‘Në betejë të gjithanshme me regjimin’/Berisha: Dita e hënë do të jetë e fillimit të parlamentit para kryeministrisë!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCË ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët të mbajtur ditën e sotme, akuzoi me tone të ashpra qeverinë dhe policinë për përfshirje dhe mbulim të ngjarjeve kriminale në vend, duke u ndalur tek atentati i ndodhur një ditë më parë në zonën e Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani.

Berisha e cilësoi ngjarjen si një “ekzekutim publik të patronuar nga shteti”, duke theksuar se atentati ndodhi në një nga zonat më të sigurta të vendit, të mbikëqyrura nga disa njësi policore e speciale. Berisha tha se, autorët u larguan të qetë, pa asnjë ndërhyrje të policisë, gjë që tregon përfshirje të strukturave shtetërore. Ai akuzoi se viktimat dhe të plagosurit ishin të lidhur me ministra të qeverisë Rama, përkatësisht Ervin Hoxhën dhe Blendi Gonxhen, dhe se përplasja mes bandave është një luftë mes grupeve të afërta me pushtetin.

Në vijim, lideri opozitar, Sali Berisha foli edhe për tensionet brenda Partisë Socialiste, duke thënë se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku (“Lubia”, siç e quan ai) ka kërcënuar kryeministrin Edi Rama, duke i kujtuar se “nuk do të pranojë të bëhet kurban për veprimet e tij”.

Sa i përket aksionit opozitar, Kryetari i PD, Sali Berisha njoftoi se të hënën do të nisë “parlamenti i qytetarëve” para Kryeministrisë, një formë proteste dhe platforme politike e PD-së kundër “narkodiktaturës së Ramës”. Berisha theksoi se kjo është vetëm faza e parë e një serie veprimesh dhe protestash që do të vijojnë në mënyrë të vazhdueshme në gjithë vendin.

Në përfundim të konferencës me gazetarët, Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministres së Brendshme Albana Koçiu dhe të ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, duke i akuzuar për dështime të rënda në garantimin e sigurisë publike dhe për mbulimin e lidhjeve të policisë me krimin.

FJALA E PLOTË

Ekzekutimi publik i djeshëm i Gilmando Danit, eksponent kryesor i organizatës kriminale të Emiljano Shullazit, dhe plagosja e rëndë e Muçi Shaljanit apo Sheqerit, në pamje të parë shofer i drejtorit të shërbimeve inteligjente të Policisë së Shtetit dhe inspektor policie, por në fakt një bos, edhe ky bashkë me vëllanë e vet i krimit të organizuar dhe drogës, është një ngjarje e cila u patronua kryekëput nga shteti për llogari të bandave më të afërta me qeverinë se sa banda e Shullazit.

Vendi i ekzekutimit publik të tyre, në protokollet e sigurisë publike është vendi më i ruajtur se çdo vend tjetër.

Në atë zonë, përveç patrullës së policisë së rendit, është patrulla e policisë rrugore dhe po aty ngjitur është furgoni i FNSH-së, i instaluar aty që pas vjedhjes së shekullit të parave në aeroportin e Rinasit.

Është edhe një njësi, e cila rri aty në mbrojtje të sallonit të VIP-ave, kur kalojnë qeveritarët.

Pra, nuk ekziston asnjë zonë tjetër, asnjë territor tjetër në të cilin të kryqëzohen në mbikëqyrje kaq shumë forca policore dhe speciale.

Është gjithsej 100 metër nga rajoni i policisë së Rinasit, është pak metra nga dalja e sallonit të VIP-ave.

