Lili Sula: Raporti TALIS është anketë me mësuesit jo testim i aftësive digjitale të tyre. Nxënësit të fundit në PISA, ndërkohë mësuesit na qenkërkan  të lumtur

Deklarata e drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula:

Në pyetësorin TALIS (Anketa Ndërkombëtare e Mësimdhënies dhe të Nxënit), 52% e mësuesve shqiptarë janë shprehur se kanë përdorur inteligjencën artificiale gjatë vitit 2024, ndërkohë që mesatarja për vendet e OECD, është 36%.

Në fakt, askush nuk mund të besojë se mësuesit tanë kanë lënë shumë vende mbrapa mësuesit në Austri, Holandë, Norvegji, Belgjikë, Finlandë, Shtetet e Bashkuara vende të zhvilluara që përdorimin e inteligjencës artificiale e të programeve për progresin digjital e kanë bërë pjesë normale të procesit mësimor.

Duhet të mbajmë parasysh se TALIS bazohet në plotësimin e anketës nga ana e mësuesve, jo në testime të aftësive të tyre, nga ana tjetër vetëraportimi është subjektiv, sa edhe i orientuar e nën mbikëqyrje për të plotësuar anketën ashtu siç duan eprorët.

Arsimi digjital është vetëm në letër, ndërsa mburrja e kryeministrit me tamtame për mësues të kënaqur me profesionin, për mesataren e lartë të mësuesve që përdorin IA është tjetër fasadë qeveritare për të fshehur kolapsin në terren.

Është e ditur se:

-shumica dërrmuese e shkollave s’kanë as internet, as kompjuterë, as laboratorë funksionalë.

– Lënda e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit nuk zhvillohet fare as në ciklin 9-vjeçar, as në atë të mesëm. Nxënësit e dorëzojnë librin në fund të vitit shkollor të papërdorur ashtu siç e kanë marrë në fillim të tij.

-Lëndën e TIK-ut e zhvillojnë mësues që nuk janë diplomuar në fushë të teknologjisë dhe të informacionit por në degë të tjera, si dhe mësues që nuk plotësojnë ngarkesën mësimore.

Mësuesve tanë me ç’duket u është kërkuar të përfshijnë edhe përdorimin e celularit dhe të grupeve të ËhatsApp-it, sepse ata vetë e dinë po aq mirë sa nxënësit e prindërit dhe shoqëria se më shumë se 60 % e mësuesve të ciklit të ulët nuk dinë të përdorin kompjuterin, edhe në mes të Tiranës, ndaj këto shifra nuk janë realitet, por propagandë e paketuar si statistikë.

85% e mësuesve pohojnë se e kanë zgjedhur si profesion të parë mësuesinë, por për pyetjen nëse dashuria për profesionin mund të ndikojë më shumë sesa paga, Shqipëria nuk figuron në listën e përgjigjeve, ndërkohë që renditet Maqedonia e Veriut, Kosova.

Realiteti në terren dhe rezultatet dramatike të nxënësve tregojnë një histori krejt tjetër krahasuar me përgjigjet e pyetësorit – një sistem arsimor në kolaps, ku testet ndërkombëtare si PISA-s zbulojnë mungesën e njohurive, të motivimit dhe drejtimit dhe i rendisin aftësitë e nxënësve në matematikë, gjuhë, shkencë, të menduarin krijues  në fund të botës. Janë përkeqësuar të dhënat për diskriminimin, asocializimin, bullizmin, dhunën e konfliktet, ndërkohë mësuesit na qenkërkan  të lumtur.

Kur nxënësit bien në fund të tabelave, nuk mjaftojnë statistikat e bukura në letër, por duhet përgjegjësi, reforma të vërteta dhe investim real në cilësinë e mësimdhënies.

Kontrasti i fortë mes vetëvlerësimit të lartë të mësuesve dhe nivelit të ulët të arritjeve të nxënësve mbetet dëshmia më e qartë e politikave arsimore të qeverisë: shumë propagandë, aspak cilësi.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale