·        Paratë e përfituara nga trafiku kriminal i drogës janë kërcënim i jashtëzakonshëm për stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit. 

·        Hetimet duhet të shtrihen aty ku pastrohen paratë e krimit dhe drogës, në çdo sektor të ekonomisë, përfshirë Bashkinë e Tiranës, lavatriçen kryesore të pastrimit të parave të pista.  

·        Është iluzion se njeriu që ktheu Shqipërinë në një bazë europiane të trafikimit të drogës, do ta zgjidhë problemin. Ai zgjidhet vetëm duke larguar shkaktarin, Edi Ramën.  

Deklarata e plotë e Kryetarit të PD, Lulzim Basha, pas mbledhjes së grupit parlamentar. 

Prej gjashtë muajsh kam paralajmëruar se Shqipëria me Edi Ramën po kalon nga kanabisi, tek heroina dhe kokaina. Dhe ja ku u vërtetua. Ngarkesa e djeshme, që është lajm europian dhe botëror, 613 kg heroinë, vërteton që atë që opozita dhe unë kemi thënë vazhdimisht. Kanabisi ishte vetëm fillimi! Tani heroina dhe kokaina janë dy aktivitete kryesore, kriminale, të krimit të organizuar shqiptar. Po ashtu, kemi paralajmëruar se krimi, politika dhe biznesi janë bërë një. Dhe kjo vërtetohet jo vetëm nga biznesmeni që bënte tregtinë e kokainës me Kolumbinë, por edhe nga fakti i pranuar nga të gjithë, se një sasi e tillë kokaine nuk mund të kalonte në Shqipëri pa garanci politike, pa mbështetje politike të nivelit më të lartë. Paratë e përfituara nga trafiku kriminal i drogës, janë një kërcënim i jashtëzakonshëm për stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit. Vlera e kësaj sasie droge është 180 mln euro. Ku do të pastrohen këto para? Së pari në lavatriçen e madhe të pastrimit të parave të pista, në Bashkinë e Tiranës, e cila ka dyfishuar numrin e lejeve të ndërtimit, ka më shumë se dyfishuar sipërfaqen e ndërtimit, pas bumit të drogës së vitit 2016.

Prandaj hetimi dhe vëmendja ligjore e prokurorisë, vëmendja politike dhe e çdokujt që shqetësohet për fatin e vendit, nuk mund të jetë thjeshtë dhe vetëm tek parcelat e kanabisit apo vetëm tek kontenierët e heroinës dhe kokainës, por duhet të kthehen, aty ku po pastrohen paratë e krimit, në Bashkinë e Tiranës që është lavatriçja kryesore e pastrimit të parave të pista, parave të drogës dhe në të gjithë sektorët e tjerë, ku po pastrohen miliona Euro, të cilat faktikisht po shkatërrojnë ekonominë, sepse në këtë vend nuk prodhohet më asgjë dhe nuk eksportohet më asgjë përveçse drogës.

Dhe kjo është arsyeja se përse ekonomia është në kolaps, vendet e punës po mbyllen dhe kemi gjithmonë e më shumë familje në varfëri ekstreme, sepse ekonomia nuk mund të funksionojë, kur aktiviteti më i madh fitimprurës dhe eksporti më i madh i vendit është droga. Cili aktivitet ekonomik mund të konkurojë drogën? Më thoni, cilët njerëz mund të jetojnë me punë të ndershme në një vend ku prodhimi më i madh në vend është kultivimi dhe trafiku i drogës?

Kjo vërteton edhe një herë atë që raportet ndërkombëtare të BE dhe SHBA e kanë thënë, që Shqipëria është kthyer në bazën e furnizimit të Europës me drogë.

Shikoni çfarë a ndodhur. Ka marrë 97 ngarkesa nga Kolumbia, ky biznesmen. Droga vinte nga Kolumbia, kokaina vinte nga Kolumbia, siç vjen heroina nga Azia, dhe Shqipëria shërben si bazë për përpunimin, paketimin, pastaj dërgimin drejt Gjermanisë, të vendeve të BE-së.

Këtë kemi patur parasysh kur kemi paralajmëruar se me Edi Ramën është kthyer në një bazë të krimit të organizuar dhe tashmë nuk është opozita, është Departamenti i Shtetit, është EUROPOL-i, që po thonë se kjo qeverisje e ka kthyer Shqipërinë në një bazë të krimit të organizuar në të gjithë Europën. Një strehë të sigurt të krimit të organizuar për të gjithë europën.

Natyrisht, si në rastin e Xibrakës, edhe në këtë rast është arrestuar shoferi, por jo bosët, aq më pak peshqit e mëdhenj dhe nuk mund të arrestohen për sa kohë që në krye të qeverisjes është Edi Rama.

Është iluzion që ky njeri që solli Shqipërinë  në këtë pikë, e ktheu në një bazë europiane të trafikimit të drogës, do ta zgjidhë problemin.

Problemi do të zgjidhet vetëm duke larguar atë që shkaktoi problemin, që është Edi Rama.

Mund të vazhdohet të kapet sasi droge. St janë kapur në Itali 5 ton. Përflitet që ka figura që kanë pasur pozicione të larta në policinë e shtetit midis të arrestuarve, pritet të konfirmohet, por droga që kapet në Itali dhe ndonjë rast që kapet në Shqipëri, përbën 1/10 e drogës që vazhdon, kokainë, heroinë dhe pastrim i parave.

Dhe kjo situatë nuk do të marrë fund, do të vazhdojë me një impakt të tmerrshëm, duke shkatërruar ekonominë tonë, duke shkatërruar shoqërinë tonë, duke e vënë sistemin politik në duart e kriminelëve, sepse zgjedhjet janë në duart e kriminelëve, për sa kohë kemi Edi Ramën kryeministër.

Zgjidhja e vetme është largimi i tij.