Pra, atentatorët apo vrasësit, pasi shkrehën breshëri të shumta mbi makinën që e prisnin të sigurtë, dhe i kishin zënë pritë pikërisht aty që nuk mund të zije pritë kurrë pa lejen e shtetit, pas ekzekutimit u larguan të qetë dhe përshkruan pa asnjë lloj telashi apo andralle të gjithë rrugën Rinas-Fushë Krujë, të gjithë rrugën Fushë Krujë pothuaj Krujë. Fshati Halil është pranë Krujës, ngjitur me kalanë e Zgërdheshit. Dhe ata shkuan në Zgërdhesh dhe asnjë lloj përpjekje nuk u bë nga narkopolicia për të ndaluar vrasësit e Gilmando Danit dhe ata që plagosën rëndë Mustafa Shaljanin apo Sheqerin.

Tani, një qytetar dixhital shkruan këtu shpreh çudinë se pse opozita flet për një shofer apo agjent të thjeshtë policie dhe mbasi e vërteta është krejt tjetër lidhur me Muçi Shaljanin.

Vëllai i Sheqerit, shkruan qytetari dixhital, është 100 herë më i pasur se Shullazi.

“Është shumë i pasur, ka hotele, vila dhe restorante. Të tërë këta janë marrë me drogë, janë me PS-në, blejnë vota, kërkojnë favore. Ky që u plagos ka bërë fushatën e 11 majit (e ka fjalën për Muç Shaljanin apo Sheqerin), ka bërë fushatën e Ervin Hoxhës, ministër i brendshëm, dhe më pas në shtator u fut në AMP po nga Ervini në shkelje të çdo parametri dhe procedure ligjore. Kjo u bë vetëm e vetëm që ai t’u shpëtojë me uniformën e policisë kontrolleve policore.

Gilmando ka qenë në fushatë si badigard dhe financues për ministrin Gonxhe.

Çuni i xhajës së këtij që u plagos është Erges Sheqeri, drejtori i IKMT-së, ky që prish lokalet”.

Pra, e kuptoni ju të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo dëshmon se narko-policia është e tëra në funksion të krimi dhe se Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri apo Muç Shaljani ishin lejtnantë kryesorë të ministrave të kabinetit të Ramaduros, Eervin Hoxhës dhe Blendi Gonxhes.

Ata u ekzekutuan, në mendimin më të përhapur, nga bandat të qeverisë që janë të lidhura me nivele shumë të larta të qeverisë sepse aty është vendi i shtetit, vendi i qeverisë.

Këto kisha lidhur me këto çështje.

Së dyti, dua t’ju informoj se Lubi Balluku ka nxjerrë dhëmbët e kërcënimit ndaj Edi Ramës, të parit, por edhe të tjerëve me radhë.

Burime të fshehta të Partisë Socialiste njoftojnë se në mbledhjen e zhvilluar në selinë e PS, ku Edi Rama ka sulmuar Skapin dhe ka mbrojtur Lubinë, duke deklaruar se këto janë sulme kundër tij dhe partisë së tij, se Lubia është e pafajshme, Lubia vetë ka qenë e egër dhe e pamëshirë ndaj audiencës.

Edhe në këtë mbledhje, Lubia e ka bërë të qartë se do u marr me vete, atë që i ka thënë Ramës, ajo ua ka thënë edhe në mbledhje aty ku eksponent më kryesor ishte, përveç Ogertës, edhe Pëllumbesha Spirgjoka.

Lubia ka qenë shumë e egër në atë mbledhje.

Ndaj dhe Ramës ia ka bërë të qartë që absolutisht për çdo gjë që mund të avancojë, do jesh ti kurban para meje sepse nuk kam bërë gjë tjetër vetëm kam zbatuar urdhrat e tua.

I ka rikujtuar në një moment, ndonëse miqësia e tyre ka qenë e pakufishme, është e njohur kjo, besnikëria e tyre, luajaliteti ka qenë i pakufishëm që në bashki, ndaj dhe ajo është shpërblyer me atë post që ka marrë, por përsëri ka rikujtuar: mos lejo të përsëritet më, se nuk do lejoj kurrë të kem fatin e gjyshit tim që u ekzekutua me firmën e babait tënd.

Pra ia ka vënë kufirin tek thana dhe ka dëshmuar se është e gatshme që të fshijë të gjitha miqësitë, të gjithë të shkuarën në qoftë se Edi Rarma guxon për një moment që për të shpëtuar veten, të dorëzojë Lubinë.

Këto janë disa nga zhvillimet më të fundit.

Ndërkohë, dita e hënë do të jetë e fillimit të parlamentit para kryeministrisë të qytetarëve dhe parlamentarëve.

PD ndërmerr tani një fillim të ri, një analizë të plotë të gjendjes në vend, të situatës, të zgjedhjeve dhe ecën në bindjen më të thellë se diktatura autoritare e Edi Ramës, narkoshteti i tij, ose ndaj kësaj narkodiktature ka vetëm një rrugë, protestë, protestë dhe vetëm protestë.

PYETJE-PËRGJIGJE

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, lidhur me ngjarjen e një dite më parë, ngjarjen e rëndë të ndodhur në Rinas, duhet thënë për hir të së vërtetës nuk ka qenë e vetmja duke marrë parasysh të gjitha ngjarjet kriminale që kanë ndodhur në muajt e fundit në vend. A do të kërkoje opozita të mbahet përgjegjësi, psh, shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu, apo të ministres së Brendshmë, Albana Koçiu, e cila një ditë më parë deklaroi në komision se Shqipëria është një vend i sigurtë?

Berisha: Sigurisht që, opozita do kërkojë, por dorëheqjen Pirro Vengut ia ka kërkuar edhe vetë Edi Rama.

Por Pirro Vengu nuk ia fishkëllon Edi Ramës, nuk e pyesin aty më.

Natyrisht ne do kërkojmë…

Do kërkojmë edhe dorëheqjen e menjëhershme të kësaj ministreshës, e cila është me probleme madhore dhe ne do kërkojmë largimin e saj.

Natyrisht nuk kam prova se kjo është e përfshirë në skenarin e ekzekutimit të Danit në vendin më të sigurt, se aty janë profesionistë të tjerë që hyjnë në ato organizime, por mënyra se si reagon kjo dhe si sillet kjo, e bën përgjegjëse për të gjitha këto dështime që ndodhin.

Marsi Çerma, Syri Tv: Lidhur me platformën parlamentare që informuat se opozita do të nisë të hënën para kryeministrisë. A mund të na jepni më tepër detaje se si do të jetë e organizuar? Do të jenë të gjithë deputetët e PD, opozitës, qyetetarë, si do të jetë ajo?

Berisha: Do të jenë deputetë dhe qytetarë.

Natyrisht kjo është një kohë që PD është e detyruar të punojë njëkohësisht në shumë plane.

Ne do fillojmë tani takimet dhe analizat në çdo qelizë tonën.

Deputetët do të jenë edhe në platformë, edhe në komisione, edhe në parlament, do jenë edhe në takime me qytetarët.

Pra, cila do jetë skedula? Do bëhet dhe do të kombinohen me një fjalë.

Unë nuk mund të them se të gjithë deputetët do jenë aty, në rast se deputetët kanë takime të caktuara me elektoratin, përparësi absolute do kenë takimet me elektoratin dhe nuk mund t’u devijojnë.

Pra, ne tani jemi hedhur në një betejë të gjithanshme me regjimin.

Anisa Kadesha, Tvsh: Z.Berisha, po protestat do të jenë të vazhdueshme, mqs kryetarët e degëve dje për mediat thanë se nuk do të jetë thjesht një shëtitje në bulevard, por të jenë të vazhdueshme…

Berisha: Protesta kombëtare do përcaktohet skenari.

Ajo do thirret në momentin e duhur.

Fillimi është ky me këtë parlament-protestë para kryeministrisë.

Dhe pastaj do punohet për thirrjen e një proteste të përgjithshme, skenari i të cilës do përcaktohet.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale