‘Kthesa drejt fitores’/ Berisha fton qytetarët në protestë: Sot inaugurojmë fillimin e betejës për përmbysjen përfundimtare të Edi Ramës

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA KONFERENCË ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, u bëri thirrje qytetarëve dhe forcave opozitare të marrin pjesë në protestën e 22 dhjetorit, duke e cilësuar atë si fillimin e një beteje vendimtare për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe narkoshtetit.

Berisha deklaroi se protesta shënon nisjen e një procesi të pandalshëm që do të përfundojë vetëm me largimin e Ramës nga pushteti ose me shuarjen e opozitës. Ai theksoi se opozita ka shteruar të gjitha rrugët institucionale dhe se zbritja në shesh vjen pas, sipas tij, kapjes së Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimit të procedurave parlamentare, përfshirë çështjen e heqjes së imunitetit për Belinda Ballukun.

Kryedemokrati, Sali Berisha tha se opozita do të vazhdojë betejën në të gjitha format, në parlament, në shesh, në protesta dhe greva, duke përjashtuar bojkotin e Kuvendit. Ai paralajmëroi se parlamenti do të shndërrohet në “tempullin e lirisë” dhe se lufta politike do të intensifikohet.

Sa i përket protestave paralele, Berisha shprehu mbështetje për çdo qytetar apo grup që proteston kundër qeverisë, përfshirë edhe Adriatik Lapajn, duke lënë të hapur ftesën për bashkim të opozitës.

Kryetari i PD, Sali Berisha shprehu bindje se protesta do të shënojë një kthesë të madhe politike dhe u bëri thirrje shqiptarëve që të dalin në shesh për dinjitetin, të ardhmen dhe vendin e tyre.

FJALA E PLOTË

Këto pak orë që na ndajnë nga protesta që inauguron fillimin e betejës për përmbysjen përfundimtare të Edi Ramës dhe narkoshtetit të tij, ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, të dalin në sheshin e betejës.

Të vijnë në Tiranë.

Të bindim çdo shqiptare dhe shqiptar se një mision i madh na pret.

Se ky mision është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi.

Shansi i përmbysjes njëlloj si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin dhe plaçkisin miliarda kombet e tyre, ia mbathin si armiq në vende të tjera.

22 dhjetori është një ditë e shënuar.

Është një ditë që fton çdo shqiptar.

Ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë ata që ndjehen opozitarë, pavarësisht nga dallimet që kemi, të bashkohemi sot, për t’u dëshmuar shqiptarëve dhe botës se nuk ka forcë që na ndalon dhe na pengon pa përmbysur regjimin më armiqësor, më të keq që shqiptarët kanë njohur në histori.

Unë kam besim të madh se Tirana po zien, se Shqipëria po zien dhe se protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe.

Do të shënojë kthesën drejt fitores të çdo qytetari të këtij vendi për dinjitetin e tij, për familjen e tij, për të ardhmen, por edhe për vendin dhe kombin e tij.

PYETJE-PËRGJIGJE

Ambrozia Meta, Syri Tv: Dua t’ju pyes për skenarët e protestës. A do të ejtë një protestë si ato që kemi parë në vijim, ku përfaqësues të PD dhe qytetarë marrin fjalën dhe pasta shpërndahen për të shkuar në shtëpi. Apo do të jetë një qendresë më e gjatë? Ju më herët keni diskutuar edhe opsionin e grevës apo dhe të qëndrimit?

Berisha: Së pari, do sqaroj, ky është një proces inaugural, në kuptimin e asaj që ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë, të betuar që do vazhdojmë luftën tonë gjer në përmbysjen e regjimit.

Kjo është.

Ne e filluam këtë me foltoren para kryeministrisë.

Jo të paktë ishin ata që e përqeshën atë. Gabuan.

Ajo kishte një mesazh, se ai shesh do jetë sheshi i lirisë.

Vazhduam në parlament, pasi opozitës iu mor çdo hapësirë kushtetuese.

Zbresim në shesh pasi Edi Rama përdori Gjykatën Kushtetuese, organin më të lartë, për të firmosur licencën e vjedhjeve të tij dhe qeveritarëve të tij pa u shqetësuar.

Dolëm në shesh pasi Edi Rama bllokoi tentativën e fundit të prokurorëve për heqjen e imunitetit.

Pra, këtë protestë do ta merrni si një proces, i cili ndalet, edhe njëherë, proces që do jetë një ansambël i tërë, dhe ndalet vetëm me rrëzimin e Edi Ramës ose shuarjen e opozitës.

Ambrozia Meta, Syri Tv: Sa i përket me qëndrimin së çështjes së imunitetit të Belinda Ballukut, kryeministri Rama ka paralajmëruar dje se ai dhe PS nuk do të japin autorizimin para datës 22 janar, pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese. Si do të veprojë opozita, ju do ta pranoni këtë fakt apo do të bëni përpjekje dhe ndonjë aksion që Këshilli i Mandateve të mblidhet më herët për të përcaktuar këtë çështje?

Berisha: E drejtë pyetja.

Ne do bëjmë çdo përpjekje të parashikuar në ligjet e vendit.

Por do i bëjmë ato në bindjen më të thellë se Edi Rama, pa dorëzuar veten e vet, nuk dorëzon Lubi Ballukun.

Sepse, në qoftë se, siç keni dëgjuar ju, nga dosja e plotë, dëmi dhe vjedhjet shkojnë në 1.2 miliardë vetëm në këto dosje që janë shqyrtuar, aty hajduti i parë, përgjegjësi i parë është Edi Rama.

Por krahas këtyre ju keni dëgjuar se ka dalë dosja e baxhanakut, e kopshtit privat të Edi Ramës apo AKSHI-t.

Lulet e atij kopshti i ujiste Linda e Surrelit.

Kopshtari i këtij kopshti ishte Frangu, kunati i saj, baxhanaku i Edi Ramës.

Në atë kopsht ishin marrë tre pengje dhe ndoshta gjëra të tjera më të mëdha që mund të dalin.

Edi Rama e ka shumë të qartë se mbi të rëndojnë krime të përmasave që dalin jashtë parashikimeve.

Ju shihni, jeni të rinj, por 30 vite më parë, kur binin njëri pas tjetrit diktatorët afrikanë, Amin, Bokaso, Mobutu, etj, ata ia mbathnin dhe u dilnin kontot bankare në banka miliarda euro, u dilnin arkat me diamante e xhevahirë, etj.

Në këto përmasa arrijnë vjedhjet e Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Në qoftë se Lubisë i janë gjetur 300 dhe thuhet se mund të ketë edhe 50 përqind më shumë se kaq, i janë gjetur 14 supermarkete në rrethin e saj, etj, etj, u garantoj se ato të Edi Ramës janë të paktën 8-10 herë më të mëdha se të Lubisë.

Kemi të bëjmë me këtë situatë, ndaj dhe opozita zbret në shesh me misionin më të qartë se kurrë, të shporrim këtë diktaturë.

Daniela Maloku, Report Tv: Cili do të jetë basti i Sali Berishës, numra që do të zbresin në shesh, apo simbolika me të cilën do të luajë PD sot?

Berisha: Idealet, forca e tyre, nuk matet kurrë me numra.

Një gjë ka provuar historia, që nuk ka asgjë më të pathyeshme se ato.

Dhe mos harroni një gjë, se mësimi i historisë së shqiptarëve nuk them se është unik, por them se ka vlerë botërore, pakica që kanë fituar kundër stërshumicave, si në historinë e Shqipërisë, nuk gjen kund tjetër.

Ndaj dhe ne dalim aty me guximin e shqiptarit, me idealet më fisnike të njeriut, për të larguar këtë njeri që mori në Gjykatë Kushtetuese licencën për të vjedhur sa të dojë.

Mund t’ia japë gjykata, por populli do ia grisë ato letra atij.

Daniela Maloku, Report Tv: Paralel, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, teksa po bëhen përgatitjet e protestës së PD, vijon që të mbahet protesta e Adriatik Lapajt, do të keni sërish një ftesë ditën e sotme, apo pas refuzimit që z.Lapaj ka bërë për protestën tuaj, tashmë rrugët, po themi për protestat janë të ndara?

Berisha: Lapaj ka pasur, ka dhe do ketë mbështetjen time për sa kohë gjendet në protestë.

Dhe jo vetëm Lapaj, por cilido qytetar shqiptar që proteston kundër kësaj qeverie, ka dhe do ketë mbështetjen time.

Ftesa ime për Lapajn dhe të gjithë partitë opozitare është që të bashkohemi kundër kësaj të keqe të madhe.

Përndryshe, kuptohet, kryetari i një partie ka projektin e tij.

Unë këtë nuk mund të them.

Por ftesa është e hapur.

Ambrozia Meta, Syri Tv: Kur është diskutuar çështja e sjelljes e opozitës në Kuvend, në kushtet kur Edi Rama vijon edhe në rastin e Këshillit të Mandatit fiton kohë me numrat e tij. Në seancën e fundit nuk pati normalitet në parlament, cila do të jetë sjellja e opozitës? Ju do të riktheheni në tryezën e reformës territoriale dhe do të vijoni sjellje normale në parlament apo me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur, nuk ka si të thuash kthim pas në një sjellje normale të Kuvendit?

Berisha: Parlamenti do shndërrohet në tempullin e lirisë të shqiptarëve, siç është në Kushtetutë.

Beteja jonë vazhdon në parlament, rreth tij, jashtë tij dhe kudo.

Thashë, kurrë ndonjëherë nuk jemi gjetur kaq rrugështruar dhe punëmbaruar, po të themi këtu, si kësaj here, për të nisur betejën tonë.

Në parlament, ajo që patë ju, erdhi pasi u mbyll çdo hapësirë ndaj deputetëve të opozitës.

Mbrapa çfarë ndodhi?

Edi Rama, pasi mori pushtetin gjyqësor me Gjykatën Kushtetuese, mori parlamentin.

Bllokoi heqjen e imunitetit, duke shkelmuar me të dy këmbët rregulloren e parlamentit, e cila në mënyrë laksative detyron kryetarin e parlamentit, që sapo të marrë kërkesën për heqjen e imunitetit apo arrest të deputetit apo ministrit, t’ia dërgojë këtë kërkesë komisionit të imunitetit të mandateve.

Dhe komisioni shqyrton kërkesën dhe është i detyruar, sipas rregullores, brenda dy javëve, të paraqesë raportin në seancën e parë si pikë të parë të rendit të ditës.

Edi Rama, në mënyrë që nuk ka ndodhur kurrë, i tmerruar, pezulloi punimet e këshillit të mandateve, pezulloi papritmas punimet, nuk caktoi datë tjetër për t’u mbledhur këshilli, dhe deklaroi se ajo çështje kalon kur të dojë ai, pas vendimit të gjykatës që i dha licencën për të vjedhur Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, i dha licencën për të kërcënuar dëshmitarët, për të falsifikuar dhe manipuluar dokumentet.

Prandaj thashë, janë bërë të gjitha.

Jemi tani, më të kthjellët se kurrë…

Ambrozia Meta, Syri Tv: Në këto kushte, a ka kuptim që të vijohet me një sjellje normale në parlament, edhe në kohën kur nesër pritet të përjashtohen shumë deputetë të opozitës, ka një druajte të opozitës nga ambasadat, që ndoshta nuk po e e skalon sjelljen e saj në parlament?

Berisha: Opozita e ka shumë të qartë se Edi Rama po bën çdo gjë për të mos e kaluar në parlament.

Spostimi, sipas tij, dhe jo sipas parlamentit, se ai e mori, ky është puç, këtu kemi të bëjmë me një puç antikushtetues.

Ai, pasi mori pushtetin gjyqësor me një vendim korruptiv të Gjykatës Kushtetuese, ai mori pushtetin e parlamentit.

Dhe tha pas vendimit të gjykatës, të jeni të sigurt që mashtron.

Por nuk ka rëndësi për ne, rëndësi ka që kreu një puç, mori pushtetin e parlamentit.

Për sa i përket qëndrimeve tona, ne nuk bojkotojmë parlamentin.

Luftën do ta bëjmë brenda në parlament me të gjithë fuqinë tonë, me të gjithë mbështetjen tonë.

Ne do ta shndërrojmë parlamentin përsëri në tempullin e lirisë së shqiptarëve.

Ne nuk marrim pjesë në asnjë nga komisionet në të cilat negocioheshin reformat me narkomazhorancën.

Por parlamentin nuk e bojkotojmë, do zhvillojmë luftë dhe betejë aty, sikundër në shesh, në rrugë, në greva, në demonstrata, në të gjitha format.

Tani nata dhe dita, toka dhe qielli janë tonat.

Nuk ka më…

Opozita është e vendosur, e betuar të përmbushë misionin e saj.

U ftoj ta përcillni atë protestë me dashuri dhe simpati.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale