Të rinjtë profesionistë që punojnë kamarierë-Bardhi: Kemi një plan mbështetje, pas 25 prillit kushte për punë e jetë normale

Elbasani ka disa shkolla profesionale, që megjithë vështirësitë e mungesat, përgatisin çdo vit qindra profesionistë dhe zanatçinj në fusha të ndryshme. Problemi është se aftësitë e fituara, shumë të rinj nuk kanë ku t’i vënë në jetë, sepse nuk ka vende pune, biznesi është tkurrur, dhe ata nuk kanë një mbështetje nga qeveria për të nisur një aktivitet të tyrin.

Ndaj gjen jo pak prej tyre që bëjnë kamarierin.

Drejtuesi Politik, Gazment Bardhi u takua me një grup të rinjsh që kanë mbaruar në degë të ndryshme, si mekaninë, elektrike, hoteleri turizëm, hidrauilke, apo muzike.

Nertila Avdiu ka kryer shkollën e mesme për hoteleri turizëm, dhe thotë se ajo zgjodhi arsimimin profesional për shkak të vështirësive që kishte familja për të përballuar universitetin, edhe pse kishte rezultate të mira.

Ajo po punon në një restorant si guzhiniere, po do të donte të hapte një gjë të sajën.

“Ju jeni profesinistë që trokisni në treg, po për fat të keq, nuk gjeni shumë mundësi, sepse biznesi është në gjendje të vështirë dhe prej mungesës së mbështetjes dhe goditjes nga taksidarët, janë shkurtuar vende pune. Aktualisht nuk ka asnjë përkrahje. Por ne, pas 25 prillit do të vëmë në jetë planin tonë, që sjell stimulim të sipërmarrjeve të reja, përmes skemave të financimit që do i sigurojë qeveria”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se me lindjen e bizneseve të reja, rritet mirëqënia dhe ekonomia për të gjithë pasi krijohen vende pune, dhe shtohet konsumi.
Shumë prje këtyre të rinjve si Xhesjani, Doraldi janë votues për herë të parë dhe duan të dinë përse ata duhet ta zgjedhin PD-në me 25 Prill.

“Unë nuk kam ardhur këtu që të gënjej, të marr një mandat, dhe pastaj të iki në një qark tjetër. Pas 4 vitesh do të jap llogari paraj jush për punën që kam bërë. Ne nuk kemi premtime, kemi angazhime konkrete. Nuk do të sjellim mrekulli, por do të sjellim normalitet. Një vend ku çdokush, çdo i ri të ketë mundësi për një punë e jetë normale”, u shpreh Bardhi, i cili ndau me ta edhe konceptin e shtetit, që sipas tij nuk është burgosja e një të pamunduri që rregullon çatinë, por goditja e të fortëve, dhe arrestimi i ministrave, kushdo qofshin, nëse ata do të vjedhin.