Nga taksat e larta, kontrabanda dhe rezervat private/ Berisha: PD ka gati paketën për uljen e barrës fiskale mbi naftën njësoj si në Maqedoni dhe Kosovë

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT-PER ÇMIMIN E NAFTËS

EKSTRAKT

Gjatë konferencës për mediat të mbajtur ditën e sotme, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi se çmimi i lartë i naftës në Shqipëri është pasojë direkte e politikave të ndjekura nga Edi Rama dhe qeveria e tij.

Sipas kryedemokratit Sali Berisha, faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë situatë janë taksat e larta mbi karburantin, kontrabanda e naftës dhe mënyra e menaxhimit të rezervave shtetërore dhe private. Ai theksoi se këto elemente kanë bërë që Shqipëria të ketë një nga çmimet më të larta të naftës në rajon, si dhe një nga ngarkesat fiskale më të rënda në Evropë.

Lideri i opozitës Sali Berisha njoftoi se Partia Demokratike ka përgatitur një paketë masash që synon uljen e barrës fiskale mbi naftën, duke e sjellë atë në nivele të krahasueshme me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

FJALA E PLOTE

Por unë jam këtu përsëri për një çështje madhore.

Nafta në Shqipëri është shndërruar në një instrument të tiranisë ndaj shqiptarëve.

Në një instrument të çmimeve stratosferike, të pakësimit të racionit ushqimor në tavolina, të çmimeve stratosferike, të largimit të tyre nga Shqipëria.

Çmimi i naftës në vendin ku gjenden fushat më të mëdha në Europë naftëmbajtëse në tokë, siç është Patos-Marinza me 6 miliardë fuçi.

Çmimi i naftës në vendin me një seri portesh për importin.

Në Shqipëri ky çmim tejkalon me 60 përqind çmimin e naftës në Maqedoni dhe në Kosovë.

Shkaqet e këtij çmimi të lartë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, lidhen me ngarkesën absurde, të pamëshirë fiskale mbi litrin e naftës që Edi Rama ka vendosur.

Disa janë faktorët më kryesorë të këtij çmimi, por në mënyrë absolute dy prej tyre janë qeveritarë, qeveritarë dhe vetëm qeveritarë.

Së pari, ngarkesa fiskale.

Ngarkesa fiskale në vendin me varfërinë më të madhe në Evropë, me rrogat më të ulëta dhe fuqinë blerëse më të ulët, është më e larta në Evropë dhe ndoshta në botë.

Ngarkesa fiskale mbi litrin e naftës në Shqipëri është mbi 60-65 përqind, ndërkohë që në vendet më të zhvilluara të planetit në mesatare kjo ngarkesë është 40-45 përqind.

Ndërkohë të ardhurat mesatare në vendet e OECD janë 6 herë më të lartë se mesatarja e qytetarëve shqiptarë.

Pra, është një gjobë e tmerrshme që rëndon mbi shqiptarët.

Së dyti, faktori i dytë madhor është kontrabanda e naftës. Asnjë litër nuk hyn në Shqipëri me bote. 350 mijë ton naftë kontrabandë hyn në Shqipëri në portet që kontrollon qeveria.

350 mijë ton naftë kontrabandë janë të barabarta me të ardhura aktuale 410 milionë euro. Që të gjitha shkojnë në familjen e kryekontrollorit të kontrabandës që quhet Edi Rama.

Shitja e kësaj nafte kontrabande nëpërmjet kompanive tregon edhe njëherë bashkëpunimin e Edi Ramës në çmimet stratosferike.

A mund të imagjinoni ju, çmimi më i lartë në Evropë, kontrabanda më e lartë.

Pra, shkaku më madhor i këtij çmimi shkatërrimtar është Edi Rama dhe qeveria e tij.

Faktori i tretë janë rezervuarët e naftës apo depozitat e naftës, të cilat në kuptimin e rezervës shtetërore mund të jenë shtetërore, mund të jenë private, mund të jenë shtetërore dhe private. Vendimet e mëparshme të qeverisë i kanë shpallur ato private.

Por, natyrisht magazinimi ka çmimin e tij, dhe atë çmim kompanitë private ia marrin konsumatorit, në një kohë kur atij çmimi duhet t’i përgjigjet qeveria sepse ajo rezervë mbahet për llogari të shtetit.

Por Edi Rama preferon që ajo rezervë të mbahet duke tatuar edhe më rëndë naftën që u shitet qytetarëve.

Pra, janë këto tre faktorë madhorë që përcaktojnë çmimin stratosferik të naftës, çmim ky që ka në bazë taksat më të larta, rreth 30 e sa përqind se sa në vendet e OECD, rreth 30 përqind më të larta se në vendet e BE, ka në bazë kontrabandën që arrin gjysmën e naftës të konsumuar të zhdoganuar në këtë vend, ka në bazë taksat e tjera të lidhura me magazinat e naftës, magazinat doganore të naftës, që rëndojnë jo më vetëm ata që kanë automjetin, sepse Edi Rama niset nga një mendim anakronik, niset nga fakti se ata që kanë veturë kanë para të paguajnë, por ky është absolutisht ndëshkim sepse ata që kanë veturë kanë pothuaj të vetmen alternative të vetme lëvizje pasi transporti publik është pothuajse inekzistent dhe detyrohen të shesin çfarë kanë për të siguruar mjetin e transportit.

Por e vërteta është se çmimi i lartë i naftës nuk prek vetëm ata që kanë vetura, por prek çdo qytetar me çmimin e ushqimeve, sepse transporti transpozohet në rritjen e çmimit të ushqimeve.

Sepse një seri ushqimesh që në procesin e përpunimit përdorin naftën, energjinë, transpozohen në çmim tek konsumatori.

Çmimi i naftës pasqyrohet gjerësisht tek fermerët në bujqësi tek fermerët që nuk paguajnë dot për punimin e tokës.

Çmimi i naftës godet në mënyrë të ndjeshme çmimin e ushqimit për bagëtinë dhe godet kështu sektorin e blegtorisë.

Në qoftë se gjer sot, të gjitha qeveritë e BE kanë bërë një ose disa mbledhje me vendime përkatëse si t’i përgjigjen situatës së krijuar nga rritja e menjëhershme e çmimit të naftës për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik, kreu i organizatës kriminale në Shqipëri, Edi Rama ka mbetur në nivelin e batutave dhe mashtrimeve dhe premtimit të tij ultracinik se do ulë akcizën kur nafta të tejkalojë 220 lekë për litër.

Ky është një akt i papërgjegjshëm, ky është një akt cinik, kjo është një shpërfillje e madhe për qytetarët shqiptarë.

PD ka gati paketën e programit të saj me të cilën ajo vendos mbi naftën të njëjtën ngarkesë fiskale që ka Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ngarkesë e cila i lejon këto dy vende që nuk nxjerri asnjë litër naftë, të shesin naftën 60 përqind më lirë se në Shqipëri.

Dhe kjo paketë do të dorëzohet… sigurisht ne e kemi paraqitur para shqiptarëve, do e paraqesim prapë dhe i garantoj shqiptarët se ajo do bëhet realitet me ardhjen në pushtet të kësaj partie.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale