FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PROTESTËN QYTETARE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, duke folur në protestën qytetare inauguroi atë që ai e quajti ‘platforma parlamentaro-qytetare’, e ngritur simbolikisht përballë godinës së Kryeministrisë, të cilën ai e cilësoi ‘pallati i krimit’. Në fjalën e tij para mbështetësve të opozitës, Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës për transformimin e shtetit shqiptar në ‘narkoshtet’, për largimin masiv të qytetarëve dhe për përdorimin e pasurive publike dhe pushtetit për ‘plaçkitje dhe sundim’. Ai deklaroi se kjo platformë synon të kthejë qytetarët në aktorë të drejtpërdrejtë të betejës politike dhe se opozita po përballet me ‘tonelata euro drogë’ dhe një ‘ushtri patronazhistësh’ që deformojnë zgjedhjet.
Gjatë fjalës së tij në protestën qytetare para kryeministrisë, kryedemokrati Sali Berisha, ka akuzuar Edi Rama dhe mazhorancën se kanë mbyllur de facto Parlamentin shqiptar, duke e cilësuar atë ‘narkoparlament’ dhe ‘instrument të një narkoshteti që ka frikë nga fjala e opozitës’. Ai deklaroi se kjo javë ka shënuar ‘kulmin e degradimit të shtetit’, me skandale të mëdha financiare, përplasje bandash dhe bllokimin sistematik të debatit parlamentar.
Berisha përmendi refuzimin e kërkesave të opozitës për komisione hetimore, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama për ‘pafytyrësi kriminale’ pas deklaratës së tij se mungesa e ilaçeve për pacientët me kancer lidhet me mungesën e fondeve. Berisha theksoi se paratë publike ‘përdoren për avionë luksozë, vila dhe projekte personale’, ndërsa qytetarët ‘mbeten pa mjekime dhe drejtësinë e votës’.
Lideri i demokratëve Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në protestën qytetare, u shpreh se faza e re e protestës opozitare, e cilësuar prej tij si ‘foltorja e dytë’, nuk synon më të shpëtojë opozitën, por ‘të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit’.
Në fjalën para mbështetësve, Berisha theksoi se mbyllja e Parlamentit nga mazhoranca tregon frikën e qeverisë përballë fjalës së opozitës dhe kritikave publike. Ai paralelizoi iniciativën me momentet historike të Revolucionit Francez dhe Parlamentit Kontinental në SHBA, duke e përshkruar këtë lëvizje si platformë parlamentaro-qytetare që synon të mobilizojë qytetarët kundër regjimit aktual. Sipas Berishës, ky ‘regjim’ është i bazuar te vota e dhunuar, korrupsioni dhe kontrolli policor, ndërsa opozita po merr rolin e ‘misionarit’ për të rikthyer lirinë dhe vlerat demokratike në vend.
Në vijim të fjalimit të tij para mbështetësve të opozitës, kryedemokrati Sali Berisha, u shpreh se beteja politike nuk do të ndalet derisa Edi Rama, ministrat e tij dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të largohen nga pushteti. Berisha përdori një gjuhë të fortë akuzuese, duke paralajmëruar se Ramaduro dhe Lubia dhe bashkëpunëtorët e tij, do të përballen me të njëjtin presion publik si Veliaj gjatë protestave të 46 javëve. Ai theksoi se numri i madh i efektivëve të policisë të vendosur rreth perimetrit të tubimit tregon ‘fundin e regjimit’ dhe e krahasoi situatën me praktikat e diktaturës komuniste. Sipas tij, opozita tashmë ka ‘faktuar para botës’ se qeveria është e lidhur me krimin dhe korrupsionin, dhe si rrjedhojë ‘misioni i vetëm dhe i shenjtë është rikthimi i votës së lirë dhe largimi i tyre nga pushteti.’
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi para mijëra mbështetësve se platforma parlamentaro-qytetare që opozita ka nisur sot në shesh, synon të kthehet në një lëvizje kombëtare për mbrojtjen e votës së lirë dhe të familjes shqiptare.
Duke akuzuar mazhorancën se ka votuar ‘ligjin Soros’, të cilin ai e cilësoi si një kërcënim për vlerat tradicionale dhe institucionin e familjes, Berisha theksoi se kjo platformë nuk është më thjesht një instrument opozitar, por një thirrje për bashkim të të gjithë qytetarëve, demokratë apo socialistë, rreth vlerave që ai i cilësoi të shenjta. Kreu i PD-së Sali Berisha paralajmëroi se kjo lëvizje do të vijojë derisa qeveria ‘të shporret nga pushteti’ dhe se do të shndërrohet në ‘uragan shprese dhe fitoreje’ për vendin.

FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës, të pranishëm sonte në këtë foltore parlamentare qytetare dhe kudo që jeni.
Të dashur demokrate e demokratë, mbështetës të opozitës, parlamentarë të opozitës.
Miqtë e mi.
Liria është si një lumë, të cilin me asnjë lloj përpjekje nuk mund ta ndalësh, nuk mund ta përthash.
Po guxove ta bllokosh, ajo do të çajë një kanal.
Pikërisht kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit.
Para pallatit të krimit shtetëror, ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin.
Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare.
Para pallatit që në një krim monstruoz ndaj shqiptarëve i zvogëloi ata dhe i ktheu 100 vite mbrapa.
Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Lubinë, të cilët me vjedhjet, plaçkitjet e tyre kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend tjetër të kontinentit.
Përpjekjet e opozitës për zgjedhje dhe rotacion të pushtetit u përballën me tonelatat e eurove të drogës.
U përballën me ushtrinë terroriste të patronazhistëve. Terroristë të votës.
U përballën me të gjithë burimet financiare, njerëzore, logjistike, të gjithanshme të shtetit mafioz, të narkoshtetit vetëm e vetëm se rotacioni, largimi nga pushteti i tyre është frikë, tmerr nga krimet që kanë kryer.
Miqtë e mi, po të ndalemi vetëm këtë javë, nuk javë që paraqet më qartë fytyrën e urryer të narkoshtetit shqiptar.
Gjatë kësaj jave, skandalet më të mëdha, vjedhja nga Rama-Lubia 90 milionë eurove në tunelin e Llogarasë.
Vjedhja e 140 milionë eurove në aeroportin e Vlorës.
Vjedhja e qindra milionë eurove në porte, rrugë dhe vepra të tjera.
Kjo javë faktoi se kjo ngrehinë e kalbur po shkatërrohet, po shkërmoqet dhe nuk pret asgjë tjetër vetëm vrullin tonë, zemërimin tonë, vendimin tonë për ta fshirë nga historia.
Po këtë javë, në vendin më të sigurt, të supozuar, masakra kur bandat e qeverisë likuidojnë banda të tjera të qeverisë.
Por, ajo që kulmoi në qëndrimet e narkoshtetit ishte mbyllja de facto e narkoparlamentit.
Edi Rama dhe banda e tij, të dalë nga dhunimi i votës, të dalë nga grabitja e votës, të dalë nga paratë e drogës, nga aferat më të mëdha korruptive, kanë frikë dhe tmerr nga fjala e deputetëve të opozitës në parlament.
Ndaj dhe ata zgjodhën për t’u mbrojtur ndaj jush, të vendosin terrin, të vendosin bllokimin, të vendosin errësirën.
Në 10 seanca parlamentare si kurrë ndonjëherë në histori në asnjë vend, opozita u lejua të debatojë vetëm në një seancë.
Në 10 seanca parlamentare, qeveria e përbërë nga individë të lidhur këmbë e krye me krimin, e përbërë nga Lubira e të tjerë, u votua për 28 minuta, për të treguar se ai ka frikë, tmerr nga ju. Se ajo nuk del sot para jush.
Në 10 seanca, u hodh poshtë kërkesa për komisionin e zgjedhjeve, të cilat janë faktuar një farsë elektorale tashmë jo vetëm nga PD dhe opozita, por nga mbarë komuniteti ndërkombëtar.
U hodh poshtë kërkesa për komisionin McGonigal, sepse Edi Rama është po aq fajtor, po aq i korruptuar sa McGonigal.
U hodh poshtë interpelanca me ministren e Shëndetësisë, e cila duhej t’u shpjegonte shqiptarëve pse mbeten në kthetrat e vdekjes të sëmurët tanë me sëmundje të rënda, malinje, për shkak të ilaçeve.
Zgjidhja ishte të votohej në përmbysje të Kushtetutës, që ajo nuk mund të bënte interpelancën.
Dhe dy ditë më vonë, Edi Rama me cinizmin më ekstrem që do ta kishte lakmi çdo njeri i pashpirt dhe çdo diktator, u thotë shqiptarëve se të sëmurët me kancer mbetën pa mjekime se ata ishin shumë dhe ne nuk kishim para.
A ka krim më të shëmtuar se të pohosh këtë?
Sigurisht që para kishte dhe jo aq sa kërkonin ata, por u garantoj ju edhe 10 herë më shumë. Asnjë vështirësi.
Dhe nuk ka vend në Europë as Afrikë ku ato të mungojnë. Dhe se mungesa e atyre ilaçeve përbën krim të vërtetë.
Por paratë i përdor Edi Rama për t’i depozituar në bankat offshore.
Paratë i rrëmben për t’i transportuar me aeroplanin e tij në dispozicion.
Paratë i përdor për të udhëtuar me avion taksi 22 milionë euro.
Për të ndërtuar këtu pas kryeministrisë Kopshtin e Edenit për të kënaqur sytë e tij dhe për të vjedhur bashkë me autorin e tij.
Paratë i përdor për të blerë vetura superluksoze dhe super të kushtueshme. Shishe vere 34 mijë euro.
Paratë i transporton ai me avionin e tij.
Natyrisht për të sëmurët nuk mbeten para.
Për të sëmurët mbetet dënimi i asaj sëmundje.
Dhe siç e dëgjuat, duke iu drejtuar këtyre të sëmurëve, u thotë se unë kam edhe eksperiencë të hidhur personale
Tani do i them këtu, nuk ka pafytyrësi më të madhe se kjo që bëre ti. Se ajo eksperienca personale që ke ti, dhe unë uroj ta kalojë me sukses të plotë, ka marrë çdo mjekim që ekziston mbi botë.
Kurse ata ishin të njerkës, qytetarët e thjeshtë i le në spital pa ilaçe.
Dhe ka pafytyrësi të thuash se ke eksperiencë personale.
Ke pafytyrësi personale, pamëshirësi të plotë.
Ndaj dhe e mbylli parlamentin sepse do që këto të mos i thuhen në sy.
Do që këto të mos ia marrin vesh qytetarët.
Po në qoftë se ti kishe një eksperiencë personale, ai duhej të ishte një detyrim shumë herë më i madh për të bërë për secilin që është i agresuar nga ajo sëmundje, të kishte të njëjtat ilaçe.
Natyrisht ajo nuk mund të jetë se ata për ty janë qenie njerëzore, qenie për t’u përçmuar, qenie për t’u vjedhur, qenie për t’u larguar nga Shqipëria.
Në këto kushte, u bë e domosdoshme dalja në shesh në një platformë parlamentaro-qytetare.
Miqtë e mi, shumë kanë pyetur po çfarë është kjo foltore, çfarë është kjo platformë?
U rikujtoj se nuk është një gjetje origjinale e PD-së, as e opozitës.

Një platformë e tillë, me një fushë tenisi, transformoi Francën dhe Europën gjatë revolucionit.
Parlamenti kontinental transformoi SHBA dhe i bëri ata superfuqinë më të madhe të kohërave.
Foltorja me qytetarët e çliroi opozitën.
Foltorja me qytetarët e shpëtoi opozitën.
E ktheu atë në forcë sovrane të shqiptarëve.
E ktheu atë në një parti, e cila u përball në rrugën e saj me pengesa më të papara, me represionin, me agresionin ndaj saj.
Por përsëri, sot ajo mblidhet në foltoren e dytë, foltorja që nuk ka më synim të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit.
Ndaj dhe për të kuptuar pak misionin, hapni sytë dhe shihni si e ka rrethuar pëllëmbë e policë, pëllëmbë e gardistë, pëllëmbë e ushtarë.
Edvin, absolutisht je i pashpresë.
Fundi yt nga ky shesh do të vijë.
Të dashur miq, ne jemi në një regjim i cili dhunon votën e lirë.
I cili shtyp opozitën.
I cili në të vërtetë është i kalbur nga koka tek këmbët dhe nuk pritet gjë tjetër vetëm qëndrimi ynë, beteja jonë, vendosmëria jonë për të arkivuar në histori këtë regjim që mendon se do mbahet në këmbë me Skapin e partisë.
Që mendon se do mbahet në këmbë me dhunë, terror, blerje, shitje, pazare.
Por idealet janë ideale.
Janë më të fuqishme.
Janë forcë nukleare e njeriut.
Janë forca nukleare e shoqërisë.
Janë forca, të cilës asgjë nuk i reziston.
Ndaj dhe ju ftoj në këtë mision të vazhdojmë betejën tonë si misionarë.
Ja ku jemi.
Gjysma e kaq sa jeni këtu, për 46 javë rresht, Erion Veliajn, Lali Vjedhësin e nisëm aty ku e ka vendin.
Po.
Ai ishte tek bashkia.
Këtë që kemi këtu, Lubinë me Ramaduron, do i nisim tek Erion Veliaj.
Dhe ja t’u themi, merr jo kaq, se e ka mbushur atje, po të shkoni atje nga ana tjetër, atje janë nja 500 policë.
Në anën tjetër 500 të tjerë.
Mediat thanë 2000 policë.
Ky është fundi i regjimit miqtë e mi.
Edhe në diktaturën komuniste kështu bënin. Na rrethonin me policsë, me ushtarë, me gardë, dhe në fund ia mbathën si minjtë. Si minjtë do ikin edhe këta.
Nuk kanë shpresë.
Të vazhdojmë ne këtë betejë të vendosur.
Ne vijmë këtu pas i kemi faktuar botës se ky është një narkodiktator.
Pasi i kemi faktuar botës se ky dhe vëllai i tij janë të lidhur si mishi me thoin me drogën dhe krimin.
Ne vijmë këtu pasi i kemi faktuar botës se Edi Rama dhe ministrat e tij janë hajdutët më të mëdhenj të Europës dhe të shqiptarëve në tërë kohërat.
Ne vijmë këtu dhe do vijmë gjer në largimin e tyre, gjer në rikthimin e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
Nuk ka mision më të shenjtë.
Nuk ka mision më të shenjtë, nuk ka forcë në botë që do na ndalojë ne pa përmbushur me dinjitet këtë mision.
Edhe njëherë, nderimin më të madh për ju, burra dhe gra që keni 4 vite të angazhuar në çdo betejë, të angazhuar në beteja ndër më të vështirat, por që i fituat, triumfuat mbi çdo të keqe, mbi çdo forcë, mbi çdo armik të pluralizmit politik në Shqipëri dhe qëndroni sot si dëshmitarë, si misionarë të vendosur për të rikthyer në Shqipëri votën e lirë.
Vlerat, familjen.
Mos harroni se parlamenti votoi me shpejtësi të rrufeshme narkoparlamenti, ligjin Xhorxh Soros, ligjin e shkatërrimit të familjes.
Ligjin, me të cilin ekstremistë të majtë në SHBA, nën ndikimin direkt të Xhorxh Sorosit, ndërmorën fushatën më të paimagjinueshme të ndryshimit të gjinisë.
Ligjin, me të cilin u vendos censura më e rreptë.
Ligjin, me të cilin presidentin Donald Trump, formuluan ndaj tij 35 akuza, e gjobitën qindra e qindra milionë euro.
Atë ligj votoi parlamenti.
Atë ligj, shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë.
Sepse ai ligj është shpërbërja e familjes.
Po u shpërbë familja, Shqipëria shpërbëhet, kombi shpërbëhet, zhduket, siç janë zhdukur kombet në histori.
Ndaj dhe ne sot këtu jemi të betuar se atë ligj nuk do e pranojmë kurrë.
Se familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i çdo shqiptari.
Familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i kombit shqiptar dhe Shqipërisë.
Kjo familje, këtë komb e ka sjellë gjer ditën e sotme nga lashtësia.
Kjo familje, këtë familje, Edi Rama dhe Lubia kërkojnë ta shkatërrojnë.
Kjo familje do mbrohet me çdo çmim. Do mbrohet me çdo çmim. Do mbrohet me çdo çmim.
Të gjithë ju dhe ata të cilët nuk janë sot me ne për një arsye apo një tjetër sepse nuk kanë pasur mundësi të vijnë, e keni për detyrë të ulemi me çdo shqiptar.
Të ulemi sepse platforma parlamentaro-qytetare është platformë e qytetarëve shqiptarë, demokratë, pa parti, por edhe e socialistëve që e duan familjen, që e duan Shqipërinë, që e duan vendin.
Kjo platformë është platforma e një bashkimi më të madh se kurrë të shqiptarëve rreth vlerave më të shenjta të tyre, rreth votës së lirë, rreth familjes.
Ndaj dhe nga kjo platformë, që do vazhdojë gjersa Rama dhe Belinda të shporren nga ai vend, do të shndërrohet në uraganin e fuqishëm, në uraganin e shpresës, në uraganin e besimit, në uraganin e fitores.
Rrofshi ju.
Rroftë opozita.
Rroftë Shqipëria!

***
Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme.
Kjo është foltore themelore.
Themelon kjo foltore atë lëvizje të fuqishme që do i japë këtij regjim ndëshkimin që meriton.
Ndaj dhe le të përshëndesim ne përzemërsisht dhe me mirënjohje të gjithë ata që morën pjesë, të gjithë ata që e ndoqën këtë foltore, e cila u garantoj unë ju do shndërrohet në një gurrë frymëzimi.
Kjo foltore unike në historinë e vendit do të realizojë bashkimin e shqiptarëve në një ideal të lartë, në idealin e votës së lirë, në idealin dhe shenjtërinë e familjes shqiptare.
Mirupafshim në foltoren tjetër po në këtë shesh.
Tjetrën po në këtë shesh gjer në fitore.

