DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARI I DEPARTAMENTIT TË DREJTËSISË NË PD, ALVI MUSARAJ
Ngjarjet e fundit në disa qytete të vendit, ku mijëra qytetarë janë mashtruar nëpërmjet skemave piramidale, tregojnë qartë se shqiptarët rrezikohen nga një fenomen kriminal që cenon kursimet e jetës dhe sigurinë. Këto platforma mashtruese, të paraqitura si investime apo mundësi fitimi të shpejtë, kanë prodhuar deri më tani një dëm financiar për qytetarët që i kalon 5 milionë dollarët dhe përfshin 6 mijë ‘viktima’.
Partia Demokratike vëren dhe dënon mungesën e parashikimeve të qarta në Draftin e Kodit Penal të prezantuar nga ministri i Drejtësisë. Drafti shfaq mangësi serioze në lidhje me përcaktimin dhe diferencimin e këtij krimi, duke mos ofruar dispozita parandaluese dhe masa ndëshkuese të qarta, të aplikuara në vendet e BE. Ky boshllëk ligjor, jo vetëm që e dobëson luftën kundër fenomeneve kriminale, por tregon mungesën e vullnetit politik të qeverisë për të ndëshkuar autorët dhe për të mbrojtur qytetarët.
Partia Demokratike, duke u mbështetur mbi standardet më të mira ligjore europiane, propozon ndryshime konkrete në Kodin Penal.
Së pari, duhet bërë dallimi midis skemave piramidale elementare – ku fitimi vjen vetëm nga rekrutimi i pjesëmarrësve të rinj dhe jo nga shitja e produkteve apo shërbimeve reale – dhe skemave piramidale komplekse, të cilat maskohen si investime apo fonde financiare.
Për këto raste, PD propozon:
Gjobë nga 100,000 deri në 600,000 euro për organizatorët dhe promovuesit;
Mbylljen e bizneseve mashtruese, sekuestrimin e materialeve promovuese dhe përjashtimin nga tenderat publikë;
Burgim deri në 8 vite për rastet kur mashtrimi përfshin kursime, investime apo fonde publike;
Burgim deri në 9 vite kur kemi të bëjmë me organizata kriminale të strukturuara që menaxhojnë këto skema.
Së dyti, në rastet kur skemat piramidale prekin fonde publike, subvencione apo financime shtetërore, dënimet duhet të jenë edhe më të rënda, duke përfshirë burgim nga 1 deri në 6 vjet dhe ndalimin e përhershëm të përfitimit nga fonde të tilla.
Së treti, viktimat e këtyre mashtrimeve të trajtohen me prioritet dhe të garantohet proces i drejtë kompensimi, duke sekuestruar dhe rikthyer pasuritë e fituara në mënyrë kriminale.
Këto skema mashtruese nuk mund të zhvillohen pa mbështetje dhe tolerim nga strukturat shtetërore. Heshtja dhe mosveprimi i qeverisë rrezikon qytetarët dhe inkurajon mashtruesit.
Partia Demokratike kërkon të goditen ashpër pronarët e vërtetë të këtyre platformave mashtruese.
Ju faleminderit!