• Vettingu duhet të nisë nga Ministri i Brendshëm. Kjo është provë për seriozitetin e luftës kundër krimit.
  • Vëllai i Ministrit të Brendshëm njihet si një nga faktorët kryesorë të narkotikës në qytetin e Vlorës.
  • Vettingu në polici nuk do të funksionojë, sepse kriminalizimi i saj në nivelet më të larta është plani personal i Edi Ramës.
  • Në 2013-ën shkarkoi 403 policë dhe i zëvendësoi me të larguar nga policia si të korruptuar dhe të lidhur me krimin. 

Fjala e plotë e Kryetarit të PD, Lulzim Basha, në Parlament.

Sot është një ditë e ngarkuar, sapo është larguar Presidenti i Komisionit Europian dhe komisioneri Hahn, me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një takim të gjatë dhe shumë produktiv. Dhe ndërkohë ka përfunduar konferencën për shtyp kryeprokurori i Antimafias i cili viziton Shqipërinë.

Parafolësit e maxhorancës, duke përfshirë edhe propozuesin e këtij ligji kanë dy orë që po i thonë shqiptarëve, policia është në nivele të shkëlqyeshme, bashkëpunimi me Italinë dhe vende të tjera të Europës është si kurrë më parë, policia që ju latë ishte në gjendje të mjerueshme.

Po pikërisht ,ndërkohë që sot që flitet me një skizofreni të plotë politike dhe individuale nga parafolësit e maxhorancës, kryeprokurori italian ka thënë tre fjalë të thjeshta: Mafia ka pushtuar policinë.

Ia ka thënë Ministrit të Brendshëm në zyrë dhe e ka thënë dhe ne konferencë për shtyp. Mafia shqiptare ka lidhje me politikën dhe ka pushtuar policinë.

Me siguri shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë mundësi ta ndjekin, po thonë: S’po na thua ndonjë gjë të re.

Se nuk ka shqiptarë, europiane apo amerikanë, të besojë atë që thuhet sot nga kjo sallë; se policia është në rregull, po prapë se prapë na duhet vetingu.

Çfarë është vetingu?

Është mbledhja në një ligj e normave dhe rregullave që ekzistojnë për të pamundësuar që zyrtarë të lartë të policisë të emërojnë njerëz me precedentë penalë, bashkëpunëtorë të krimit, njerëz të cilët janë larguar nga policia pasi janë faktuar si lidhje të krimit të organizuar dhe narkotrafikut.

Të gjitha këto norma kanë ekzistuar dhe ekzistojnë dhe siç u shpalos këtu me fakte nuk është hera e parë që flitet për vetingun; z. Vasili përmendi vitin e kaluar, nuk është as hera e dytë, është e treta herë në pesë vite që Edi Rama flet për vetingun e policisë.

Megjithatë ne nuk kemi asgjë kundër që të miratojmë të gjitha këto norma si një ligj, ndonëse nuk ka asnjë nga këto norma që nuk ekzistojnë tashmë në ligjet dhe rregulloret përkatëse, të gjitha ekzistojnë por nuk zbatohen. Siç nuk zbatohet strategjia për luftën kundër krimit të organizuar, siç nuk zbatohet strategjia për luftën kundër drogës.

Nuk është problemi se Edi Rama, Saimir Tahiri apo Fatmir Xhafa nuk kanë pasur strategji dhe ligje, i kanë pasur të gjitha, me bollëk dhe me tepri. Nuk ka vend në Ballkan të ketë më shumë ligje, strategjia, për luftën kundër krimit, drogës dhe mafias sesa Shqipëria.

Po nuk ka vend në Ballkan dhe në Europë ku kryeministri dhe qeveria të jenë më të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi sesa Shqipëria.

Nuk ka vend në Europë ta ketë kthyer drogën dhe prodhimin në eksportin e saj kryesor sesa Shqipëria.

Nuk ka vend në Europë si Shqipëria ku policia, e tëra, u kthye në një organizatë kriminale në funksion të drogës dhe krimit me urdhër të Ministrit të Brendshëm dhe mbështetjen e kryeministrit,.

Të gjithë e dimë si kemi ardhur këtu, jo për shkak të  korrupsionit të policit roje në Ersekë, por për shkak të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të faktuar nga Antimafia italiane si bashkëpunëtor i krimit të organizuar, i trafikut të drogës dhe të armëve, të zëvendësuar nga një tjetër person i cili përtej lustrimeve nuk i shpëton dot faktit se është i denoncuar nga dy persona të gjallë e jo të vdekur, si torturues në kohën e komunizmit, një çështje jo më pak sesa hetimi i të rinjve që kishin pirë një gota raki kur vdiq Enver Hoxha.

Një person i cili nuk ka përgjigje se pse si bashkautor i reformës në drejtësi, një gjyqtar mund ta largojnë dhe me të drejta ta largojnë, nëse një gjyqtar kapet në fotografi me një person  me rekorde kriminale; kur vetë vëlla i ministrit të Brendshëm është i dënuar me vendim i formës së prerë në Bolonja me vendim të Gjykatës së Lartë të Italisë për trafik heroine dhe i shpëton dënimit vetëm falë manipulimit të Kodit Penal dhe bredh i lirë, ndërkohë që të gjithë e dinë se është  një nga faktorët kryesorë të narkotikës në qytetin e Vlorës.

Zonja dhe zotërinj,

Ne kemi propozuar një zgjidhje, nga ana teknike t’i grumbullojmë këto rregulla. Por këto rregulla janë një vrimë në ujë nëse kërkohet vettingu i policit roje në Ersekë dhe në krye të Ministrisë së Brendshme qëndrojnë njerëz pa vetting të lidhur drejtpërdrejt me fije të dukshme dhe të padukshme me krimin e organizuar si, Ministri, zëvendësminitrat, drejtori i pastrimit të parave me Ministrinë e Financave dhe shumë drejtorë të tjerë.

Kjo është dilema që duhet të zgjidhim sot. Doni ju vetting? Përfshiheni amendamentin tonë. Votojeni, që si pjesë e vettingut të policisë së shtetit këtej e tutje të bëhet një vetting i thelluar i Ministrit të Brendshëm, i zv/ministrave të brendshëm, i drejtorit të SHGB-së, i drejtorit të pastrimit të parave dhe të gjithë drejtorëve të tjerë të rëndësishëm në luftën kundër krimit, që këto pesë vite, Edi Rama e ka kthyer në dasmën e krimit të organizuar.

Zonja dhe zotërinj,

Çfarë ka ndodhur këtu, është fare e qartë.

Ky ka qenë një projekt personal i Edi Ramës. Krijoi policinë e tij personale, duke emëruar Ministrin e Brendshëm, një njeri që me vetëdije ishte pjesë e realizimit të këtij plani, Sajmir Tahirin.

Nuk kishte asnjë përvojë profesionale, asnjë formim të shëndoshë dhe një sërë dobësish dhe problemesh personale që e bënin të varur jo vetëm nga Rama në politikë, por lehtësisht të përdorshëm për çdo aktivitet jashtëligjor.

E provoi Edi Rama në 2013-ën, sepse e vendosi koordinator kombëtar për koordinimin e aktivitetit të Partisë Socialiste me krimin e organizuar dhe grabitjen e votave, gjatë zgjedhjeve të vitit 2013.

Prandaj e gradoi dhe e bëri Ministër të Brendshëm, sepse e provoi.

Siç ka provuar edhe Komisioni Hetimor Parlamentar i legjislaturës së kaluar, menjëherë pas ardhjes në krye të policisë në tre javë u bë i ashtuquajturi ristrukturim, i cili largoi plotë 403 punonjës karriere duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm, 16 drejtues të parë, 25 drejtues, 97 kryekomisarë dhe 74 komisarë, duke i zëvendësuar me persona që i kishin larguar qeveritë pararendëse socialiste, si njerëz të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Të faktuar si të tillë nga misionet ndërkombëtare. Ajo çka ndodhi më pas, dihet! Policia e kapur dhe e inkriminuar ndërmori aksionet kryesore. “Fundi i marrëzisë”, qëllimi i vërtetë i lojërave të fatit, qëllimi i vërtetë, rikonfigurimi i sektorit, konçesioni i monitorimit i cili përfundoi në duart e vëllait të kryeministrit.

Aksioni i dytë, sulmi në Lazarat. “Ta pastrojmë Lazaratin”, “Ta shkatërrojmë burimin e prodhimit”, por jo, qëllim kishte vendosjen e të gjitha burimeve të drogës nën kontrollin personal të Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit. U mbyll Lazarati, u bë Shqipëria Lazarat.

Policia, nuk kishte rrugë tjetër, përveç se të braktiste luftën kundër drogës ose të pushohej nga puna. Ndodhi kjo e para.

Aktiviteti i tretë i policisë, me urdhër të Edi Ramës ishte mbrojtja e kriminelëve, e në veçanti e atyre që kishte futur në politikë, këtu në këtë sallë. 1/3 i kishte kriminelë ose biznesmenë me interesa të dyshimta kriminale. Fshehjen e urdhërave ndërkombëtarë nga INTERPOL-i, kush e ka harruar? Kush e di që kjo nuk bëhet pa urdhërin e kryeministrit?

Së katërti, e përdori policinë hajdutërisht për të ushtruar trysni ndaj njerëzve, bizneseve, pronave, për të krijuar një klimë psikologjike të rënduar terrori nën parrullën “Të bëjmë shtet”, për të shkelur çdo të drejtë dhe liri elementare të qytetarëve.

Gjatë gjithë kësaj kohe, shndërrimi i policisë në një repart që mbillte dhe mbronte drogën e mbjellur.

Mbrojtjes së kriminelëve që ishin këtu në këtë parlament dhe janë akoma kryetarë bashkishë.

Terrorin ndaj qyetarëve gjatë gjithë kësaj kohe e mbrojti me pathos Sajmir Tahirin dhe nuk e largoi derisa presioni i faktorit ndërkombëtar u bë i papërballueshëm, me shpresën se do ta riciklonte, shpresë të cilën ia dogji antimafia italiane dhe e zëvendësoi me një person i cili sot na sjell ligjin për vettingun. Nuk ka vetting dhe nuk do të ketë vetting në policinë e shtetit, nuk ka dhe nuk do të ketë luftë ndaj krimit të organizuar, pa luftuar autorët dhe arkitektët, duke nisur me Edi Ramën, duke nisur me Ministrin e Brendshëm që është në konflikt interesi me zbatimin e ligjit dhe luftën kundër krimit, dhe çdo person tjetër politik që bën pjesë në kupolën kriminale, duke çliruar Partinë Socialiste, politikën dhe Shqipërinë, nga krimi i organizuar dhe efektet shkatërruese për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Replika e Kryetarit të PD, Lulzim Basha, me Ministrin e Brendshëm:

Fatmir, unë e kuptoj që ti shkollën e ke bërë në kohë të komunizmit, hetues ke qenë në Krujë në kohë të Enver Hoxhës, për hesap të Enver Hoxhës ke bërë hetime të tjera, harroje se mund të na impresionosh.

Ti vetëm tregon që je pjesë e problemit, nuk mund të jesh kurrë pjesë e zgjidhjes. Lëri dërdëllimat! E ke fare të thjeshtë! Fut në ligj vettingun e Ministrit. Mos bëj si gardian i Kushtetutës, se ti ke shkelur Kushtetutën për të emëruar pa vetting Prokurorin e Përgjithshëm, pikërisht që të mbyllësh çështjen e vëllait tënd dhe të Saimir Tahirit.

Ti ke ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, që yt vëlla të mos ekstradohet. Eja këtu dhe jep përgjigje!

Por nuk ke si të japësh përgjigje, se, njësoj si Saimir Tahiri, je vendosur aty Ministër i Brendshëm me cen, që të të kontrollojë kapobanda. (tregon nga vendi i Ramës) Natyrisht, nuk ta mohoj, edhe ti e kontrollon kapobandën, se të gjithë e dimë çfarë materialesh kompromentuese ke për të. Problem është se ky është sistemi mafioz që të tha sot kryeprokurori i Antimafias.

Si do ta shembim ne këtë sistem mafioz?

Duke bërë vetting për policing roje në Ersekë e duke të lënë ty në krye të Ministrisë së Brendshme?

A ka shqiptar që e beson se kështu do të luftohet mafia, duke vënë figurat kryesore të mafias për të bërë vettingun e policisë?

Prandaj, as mos u skuq as mos u zverdh.

Prano amendamentin e opozitës sot, Ministri i Brendshëm të jetë i pari që vettohet. Le ta votojmë bashkarisht këtu. Jepu një provë shqiptarëve si e paske me të vërtetë luftën kundër krimit. Jepu provën tjetër! Shko arresto paraardhësin tënd dhe jep llogari për tët vëlla pse gjezdis i lirë, kur është i dënuar për 8 vjet e dy muaj me vendim të formës së prerë për trafik heroine. Pa bërë keto, as nuk impresionon njeri, as nuk i bën përshtypje njeriu ato që thua, por tregohesh se je pjesë e faqes së zezë dhe pengesës kryesore për Shqipërinë Europiane.

Sa i përket kontrollit tim dhe familjes sime, është bërë me dhjetëra herë. Bëjeni me qindra herë! Një gjë të garantoj, çdo qindrakë, çdo akt i imi dhe familjes sime ka qenë dhe është në transparencën e insitucioneve të vendit dhe të insitucioneve europiane dhe ndërkombëtare. Dhe nuk do të gjesh asnjëherë aty, as drogë, as krim , as pastrim parash. Prandaj, hiq dorë nga metodat e Sigurimit të Shtetit! Nuk e impresionon dot Lulzim Bashën! Asnjë nga këta burra e gra të opozitës, se janë të gjithë të pastër nga i pari tek i fundit, ka qenë kriteri kryesor i listës sime, dhe shiko kriminelët dhe biznesmenët me interesa kriminale me të cilët ti dhe shefi yt drekoni dhe darkoni nga mëngjesi në darkë.