Më vjen keq që të ndërpres seancën e parë të një prej komisioneve kryesore parlamentare, që është komisioni i hetimit të masakrës zgjedhore, të cilit i uroj punë të mbarë në zbardhjen e masakrës zgjedhore si një parakusht për të ecur përpara me kthimin e vendit në shinat e demokracisë dhe të legjitimitetit. Dhe pikërisht lidhur me kthimin e Shqipërisë në kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit, që sigurisht pastaj lidhet me mirëqenien e shqiptarëve, me punësimin e shqiptarëve, me çmimet e shqiptarëve, me rrogat e shqiptarëve, me fatin dhe sigurinë e tyre dhe të familjeve të tyre, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka miratuar sot vendimin për të depozituar brenda kësaj jave në Parlamentin e Shqipërisë, amendamentet kushtetuese për zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme, të Kushtetutës të 30 korrikut dhe miratimin e komisionit të reformës zgjedhore, amendamentin kushtetues për vetingun e politikanëve në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias të fundvitit 2018. Ku në përputhje siç ka konstatuar Komisioni i Venecias, qëllimi për të bërë vetingun e politikanëve për lidhjet e tyre me krimin e organizuar, për pasuritë e tyre, të familjarëve të tyre apo të ortakëve të tyre të hapura apo të fshehura, brenda apo jashtë Shqipërisë, në parajsa fiskale apo banka offshore, është një qëllim legjitim dhe respektojnë po kështu kërkesën për proporcionalitet që është pjesa e dytë e Komisionit të Venecias duke kërkuar në këtë amendament kushtetues. Venecia thotë që i gjithë parashikimi i procesit duhet bërë në Kushtetutë, në mënyrë që këtë proces ta kryejë një njësi e posaçme e strukturës së posaçme anit-korrupsion, njohur ndryshe si SPAK , që të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo deputeti, kryetari bashkie, ministri, kryeministri, kreut të shtetit, krerëve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura në raport me lidhje të papërshtatshme , pra me krimin e organizuar, pasuritë dhe ligjshmërinë e tyre në lidhje me personat vetë, familjarët e tyre dhe ortaket e tyre. Dhe amendamenti i tretë ka të bëjë me hapjen rrugë të reformës territoriale si prioritet absolut i shqiptarëve për të kthyer jo vetëm demokracinë dhe përfaqësimin lokal afër njerëzve, por për të rikthyer shërbimet e munguara dhe të shkatërruara nga një reformë që tashmë jo vetëm shqiptarët anë e mbanë vendit , por edhe institucionet ndërkombëtare, nga Këshilli i Evropës tek Bashkimi Evropian e konsiderojnë të dështuar.
Këto tre çështje janë përkthyer në një draft amendamentesh, vendimi i grupit parlamentar është që të ecet përpara me depozitimin e tyre dhe do të bëhet kështu në ditët e ardhshme për ti hapur rrugë prioriteteve të qytetarëve shqiptarë që janë: demokracia, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vetingu i politikanëve, ndarja e politikës me krimin dhe reforma territoriale për ta kthyer pushtetin vendor afër qytetarëve dhe në funksion të qytetarëve.

Pyetje: Zoti Basha, çfarë garancie keni ju që paketa e ndryshimeve kushtetuese për vetingun në politikë do të pranohet, pasi në vitin 2018 shumica e socialistëve as që e mori në konsideratë nismën tuaj duke thënë se bie ndesh me ligjin e dekriminalizimit?

Lulzim Basha: Është pikërisht Komisioni i Venecias ai që ka shtruar rrugën tashmë dhe e ka bërë të qartë se në cilën rrugë duhet ecur. Ka thënë po keshtu që Shqipëria në kushtet kur ndodhi në 2018 e jo më tani që është dhe më keq, e ka të domosdoshme vetingun e politikanëve, pra bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias që është i shkruar, është në faqen e Komisionit të Venecias, është në anglisht, mesa di unë dhe në shqip por të paktën në anglisht po. Ne kemi hartuar amendamentet kushtetuese në perputhje të plotë me opinionin e Komisionit të Venecias.

Pyetje: Vetingu i politikanëve përfshin edhe vendime përtej Shqipërisë, pra persona non grata duhet të jenë pjesë e politikës?

Lulzim Basha: Do të shikoni nga amendamentet që do të bëhen publike në momentin e depozitimit, se vetingu i politikanëve ka të bëjë me një dëshirë mbarë popullor, nga socialistë dhe demokratë, nga njerëz të thjeshtë të këtij vendi, nga të gjitha shtresat, nga elita, nga të rinjtë, nga studentët, që të kemi një politikë pa lidhje me krimin, një politikë me politikanë të cilët arrijnë të përligjin çfarëdo pasurish kanë. Pra jo një politikë të lidhur me krimin e organizuar siç kemi sot dhe të mbushur me politikanë që nuk justifikojnë dot të ardhurat dhe pasuritë e tyre.

Pyetje: A do bini në konsensus për zgjatjen e afateve të Vettingut?

Lulzim Basha: Me këtë hap ne i shërbejmë prioriteteve të shqiptarëve. Asnjë nga këto tre çështjet që përmenda, nuk është një favor ndaj Partisë Demokratike, apo ndaj opozitës. Po të ishte për çështje pragmatike, ka shumë çështje të tjera që do të çonim të parat. Por ne e kemi thënë, unë e kam thënë, e përsëris edhe sot: jemi aty në atë Kuvend, edhe pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, me një dhe një qëllim, që me fuqinë që na dhanë shqiptarët, që se ndali dot masakra zgjedhore, ndonëse ndali ndryshimin, të rikthejmë vendin në shinat e demokracisë, legjitimitetit, pa të cilin nuk mund të ketë as mirëqenie, as punësim, as luftë kundër varfërisë, as ndalje të emigracionit të të rinjve. Dhe për këtë arsye ne do të çojmë përpara agjendën tonë të këtyre ndryshimeve që u shërbejnë shqiptarëve. Këto janë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, jo për Partinë Demokratike.

Pyetje: Zoti Basha, a është ndryshimi i sistemit zgjedhor, pjesë e amendamenteve kushtetuese të Partisë Demokratike?

Lulzim Basha: Padiskutim, kthimi i ndryshimeve të njëanshme të 30 korrikut është një hap i kësaj pakete, sikundër Komisioni Zgjedhor i cili do të formohet pas depozitimit të kërkesës tonë, ka për detyrë pastaj që në konsultim me shqiptarët, të shtrojë rrugën përpara për gjithë çështjet e tjera që kanë të bëjnë edhe me sistemin zgjedhor.

Pyetje: Zoti Basha, vettingu i politikanëve është një kërkesë që demokratët e kanë vendosur si kusht për të plotësuar ndaj socialistëve, përderisa ata do t’u kërkojnë sërish votat për çështjen e vettingut, për zgjatjen e afateve…

Lulzim Basha: Nuk bëjmë Pazar dhe nuk futemi për pazar. Këto janë çështje të rëndësishme për shqiptarët. Rikthimi i institucionit të votës së lirë pa të cilën nuk ka demokraci, do të thotë nuk ka mirëqenie, nuk ka zhvillim, por ka vetëm emigracion, papunësi, varfëri. Është çështje e shqiptarëve, jo e Partisë Demokratike, s’mund të jetë çështje pazari. Vettingu i politikanëve do të thotë pastrimi i politikës, nga personat që kanë lidhje me krimin e organizuar apo janë të korruptuar. Është interesi më i mirë i shqiptarëve, nuk është çështje thjesht e Partisë Demokratike. Reforma territoriale është çështje e shqiptarëve, nuk është çështje thjeshtë e Partisë Demokratike.

Pyetje: Zoti Basha, ju deklaruat se këto amendamente i keni kaluar sot në mbledhje, por a nuk duhet t’i diskutonit më gjatë me deputetët? I referohem edhe deklaratës së zotit Spaho, i cili theksoi në mbledhje që këto amendamente duhet të diskutohen edhe në forumet e partisë?

Lulzim Basha: Praktikat që Partia Demokratike ndjek për çështje të propozimeve ligjore, janë të mirëkonsoliduara dhe të mirënjohura nga gjithkush.

Faleminderit!

https://youtu.be/Uf5ybos8VbA