FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR
EKSTRAKT
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e vuri theksin tek rritja e madhe e çmimeve. Në fjalën e tij, ai deklaroi se oligopolet përbëjnë sot problemin më madhor të ekonomisë shqiptare, duke paralajmëruar një ‘luftë frontale’ të opozitës për mbrojtjen e konsumatorëve. Duke folur për rritjen e çmimeve, Berisha theksoi se fenomeni nuk kufizohet vetëm te hidrokarburet. ‘Sot, problemi më madhor i ekonomisë së tregut dhe qytetarëve shqiptarë, janë oligopolet, – tha ai, duke shtuar se – oligopol është edhe kafshata, sheqeri, mishi’.
Për kryedemokratin Sali Berisha këto struktura tregu po funksionojnë në dëm të qytetarëve për shkak të mungesës së konkurrencës dhe marrëveshjeve të fshehta. ‘Oligopolet në Shqipëri arrijnë një veprimtari antitreg, antiqytetar,’ u shpreh Berisha. Ai theksoi se vendi ka kuadër ligjor për mbrojtjen e konsumatorit, por problem mbetet zbatimi i ligjit dhe institucionet përgjegjëse. ‘Shqipëria ka ligje të mira, por nuk zbatohen. Institucionet janë të kapura dhe nuk mbrojnë konsumatorin,’ deklaroi ai.
Në mënyrë të veçantë, lideri i opozitës shqiptare ndal te çmimi i karburanteve, duke e lidhur atë me nivelin e lartë të taksave. ‘Kur një litër në SHBA shitet me 1 dollarë dhe këtu vetëm taksa është 1.1 dollarë, kjo tejkalon çdo logjikë ekonomike,’ tha ai, duke shtuar se PD mbështet modelin e taksës së ulët 10%. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për nivelin e çmimeve në raport me fuqinë blerëse të qytetarëve. ‘Pse Shqipëria, me fuqinë blerëse më të ulët në rajon, ka çmime mesatare më të larta se BE?’ pyeti Berisha. Në vijim të fjalës, ai e akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë e tij për lidhje me oligopolet dhe për mosveprim ndaj abuzimeve në treg.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha preku edhe çështje të tjera politike dhe institucionale, duke kritikuar gjendjen e shtetit ligjor dhe procesin e integrimit europian. Sipas tij, Shqipëria ka dështuar në kapitujt kyç të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhen me drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit. Në fund, kreu i PD-së Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar më 17 prill, si dhe për forcimin e strukturave të partisë përmes anëtarësimeve të reja.

FJALA E PLOTE:
Sot, problemi më madhor i ekonomisë së tregut dhe qytetarëve shqiptarë, janë oligopolet.
Gjatë këtyre javëve, me të drejtë, jemi ndalur tek oligopoli i hidrokarbureve, i naftës.
Por, në tregun shqiptar nuk është ky i vetmi oligopol.
Oligopol në tregun shqiptar është edhe kafshata.
Oligopol është sheqeri.
Është mishi.
Oligopolet pra janë mamuthët e tregut.
Nuk janë fenomen shqiptar, ose nuk janë vetëm shqiptar.
Jo.
Janë pothuaj pantotenikë. Duhet pranuar.
Por ndaj oligopoleve, shteti ligjor i garanton mbrojtje qytetarit nga abuzimi potencial i marrëveshjeve të fshehta midis anëtarëve të oligopoleve.
Në qoftë se ju merrni sot tregun e hidrokarbureve, janë disa kompani të licencuara.
Në qoftë se merrni tregun e mishit, janë disa kompani të licencuara.
Në qoftë se merrni tregun e sheqerit, janë disa kompani të licencuara.
Por, këto licenca a shërbejnë këto për të rregulluar tregun apo në marrëveshje të fshehtë
asgjësojnë konkurrencën?
Vetëkuptohet, oligopoli është një dukuri e ndërmjetme midis konkurrencës së ndershme dhe monopoleve.
Oligopolet në Shqipëri nga një analizë arrijnë një veprimtari antitreg, antiqytetar.
Kjo sepse peshojnë në kandar dhe blejnë me lecka nga Edi Rama e poshtë.
Shqipëria ka ligje, dhe ligje të mira, të cilat, të zbatuara, mbrojnë qytetarët nga oligopoli.
Ndaj dhe një nga drejtimet e punës tonë dhe përpjekjet tona, do të jetë mbrojtja e qytetarëve nga oligopolet.
Absolutisht ne nuk jemi kundër bizneseve, kurrë, ne jemi partia më pro-biznes.
Në mënyrë të përsëritur, ne kemi denoncuar taksat katastrofike mbi litrin e naftës.
Po.
Më të lartat, mund të jenë më të lartat në botë, në Europë po, kur një litër në SHBA shitet me 1 dollarë, kurse këtu taksa është 1.1 dollarë, kjo tejkalon çdo lloj logjike ekonomike dhe pa diskutim është një bazë për çmimin në këtë shkallë.
Dhe ne, kudo që do të gjejmë abuzim me taksat, le që ne e kemi modelin taksë e ulët 10 përqind, por ne do studiojmë kudo që janë, veçse detyrimi ynë është të identifikojmë institucionet e korruptuara, të cilat i kanë futur në xhep oligopolet.
Se ka një ligj për mbrojtjen e konsumatorit, se ka një zinxhir institucionesh për mbrojtjen e konsumatorit, se që të gjithë si të droguar, nuk pyesin njëherë për konsumatorin.
Imagjinoni ju, personi që drejton antikonkurrencën ishte një nga hajdutët më të papërmbajtur në krye të prokurimeve, Denar Biba.
Imagjinoni ju kush merret me këtë.
Dhe qytetarët robtohen, vidhen, rripen nga kafshata në çdo gjë tjetër.
Oligopolet Doshi-Nushi janë më të këqij se sëmundjet për të sëmurët shqiptarë me çmimet, me të skaduarat, me të gjitha.
Pra, është në detyrimin tonë të përgatisim kuadrin më të mirë, alternativën më të mirë kundër veprimtarisë shkatërrimtare mbi ekonominë e qytetarëve të oligopoleve.
Të ndalemi në çdo hallkë, të kalojmë në sitë të gjitha faktorët që ndikojnë në këto çmime të tmerrshme.
Pse rriten çmimet në Shqipëri si në asnjë vend tjetër?
Pse Shqipëria, me fuqinë blerëse më të ulët në rajon, ka çmime mesatare më të larta se BE?
Është në detyrimin madhor të PD të ndërmarrë një luftë frontale në mbrojtjen më të vendosur të interesave të qytetarëve.
Çfarë ndodh me ligjet ekzistuese? Janë ligje shumë të mira. Në qoftë se zbatohen, nuk mundet që çmimet të shkojnë lart e më lart. Të shkojnë më lart se vendet me fuqi blerëse 5 herë më të madhe se ne.
Ndaj dhe aktualisht problem madhor është nafta, se është i mprehtë, por duhet të jemi të vërtetë, po kaq problem është kafshata. Sheqeri, orizi, mishi, të gjitha këto janë oligopole.
Dhe mund të ketë edhe të tjera, një seri të tjerash.
Edhe njëherë, nuk janë fenomen vetëm shqiptar, jo. Por për të mbrojtur konsumatorët, çdo shtet ka ligje dhe institucione, të cilat bizneseve u garantojnë veprimtari normale, u garantojnë fitimin, por nga ana tjetër mbrojnë konsumatorin.
Ndërkohë ju e dëgjuat se Edi Rama sillet nga Linda tek Belinda, nga Belinda tek Linda.
Kjo është e vërteta.
Tani, ky dëshmitar i rremë u tha shqiptarëve se Mirlinda e AKSHI-t, e gjora që na banonte në një shtëpi me qira. Kaq e gjorë ishte.
Dëshmi absolute të besueshme të njerëzve bashkëpunëtorëve më të ngushtë të saj, të atij që e ka marrë shofer dhe e ka bërë zëvendësdrejtor të përgjithshëm, del se zonja ka dy vila në Palasë dhe një vilë në Qerret dhe apartamente në Tiranë.
