• Kryetari i PS nuk dha përgjigje në mbledhjen e Këshillit Politik se kur miratohet pa ndryshime Marrëveshja e 5 Qershorit.

 

  • Nuk kemi kërkuar kohë. I dhamë kohë kryeministrit të na thotë se kur do ta miratojë marrëveshjen.

 

  • PS na pohoi se do të duhet të rihapim dhe njëherë çështje, për të cilat kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit.

 

  • Për PD dhe opozitën e bashkuar është e papranueshme ndryshimi i Marrëveshjes pas dakordësisë së 5 Qershorit.

 

  • Çështja e respektimit të Marrëveshjes së 5 Qershorit është kusht për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE.

 

 

DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI PAS MBLEDHJES SË KËSHILLIT POLITIK.

 

 

Siç jeni në dijeni, për 6 muaj, që nga data 14 Janar, Këshilli Politik ka qenë në një punë të vijueshme për të dakordësuar çështjet që lidhen me zgjedhjet.

 

Në 5 Qershor të gjitha palët politike kanë nënshkruar një marrëveshje politike, e cila është kthyer në draftligj që pret miratimin nga Parlamenti dhe ne sot, në pikë të parë, i kërkuam informacion kryetarit të Partisë Socialiste mbi angazhimin e tij për miratimin pa ndryshime të kësaj marrëveshje në Kuvend, se kur do të ndodhë pikërisht miratimi i Marrëveshjes së 5 Qershorit.

 

Nuk kemi marrë përgjigje gjatë takimit se kur votohet pa ndryshime, ashtu siç është angazhimi në marrëveshjen politike të 14 Janarit dhe në marrëveshjen politike të 5 Qershorit, nga ana e kryetarit të PS.

 

Së dyti, dua të konfirmoj që opozita e bashkuar i qëndron marrëveshjes së 5 Qershorit. Siç ju e dini, nga ajo marrëveshje, të gjitha palët, nuk morën gjithçka kërkuan, mirëpo ishte një marrëveshje konsensuale, e cila u mbështet dhe u ndërmjetësua me garanci nga partnerët tanë strategjikë.

 

Sot, na u konfirmua që do të duhet të rihapim dhe njëherë çështje, për të cilat kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 qershorit.

 

Apeli ynë, edhe gjatë mbledhjes, ishte që ne nuk mund të hedhim në kosh një punë 6 mujore të Këshillit Politik. Përfaqësuesit e të gjithë partive politike, përfaqësuesit e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kanë shpenzuar ditë të tëra pune dhe kanë arritur në një produkt të përbashkët. Nuk mundemi që, pas 6 muajsh, pasi kemi firmosur, të themi “kemi ndryshuar mendje dhe do të duhet të rihapim çështjen”.

 

Kuptuam dhe na u pohua që PS kërkon të rihapë çështjet për të cilat ne kemi rënë dakord. Imagjinoni, Pra, 1 orë diskutimi i parë në Këshillin Politik, u kthyem prapë tek administrata zgjedhore, pra, kush do të administrojë zgjedhjet, do të depolitizohen apo jo komisionet. Ne kemi bërë një diskutim, kemi qenë seriozë në këtë proces. Kërkojmë edhe nga palët e tjera që kanë firmosur marrëveshjen e 5 Qershorit të jenë seriozë në këtë proces.

 

Dua të ndaj edhe një apel të fundit.

 

Siç ju e dini, çështja e respektimit të Marrëveshjes së 5 Qershorit nuk është më vetëm një çështje e brendshme. Është kusht për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE. Ka një apel të të gjithë faktorit ndërkombëtar për të respektuar, ruajtur dhe për të mos prekur marrëveshjen e 5 Qershorit.

 

Ne i qëndrojmë këtij angazhimi, do të duhet që edhe palët e tjera t’i qëndrojnë këtij angazhimi.

 

Ajo që na u pohua në takim që ne themi “kjo të miratohet siç është, por, ndërkohë do të duhet të reflektojmë ca gjëra që na detyrohen apo që na diktohen nga ndryshimet e njëanshme që ne duam”, për ne është e papranueshme, sepse kemi harxhuar 6 muaj në një punë konsensuale, kemi gjetur dakordësinë. Një parti politike, e cila firmos një marrëveshje, do të duhet t’i qëndrojë marëveshjes.

 

Pyetje: Kryeministri tha se keni kërkuar kohë, për çfarë keni kërkuar kohë?

 

Gazment Bardhi: Jo, ne nuk i kemi kërkuar kohë. Ne i kemi dhënë kohë Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste që të na informojë, zyrtarisht, se kur do të kalojë për miratim, pa ndryshime, ashtu siç është zotuar në dy marrëveshje politike, në 14 Janar dhe në 5 Qershor, marrëveshja apo Kodi që ne kemi bërë, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së 5 Qershorit.

 

Besoj se edhe ju e dini që nuk ka një datë ende se kur do të miratohet nga Parlamenti marrëveshja e dakordësuar mes palëve dhe që është produkt i një pune 6 mujore e përfaqësuesve tanë dhe i përfaqësuesve të Partisë Socialiste në Këshillin Politik.

 

Për këtë i kemi dhënë kohë Kryeministrit dhe po presim një përgjigje prej tyre se kur miratohet pa ndryshime të tjera të njëanshme që minojnë marrëveshjen dhe dakordësinë e parë, marrëveshja e 5 Qershorit.

 

Ky ka qenë apeli ynë gjatë qëndrimit tonë pas mbledhjes. Ripërsëris se kuptuam që qëndrimi është të rihapim edhe një herë çështje, të cilat i kemi dakordësuar në marrëveshjen e 5 Qershorit.

 

Kjo nuk është serioze. Nuk është serioze as për punën që kanë bërë përfaqësuesit e çdo partie politike në Këshillin Politik.