KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme për shtyp foli për aferën e tunelit të Llogarasë. Në fillim të fjalës së tij, Berisha e përshkroi situatën e reshjeve të ditëve të fundit në vend si ‘të jashtëzakonshme’, duke theksuar se ‘qindra dhe qindra familje në rrethet Lezhë, Kurbin, Mat, Dukagjin, Shkodër, janë në mëshirën e fatit’ për shkak të përmbytjeve, ndërsa shteti nuk ofronte asnjë mbështetje: ‘Njerëz të lënë në mëshirën e natyrës dhe të Zotit vetë… pushteti i drogës dhe krimit në Tiranë dhe degët e tij në rrethe, nuk kanë marrë asnjë masë’.
Gjatë akuzave për skandalin financiar 190 milionë eurosh të tunelit të Llogarasë, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi drejtpërdrejt zëvendëskryeministren Belinda Balluku, të cilën e quajti ‘Lubia’, si një ‘mashë kriminale e përdorur nga Rama’, ndërsa theksoi se ‘e vërteta është se Lubia ka shërbyer thjesht si mashë në shkelje të plotë të ligjeve të vendit. Masha e Edi Ramës për të plaçkitur të paktën 90 milionë euro, apo sipas Arben Ahmetajt 97 milionë euro’. Ai nuk kurseu as akuzat për prokurorinë, të cilën e akuzoi për mosveprim: ‘Dhe kjo është përgjegjësi direkte e prokurorisë që e lejon të qëndrojë në mes të dokumenteve, ndërkohë që e mban Ilir Metën në paraburgim një vit se do prishte dokumente, në një kohë kur ai nuk kishte asnjë funksion shtetëror’. Gjatë fjalës së mbajtur, lideri i demokratëve Sali Berisha e quajti bashkimin mes Ramës dhe Ballukut në aferë si një ‘i vdekur me një të gjallë’.
I pyetur në lidhje me foltoren e djeshme të organizuar para kryeministrisë, Berisha u shpreh se Partia Demokratike nuk kishte thirrur një protestë. Ai përmendi edhe eksperiencat ndërkombëtare si referencë për mobilizimin qytetar jashtë parlamentit: ‘Lexoni për revolucionin francez… Parlamenti kontinental në SHBA i dha botës demokracinë më të fuqishme të të gjitha kohërave’. Ai e prezantoi foltoren e re parlamentaro-qytetare si një mjet të ri komunikimi dhe përfaqësimi publik, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një protestë masive: ‘Dje PD nuk kishte thirrur miting. Kishte thirrur një ‘Foltore’. Pse ne nuk kemi thirrur miting dhe nuk do të thërrasim miting… Do shqyrtohet çdo vendim që është marrë. Ne qëndrojmë vetëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe ky është qëndrimi i prerë i PD’.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, do të shkojë në SPAK pasi është thirrur për çështjen e 21 Janarit dhe aty do të bëjë ‘gjyqin publik të Edi Ramës’. Ai kritikoi SPAK-un si një ‘vegël e kësaj qeverie’, duke akuzuar institucionin për keqinformim dhe manipulim dokumentesh në shërbim të pushtetit aktual.
Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demorkatike Sali Berisha duke folur sërish për foltoren e djeshme u shpreh se, ‘qëllimi i asaj foltoreje, një nga qëllimet është pikërisht dhe sensibilizimi i shqiptarëve para këtij realiteti shkatërrimtar për jetën e tyre, për vendin e tyre. Kjo është’.

FJALA E PLOTE:
Qindra dhe qindra familje në rrethet Lezhë, Kurbin, Mat, Dukagjin, Shkodër, janë në mëshirën e fatit.
Kanë përjetuar tmerre nga vërshimet e papërmbajtura të lumenjve, ujërave dhe narkoqeveria e tëra është në narkozë.
Asnjë ndihmë, asnjë mbështetje.
Njerëz të lënë në mëshirën e natyrës dhe të Zotit vetë.
Këto shtrëngata u njoftuan nga stacionet meteorologjike më serioze të paktën një javë para.
Por në mënyrë absolute, pushteti i drogës dhe krimit në Tiranë dhe degët e tij në rrethe, nuk kanë marrë asnjë masë.
Deputetë të PD ndodhen në terren dhe po ndjekin me shqetësim të madh situatën.
Ata përveç solidaritetit nuk kanë mjete të tjera.
Ajo që quhet Mbrojtje Civile, ajo është inekzistente.
Pra, qytetarët të lënë në mëshirën e fatit.
Dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve, të cilët po përjetojnë tmerret e përmbytjeve të papritura.
Natyrisht një qeveri, e ngërthyer nga superskandalet, nuk ka asnjë lloj preokupimi tjetër veçse si të fshehë gjurmët e krimeve që ka kryer, vjedhjeve që ka kryer.
Të dashur qytetare dhe qytetarë, dëshmitari dhe njeriu që denoncoi me forcën më të madhe tunelin e Llogarasë, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i pranishëm në takimin e Ankarasë të Edi Ramës dhe Lubisë, u tha shqiptarëve se jo Lubia, por është Rama që ka ngrënë dardha prapa shpinës së Lubisë.
Po, po e dëgjuat vetë ju.
E vërteta është se Lubia ka shërbyer thjesht si mashë në shkelje të plotë të ligjeve të vendit.
Masha e Edi Ramës për të plaçkitur të paktën 90 milionë euro, apo sipas Arben Ahmetajt 97 milionë euro.
Pra, edhe njëherë për të kuptuar se pse Lubia nuk jep dorëheqjen, për të kuptuar se si ajo, se kështu është gen kriminal, u them unë ju, gjyshi i saj ka qenë serial killer dhe kjo e tmerron Edi Ramën.
Ajo i është betuar që unë të marr me vete sepse nuk jam unë, por je ti që më ke urdhëruar mua të firmos çdo gjë me këtë kompani, që na urdhërove të anulojmë tenderin.
Ajo ka përdorur një terminologji frojdiane në komunikimin me të, por e vërteta është se ajo transkriptohet se dardhat pas shpinës së Belindës i ka ngrënë Rama. Kumbullat pas shpinës së Lubisë i ka ngrënë Rama.
Kështu që siç e shihni, ajo e shqiptarëve, e vjetra, e lashta, keni parë, nuk keni parë, shkon një i vdekur me një të gjallë, janë bërë si Kostandini dhe Dhoqina.
Por unë gjithashtu theksoj se prej 10 ditësh, në zyrat e agjencive që varen nga Lubia dhe në zyrat e saj, po fabrikohen, po manipulohen, po ndryshohen qindra dhe mijëra dokumente.
Dhe kjo është përgjegjësi direkte e prokurorisë që e lejon të qëndrojë në mes të dokumenteve, ndërkohë që e mban Ilir Metën në paraburgim një vit se do prishte dokumente, në një kohë kur ai nuk kishte asnjë funksion shtetëror.
Shikoni çfarë fytyre del këtu, çfarë standardi i shëmtuar.
E shihni vetë pra.
Ose burgos zëvendësministren për një arkë me cironka dhe një aparat celulari, gjithsej 2-3 mijë euro maksimumi.
Lubia për 97 milionë, pa llogaritur të tjerat, se kur të llogariten të tjerat, u them unë ju, dalin miliarda.
Këtu do jemi.
Rri e lirë, kryeson edhe Mbrojtjen Civile, shkon edhe në mbledhje me qeverinë italiane sepse ai që është i padënuar, është i pafajshëm dhe ky është një parim i pamohueshëm, por ka një standard, që një qeveritar që merret nën akuzë, ai jep dorëheqjen.
Kjo ka qenë tradita e konsoliduar e qeverisjes demokratike të mëparshme.
Kjo u shkel nga Edi Rama aty ku është vetë i implikuar.
Saimir Tahirin e mbrojti pasi pala italiane kërkoi heqjen e imunitetit dhe arrestimin e tij.
Lubi Ballukut, i bëri të qartë prokurorit, mos guxo të kërkosh largimin e saj apo vendosjen e saj në arrest. Apo bllokimin e pasaportës.
Pra, këto janë të vërtetat e arritjeve të Edi Ramës.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARËT:
Osman Stafa, News24: Në fakt opozita arsye për të protestuar ka shumë, por ditën e djeshme ju keni thirrur një protestë, e para kjo në vrazhdën e protestave të tjera, keni deklaruar. Por ju e patë ditën e djeshme se numri i personave që ju përgjigjën thirrjes suaj nuk ishte ai i pritshmi. A keni menduar ndonjëherë se mos problemi i mosdaljes së njerëzve në shesh, teksa ka arsye për të dalë, është PD-ja, jeni ju. Ndoshta nuk frymëzoni më.
Sali Berisha: Më duket se, po keqinterpreton të vërtetën.
Së pari unë dua të shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre qytetarëve që dje themeluan me praninë e tyre ‘Foltoren e parë parlamentar-qytetare’ në historinë e vendit, para pallatit të krimit.
Dje PD nuk kishte thirrur miting. Kishte thirrur një ‘Foltore’.
Pse ne nuk kemi thirrur miting dhe nuk do të thërrasim miting. Edhe njëherë, për të gjithë ata që duan të vërtetën ua themi, për ata që spekulojnë pastaj, të vazhdojnë.
Ne nuk thërrasim se do të angazhohemi në një proces analize, ristrukturimi, hapje të PD-së i cili është jetik.
Nëqoftëse ne vendim për një protestë, apo për protesta masive kjo bie ndesh me të parën. Pastaj të gjithë potencialet tona duhet të mobilizohen për protestat masive. Jo.
Nuk ka qenë protestë kombëtare. Ka qenë thjeshtë një ‘Foltore’ dhe do të jetë thjeshtë një foltore parlamentaro-qytetare. Vijnë ata që duan të vijnë.
Kjo është. Çdo interpretim tjetër është absolutisht jo real.
Çfarë ka qëllim ajo? Ajo ka qëllim që zëri i qytetarëve kërkon dorëheqjen e Lubi Ballukut dhe Edi Ramës.
Ajo ka qëllim që deputetëve që u mbyllet mikrofoni në parlament, të vijnë të flasin para qytetarëve, shqiptarëve, para kryeministrisë.
Ajo ka qëllim që qytetarët, meqenëse deputetët nuk lejohen ti paraqesin çështjet e tyre në parlament, të vijnë ti paraqesin vetë, para kryeministrisë.
Pra kjo foltore ka këto qëllime. Është foltore parlamentaro-qytetare.
Janë të njohura këto në histori. Lexoni për revolucionin francez. Në një fushë tenisi nisi jetën ai institucion që transformoi Francën dhe Europën.
Parlamenti kontinental në SHBA i dha botës demokracinë më të fuqishme të të gjitha kohërave.
Nëqoftëse foltorja e parë kishte qëllim ringritjen dhe shpëtimin e PD, kjo foltore synon shoqërinë shqiptare, shqiptarët në tërësi. Pra është tjetër.
Nuk jeni i vetmi ju që e keni interpretuar në këtë formë, por për ata që janë të interesuar unë ju shpjegoj se kjo është e vërteta dhe ajo ishte themelimi i një foltoreje historike që do të vazhdojë pa ndërprerje.
Natyrisht në këtë periudhë, partia nuk mundet që të mos bëjë analizën e vet, që të mos përmbushë detyrimet e saj, për ristrukturimin, hapjen e saj, kontaktimin e vlerave.
Të thuash që ti bësh të gjitha njëkohësisht nuk është shumë e thjeshtë. Nuk është kollaj ti bësh, se veçanërisht një angazhim në protesta masive e vërteta është se analizën do ta zbehte shumë dhe nuk duhet të zbehet.
Osman Stafa, News24: Besoj jeni njohur me lajmin se në bashkinë e Kamzës, tashmë bileta e urbanit do të jetë 50 lekë, nga 40 lekë. Dhe për këtë vendim në Këshillin Bashkiak përveç anëtarëve të këshillit të PS, kanë votuar pro edhe anëtarët e PD, të këshillit. Si e komentoni ju këtë?
Sali Berisha: E dëgjova këtë lajm dhe u kam kërkuar drejtuesve të partisë të shqyrtojnë me seriozitetin më të madh këtë çështje.
Po shqyrtohet dhe pa diskutim që partia do dalë me vendimin e vet.
Nuk e mohoj fare, është ashtu.
Por tani, para se të vij këtu, unë mora njoftimet e para se si po veprohet, po ne do qëndrojmë.
Ne qëndrojmë vetëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe ky është qëndrimi i prerë i PD.
Do shqyrtohet çdo vendim që është marrë.
Osman Stafa, News24: A keni marrë ju tashmë një njoftim për tu paraqitur në SPAK për çështjen e 21 Janarit dhe a do të shkoni?
Sali Berisha: Tani, a do të shkoj unë, mos ta shndërrojë kurrë njeri pyetjen.
Unë çdo njoftim që thirrem nga gjykata dhe prokuroria e vendit, unë kam shkuar dhe do shkoj.
Por shikoni se çfarë keqpërdorimi ekstrem nga Altin Troplini i institucionit që ai drejton.
Me datën 3, unë isha në përputhje me ligjin në zyrat e Skapit. Gazetarët ishin tek dera.
Unë hyra dhe dola dhe ata nuk thanë asnjë fjalë, gjëja më normale, po të kishin një njoftim, ata mund të ma jepnin mua direkt, mund t’ia jepnin avokatit tim.
Por nuk bëzajtën.
Çfarë t’i thuash atij, epitetet nuk mjaftojnë.
Dhe unë kur vij këtu, shoh që ua kishte dhënë gazetarëve që i keqpërdor dokumentin.
Berisha ka marrë këtë thirrje.
Berisha nuk kishte marrë asnjë thirrje.
E bënte këtë për të krijuar një lajm në mënyrë që të mbulojë lajmin e 97 milionë eurove të Ramës dhe Belinda Ballukut.
Dhe tani çfarë ndodh?
E kemi dërguar në PD. Këtu në PD, pas një jave, paska ardhur një zarf, Partisë Demokratike.
Zarfi që i vjen PD-së, nuk vjen për Sali Berishën.
Dhe ai e ka kthyer, kujt i adresohet.
I duhej lajmi, nuk i duhej problemi.
I duhej të krijonte lajm sepse dirigjohet nga zyra e Ramës në një propagandë të ulët, të shpifur.
Tani kaloi një javë, tani thotë javën e dytë e përsërita.
Por, u dërgua këtu, u dërgua tek Niko Peleshi, andej e këndej, asnjë njoftim.
Dhe vetëm dje, kur shkoj unë aty, ata zotërinjtë thonë se ka edhe këtë njoftim.
Sigurisht që do e merrja.
Shikoni sa të ulët janë. Sa i ulët është ai.
Përdori një akt ligjor, të ligjshëm, për të bërë dy javë propagandë në shërbim të qeverisë.
Ua dha gazetarëve para se të ma jepte mua.
Dhe unë duhet ta mësoja nga mediat.
Pse duhet ta mësoja nga mediat unë kur kisha qenë aty?
Të gjitha njoftimet, dhe janë jo të pakta, vijnë direkt në derën time, trokasin, si rregull ka njerëz aty, del, merr njoftimin, firmosin.
Por nuk i interesonte kjo, i interesonte tymi dhe zhurma që të ndihmonte Lubinë, të cilën nuk donte kurrsesi të akuzonin.
Tani, a do shkoj?
Pa diskutim.
Do shkoj nesër. Nesër do jem aty.
Ndonëse e deklaroj që sot që ky është një hetim politik, sepse ajo çështje është hetuar me ekspertë shqiptarë, ndërkombëtarë e me radhë.
Është hetuar ajo.
Është bërë i plotë hetimi në të katër anët.
Por nuk jam thirrur, nuk më kanë pyetur njëherë.
A e di pse nuk më kanë pyetur?
Se isha njeri i sulmuar, isha njeri i rrethuar.
Ndaj dhe nuk u leverdiste të më thërrisnin.
Tani thërrasin, sigurisht që unë do të shkoj.
Unë kam qenë 5-6 orë sa ka vazhduar në rrethim në përpjekje për të pushtuar kryeministrinë.
Evidente.
Ajo ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit.
Me qindra e mijëra gurë janë hedhur drejt gardistëve në një kohë kur ligji përcakton qartë se cili është reagimi i rojes kur qëllon me gurë drejt tij.
E ka të shkruar ligji i votuar nga socialistët.
Janë hedhur eksplozivë drejt tyre.
U përdor makina për të thyer derën.
Pra, të gjitha këto, problemi pa diskutim që do shkoj.
Janë deklaratat më serioze ndërkombëtare që thonë se PS kishte agjendë dhune.
Tani, kuptohet vetë pse përdoret dhuna.
Kthehu pak tek deklaratat e Edi Ramës, Sali ose prano zgjidhjen politike ose do kalohet mbi kufoma.
Çakalli tjetër thotë edhe 13 mijë po të jetë nevoja.
Ishte një skenar dhune i paralajmëruar dhe e vërteta, ta them, në zgjidhjen e atij problemi, pati një angazhim shumë serioz të qeverisë së SHBA.
Erdhi këtu dy herë Thomas Countryman, por erdhi edhe ndihmësi Steinbeck për këtë problem.
Kush e pengoi?
Përkundrazi, vazhdoi hetimi, u bënë dënimet, por Edi Rama nuk u thirr njëherë.
A pritet të thirret Edi Rama?
Edi Rama është përgjegjësi numër një, është organizatori kryesor.
Shiheni kur bën me shenjë nga dritaret e mia.
Dritaret kanë marrë gurë, kanë marrë plumba.
Edhe po të mos ishin këto, unë do të shkoj dhe do t’i bëj gjyqin publik Edi Ramës.
Jo vetëm Edi Ramës, nuk është vetëm.
Prandaj dhe Sali Berisha nuk u thirr.
Pse nuk u thirr?
13 vite, askush. U bënë dënime, u bënë të gjitha.
Ndaj dhe Edi Rama do dalë siç është, organizator i një proteste që synonte pushtetin me dhunë.
Dhuna nuk përdoret për ndonjë qëllim tjetër.
Nuk kemi të bëjmë me dënime ligjore të përdoret dhuna.
Jo, dhuna përdoret për të marrë pushtetin.
Ndaj dhe u rrethua kryeministria në atë mënyrë.
Anisa Kadesha, RTSH: Sipas jush pse SPAK nuk e thërret organizatorin e kësaj proteste dhe ata protestues të cilët u faktuan se erdhën të armatosur para selisë së kryeministrisë.
Sali Berisha: Sepse SPAK është një vegël e kësaj qeverie. E vërteta është se SPAK e ka refuzuar këtë çështje. Pasi ka shqyrtuar dosjen, e ka refuzuar të themi atë që është, sepse e ka parë se autori kryesor i gjithë atij skenari është Edi Rama.
Cilido që e sheh atë dosje, del Edi Rama lakuriq. Del Erion Veliaj duke hedhur bojë të kuqe, është identifikuar edhe personi, sikur është gjak, për të nxitur më shumë. Ndaj dhe Skapi nuk pranoi ta shqyrtojë.
Ajo që thonë se Gjykata e Strasburgut, tha vrasje shtetërore, e kam thënë unë përpara. Pse e kam thënë. Sepse ka vrasje me dashje, ka vrasje pa dashje.
Roja ka ligjin. Roja i Gardës dhe cilido roje, vepron mbi bazën e ligjit dhe lexoni ligjin çfarë thotë. Po të gjuajti, breshëri në ajër, po vazhdoi të gjuajë, tek këmbët dhe pastaj neutralizim.
Ky është ligji i bërë nga socialistët dhe nëqoftëse fillimisht u tha se, janë plumba nga afër që linte për të nënkuptuar që ishin demonstrues që kanë qëlluar njëri-tjetrin, më vonë u tha jo, ajo ekspertizë nuk ishte e drejtë, por janë nga distanca. Atëherë e kam thënë dhe e them, ato janë plumba të armëve të shtetit, të përdorura në përputhje me rregullat dhe ligjin, pra janë vrasje shtetërore të paqëllimshme. Edhe këto quhen vrasje shtetërore.
Por të njëjtën gjë e kam thënë unë edhe për Gërdecin. Pse e kam thënë? Sepse mbikëqyrjen e kishte shteti.
Çfarë ndryshimi ka? Ka një ndryshim ky cilësim, ndryshimi është në dëmshpërblimin e viktimës. Kur vlerësohet se rrethanat dhe të gjitha mund të dëmshpërblehet si viktimë.
Daniela Maloku, ReportTV: Për tu rikthyer pak te foltorja e ditës së djeshme. Në fakt ju e keni konsideruar dhe në këtë momente e thatë, një foltore parlamentaro-qytetare, por përveç fjalimeve të deputetëve ditën e djeshme nuk u pa asgjë tjetër që të jetë e ndryshme nga konferencat tuaja për shtyp. Cila është risia e kësaj foltoreje kur ne pamë dhe dëgjuam thuajse të njëjtat fjalime që përsëriten edhe në konferencat për shtyp.
Sali Berisha: Jo, më vjen keq, aty folën qytetarë, folën të rinj.
Pse ju nuk i dëgjuat të rinjtë, zërin e tyre? Aty folën përfaqësues të diasporës.
Jo, nuk është ashtu.
Kur vini në aktivitete të forcave politike, pavarësisht a e do apo nuk e do atë forcë politike, por kërkohet të jeni neutralë në raportim.
Folën 4-5 deputetë dhe folën 4 qytetarë. Kjo ishte e vërteta dhe kështu do jetë.
A mund të organizohet më mirë? Po, mund të organizohet më mirë dhe do organizohet shumë më mirë.
Domethënë do ofrohet, mendoj unë, do ofrohen grupe interesi, do ofrohen qytetarë.
Por ajo do të përsoset.
Ajo ishte themeluese. Ishte foltorja themeltare.
Daniela Maloku, ReportTV: Dje Ilir Alimehmeti që është një figurë jo pak e rëndësishme ne PD, u shpreh skeptik për këtë foltore, duke thënë se vendimi për të është marrë pa u konsultuar. Ju i keni ndjekur këto deklarata?
Sali Berisha: Unë ftoj çdo demokrat të shprehë mendimin lirshëm. Ne jemi parti e mendimit të lirë. Alimehmeti dhe jo vetëm ai, por çdo demokrat, është i ftuar të shprehë mendimin e tij. Por foltorja është konsultuara përpara.
Daniela Maloku, ReportTV: Me kë e keni konsultuar, sepse ai ka qenë propozim i juaj. A janë përfshirë strukturat për të marrë këtë vendim
Sali Berisha: Sigurisht ka qenë propozim i im. Sigurisht janë konsultuar drejtues të PD, dhe është instaluar si kryetari i ka disa të drejta. Edhe sikur i imi të ishte, ajo nuk ishte një gjë e gabuar. Por është konsultuar.
Jo mbase kaq gjerë, por është konsultuar dhe është një aktivitet që do të vazhdojë. Secili që do të qartësohet për qëllimin e saj, do ta pëlqejë edhe më shumë.
Daniela Maloku, ReportTV: Për këtë foltore ju keni shprehur dhe një objektiv fundor, që sipas jush duhet të jetë qëndresa e demokratëve për të bërë atë që u bë edhe me protestat para bashkisë, pra për të quar në burg në këtë rast, Ramën dhe Ballukun. Nëse ky qëllim dështon, kush do të jetë përgjegjësi i këtij dështimi.
Sali Berisha: Tani nëse Erion Veliaj është në burg, Edi Rama dhe Lubi Balluku duhet të jenë dhjetëherë para tij në burg. Ai ka vjedhur, ka vjedhur shumë, nuk ka vjedhur pak.
Por ta krahasosh me miliardat që ka administruar, 12 miliardë euro ka administruar Lubia dhe e pe si i administronte, me SMS. Ky palloshi, ai kështu, tjetri me radhë dhe ky ishte administrimi i 12 miliardë eurove.
Është kapur në flagrancë.
Ndaj dhe, a do i falin shqiptarët ata? Kurrë, shqiptarët nuk ua falin. Qëllimi i asaj foltoreje, një nga qëllimet është pikërisht dhe sensibilizimi i shqiptarëve para këtij realiteti shkatërrimtar për jetën e tyre, për vendin e tyre. Kjo është.
Marsi Korreshi, SYRI TV: E cilësuar platformën e djeshme parlamentare si një foltore 2. A do këtë një rikthim të foltores 1.
Sali Berisha: Do ketë një rikthim të foltores 1. Unë e thashë, krahas kësaj do vazhdoj takimet.
Nëpër Shqipëri tani.
Po do shkoj patjetër. Pra kjo do jetë foltorja parlamentaro-qytetare, do të jetë foltorja ime me demokratët dhe mbështetësit.
Ne këto kemi. Tani kemi një përkushtim total.

