Superskandali i Duranas/ Berisha: Mafia shqiptare përvetësoi projektin e kompanisë prestigjioze EPAM. Elira Kokona është Lubia 3! Troplana ka vetëm livadhe, por aty familja Rama ka vjedhur qindra milionë euro

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme me gazetarët, akuzoi fort kryeministrit Edi Rama dhe strukturave të qeverisjes, duke e cilësuar vitin 2026 si një moment historik për përmbysjen e regjimeve autoritare dhe mafioze.

Në fillim të fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, vitin 2026 do të jetë ‘viti i përmbysjes së diktaturave, viti i zi për diktatorët dhe viti i lirisë për kombet’. Ai theksoi se lëvizjet kundër regjimeve autoritare, nga Amerika Latine deri në Lindjen e Mesme, janë dëshmi se ‘regjimet obskurantiste i kanë ditët e numëruara’, duke shprehur mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike për opozitën iraniane dhe thirrjen ndaj qeverive të vendeve të lira që të mbështesin popujt në luftën për liri dhe dinjitet.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha e vuri theksin e deklaratës së tij, në atë që e quajti një ‘superskandal të ri me përmasa gjigante’, të denoncuar publikisht nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, lidhur me të ashtuquajturin park teknologjik të Duranës, ose siç e përshkroi ai, ‘Troplana e Shkozetit, një skandal i denjë për filmat më horror në gjininë e vjedhjeve të pasurive publike’.

Sipas liderit të opozitës, Sali Berisha, projekti fillestar i kompanisë prestigjioze ndërkombëtare EPAM, e cila kishte zgjedhur Shqipërinë për të zhvendosur aktivitetin e saj pas agresionit rus ndaj Ukrainës, u përvetësua nga ajo që ai e cilësoi si ‘mafia shqiptare e lidhur drejtpërdrejt me kryeministrin’. Ai deklaroi se ‘Silicon Valley i premtuar nuk u ndërtua kurrë, ndërsa livadhet dhe arat e Xhafzotajt u shndërruan në një zonë virtuale ku vidhen qindra milionë euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë’.

Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën, familjen e tij dhe bashkëpunëtorët më të afërt, duke theksuar se ‘këtu nuk ka asnjë ndërtesë, asnjë kompani reale, asnjë punësim, por ka një skemë të sofistikuar grabitjeje, ku taksat reale paguhen jo shtetit, por kryemafios dhe njerëzve të tij’. Ai e krahasoi këtë aferë me skandalin e inceneratorit të Tiranës, duke nënvizuar se, ndonëse dëmi ekonomik është edhe më i madh, ‘për Troplanën nuk është pyetur ende askush’.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi këtë skandal si provë të pakundërshtueshme të ‘shkallës më të lartë të inkriminimit të kreut të organizatës kriminale që drejton qeverinë shqiptare’, duke theksuar se largimi i Edi Ramës nga pushteti është një domosdoshmëri absolute. ‘Edi Rama nuk ka precedent. Nuk ka një të dytë. Dhe kam besim të plotë se shqiptarët do t’i japin shumë shpejt atë që meriton’, theksoi kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët.

FJALA E PLOTE

2026-a, viti i përmbysjes së diktaturave.

Viti i zi për diktatorët.

Viti i lirisë për kombet.

Pas vendosjes para gjykatës të Maduros apo Ramaduros së Venezuelës, radhën duket se e kanë Ajetollahët e Iranit.

Kombi pers është i tëri në këmbë për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, kundër regjimit më obskurantist që ata kanë njohur në tërë historinë e tyre të gjatë, regjimit të Ajetollahëve.

Ky regjim në grahmat e fundit po përdor të gjitha armët dhe mjetet dhe ditët e fundit ka me qindra në mos mijëra martirë të lirisë.

Por marshi i revolucionit iranian drejt fitores nuk ndalet me asgjë.

Regjimi i Iranit i ka ditët e numëruara.

Liria e iranianëve ka çmimin e saj, por burrat dhe gratë, djemtë, vajzat e këtij kombi janë të gatshëm ta paguajnë atë.

PD mbështet me forcën më të madhe opozitën iraniane në betejën e saj për një Iran të lirë, demokratik dhe të pavarur.

PD i bën thirrje qeverive të vendeve të lira, SHBA në radhë të parë, të ndihmojnë me të gjitha mundësitë popullin vigan iranian të çlirohet nga ky regjim obskurantist.

***

Sot jam këtu për superskandalin e ri që denoncoi me përgjegjësi të plotë ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Jam këtu për parkun virtual të high-tech, apo de facto Troplanën e Shkozetit, një skandal i denjë për filmat më horror në gjininë  e vjedhjeve të pasurive publike.

Ja, ky është Silicon Valley i Edi Ramës, Armand Frangut, Fatmir Troplinit që quhet Durana.

3 vite më parë, se ka historinë e vet, një nga gjigantët e high-techut, vendosur në Ukrainë, EPAM, pas agresionit rus ndaj Ukrainës, vendos që të spostojë sipërmarrjen e tij të madhe në një vend tjetër dhe përzgjedh Shqipërinë.

Presidenti i kësaj kompanie, ndër më të fuqishmet në botë, me xhiro miliarda dollarë, vjen në Shqipëri dhe pritet nga kreu i organizatës kriminale, Edi Rama, dhe Agaçi me asistenten e tij, Elira Kokona.

Ai paraqet projektin e tij, dëshirën dhe vendimin e kompanisë që të gjithë sipërmarrjen e tij të madhe në Ukrainë ta spostojë në Shqipëri, por për këtë qëllim kërkon krijimin e një zone, siç e kishte në Ukrainë, me kushte të favorshme.

E vërteta është se kjo iu premtua, se Ramaduro filloi të flasë për Silicon Valley në Durrës.

Por menjëherë kthetrat e egra të mafies shqiptare përvetësuan projektin dhe kompania prestigjioze nuk gjeti asnjë mundësi të investonte në këtë vend.

E zhgënjyer, e dëshpëruar, pa që kishte të bënte me një narko-mafie të pashembullt, dhe si përfundim këto livadhe dhe ara që shihni këtu janë Troplana e Edi Ramës.

Vendimi i mor, zona u shpall dhe në këtë zonë u regjistruan 46 kompani, të cilësuara me silver, gold, platinium.

Që të gjitha këto kompani, pothuaj të gjitha pa përjashtim, me ndonjë përjashtim të vogël, anëtare të këshillit të krijuar me ndërmarrje IT nga kryemafiozi i IT-së shqiptare, Ermal Beqiri alias Armand Frangu. Ose Armand Frangu alias Ermal Beqiri.

Jo se Beqiri nuk është real, se ai është një delinkuent që në fund të vitit 2013 vodhi 20 milionë deklarata tatimore të shqiptarëve në sistemin e IT, me ndihmën e kriminelit të damkosur, Spartak Braho dhe urdhrin e kreut të organizatës kriminale, Edi Rama, por tashmë pas prishjes së pazareve në kopshtin privat të Edi Ramës, midis Armand Frangut dhe Gerond Meçes, pas neutralizimit të tij dhe eliminimit të tij me pengmarrje, etj, etj, fuqishëm në kopshtin privat të Edi Ramës si fitues absolut i tenderave në emër të Armand Frangut, hyn Ermal Beqiri.

Tani, Ermal Beqiri me këshillin e krijuar, kërkon të disiplinojë të gjitha kompanitë e sektorit dhe i regjistron ato anëtare të këshillit me kuota 1 mijë, 5 mijë, etj, etj.

Çfarë është Troplana?

Se dihet që çdo centimetër territor në Xhafzotaj është në kontrollin e pamëshirë të Troplinëve.

Troplana është një zonë virtuale e lirë.

Kompanitë e regjistruara në Troplana janë të shpërndara në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, nuk kanë asnjë lidhje, asnjë aktivitet në Xhafzotaj, asnjë punësim.

Por ato kanë dy avantazhe, kanë një reduktim të madh të taksave gjer në absurditet.

Ato i paguajnë shtetit një taksë krejt të parëndësishme, 5 përqind.

Taksat e vërteta ato ia paguajnë Edi Ramës, Armand Frangut nëpërmjet Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit.

Pra në këto livadhe dhe ara të Xhafzotajt, që në pamje të parë sheh njeriu vetëm bar, këtu vidhen nga taksat e qytetarëve shqiptarë qindra milionë euro në vit.

Natyrisht këto janë vetëm taksa, por qindra milionë të tjerë vriten duke vrarë konkurrencën dhe duke u garantuar këtyre kompanive të regjistruara në Troplana, tendera të AKSHI-t dhe të gjithave institucioneve të tjera shtetërore.

Skemë si Troplana, e menaxhuar nga famozja Lubia numër 3, Elira Kokona, në emër të patronit të saj, Edi Rama, gjen vetëm djegësin e Tiranës.

Por dallimi është se në rastin e djegësit të Tiranës, territori është pa asnjë ndërtim dhe janë vjedhur 130 milionë, në rastin e Troplanës, përsëri nuk ka asnjë ndërtim, asnjë ndërtesë, asnjë kompani të vendosur në arat dhe livadhet e Xhafzotajt, por janë vjedhur nga taksat e qytetarëve shqiptarë qindra milionë euro.

Dhe janë vjedhur po nga familja Rama.

Dhe njësoj si në rastin e inceneratorit të Tiranës, për të cilin dy përgjegjësit absolutë kryesorë, Edi Rama dhe Erion Veliaj, nuk u hetuan për asgjë dhe nuk u pyetën asnjëherë, duke qenë autorët më kryesorë të tij, në Troplana gjer sot nuk është pyetur njeri dhe se dihet se Elira Kokana, të cilës vetëm për të mos prishur gojën para jush dhe qytetarëve, mund t’i vihet çdo lloj epiteti për aktin e saj ndaj qytetarëve.

Ka qëndruar në krye të një skeme të quajtur park teknologjik ku ka prej vitesh vetëm livadhe, kurse vidhen qindra milionë euro taksa të qytetarëve shqiptarë.

Ky skandal dëshmon dhe njëherë shkallën më të lartë të inkriminimit të kreut të organizatës kriminale Edi Rama.

Dëshmon se krimet ekonomike të rënda, vjedhjet e tij janë të pakufishme.

Dëshmon dhe njëherë domosdoshmërinë absolute e ngritjes së qytetarëve shqiptare dhe largimit të tij me të gjitha mjetet nga qeveria.

Kreu i organizatës kriminale më të madhe shqiptare, Edi Rama, ka kaluar haptas pa asnjë lloj kufizimi në vjedhje dhe përvetësimin e buxhetit, të ardhurave dhe pasurive publike të këtij vendi si asnjë diktator tjetër mbi tokë.

Jo, nuk ka një të dytë.

Kam besim të plotë se shqiptarët do i japin atij shumë shpejt atë që meriton.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Anisa Kadesha, RTSH: Cila do të jetë strategjia e opozitës në protestën e 24 janarit për të detyruar Edi Ramën të japë dorëheqjen, ndërsa ky i fundit thotë se kam 83 mandate dhe nuk ka arsye për tu larguar.

Sali Berisha: Strategjia e opozitës është largimi i tij një minutë e më parë nga pushteti. Opozita është e sigurtë që do të realizojë objektivin e saj. Kjo është dhe ka besim të madh tek guximi, k besim të madh tek trimëria, ndershmëria e qytetarëve shqiptarë.

Ka besim të madh se përkrah opozitës shqiptare, së bashkë me opozitën shqiptare, do bashkëveprojnë dhe bashkëpunojnë shumë e shumë faktorë të tjerë rëndësishëm në shoqërinë shqiptare, që duan ta përzënë 1 minutë e më parë, këtë të keqe të madhe, këtë organizatë kriminale që udhëhiqet nga Edi Rama.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Po mbështetje nga ndërkombëtarët a keni për largimin e Edi Ramës. Pasi Ramaduro që i thoni ju në Venezuelë, Nicolas Maduro u arrestuar nga SHBA. Në Iran, SHBA po mbështet protestat. A e mbështet SHBA dhe faktorë të tjerë ndërkombëtar, opozitën shqiptare.

Sali Berisha: Betejën kundër korrupsionit e mbështet e gjithë bota e lirë demokratike. Tani më duhet tu them këtu, se Edi Rama me Lubi Ballukun, me Lindën e AKSHI-t dhe Lindën e Surrellit të implikuar në çështjetet e AKSHI-t.

Me Agaçin, Agasin dhe Kokokën e të tjerë, është dëshmuar shembulli më i zi, i një kryeministri, padrino i vërtetë i një nga mafiet më të rrezikshme në Europë, dhe ju siguroj që opozita ka dhe do të ketë mbështetjen më të fuqishme.

Mos harroni, janë 7 rezoluta ndërkombëtare se nuk janë zbërthyer, se ato u censuruan gjerësisht nga mediat në mënyrë të tmerrshme, u censuruan nga mediat e qeverisë.

Nuk është kuptuar mirë se çfarë efekti shkatërrimtar kanë ato mbi regjimin e Edi Ramës dhe çfarë mbështetje të jashtëzakonshme përbëjnë ato për opozitën.

Lexoni lajmet e protestës së fundit, si ishin ato? Që të gjitha si asnjëherë tjetër më parë në mbështetje të opozitës, Edi Rama është i pashpresë.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Kanë kaluar më shumë se 3 javë që kur SPAK ju drejtua parlamentit me kërkesën për të arrestuar zv/kryeministren Belinda Balluku. Edi Rama jo vetëm ka ngrirë procedurat parlamentare për ta lëshuar atë, por ka dalë publikisht dhe kundër. Dalja e fundi ishte dhe ditën e sotme në një projekt amerikan për parkun eloik, kur kjo e fundit u shfaq e ulur pranë të dërguarës me punë të SHBA, ndërkohë që kreu i qeverisë Edi Rama dha mesazhet se fjala korrupsion është kthyer në modë. A e cilësoni këtë si një sfidë të hapur të kreut të qeverisë ndaj SPAK, edhe përballë SHBA-së.

Sali Berisha: Nuk ka asnjë diskutim që Edi Rama bën gjithçka, dhe jo bën, por do të bllokojë drejtësinë. Do të përdorë 83 mandatet e tij të krimit, kundër drejtësisë. Dhe këtu ndaj themi ne, fjalën e vetme e kanë qytetarët shqiptarë.

Ne kemi theksuar dhe theksojmë, Edi Ramën nuk do ta heqë drejtësia. Edi Ramë nuk do ta heqin Deltat, atë do ta heqin qytetarët shqiptarë me protestat e tyre.

Nuk kemi asnjë lloj dyshimi në këtë qëndrim, në këtë mendim.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Si e gjykoni ju praninë e të dërguarës me punë të SHBA-së, krah Belinda Ballukut, ditën e sotme.

Sali Berisha: Nuk e kam parë këtë lajm akoma. Do ta shoh, por sidoqoftë dua të them që, Balluku turpëron çdo zyrtar të çdo vendi. Balluku është turpi i Shqipërisë, turpi i kombit shqiptar, turpi i qeverisë.

Tani se, çfarë arsye kanë bërë që zonja duhet të jetë aty, unë dua të shoh lajmin.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: A e ka dërguar ditën e sotme PD, padinë në Kushtetuese për zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat i Popullit.

Sali Berisha: Është përgatitur dhe do të dërgohet, ose është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.  Do të dërgohet, është zgjedhur në kundërshtim flagrant me procedurën.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale