Skandali i Ramës dhe Ballukut/ Berisha: Shqiptarët do paguajnë 130 milionë euro në 10 vite për aeroportin e Vlorës

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët të mbajtur ditën e sotme, akuzoi me tone të ashpra korrupsionin e thellë në ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ku qeveria ka lidhur kontrata të dëmshme për qytetarët shqiptarë, që do të kushtojnë rreth 130 milionë euro vetëm për pagimin e biletave të udhëtarëve të parashikuar të aeroportit, shumë më tepër se kostoja e vetë aeroportit. Berisha denoncoi një stërfitim të koncesionarit prej 700 milionë eurosh gjatë 35 viteve të koncesionit, duke përfshirë edhe lidhje familjare mes figurave kyçe të qeverisë, si Arbër Abazin, i cili është dhëndri i Belinda Ballukut

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se supervizori i pistës së aeroportit është arratisur në Britani të Madhe për shkak të cilësisë së ulët dhe mospërputhjes me standardet ndërkombëtare të asfaltimit, gjë kjo që përbën rrezik për sigurinë e jetës së njerëzve.

Në aspektin mjedisor, Berisha denoncoi shkatërrimin e lagunës së Nartës, duke e cilësuar këtë akt si krimin më të rëndë mjedisor në Shqipëri dhe rajon, duke vënë në dukje se ndërtimi i aeroportit është bërë në shkelje të rëndë të habitatit natyror dhe me kosto të mëdha për ekosistemin.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka theksoi qëndrimin e PD-së në zgjedhjet lokale të Vlorës, duke deklaruar se partia do mbështesë kandidatin që ka shpallur dhe nuk ka lidhje me kandidatin tjetër të propozuar si i pavarur.

Në lidhje me politikën e jashtme dhe marrëdhëniet me Kosovën, Berisha ka kritikoi ashpër Edi Ramën, duke e cilësuar si tradhtarin më të madh të shqiptarëve dhe Kosovës. Lideri historik i PD, Sali Berisha dënoi politikat e Ramës për manipulim të kauzës së UÇK-së, mohim të rezolutës për gjenocidin serb dhe përpjekjet për të ndarë Kosovën, duke theksuar se këto veprime janë antikombëtare dhe përbëjnë një rrezik serioz për unitetin kombëtar.

Kryetari I PD, Sali Berisha denoncoi përplasjet dhe bandat kriminale që po përdorin institucionet shtetërore për të eliminuar njëri-tjetrin, duke sjellë shembullin e largimit të Vangjush Dakos nga vendi pas një atentati me tritol, si dhe arrestimin e Aldo Avdylajt nga policia nën influencën e grupit të Elvis Doçit.

Berisha i bëri thirrje institucioneve të zbardhin këto ngjarje dhe theksoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar po rëndojnë rëndë mbi qytetarët shqiptarë, ndërsa qeveria vijon të shkatërrojë pasuritë natyrore dhe të marrë vendime që dëmtojnë ekonominë dhe sigurinë kombëtare.

FJALA E PLOTË

Rama-Lubi Balluku dhe ky skandal lidhet me aeroportin e Vlorës.

Ju jeni dëshmitarë se unë prej tre vitesh denoncoj publikisht aeroportin e Vlorës për dy arsye madhore.

Arsyeja e parë madhore që unë kam denoncuar aeroportin e Vlorës është korrupsioni mbi të cilin ngrihet kjo vepër e infrastrukturës dhe që u kushton qytetarëve shqiptarë çmim të tmerrshëm.

Unë kam denoncuar para jush se kontrata e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut me ndërtuesin e aeroportit, parashikon që qeveria shqiptare të paguajë për 10 vite me radhë të gjithë biletat nën numrin e parashikuar.

Sipas kësaj kontrate ultrakorruptive, qeveria do i paguajë çdo vit mbi 9 milionë euro koncesionarit, dhe mundet edhe më shumë.

Qeveria pra, shqiptarët do paguajnë në 10 vite 135 milionë euro. Do paguajnë edhe 20 milionë euro më shumë seç ka kushtuar aeroporti vetë dhe koncesionari do shfrytëzojë aeroportin për 35 vite me një fitim të llogaritur 700 milionë euro.

A ka njeri në botë që mund të firmosë një kontratë të tillë?

Koncesionari ndërton koncesionin, ndërton veprën. Natyrisht në ato 700 milionë euro është stër-stërfitimi i tij.

700 milionë euro janë 5-6 herë kostoja e ndërtimit.

Dhe, kjo jo, në vend së të paguajë taksapaguesve fee-në koncesionarë, taksapaguesit shqiptarë i paguajnë koncesionarit rreth 10 milionë euro.

De facto këto ndahen midis Lubisë dhe koncesionarit, se ndryshe nuk mund të ketë kurrë, nuk mund të ndodhë një gjë e tillë.

Pra, në vend se t’i paguajë shtetin fee-në koncesionare nga viti i parë, qyetarët i paguajnë Lubisë, Ramës dhe koncesionarit 130 milionë euro, pra nja 20 milionë euro më shumë se të gjitha shpenzimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Tani që aeroporti po i afrohet fundit, janë prishur pazaret.

Tani, si do i ndajmë?

Dhe tani ka shpërthyer aty një grindje e brendshme.

Po mua nuk më intereson grindja e brendshme, kategorikisht.

Po më intereson një gjë tjetër shumë që është jashtëzakonisht e rëndë.

Inxhinieri supervizues i pistës ia ka mbathur, është arratisur në Britaninë e Madhe.

Dhe burime serioze më thonë mua që asfalti dhe pista janë jashtë të gjitha standardeve, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndaj dhe supervizori është arratisur në Londër.

Njeriu që ka përgjegjësi për çdo centimetër katrorë të cilësisë në atë pistë.

Kjo po, përveç vjedhjeve të mëdha, kjo ka edhe një problem madhor, sigurinë e jetës së njerëzve.

Ju e dini që unë kam qenë kundër ndërtimit të atij aeroporti, të cilin Lubia e servirte me të madhe si më i madhi në Ballkan. Se zor i madh është të shtrosh një pistë.

Më i madhi në Ballkan në një zonë ku aktualisht nuk janë më shumë se 18 mijë shtretër, nga të cilët, dy vitet e fundit mbi 80 përqind e tyre zihen nga shqiptarët, jo të huajt.

E vërteta është kjo, me gjithë magjinë magjepsëse dhe mahninë që paraqet bregu i Jonit, nuk arriti të bëhet një atraksion. Lërini artikujt, shihni fluksin.

Nuk arriti të bëhej një atraksion për turistët e huaj. Jo. Shifrat flasin vetë. Pamjet filmike të këtij viti dhe të vitit të kaluar flasin vetë.

Askërkund, në asnjë lloj parametri, një aeroport aty nuk qëndron.

Po, qëndronte plotësisht një aeroport i vogël në Sarandë. Ka qenë pista gati.

Ose qëndronte plotësisht një aeroport në zonën midis Fierit dhe Vlorës, zonë në të cilën përfshinte Beratin, Gjirokastrën, përfshinte gjithë Jugun dhe jo vetëm Bregun.

Por këto janë njëri aspekt.

Aspekti më dramatik i këtij aeroporti është shkatërrimi i lagunës së Nartës.

Shkatërrimi i lagunës së Nartës është akt krimi më i rëndë mjedisor në Shqipëri, në Ballkan dhe nuk mund të krahasohet as me krimet monstruoze që janë kryer në Bashkimin Sovjetik duke zbrazur liqeje dhe mbyllu liqeje.

Nuk prishet habitati shekullor i vendosur. Përbën një krim të shëmtuar.

Unë u them ju, kur ndërtuam rrugën Levan-Vlorë me hua të marrë nga Banka Europiane, u detyruam ta ndryshojmë projektin me një kosto shtesë jo të vogël, vetëm për t’iu larguar zonës së habitatit.

Dhe ky shkoi e ndërtoi aeroportin aty.

I ka dhënë edhe nja 100 hektarë aty përreth se do të ndërtojë vetë aty tani me klanet e tij mafioze.

Pra, nuk merrem me çështje që kanë midis ortakëve, unë merrem me atë që jam marrë tre vite me radhë.

Tre vite me radhë kam ngritur që është e paimagjinueshme që të paguajmë udhëtarët e munguar.

Këtu nuk ka shtretër. Shkoni dhe bëni një hetim, filloni nga Uji i Ftohtë dhe gjer në Ksamil dhe pyesni pronarët sa pushues të huaj kishin.

Po pse mungesa e aeroportit i pengoi? Jo mo jo, ja ku është Tirana, ja ku është Korfuzi, ajo është një zonë e aksesueshme.

Por ajo nuk përmbush kushtet për turizmin e huaj.

Në qoftë se veriu ka pasur 80 përqind turistë të huaj, jugu nuk ka pasur as 10-15 pëërqind të huaj.

Veriu i ka pasur sepse ka atë treking, ata që vijnë me çanta në krah, që flenë në çadrat e tyre, por ka pasur.

E vërteta është se Thethi dhe Valbona kanë pasur të huaj në tërësinë e tyre.

Jugu shumë më pak. Tirana ka.

Jugu ka mungesa shumë të mëdha infrastrukturore dhe kjo është arsyeja.

Ka bukuri mahnitëse.

Mënyra se si e kanë trajtuar këta jugun është barbare.

Imagjinoni të vijë ai me 300 apo 500 euro shtratin kur nuk ka ujë për t’u larë.

Kur nuk shkon dot nga Dhërmiu në Himarë për të vizituar kështjellën se nuk ka transport.

I izoluar si të ishte një fshat i vetëm për shkak të mungesës së transportit.

E kanë zhvilluar vetëm si ta vjedhin.

Tuneli i Llogarasë, 220 milionë për të shkurtuar gjithsej 12-13 minuta.

Nuk ka njeri në botë që bën një shpenzim të tillë përveç hajdutëve Rama-Lubi.

Dhe u pret një pamje përrallore që të jep Qafa e Llogarasë.

I do ti ata 200 milionë? Jepu përgjigje ujërave të bardha dhe të zeza në të gjithë bregun.

Aty është tmerr. Shkoni në Himarë, shkoni kudo, i derdhin të gjitha në det.

Pra, janë të gjitha aferat korruptive.

Ky është njëlloj si djegësi i Tiranës. Del një djegës tani.

Por nuk harrohet as djegësi, as ky.

I mbyll Altin Troplini, por nuk i mbyll kurrë drejtësia ato.

PYETJE-PËRGJIGJE

Daniela Maloku, Report Tv: Z.Berisha, krahas problemeve me aeroportin e Vlorës që ju thoni se tashmë kanë dalë në dritë për shkak të prishjes së pazareve, zgjedhjet e pjesshme vendore që janë në sfond po tregojnë një problematikë edhe në radhët e opozitës. PD kishte deklaruar se do të mbështeste njnë kandidat të pavarur të shoqërisë civile, siç është z.Dionis Sota, që duket se është prezantuar tashmë. Por këto ditë një tjetër kandidaturë ka dalë në dritë, ajo e Gjergji Nika, që është edhe anëtar i këshillit bashkiak të PD në Vlorë. Ju z.Berisha do ta mbështësni këtë kandidaturë? Cila do të jetë qasja e PD ndaj dy kandidatëve të shpallur nga radhët e opozitës?

Berisha: Së pari, ai nuk ka asnjë lidhje me PD-në. Ai është këshilltar i propozuar nga Basha me Alibeajn, nuk e lidh asgjë me PD. Kështu që të pyesësh se kë do mbështesë PD, ne do mbështesim kandidatin që kemi deklaruar se do të mbështesim.

Nuk kemi asnjë lidhje me atë kandidatin kallp.

Edhe ai nuk ka thënë se, është kandidat i PD. Ai ka thënë jam i pavarur. I pavarur, tjetër problem.

Daniela Maloku, Report Tv: Ditën kur u mbajtën në Tiranë protesta në mbështetje të lidërve të UÇK-së, u vu re mungesa e liderve të opozitës, ashtu sikurse ju kishit deklaruar që nuk do të merrnit pjesë në protestën që do të mbahej, duke akuzuar që mund të ishte një protestë mund të përdorej politikisht nga kryeministri Rama. Por përfaqësuesist e opozitës nuk munguan, nnjë prej tyre ishte dhe z.Bujar Leskaj. Si e komentoni thyerjen e vendimit politik të z.Leskaj për të marrë pjesë në atë protestë? Z.Leskaj jo vetëm që nuk ka repektuar këtë vendim politik të PD, por duhet theksuar se z.Leskaj është ndër të paktët deputetë të PD që nuk ka nënshkruar kërkesën për shkarkimin e presidentit, është nga ata deputetë që ka dalë kundër vendimit të PD për primaret e kryetarët të degëve, është i vetmi që ka votuar kundër kryetarit të grupit të PD dhe një sërë vendimeh tjera, që në fakt shkojnë kundër vendimeve politike të PD. Keni një koment?

Berisha: Tani, së pari është trillim dhe shpifje ajo që thonë se ka pasur një urdhër. Nuk ka patur kategorikisht asnjë urdhër. Nuk ka patur asnjë urdhër për të marrë apo mos marrë pjesë në protestën e organizatës së UÇK-së.

Nuk ka patur.

Së dyti, duke mbështetur plotësisht kauzën e drejtë, luftën e drejtë të luftëtarëve dhe udhëheqësve të UÇK-së, për liri dhe dinjitet kombëtar në Kosovë, unë i kam shprehur të gjithë konsideratat, absolutisht dënoj manipulimin e tmerrshëm me këtë kauzë të Edi Ramës dhe cilido kujt tjetër.

Të hedhësh poshtë rezolutën për gjenocidin serb, nuk shkoj në termat e hershme të popullit, jo, por deklaroj se ke dëshmuar se, jo vetëm se je një antishqiptar i betuar, je një vegël, një argat mjeran i ultranacionalizmit serb, por je një problem, je një njeri me një dificit të tmerrshëm të njerëzisë dhe karakterit njerëzor.

Sepse gjenocidi, vrasja e njeriut të pafajshëm vetëm se i përket një etnie tjetër, është krim i papranueshëm për çdo njeri të qytetaruar. Dhe kjo ka ndodhur në Kosovë me dhjetëra, me qindra herë. Dhe kjo ka ndodhur ndaj shqiptarëve nga vitet 1870 gjer në vitin 1999 nga serbët në mënyrë të përsëritur.

Dhe kjo barbari ekstreme siç është gjenocidi është i regjistruar në analet e kohës, nuk është një shpikje, nuk është një krijim i propagandës shqiptare.

Mjafton të lexoni ju shkrimet dhe librin e Lev Davidoviç Trockit, i cili ka qenë korrespondent i gazetës, në mos gaboj ‘Novoj Evremia’ të Kievit në Shkup ka qenë dhe ka përshkruar barbari të paimagjinueshme kur Vardari ishte i mbushur plot me koka dhe trupa shqiptarësh, pas betejës së Kumanovës.

Mjafton të lexosh libra të ushtarakëve britanikë që shoqëruan ushtritë serbe dhe ishin dëshmitarë të barbarive të tyre, të cilët thonë ata, të papërshkruara në asnjë luftë të mëparshme ndaj shqiptarëve. Dhe kur i pyetën si ka mundësi që ju bëtë këtë ndaj lumjanëve na u përgjigjën se, e bëmë se këta janë serbë të shqiptarizuar dhe na kanë tradhëtuar. Vetëm e vetëm që të mos ishte gjenocid.

Pra, gjenocidi ishte ciklik. Edi Rama mbron etërit e tij biologjik, se një gjenocid i tmerrshëm, më i tmerrshmi pas luftës së Dytë Botërore, ka ndodhur në Tivar, kur sipas burimeve, dikush thotë 3 mijë, dikush 4 mijë, të tjerë thonë 6 mijë, por ama të gjithë djem shqiptar të mbledhur nga vatrat e tyre vetëm e vetëm për të shkatërruar në maksimum fuqinë e qëndresën shqiptare, njerëz të paarmatosur, janë mbledhur, kanë kaluar nga Morini-Kukës- Fushë Arrëz-Pukë-Shkodër-Bunë drejt Tivarit dhe janë ekzekutuar në një natë, me mijëra e mijëra prej tyre në një gropë të madhe natyrale.

Këto të gjitha janë gjenocide ciklike.

Pas tyre vjen lufta në Kosovë. Ju e keni vizituar Kosovën. Shkoni në Krushë, shkoni në Reçak, kudo ku të shkoni janë mbi 10 mijë civilë të pafajshëm të ekzekutuar vetëm se ishin shqiptarë. Nuk po llogari luftëtarët, janë 2 mijë luftëtarë, se Kosova i ka dëshmorët prej të vërteti, nuk i ka si Shqipëria që thotë 28 mijë dhe i mashtron 8 ose 10 herë, jo ata i kanë me emër mbiemër, i kanë të gjitha. Kanë dhe librin, mund ti mirrni ti shifni, nuk kanë ata, nuk shtojnë asnjë, aq sa janë 2000-2100. Pra pa këta, janë mbi 10 mijë viktima.

Por ajo që dua të them prap këtu, më ka tronditur shumë, nga këto viktima janë 1400 fëmijë. Dhe kur i shifja unë ato zonja në parlament, ato gra që votonin kundër dënimit të vrasjes së 1400 fëmijëve, çtë të them.

Në Kosovë ka një muze dhe ai muze është i ndërtuar vetëm me këpucët e vogëlushve, kaq. Se ku e gjetën këtë forcë, çfarë race e shpifur njerëzore janë këta që nuk dënojnë gjenocidin. Çfarë përfaqësojnë këta. Nuk kanë gjë të përbashkët as me shqiptarin, as me njeriun e qytetëruar.

Ky është komenti im. Përpjekja për të manipuluar, për të përçarë, për të përdorur një lëvizje kundër qeverisë së Kosovës, është gjithashtu armiqësore.

Është armiqësore, është antikombëtare. Mund të kesh 1-2-5 apo 10 vërejtje, por ajo qeveri që është sot në pushtet, ka marrë çdo kosto duke votuar kundra asaj gjykate. Unë që flas këtu kam qenë pro gjykatës, nuk e mohoj, nuk jam si ai unë. Nuk kam shkuar në Kosovë për ti bërë presion kërkujt, jo, por unë nuk kam qenë kundër gjykatës.

Kurse ai që shkoi në Kosovë me helikopter për të bindur këtë e atë, tani del, shan turfullon vetëm e vetëm për tu paraqitur si patriot.

Ti besosh patriotizmit të Edi Ramës, do të thotë thotë të mashtrosh veten tënde në çdo gjë. Ke ti problem, do ti ndihmosh ata. Po, merr vendim qeverie jepu për avoketërit. Ka dhënë dhjetëra milionë qeveria dhe parlamenti i tyre. E supozoj, por çpunë ke ti të përdorësh këtë për qëllime elektorale kundër qeverisë. Makabër, turp, njeri që nuk njeh asnjë lloj norme. Mendon se me makinacione, manipulime të tilla mund të fshijë nga memoria e kombit, si njeriu që sapo erdhi në pushtet nxiti me çdo kusht ndarjen e Kosovës.

Ndryshimin e kufijve, janë me dokumente këto të gjitha, jo se i them unë. Si njeriu që pasi dështoi me ndarjen kaloi te Ballkani i Hapur. Dhe në Ballkanin e Hapur, harta ishte Kosova pjesë e Serbisë.

Si njeriu që deklaroi me dhjetëra herë, Veriu i Kosovës tokë e askujt. Mitrovica tokë e askujt. Si njeriu që mori nga Beogradi, statutin e Komunave të Veriut të Kosovës dhe e paraqiti në emër të Sorosit.

Si njeriu që mbështeti projekti i Millosheviçit, të vulosura tashmë nga monstra e njerëzimit, Xhorxh Soros dhe fondacioni i tij. Janë kështu këto apo jo.

I pari që do i vendoste sanksione qeverisë së Kosovës. Si mund ta bëje? Ti jo vetëm qeverisë së Kosovës, por ka një kod me fqinjtë. Nuk mund të ja bësh fqinjit atë. Ajo është masë ekstreme, ajo është masë para lufte dhe ky, se nuk dua të përdor atë gjuhë që meriton, ky i vendos sanksione.

Nga pozita shqiptarësh, nuk mund të gjesh asnjë lloj fjale tjetër, përveç tradhëtar më i keq pas Enver Hoxhës, i shqiptarëve në tërësi dhe Kosovës në veçanti.

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha për t’ju kthyer edhe njëherë çështjes së aeroportit të Vlorës. Ka zëra që flasin për rikthim të rusëve. Me informacionet që ju keni, e shihni këtë si një çështje sigurie, apo histori korrupsioni?

Berisha: Kjo është kryekëput një çështje korrupsioni madhor, korrupsioni madhor, evident, që rëndon mbi shpatullat e qytetarëve më të varfër të Europës.

A ka këtu interesa të agjenturës së huaj?

A ka interesa të Taulant Ballës dhe Arbër Abazit përveç Edi Ramës dhe Lubi Ballukut?

Besoj e keni marrë vesh, Arbri është dhëndri i Lubisë. Ka vajzën e tezes. Vajza e tezes pas vetes vjen e dyta. Ajo është kushërirë e parë.

Unë e kuptoj…

Pra, është një vjedhje e tmerrshme, familjare, etj.

Do i marrim vesh.

Kjo është një çështje që…

Se 130 milionë euro është një shumë e tmerrshme.

Por do merret vesh në vazhdim.

Së fundmi, dua të informoj shqiptarët se Gjushi, sipas shumë të dhënave, është larguar nga vendi, në drejtim të paditur.

I bëj thirrje të tregojë vendin ku ndodhet.

Dhe historia është kjo.

Këtu deklarova unë, ose në parlament, se tani po përdoret policia nga bandat për eliminimin e njëra-tjetrës.

Ju kujtohet ju para dy javësh kur u vendos tritoli në makinën e Gjushit?

Është kjo kështu?

Tritolin Gjushit, mesa duket ia vendosi Aldo Avdylaj, i cili i thotë Gjushit, tritoli është vetëm paralajmërimi se ti që më ke kërkuar të bëj këto krime, unë t’i kam plotësuar. Të të jap votat që do, unë t’i kam dhënë. Dhe ju tani të gjithë mbroni Elvis Doçin dhe nuk pyesni më për mua.

Pra, këto fjalë, sipas qytetarit dixhital, Aldo Avdylaj ia ka thënë një Bujari, nëndrejtorit të Durrësit. Në fakt kjo është arsyeja pse u arrestua.

Në fakt kjo është arsyeja, sepse Altin Troplini, që mbron Elvis Doçin, arrestoi Aldo Avdylin me Bujarin.

Çfarë ndodh tani?

Bandat më të fuqishme po qërojnë rivalët e tyre nëpërmjet institucioneve që kontrollojnë.

Kjo ndodhi edhe në Elbasan, kjo po ndodh në vendet e tjera.

Por të gjitha këto, këto të Gjushit, janë nga qytetari dixhital, por këto që thashë unë, qytetari i ka bindje. I ka shumë të sakta.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale