DEKLARATA E DREJTUESES SË DEPARTAMENTIT TË ARSIMIT NË PD, LILI SULA
Ngjarja shumë e rëndë në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz flet për mungesën e sigurisë në shkollë; 16-vjeçarë që përleshen me thika, mes të cilëve 2 janë transportuar në spital me plagë të rënda.
Jemi në muajin e parë të vitit shkollor, fillim shkolle i tronditur nga:
– përleshja me thika dje në gjimnazin I. Rugova,
– vetëvrasja e nxënëses 16 vjeçare e të njëjtit gjimnaz,
-15-vjeçarja në Sarandë që tentoi të vetëvritej prej bullizmit në shkollë duke u hedhur nga ballkoni i apartamentit;
Këto janë ngjarjet e javës së fundit që janë bërë publike, të cilat pa dyshim nuk janë të vetmet.
Konflikti me pasoja të rënda për jetën e nxënësve flet me zë të lartë për mungesën e parandalimit të dhunës në shkollë, mungesën e shërbimit të psikologut, të oficerit të sigurisë, programeve edukative.
Sistemi arsimor ka dështuar, ndaj të rinjtë arrijnë deri te dhuna me mjete të ftohta. Programet sociale e edukative janë inekzistente, psikologët mungojnë, 70% e shkollave nuk ofrojnë shërbimin e oficerit të sigurisë, ndërsa oficerët e policisë shpesh ekzistojnë vetëm në letër.
Institucionet arsimore kanë dështuar në përmbushjen e misionit të tyre primar dhe janë shndërruar në garantuese të dhunës, bullizmit, konfliktualitetit, pasi politika prej vitesh e trajton dhunën mes të rinjve si episod të përkohshëm, dhe jo si lëngatë të sistemit e të shoqërisë.
Me gjithë zhurmën për kodin e etikës dhe masa ndëshkuese deri në përjashtimin e nxënësit që gjendet me celular në klasë- kjo ngjarje e të tjera të këtyre ditëve i rrëzojnë kokëposhtë deklaratat e bujshme të ministres së arsimit në ditët e para të shkollës, si dhe mburrjet e kryeministrit për rritjen e sigurisë në institucionet arsimore.
Fakti që 16-vjeçarë mbajnë thika me vete dhe i përdorin për të zgjidhur konfliktet është pasqyra më e kthjellët e një shoqërie që po e humbet toruan që ushqen tek ta modelin e të fortit, gjuhën e bullizmit e të dhunës.
Përleshja mes gjimnazistëve provon mungesën e plotë të përgjegjësisë institucionale dhe të vullnetit politik për të njohur dështimet dhe gjëmat e arsimit në kryqendrën e tij, Tiranë. Në nëntor të 2024, Martin Cani u nda nga jeta në rrethanë të ngjashme me të sotmet dhe askush nuk mbajti përgjegjësi, por fajit iu vesh rrjeteve sociale dhe Tik – Tok-ut
Kjo qeveri – që flet e premton reforma në arsim dhe modernizim, por nuk është në gjendje të sigurojë gjënë më bazike: jetën e adoleshentëve brenda dhe jashtë mureve të shkollës – mashtron dhe ka dështuar.
Dje ra sërish alarmi për rrezikun e lartë ku gjenden fëmijët tanë, dje ra sërish fasada e programit propagandues për 2025-2029.