Çështja shtrohet, a thirret në SKAP ky dëshmitar i rremë që mashtron shqiptarët dhe u thotë se ajo është kaq e varfër sa banon me qira?
Natyrisht ai nuk pranon të shkojë, por shqiptarët duhet ta dinë.
Dhe tani pse Edi Rama detyrohet të bëhet dëshmitar i rremë i pasurive të Mirlindës?
Një njeri mizogjen dhe brutal, çfarë e shtyn atë të bëhet avokat i Mirlindës?
Atë e shtyn fakti se Linda e vërtetë e AKSHI-t është Linda e Surrelit.
Këtu është i gjithë problemi.
Kjo është absolutisht e vërteta.

Se Mirlinda e AKSHI-t ka qenë thjesht një zbatuese për arsye se AKSHI-n, de facto e ka drejtuar Linda e Surrelit, Ergys Agasi dhe baxhanaku i Edi Ramës, Frangu.
Pra, rezulton se edhe kjo mbrojtje që i bën Edi Rama, Mirlindës së AKSHI-t, është për interesa strikt familjare.
Dhe kemi të bëjmë me një përpjekje tjetër për të groposur një çështje, e cila jo në përmasa financiare, por në përmasa tërësore, financiare, ligjore, mafioze, tejkalon çdo aferë tjetër të këtij vendi dhe ndonjë vendi tjetër.
Megjithatë, deri tani, dosja është turshi.
Ergys Agasi është i lirë.
Qytetari dixhital thotë se shkon edhe në Surrel.
Pra, kurrë ndonjëherë vendi nuk ka qenë në një paralizë si sot.
Shteti ligjor është i asgjësuar.
Ëndrra evropiane e shqiptarëve është e hedhur në Lanë.
Edhe njëherë, përfaqësues të BE kanë sqaruar se nuk është votuar IBAR për Shqipërinë dhe ata, të cilët duan të paraqesin Shqipërinë sikur është votuar, ata nuk kanë respektin më minimal për veten e tyre. Mashtrojnë shqiptarët. Jo, nuk është votuar.
Dhe nuk mund të votohet duke u bërë mburojë e korrupsionit, duke asgjësuar sistemin e drejtësisë.
Çfarë është kapitulli 23-24?
Janë funksionimi i drejtësisë dhe shtetit ligjor. Po janë kapitujt kryesorë këta, janë shinat më themelore dhe vlerësime në këto kapituj mbeti në klasë.
Dhe Edi Rama në këto kapituj mbeti në klasë.
Përpiqet Edi Rama ta mbulojë, i cili është varrmihësi i shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit.
Edhe njëherë, u bëj thirrje shqiptarëve, me datën 17 të gjithë në protestë, në kryengritjen paqësore si zëri i vetëm në Shqipëri.
Në Shqipëri ka mbetur vetëm zëri i qytetarëve për t’i dalë zot vetes.
Ndërkohë do ta mbyll me dy kërkesa të tjera për ju zotërinj deputetë.
Në të gjitha degët e vendit po zhvillohen zgjedhjet.
Janë zhvilluar dhe kanë ecur me një normalitet në tërësinë e tyre, por detyrë më e rëndësishme sot janë anëtarësimet e reja.
Unë bëra edhe dje një mbledhje me drejtuesit politikë dhe koordinatorët, por secili prej jush është i ftuar të kontribuojë në mënyrën më serioze që mund të kontribuojë në anëtarësime të reja.
Është jetike për PD-në ky proces.
Mos harroni që ne kemi një problem madhor, spastrimin etnik për shkak të politikave të Edi Ramës, largimin e njerëzve nga Shqipëria.
Ndaj dhe duhet ta përparësoni, duhet të kontribuoni me të gjithë mundësitë tuaja për anëtarësime të reja.
Duhet ta vlerësojmë në shkallë maksimale.
Është kushti i të gjitha kushteve që kjo forcë politike të rezistojë e pamposhtur ndaj kësaj diktature autoritare të bazuar në drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Është gjithashtu një tregues në vlerësimin e punës së gjithsecilit.
Duhet ta marrim në mënyrën më serioze.


