë më parë ambasadorja amerikane deklaroi se palët duhet të punojnë për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. A është dhe a do të jenë SHBA garant për këtë?

Lulzim Basha: Të garantoj se s’kam ndërmend te garantoj për punën e Sekretarit të Shtetit dhe aq më pak të Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe ambasadorit të tyre në Tiranë, por kam shumë besim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës që na kanë qëndruar pranë në momentet më të vështira të ekzistencës tonë si komb, që nga themelimi i shtetit shqiptar tek themelimi i shtetit të Kosovës, nuk do të jenë indiferentë, por do të përpiqen me të gjitha mënyrat dhe format së bashku me Bashkimin Europian të na ndihmojnë edhe në këto sfida.

Pyetje: Ju i keni informacionet nga demokratët, çfarë ndodh nëse në Sheshin Skënderbej ndodh një mbledhje e Kuvendit Kombëtar të paktën me ata përfaqësues që kanë zgjedhur të firmosin? Çfarë qëndrimi do të mbajë PD?

Lulzim Basha: Ambienti është mbushur me thashethemnaje dhe keq perceptime se Partia Demokratike është një amulli amorfe ku çfarë thotë njëri në mëngjes do të bëhet, pastaj del dikush në drejtë dhe thotë jo se do bëhet ndryshe, pastaj një tjetër në darkë.
Partia Demokratike ka rregulla të qarta.
Partia Demokratike kurrë nuk ka patur hapësirën demokratike që gëzon jo vetëm me statut, por edhe me akte dhe veprime konkrete.
Sigurisht është në një proces ndryshimi të vazhdueshëm por s’ka asnjë hapësire për keqkuptime apo për institucione paralele. Boll probleme kanë shqiptarët me institucionet paralele të serbëve në Kosovë.
Partia Demokratike është dhe do të mbetet një e vetme.

Pyetje: Nga garda mbroheni edhe ju. A nuk duhet të jeni një politikan më modest në shpenzimet duke qenë se ju e preket këtë aspekt për Gardën ndërkohë që këtë mbrojtje e merrni edhe ju?

Lulzim Basha: E para e punës kryetari i opozitës mbrohet nga Garda prej të paktën 2003-shit. Pra fake neËs se më ka dhënë mbrojtje garda mua tani është fakeneËs, është lajm i rremë.
A duhet të mbrohet kryetari i opozitës nga Garda?
S’është pyetje për mua.
Garda dhe policia e kanë për detyrë të të mbrojnë edhe ty nëse ata e gjykojnë që ka një kërcënim ndaj teje. Unë nuk merrem me ato punë. Një gjë është e sigurt: me gardë, pa gardë, gardh gojës s’i kam vënë dhe s’kam ndërmend t’i vë.

Pyetje: Gjykata Kushtetuese ka hequr pragun 10 mijë vota për deputetët që marrin vota preferenciale ndërkohë në amendamentin tuaj është po me 2/3 e listës që është e hapur. Do të jetë një listë e hapur 200% apo pjesërisht e hapur?

Lulzim Basha: Kushtetuta është një. Çdo ndryshim kushtetues shkon në një Kushtetutë. Përveçse ndonjëri mendon se mund t’i zgjidhë problemet e Shqipërisë duke i fut ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e Kosovës apo Maqedonisë së Veriut.
Përderisa është një Kushtetutë, në një kushtetutë do të bëhet çdo ndryshim.
Qëndrimin tonë për ndryshimet që kërkojmë besoj e shpjeguam. Qëndrimin tonë për atë që ata kërkojnë e shpjegova shkurtimisht, ekspertët tanë do ta shpjegojnë edhe më qartësisht. Një gjë që të mos kemi asnjë keqkuptim. Pa pikë diskutimi që Komisioni i Reformës Zgjedhore duhet të jetë i hapur dhe sa na takon ne do të jetë i hapur të shqyrtojnë çdo ndryshim që u vlen shqiptarëve përfshirë Mariglen edhe ndryshime të sistemit nëse iu vlejnë shqiptarëve.
Qëllimi i asaj pjesë të ndryshimeve kushtetuese është për të zhbërë ndryshimet e njëanshme të 30 korrikut. Ai nuk është stacioni fundor, është stacioni fillestar për të hapur rrugën për ndryshimet, gjithmonë në funksion të asaj që presin dhe meritojnë shqiptarët.

Pyetje: Ju jeni shprehur se nuk do të lejohet të mblidhet një kuvend Kombëtar por nga ana tjetër dihet se me ¼ e delegatëve mund të mblidhet. Si do e pengoni ju mbledhjen?

Lulzim Basha: As paranteza as informacionin nuk janë të sakta, kur t’i keni të sakta do të merrni përgjigjen e plotë.