Takimi me anëtarët e asamblesë së KiE/ Berisha: I informova se si parlamenti shqiptar fsheh ftesat për opozitën, aferën Rama-Balluku dhe skandalin e AKSHI-t

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PAS TAKIMIT ME ANËTARËT E ASAMBLESË SË KiE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi dhe deputetja Albana Vokshi kanë zhvilluar një takim me dy anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilët kanë ardhur në Tiranë si raporterë në fazën e post monitorimit.

Duke folur për gazetarët, Berisha u shpreh se, kishte informuar anëtarët e Asamblesë, se si parlamenti i Shqipërisë i fsheh opozitës ftesat për takimet me delegacionet, dhe se si në krye të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së është një falsifikatore si Olta Xhaçka.

Duke folur për mediat në ambientet e jashtme të Kuvendit, kryedemokrati Sali Berisha ka zbardhur bisedën që ka zhvilluar në takimin me dy anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilët kanë ardhur në Tiranë si raporterë në fazën e post monitorimit. Berisha tha se, i kishte informuar ata për skandalet e qeverisë duke nisur nga afera Rama-Balluku, skandalin e AKSHI-t dhe farsën elektorale të 11 majit.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i ka uruar fitore Kosovës në ndeshjen e sotme me Turqinë që do të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, dhe do të vendoset se cila prej skuadrave do të shkojë në kampionatin botëror të futbollit në SHBA-Kanada-Meksikë.

PRONONCIMI I PLOTE:

Zhvilluam një takim me dy përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të ngarkuar dhe të përzgjedhur nga kjo asamble si reporter për Shqipërinë në fazën e post monitorimit.

Patëm një takim të hapur ku unë informova, informova përfaqësuesit e asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, se parlamenti shqiptar në mënyrën më banditeske nuk njofton anëtarët e delegacionit të të parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për takimet e kërkuara nga anëtarët e delegacionit.

Dhe se kryetarja e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës është një hajdute me çizme, e cila, e cila pasi ka vjedhur me të shoqin 10.000 metër katror truall në bregun jonë, duke e paraqitur me dokumente të falsifikuara si pronë e të shoqit, rezulton se ishte pronë publike dhe kryetari i bashkisë futet në burg, kurse Olta e anturazhit të Edi Ramës, dërgohet kryetare e delegacionit të deputetëve shqiptarë në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës.

Akt i turpshëm ndërkombëtar. Në këtë takim, miqtë e ardhur për të ndjekur procedurën e post monitorimit, unë i informova se Shqipëria ka pësuar pas heqjes së monitorimit kthimin mbrapa më të madh në 32 vite.

Dhe aty u ndala gjerësisht në sundimin, në lidhjet e tmerrshme me krimin. I informova për lidhjet direkte të Taulant Ballës me bandat e me kartelet e drogës, me dëshmi në gjykatat e vendit se si ai është akuzuar pse ka porositur vrasje në, dhe janë djegur dokumentet me proces verbale, se si ai ka komunikuar me kartelin Çelaj për të arrestuar bandat paralele dhe sot si shpërblim ai kryeson grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Informova gjerësisht për zgjedhjet, për se si këto zgjedhje, më shumë se në çdo rast tjetër, u shndërruan në një farsë të shëmtuar elektorale, se si Edi Rama përdori të gjithë potencialet e administratës shtetërore, monetare, njerëzore, për të dhunuar zgjedhjet logjistike e të tjerë. Për gjobat dhe kamatat dy miliardë euro që u falen, për angazhimin total të karteleve të drogës me 28 deputetë, përfaqësuar, njëri nga Arkand Balla, karteli i Troplini dhe nga Sara Mile, karteli Çelaj, deputetët më të votuar të parlamentit shqiptar.

I informova dhe i njoha me dokumente, me fakte, se si parlamenti është aneksuar dhe kryetari i parlamentit përbën njeri pa asnjë vlerë që nuk respekton as rregullore dhe asgjë. Shkarja e standardeve në Shqipëri është katastrofale.

U ndalëm gjatë tek afera Rama-Balluku. Ju dhashë fakte se Balluku është Rama. Përdora një shprehje. Në rrafshin politik, Balluku nuk është gjë tjetër, vetëm t-shirt i Edi Ramës. Po e theksova kjo në rrafshin politik, mos të ketë keqkuptime.

Pra, unë u them të vërteta se unë do të doja që biseda të ishte në praninë tuaj, po ata kanë kodin e tyre dhe nuk mundej. I shpjegova se si Edi Rama kompozoi qeverinë sipas oreksit të plotë të Lubi Ballukut. U ndalëm gjerësisht tek AKSHI, tek dy Lindat famoze, duke treguar se njëra është fake, tjetra është e vërtetë.

Tjetra është e vërtetë dhe e vërtetë është Linda e lidhur me Edi Ramën. Unë mendoj se patëm një nga, një nga, një nga debatet, një nga diskutimet më të hapura me partnerët tanë.

Natyrisht, qëndrimi ynë është rikthimi i monitorimit në mënyrë që shqiptarët të mos rrokullisen më në këto, në, në, në honet e narkoshtetit siç po ndodh tani. Pra, jua thashë të gjitha këto, nuk besoj të kem harruar gjë.

Të gjitha ato të cilat unë diskutova sot me miqtë tanë, duke patur bindje të thellë se jam në këtë mënyrë zëri i shqiptarëve që e duan këtë vend, që duan shtetin ligjor, që duan të drejtat e njeriut, që duan të ardhmen evropiane.

Do ta mbyll tani me një urim të përzemërt për ekipin kombëtar, për ekipin tonë kombëtar të Kosovës. Është një ndeshje historike sonte.

Pyetje: Ku do ta shihni zoti Berisha? Në banesë apo?

Sali Berisha: Në banesë. Aty e kam. Në banesë do ta shoh, por do ta shoh, sepse domethënë është një moment i jashtëzakonshëm. Kosova në Uashington, si përfaqësuese e kombit, do të ishte një fat i bardhë për çdo shqiptar. Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale