FJALA E KOORDINATORIT TË PROGRAMIT EKONOMIK, DORJAN TELITI
Dorjan Teliti, koordinator i programit ekonomik të Partisë Demokratike, prezantoi 5 shtyllat kryesore të modelit ekonomik të PD-së:
Ekonomi që prodhon dhe krijon vende pune
Sistem fiskal të drejtë dhe taksa të ulëta
Barazi ekonomike dhe zhdukja e varfërisë ekstreme
Tërheqja e investimeve dhe kthimi i shqiptarëve në atdhe
Qeverisje e vogël, efikase dhe transparente
Teliti kritikoi politikën e keqe ekonomike të qeverisë aktuale dhe ofroi një plan për të çliruar ekonominë nga burokracitë dhe korrupsioni, duke ofruar lehtësira fiskale për bizneset dhe sipërmarrësit, si dhe mbështetje për zhvillimin e sektorëve të prodhimit, bujqësisë dhe energjisë. Teliti theksoi rëndësinë e një sistemi fiskal të drejtë dhe të qëndrueshëm, si dhe garantoi rritjen e pensioneve dhe mbështetje për familjet me të ardhura të ulta. Ai po ashtu paraqiti masa për të tërhequr investitorë dhe për të rikthyer shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Koordinatori i programit ekonomik të PD, theksoi se ky plan është i realizueshëm dhe ka si synim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.
I nderuar Kryetar dhe lider historik i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, profesionistë dhe sipërmarrës, të nderuar pjesëmarrës që besoni në një Shqipëri më të drejtë dhe më të begatë,
Sot, vendi ynë ndodhet në një udhëkryq. Shqipëria po përjeton një krizë të thellë ekonomike.
Varfëria ka zënë vend në çdo shtëpi, çmimet janë të larta, taksat e rënda, mungesa e investimeve, si vendase ashtu edhe të huaja, dhe papunësia po detyrojnë shqiptarët të largohen masivisht. Bizneset po falimentojnë, familjet mezi po përballojnë muajin dhe shtresa e mesme po zhduket. Ky nuk është një realitet i pashmangshëm, por një pasojë e keqqeverisjes dhe korrupsionit. Ne jemi këtu për të sjellë një ndryshim rrënjësor dhe të vërtetë!
Me Sali Berishën Kryeministër dhe Partinë Demokratike në qeverisje, qytetari, familja dhe sipërmarrja do të kenë vendin që u takon, në qendër të modelit dhe politikave tona ekonomike e sociale.
Modeli ynë ekonomik do të bazohet dhe ndërtohet mbi 5 shtylla të forta:
Një ekonomi që prodhon dhe krijon vende pune.
Një sistem fiskal të drejtë dhe taksa të ulëta.
Një shtet që garanton barazi ekonomike dhe zhduk varfërinë ekstreme.
Një Shqipëri që tërheq investime dhe kthen shqiptarët në atdhe.
Një qeveri të vogël, por efikase dhe transparente.
Prej 12 vitesh, Shqipëria prodhon gjithnjë e më pak. PS-ja në qeverisje ka ndërtuar një ekonomi të bazuar në importe dhe ndërtim, duke shkatërruar sektorët strategjikë si industria dhe bujqësia. Ky model aktual nuk krijon as vende pune të qëndrueshme dhe as zhvillim të vërtetë.
Pyetja është: Si do ta ndryshojmë këtë situatë?
Fillimisht do t’i heqim nga gryka e sipërmarrjes dhe konsumatorëve zinxhirët e rëndë të një politike dhe administrate të korruptuar, duke çliruar të gjitha energjitë pozitive që vijnë nga konkurrenca e lirë, reale dhe e ndershme midis operatorëve ekonomikë.
Gjithashtu, me një paketë lehtësirash fiskale dhe proceduriale për sipërmarrjet prodhuese dhe për ato që krijojnë gjithnjë e më shumë vende pune, me skema konkrete mbështetjeje të financuara apo bashkefinancuara me Bankën Zhvillimore Kombëtare që do të financojnë startup-et, sipërmarrësit e rinj dhe projektet strategjike në prodhim, industri, bujqësi dhe energji, mund të ndalim rrokullisjen e rrënimit ekonomik dhe të kthejmë prodhimin në epiqendër.
Ekonomia shqiptare nuk mund të mbijetojë vetëm me turizëm dhe remitanca. Ajo duhet të mbështetet në sektorë që krijojnë vende pune të qëndrueshme dhe të paguara mirë.
Sot, shteti shqiptar nuk është mik i sipërmarrjes, por një armik i saj.
Bizneset trajtohen si burime për t’u shtrydhur me taksa, tarifa dhe gjoba arbitrare. Ne do ta ndryshojmë këtë model shtypës dhe do të krijojmë një sistem fiskal të drejtë, të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm.
Taksë e sheshtë 10% mbi të ardhurat, fitimet dhe kapitalin – një sistem i drejtë që rrit konkurrencën dhe ul informalitetin.
Zhdukim taksimin vrastar progresiv rilindas.
Rritje të kufirit të xhiros vjetore mbi përjashtimin nga TVSH dhe tatim fitimi për bizneset e vogla, 180 mijë euro xhiro vjetore.
Eliminimi i burokracive dhe kontrolleve abuzive.
Bizneset do të kenë qartësi dhe stabilitet. Sistemi tatimor do të vendoset në fillim të mandatit dhe nuk do të ndryshojë për 4 vjet. Kjo do të krijojë besim dhe siguri për sipërmarrësit dhe ekonominë.
Një ekonomi e drejtë nuk mund të funksionojë nëse qindra mijëra familje jetojnë në varfëri ekstreme. Ne do të krijojmë një sistem që garanton një nivel minimal jetese dinjitoze për të gjithë.
Vendosja e minimumit jetik 200 euro – brenda 100 ditëve të para është angazhim i patjetërsueshëm.
Rritje reale e përvitshme e pensioneve.
Rimbursimi i TVSH-së për shportën bazë për familjet me të ardhura të ulta.
Paketat e lindjes, paketat për fëmijët, subvencionimet e blerjes së shtëpisë, sidomos për çiftet e reja (shtëpia është traditë e shqiptarëve), etj.
Këto janë disa nga masat që do të merren menjëherë, që në muajt e parë të qeverisjes. Ne nuk do të lejojmë më që askush të jetojë në kushte të mjerueshme, që familjet të mos kenë mundësi të sigurojnë jetesën, apo që të rinjtë të mos kenë shpresë për të ardhmen.
Të nderuar, në këto vite, vendet e rajonit po tërheqin investitorë të shumtë, ndërsa Shqipëria ka mbetur pas për shkak të korrupsionit, mungesës së sigurisë juridike, politikave të gabuara fiskale dhe paqëndrueshmërisë ekonomike. Ne do ta ndryshojmë këtë realitet!
Përveç të tjerave:
Do të ngritim katër Zona të Lira Ekonomike, ku investitorët e huaj do të kenë lehtësira fiskale dhe logjistike për të ndërtuar fabrika dhe industri në Shqipëri.
Defiskalizimi i kompanive që hapin vende pune, sidomos në IT dhe inovacion, do të kenë përjashtime tatimore nga 3 deri në 5 vite.
Do të implementojmë “Programin Kombëtar për Kthimin e Emigrantëve” – me përjashtime fiskale deri në 5 vjet për emigrantët që kthehen dhe hapin biznes në Shqipëri.
Shqipëria nuk mund të jetë më një vend që humbet kapitalin e saj më të madh – njerëzit. Ne do të krijojmë një ekonomi ku shqiptarët të kenë arsye për të kthyer, arsye për të qëndruar dhe arsye për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu.
Dhe së fundmi, me Sali Berishën Kryeministër, do të rikthejmë qeverisjen e vogël, por efikase dhe transparente.
Në këto kohë krize, nuk ka vend për lukse, nuk tolerohet asnjë shpërdorim.
Do të rikthejmë garën në prokurimet publike.
Do të pezullojmë fillimisht çdo pagesë për PPP-të korruptive dhe më pas do t’i anullojmë ato nga e para te e fundit. Hiqen me ligj PPP-të e pakerkuara.
Rritja e transparencës dhe llogaridhënies do të jetë kryefjalë në menaxhimin e financave publike.
Të nderuar pjesëmarrës, këto nuk janë premtime boshe, nuk janë premtime elektorale.
Këto janë pjesë të një plani konkret, të një plani realist për ta bërë Shqipërinë një vend ku ia vlen të jetosh dhe të investosh.
Koha është tani! Është radha e shqiptarëve të ndershëm.
Të gjithë bashkë, ne do ta ndryshojmë Shqipërinë!
Ju Faleminderit!