Klevis Balliu: Kristaq Rama varte poetët që shkruanin kundra regjimit, sot i biri Edi Rama mbyll mediat

FJALA E DEPUTETIT TË ZGJEDHUR TË PD, KLEVIS BALLIU NË CEREMONINË PËRKUJTIMORE TË POETIT HAVZI NELA:

Sot ne përulemi me nderim përpara figurës së pavdekshme të Havzi Nelës, poetit martir që regjimi komunist e vrau barbarisht, duke e varur në sheshin e Kukësit, vetëm pse guxoi të shkruante të vërtetën dhe të kërkonte liri. Ai nuk pranoi të përkulej përpara diktaturës, e pranoi vdekjen por jo nënshtrimin.

Por krimi ndaj tij nuk ishte i paemër. Firmën mbi aktin e pushkatimit të fjalës së lirë e hodhi Kristaq Rama, babai i Edi Ramës. Një firmë që sot, pas dekadash, duket sikur ka marrë jetë të re nëpërmjet veprimeve të birit të tij. Sepse Edi Rama, në vend që të mësojë nga tragjeditë e së shkuarës, ka zgjedhur të ecë në gjurmët e babait — vetëm se tani, diktatura ka veshur kostumin modern të pushtetit absolut.

Në vend të varjeve publike kemi mbyllje televizionesh, në vend të proceseve farsë kemi gjykata të kapura, në vend të internimeve kemi arrestime të opozitës. Edi Rama po godet pluralizmin dhe lirinë e mendimit me të njëjtin instinkt të babait të tij, por me mjetet e shekullit XXI: propagandë, kontroll të mediave, frikësim dhe shantazh politik.

Havzi Nela vdiq që shqiptarët të jetonin të lirë, por sot kjo liri është sërish nën sulm. Dhe është detyra jonë, detyra e çdo shqiptari që beson në demokraci, të mos lejojmë që historia e errët të përsëritet. Ne do të luftojmë që fjala e lirë të mos varet më kurrë, që Shqipëria të mos kthehet më kurrë në burgun ku poetët dënoheshin dhe qytetarët heshtnin nga frika.

Edi Rama le ta dijë: siç nuk mundi regjimi i babait të tij të shuante zërin e Havzi Nelës, nuk do mundë as ai të shuajë zërin e të vërtetës.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale