·         Kur shteti kthehet në dhunues të ligjit, siç po ndodh tek Astiri, qytetarëve u lind e drejta të kërkojnë të drejtën e tyre për të zmbrapsur të keqen.

·         Duhet shembur frika. Qeveria nuk ka pranga për të gjithë popullin. Nëse rinia ngrihet kundër padrejtësisë, e keqja merr goditje vdekjeprurëse.

·         Rinia, prioriteti absolut i Partisë Demokratike. Ikja e trurit fatkeqësi, duhet të rikthehen të rinjtë e të investojnë në Shqipëri.

·         PD plan konkret për të rinjtë, trajnim profesional të studimeve, stazhe gjatë studimit, një periudhë 1-vjeçare e investuar nga shteti pas studimeve.
 

NJOFTIM MBI TAKIMIN E KRYETARIT LULZIM BASHA ME TË RINJTË NË BERAT

Në një bashkëbisedim me të rinjtë në Berat, lideri i opozitës u bëri thirrje të rinjve të bashkohen me opozitën, të ngrenë zërin kundër të keqes që po drejton vendin.

“Një shoqëri e lirë reagon, kur i bëhet një padrejtësi. Kur shteti kthehet në dhunues të ligjit, siç po ndodh tek Astiri, qytetarëve u lind e drejta të kërkojnë të drejtën e tyre për të zmbrapsur të keqen’, tha ai.

Basha teksa u kujtoi të rinjve se Shqipëria vuajti nga një diktaturë e egër prej 50 vitesh, theksoi se ajo sundoi duke përdorur frikën tek populli.

“Diktatura më e egër në Europë u dorëzua përballë bashkimit të qytetarëve. Të çohemi e të bashkohemi. Sikur vetëm rinia e Beratit të çohet, të jeni të sigurt se e keqja merr goditje vdekjeprurëse. Nuk ka mjaftueshëm pranga për të gjithë popullin, nuk ka mjaftueshëm policë për të gjithë popullin, nuk ka mjaftueshëm qeli për të gjithë popullin”- u shpreh lideri i opozitës në takimin me të rinjtë në Berat.

Lulzim Basha garantoi të rinjtë se, në kontrast të thellë me ata që qeverisin sot, atij dhe PD nuk i mungon as plani, as vizioni, as vullneti për ta kthyer çështjen e rinisë si prioritetin absolut të qeverisë së ardhshme të PD.

Një pyetje që tërhoqi vëmendjen gjatë bashkëbisedimit, ishte ajo e Siera Skendos, studente e së Drejtës Ndërkombëtare në vitin e tretë, në Universitetin e Hagës.

 “Ndryshe nga parafolësit e mi, tha ajo, unë e mora hapin e madh, vendosa të largohesha nga Shqipëria. Të them të drejtën nuk e pashë të ardhmen time këtu dhe të jem e sinqertë ende nuk e shoh, çdo ditë e më keq madje, megjithatë jam e bindur se nën drejtimin tuaj, si unë edhe shumë të tjerë,do të duan të kthehen, sepse do të ketë rast për të gjithë ata që kanë studiuar jashtë, që do të duan të bëjnë ndryshimin e tyre. Kështu që në këtë kuadër, pyetja ime është: Cilat janë disa nga politikat apo disa nga reformat që do të ndërmerrni ju, në mënyrë që edhe studentët që kanë studiuar jashtë e ndoshta nuk e shohin ende jetën e tyre në Shqipëri, të kthehen dhe të kontribuojnë për vendin e tyre?

“Trajnim profesional të studimeve, stazhe gjatë studimit, një periudhë 1-vjeçare e investuar nga shteti pas studimeve. Janë mbyllur 250 shkolla, tarifat e universiteteve janë në nivele europiane, por jo në cilësi europiane. Kjo është një vjedhje që i bëhet te ardhmes suaj”, tha Basha.

Kryetari i opozitës theksoi se mundësia që i është dhënë Sierës për të studiuar në Hagë, duhet t’u jepet edhe shumë të rinjve të tjerë, por më pas të kthehen për të kontribuar me dijen dhe mentalitetin europian në Shqipëri, sepse e kundërta, largimi i trurit do të ishte fatkeqësi, tha Basha.

“Që të ndodhë kjo, së pari duhet të kemi një ekonomi në rritje, duhet të kemi një ekonomi që ofron mundësi shanse, oportunitete, për njerëzit me talente, me profesione dhe me dëshirën për të konkurruar në rrugë të ndershme në tregun e punës. Këtë nuk e kemi sot” tha Basha.

Ai e vlerësoi ekonominë në krizë. ​

“Sot kemi një ekonomi që nuk prodhon, sot kemi një ekonomi që as investitorët vendas, as investitorët e huaj nuk janë të gatshëm që të investojnë paratë e tyre, sepse është realisht një piramidë. Një piramidë që ka papritur një boom ndërtimesh, që nuk justifikohet nga kërkesa, por justifikohet vetëm nga paraja kriminale, pra është një proces i pastrimit të parave të pisëta, po justifikohet nga skemat korruptive, sic janë këto koncesionet – 10 koncesiione që kushtojnë sa gjysma e buxhetit të shtetit, diku 2 miliardë euro – ndërkohë që sektorë të rëndësishëm të rritjes ekonomike, që po punësojnë mijra të rinj, në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi e në Serbi, në Shqipëri mbeten në nivele primitive”, tha ai.

Basha riktheksoi se asnjë investitor nuk mund të drejtojë vëmendjen nga Shqipëria për sa kohë taksat janë 15 përqind dhe fqinjët tanë si Maqedonia dhe Mali i Zi taksat i ka shumë më të ulëta, 9 përqind.

“Kemi një ekonomi që as investitorët vendas, as investitorët e huaj nuk janë të gatshëm që të investojnë paratë e tyre, sepse është realisht një piramidë”, tha ai.

Ikja masive e të rinjve, profesionistëve, mjekëve ndodh për shkak të pagave të ulëta, mungesës së vëmendjes së qeverisë për qytetarët e saj, pasi kjo qeveri nuk ka ardhur për t’i shërbyer qytetarëve, tha Basha, por krimit.