DEKLARATË PËR MEDIA, NËNKRYETARI I FRPD, JURGEN SPAHO
Nëse Edi Rama mendon se do të na frikësojë me arrestime politike sepse protestojmë, e ka gabim.
Ky dëbues serial i bashkëmoshatarëve tanë nga Shqipëria, me qëllim ndërtimin një sistemi ku të mbretërojë i qetë me bandën e tij qeveritare, mendon se me anë të arrestimeve politike do na frikësojë dhe shantazhojë, ashtu siç bën me patronazhistët e tij.
Protesta është një e drejtë universale dhe kushtetuese, që nuk na e ka dhënë një pinjoll i ish-bllokut komunist, por prindërit tanë, që në vitin 1992 u ngritën nën moton e “duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, rrëzuan sistemin dhe tërhoqën bustin e diktatorit zvarrë.
Ata nuk kishin se si ta mendonin që 35 vjet më pas do dilte një pjellë e atij sistemi që mendon se do persekutojë edhe bijtë e tyre.
Në kushtet ku është Shqipëria, me korrupsionin, varfërinë, mungesën e ligjit, detyra jonë është një dhe vetëm një: të ngrihemi kundër sistemit dhe askush mos mendojë se gjuha kërcënuese do na zmbrapsë.
Të rinjtë janë ata që bëjnë ndryshimin, të rinjtë janë ata që rrëzojnë diktatura.
Ky është momenti ynë. Kjo nuk është thjesht një protestë, por është një detyrë qytetare, kundër shpopullimit dhe kundër mbrojtjes së hajdutërisë.
Problemet politike, psikologjike dhe me drejtësinë të Edi Ramës nuk na interesojnë. Ka ardhur koha që të japë llogari për lënien e Shqipërisë jashtë dyerve të BE-së, për cilësinë e arsimit, për varfërinë, për eksodin, për ikjen e të rinjve.
Prandaj i themi Edi Ramës: gjuhën e nxjerrë jashtë për përbaltjen tonë dhe urdhërin e arrestimit të protestuesve, sic bëri në Durrës, as nuk ta durojmë, as nuk ta falim.
Protesta e radhës është më 20 shkurt, ditën që u tërhoq zvarrë busti i diktatorit dhe rinia do të jetë aty sic ishte para 35 vitesh.
Diktatorët të njëjtin fund kanë.
Në rast se s’e ka mësuar, ky është problem i tij, jo i joni.
Faleminderit.


