FJALA E DREJTUESIT TË DEP. TË EKONOMISË NË PD, DORIAN TELITI NË TAKIMIN “BURSA RAMA E NAFTËS – 10 ABUZIME, 1 ZGJIDHJE”
Çdo gjë pothuajse lidhet me naftën dhe me çmimet e saj. Por ky gjak është helmuar nga vendimmarrjet po aq gjakftohta dhe të qëllimshme të mazhorancës socialiste. Nuk ekziston asnjë vend në botë ku pjesa dërrmuese e çmimit të një produkti të përbëhet nga taksa. Taksat do të ekzistojnë, pa diskutim që po, por taksa duhet të jetë e drejtë, proporcionale me kushtet dhe realitetin, dhe në masën e duhur. Edhe vendet e tjera e taksojnë taksinë; marrim vendet e OECD-së, lëvizin nga 35 deri në 45%. Shqipëria jo, 60%.
Kjo e bën Shqipërinë, ndoshta, i vetmi vend në botë ku një produkt jetik për ekonominë, i cili ka një efekt zinxhir në çmimet e shportës së mallrave dhe konsumit, po ashtu edhe të mallrave të tjera jo të konsumit, taksohet në mënyrë kaq të rëndë, ku më shumë se gjysma e vlerës merret nga taksat. E thënë ndryshe, mijëra njerëz që e prodhojnë dhe e nxjerrin nga toka në një vend X, që e fusin në barilet, e transportojnë me anije të mëdha, e çojnë në rafineritë për ta përpunuar, e mbushin përsëri nëpër anije dhe kargo, e sjellin në Shqipëri me kosto marramendëse transporti, e shpërndajnë në pikat e karburantit dhe përfitojnë fitime kompanitë importuese dhe pikët e karburantit, gjithë ky zinxhir përbën rreth 40% të vlerës.
Ndërkohë, duarkryq, shteti shqiptar, qeveria shqiptare, arkëton 60%-shin tjetër. Po kjo ku ka efekt? Ka efekt te mielli, te sheqeri, te vaji, ka efekt te shërbimet, te transporti urban dhe interurban, dhe efektet po i shohim. Ka rritur këto ditë çmimi i biletave ndërurbane, e shohim te turizmi, e shohim te bujqësia, e cila prej katër vitesh është në recesion dhe do të zhytet akoma më tej. E shohim te industria prodhuese, e cila prej tre vitesh është në recesion, dhe kjo është një arsye më e fortë për ta çuar atë në recesion.
Por qeveria çfarë bën? Ndryshe nga vendet e tjera, ku, siç pamë edhe në prezantim, janë marrë masa konkrete, qeveria shqiptare bën monitorim. Po të keni vënë re këto ditët e fundit, siç ka ndodhur shpeshherë fatkeqësisht, kryeministri mundohet gjithmonë të gjejë një fajtor jashtë vetes së tij dhe përpiqet të hedhë fajin tek industria, tek sektori. Le të themi disa të vërteta: nëse sektori i hidrokarbureve nuk funksionon nën regjimin e plotë të konkurrencës së lirë dhe të ndershme, jo, nuk funksionon. Dhe kemi raste konkrete për ta ilustruar atë. Por le të themi që është një oligopol i licensuar nga vetë shteti. Është vetë shteti i cili e di shumë mirë çfarë po ndodh atje dhe e ka licensuar, për arsye të veta, për të mbushur arkën e shtetit.
Vetëm vitin e kaluar, në arkën e shtetit kanë ardhur 1.1 miliardë euro të ardhura vetëm nga taksimi mbi karburantin, nga taksat që njohim ne, jo nga taksat e fshehura të karburantit. Ka edhe 200-250 milionë euro të tjera nga licensimi i pikave të karburantit dhe taksat e tyre bashkiake, që nuk llogariten në këtë vlerë, të cilat e bëjnë taksimin total mbi çmimin e karburantit edhe më të rëndë se 60%.
Dhe ku e gjen fajin qeveria? Mundohet ta gjejë te të tjerët. E ka bërë gjithmonë: te sektori i arsimit, te bujqësia, dhe tashmë po e bën me sektorin e hidrokarbureve. Ndërkohë, vendimmarrja kriminale për të mbushur arkën e shtetit dhe për t’i shpenzuar paratë e buxhetit, siç pamë tashmë me ballukra dhe akshera, po i merr frymën sektorëve jetikë dhe prodhues të ekonomisë shqiptare.
Operatorët turistikë ditën e djeshme më komunikuan në një komunikim informal që pata me ta se po fillon të ndihet kriza, efektet e para edhe në sektorin e hoteleri-turizmit. Pse? Sepse njerëzit do të lëvizin, dhe çdo lëvizje bëhet me karburant. Edhe pse po futen makinat elektrike në Shqipëri, 76% e tregut sot vazhdon të funksionojë me naftë dhe benzinë.
Qeveria ka shpallur Bordin e Transparencës dhe e justifikoi duke thënë: “Jemi në kohë krize.” Por a po sillet qeveria shqiptare si në një kohë krize me buxhetin e saj? Ka dy instrumenta, afatshkurtër dhe afatgjatë, që qeveria shqiptare duhet t’i marrë që dje në konsideratë, por fatkeqësisht vazhdon vetëm me monitorimin. Nëse krahasojmë me eksperiencën e kaluar, si gjatë COVID-it dhe fillimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022, qeveria shqiptare mori paketa mbështetëse shumë më të ulëta se vendet e rajonit, rreth katër herë më të ulëta.


