‘I ka ardhur fundi’/ Berisha: Rama do të mbrojë krimet e tij monstruoze, vetëm dorëheqja e tij e zgjidh këtë krizë të rrezikshme

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partia Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp ditën e sotme deklaroi se dorëheqja e kryeministrit Rama është kushti i të gjitha kushteve për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale në vend.

Berisha akuzoi Ramën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, miratim ligjesh me qëllim mbrojtjen personale dhe të anëtarëve të qeverisë, si dhe për keqpërdorim të pushtetit dhe fondeve publike. Ai u ndal veçanërisht te amendamentet e propozuara së fundmi, të cilat, sipas tij, synojnë të pengojnë pezullimin nga detyra të zyrtarëve të lartë nën hetim.

Sipas Berishës, pezullimi i zyrtarëve është një e drejtë kushtetuese e prokurorisë dhe gjykatave, e sanksionuar edhe në opinionet e Komisionit të Venecias, dhe nuk cenon funksionimin e institucioneve, por përkundrazi mbron integritetin e tyre.

Në deklaratën e tij, kreu i opozitës akuzoi gjithashtu Ramën për presione ndaj gjyqtarëve kushtetues dhe kërkoi hetim urgjent të telefonatave dhe kontakteve të tij, duke i cilësuar këto veprime si kërcënim serioz ndaj shtetit të së drejtës.

Duke folur për zhvillimet e fundit ndërkombëtare, Berisha tha se reagimet nga Brukseli dhe partnerët e Shqipërisë janë të forta dhe të qarta kundër çdo ndërhyrjeje politike në drejtësi. Ai theksoi se opozita do të vijojë protestat dhe se opinioni publik ndërkombëtar është në mbështetje të qytetarëve shqiptarë dhe kundër qeverisë aktuale.

“Njerëzit mbushin rrugët dhe sheshet për largimin e Edi Ramës. Ai duhet të japë dorëheqjen menjëherë,” përfundoi Berisha.

FJALA E PLOTË

Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për t’i hapur rrugën zgjidhjes së udhëkryqit më të rrezikshëm në të cilit ndodhet Shqipëria në tërë kohërat e saj.

Dorëheqja dhe vetëm dorëheqja e këtij armiku të rrezikshëm të paqes, stabilitetit, qenies, rendit, sigurisë së shqiptarëve, është kushti më themelor për zgjidhjen e kësaj krize që po përpin vendin çdo ditë e më shumë.

Edi Rama, për të mbrojtur krimet e tij monstruoze, për të mbrojtur vjedhjet e tij të pallogaritshme, po kalon në veprimtari të tjera, në asgjësimin e sistemit të drejtësisë, në miratimin e ligjeve për të mbrojtur veten e tij dhe bandën e tij plaçkitëse qeveri.

Amendamentet që kërkon të sjellë pas reagimit të fuqishëm dhe kartonit të zi që i nxorën në Bruksel, janë amendamente që kanë si qëllim kryesor të mbrojnë personin Edi Rama dhe anëtarët e organizatës së tij kriminale.

Pezullimi i zyrtarëve nga detyra për keqbërjen e tyre ndaj qytetarëve, është një nen, është një ligj, është një e drejtë ligjore kushtetuese e prokurorisë, e institucionit të akuzës të çdo vendi.

Është një e drejtë që ligjvënësit u kanë njohur prokurorëve dhe gjykatësve për të mbrojtur interesat e qytetarëve nga keqbërësit zyrtarë të lartë.

Është një e drejtë e institucionit të akuzës dhe gjykatave, e sanksionuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, konkretisht nenit korrespondues të nenit 224 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë.

Pra, pezullimi në mënyrë absolute nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend.

Nënkupton ndëshkimin në emër të interesave të qytetarëve të zyrtarëve më të lartë që përdorin pushtetin për të vjedhur.

Pezullimi, përkundrazi synon mbrojtjen  e institucioneve, mbrojtjen e legjitimitetit të tyre, integritetit të tyre, funksionimit të tyre në përputhje me ligjin.

Kjo që po ndodh, po ndodh nga një kryehajdut në rreth të kuq, i cili, të dashur qytetarë dhe qytetare, ka jo një, jo 10, jo 100, por ka qindra e qindra firma për plaçkitje dhe grabitje, qoftë të buxhetit, qoftë të taksave tuaja, qoftë të pasurive tuaja publike.

Edi Ramës i ka ardhur fundi.

Më 20 shkurt të vitit 1991, qytetarët shqiptarë nën moton, ta shporrim qelbësirën, kaluan mbi tanke, autoblinda, mitraloza dhe në kryengritje paqësore përmbysën shtatoren e atit shpirtëror të Edi Ramës, që kishte varfëruar shqiptarët në shkallën më ekstreme, i kishte shtypur ata në mënyrën më mizore.

Edi Rama i ka vjedhur shqiptarët sa askush tjetër në tërë historinë e tyre.

Edi Rama po u thotë shqiptarëve se tani merrni Belindën, merrni Lubinë dhe mua nuk do keni më ç’të më bëni kurrë mua dhe ministrave të tjerë.

Beteja e opozitës nuk është për Lubinë, e kemi theksuar dhe e theksojmë 100 herë, jo, beteja e opozitës dhe e shqiptarëve është personalisht kundër Edi Ramës, autorit famëzi të sistemit më kleptokratik që ka njohur Shqipëria dhe të narkoshtetit.

Qytetarët unk mbushin rrugët dhe sheshet për Lubinë.

Qytetarët mbushin rrugët vetëm për Edi Ramën.

Ata duan largimin e tij të menjëhershëm nga posti i kryeministrit si një uzurpator.

Zonja dhe zotërinj, dua t’u njoh me disa zhvillime të fundit, po në këtë linjë.

Në krye të kopshtit privat të tij, AKSHI-t, vendoset famëziu Igli Tafa.

Çfarë përfaqëson Igli Tafa?

Drejtorin e Sigurisë Kibernetike, i cili është edhe autori i tenderit 75 milionë euro për baxhon e Ramës apo për kunatin e florinjtë të Linda Ramës, në të cilën nuk vërtetohet asnjë punim, asnjë shpenzim, përveç plaçkitjes nga thesari i shtetit të 75 milionë eurove, nga të cilat transhi i fundit prej 25 milionë u lëvrua meurdhër direkt të Edi Ramës nga Ministri i Financave një muaj më parë dhe unë e denoncova në këtë sallë, e denoncova edhe në parlament.

Pra, Igli Tafa është një kukull, një vegël e klanit të Surrelit që do të majmet me çdo çmim nga AKSHI, nga  i cili kanë plaçkitur qindra e qindra milionë euro.

Igli Tafa ka pasur një rrogë dy herë më të madhe dhe Edi Rama ka marrë përsipër t’i rregullojë rrogën.

Edi Rama po krijon tani AKSHI-n si sipërmarrje shtetërore private ku duart e zeza të klanit Rama nëpërmjet klanit Frangu shtrihen dhe e kapin plotësisht.

Pra, Edi Rama nuk heq dot kurrë dorë nga vjedhja, është i gatshëm gjer minutën që do qëndrojë në pushtet, të vjedhë gjer në palcë qytetarët shqiptare.     

Dua të bëj me dije, dhe u bëj thirrje autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, të hetojnë qëndrimin e tij kërcënues ndaj gjykatësve kushtetues.

Të hetohen të gjitha telefonatat e tij të bëra edhe pas mesnate, kërcënimet e tmerrshme që u janë bërë gjyqtarëve që të votojnë për rrëzimin e anulimit.

Janë lehtësisht të gjetshme, ndaj dhe kërkoj hetimin me urgjencë, marrjen e tabulateve të numrave të të gjithë familjes së tij.

Telefonatat e bëra pas mesnate e tregojnë atë një padrino, një njeri që është i gatshëm të shkelë çdo ligj, çdo rregull për të mbrojtur vjedhjet e tij.

Akte të shëmtuara, ndaj dhe tani qytetarët e kanë në dorë.

Unë edhe njëherë sqaroj qytetarët shqiptarë se të gjitha këto masa, si amendamentet për mbrojtje personale të Edi Ramës dhe banditëve të tij, amendamenti për privatizimin e tenderave të kopshtit privat të Edi Ramës, dëshmojnë se ky njeri është i pangopur në vjedhjen e qytetarëve.

Dhe tani mashtron qytetarët në turpin më të madh duke u thënë se ka funksione të padelegueshme.

Njeriu, që si kryeministër, ka deleguar me qindra herë firmën e tij zëvendësve, tani u thotë shqiptarëve se ka funksione të padelegueshme.

Kushtetuta e Shqipërisë nuk njeh asnjë funksion të padelegueshëm.

Ndaj dhe jep dorëheqjen më mirë.

Unë të kuptoj dhe po të ndjekim me shumë vëmendje.

Po bën gjithçka, por të garantoj se asgjë në botë nuk të shpëton dot ty nga verdikti i shqiptarëve.

PYETJE-PËRGJIGJE

Marsi Korreshi, SYRI TV: Përtej paralajmërimeve që vijnë nga Brukseli, për atë që ju e denoncuat deri për pezullimin e procesit të negociatave, Edi Rama doli sot prap në mbrojtje të Ballukut, duke thënë se ka refuzuar 3 herë dorëheqjen e saj dhe duke ndryshuar edhe ligjin për të mbrojtur veten dhe kabinetin e tij, nga pezullimet.

Ju keni thënë se opozita do të përgjigjet me protesta. Po nga faktori ndërkombëtar, prisni ndonjë reagim dhe a keni ndonjë thirrje për partnerët për të reaguar për situatën në Shqipëri?

Sali Berisha: U jemi shumë mirënjohës partnerëve të cilët të befasuar nga qëndrimi i Edi Ramës, de fakto një vetëakuzë e plotë për veten e tij, bën një reagim të shpejtë dhe të fuqishëm.

Nuk mund të kishte reagim më emergjent dhe të fuqishëm, se sa Edi Rama të thirrej nga numri 1 i BE-së dhe t’i nxirrej kartoni i kuq. Nuk mund të kishte qëndrim më të prerë, se sa mëngjesi, takimi me ambasadorët e vendeve kryesore, ku në fakt nuk u la të dërdëlliste. E them haptas këtu. Unë nuk mund të bëhem zëdhënësi i takimeve, por mund t’ju them që nuk e lanë të dërdëlliste.

I thanë të kemi thirrur për këto e këto. I thashë se, nuk tolerojmë në mënyrë absolute asnjë ndërhyrje, ky është mesazhi i Brukselit, në çështjet e drejtësisë, asnjë pengesë.

Së dyti, shkarkoje menjëherë Lubinë dhe nuk të pranojmë shkarkimin e saj me rikompozim të qeverisë. Jo. Ajo do të largohet si delinkuente, si një njeri që ka kryer krime.

E treta. Dyert e Mynihut, konferencës më kryesore në botë, ia përplasën në surrat.

Merrni lexoni editorialin e publikuar një ditë para konferencës së Mynihut, nga Baton Haxhia. Baton Haxhia, i cili është zëdhënësi shpirtëror i Edi Ramës, një ditë para konferencës publikoi editorialin se me sa interes pritet në konferencë e sigurisë, lideri, sharlatani global, Edi Rama. Se çfarë takimesh imagjinare do të kishte Edi Rama, me nënkuptim dhe me sa interes do të dëgjoheshin dokrrat e tij.

Kjo është e shkrojtur nga zëdhënësi kryesor i Edi Ramës në një editorial. Lexojeni, nëse ai e ka hequr nga faqja e portalit të tij, ju lutem njoftoni zyrën e shtypit t’ua dërgojë që ta keni parasysh.

Mirëpo, çfarë ndodhi. Këtu ishin bërë të gjitha përgatitjet, vetëm sa nuk thoshte ua tregoj unë këtyre tani, të shohin këta çdo heqin nga Mynihu.

Të nesërmen, i gjithë stafi mori një mesazh: Anulohet vizita, anulohet fjalimi, anulohen të gjitha. Sepse njeriun që mbron vjedhjet e tij nuk e pret kush më.

Nuk ka si të mos jemi më të kënaqur nga partnerët tanë. Kjo është një mbështetje shumë e madhe dhe unë mund të ju them shkojnë pak më tutje. Dhe ju lutem, bëni një check up edhe ju.

Mediat më të mëdha në botë e kanë dhënë revoltën, kryengritjen paqësore të 10 shkurtit, ju garantoj në hapësirë kohe, 3 fishin e mediave të kontrolluara nga qeveria.

Merrni pak televizionin gjerman, se çfarë komenti dashamirës, mirëkuptim të plotë i bën protestës në 10 minuta emision.

Merrni Fox Neës, në lajme kryesore me një shkrim të gjatë, shoqëron kryengritjen paqësore të opozitës.

Merrni EuroNeës, edhe 3 ditë pas jepte ‘No Comentin’ më të gjatë, pasi kishte dhënë të gjitha lajmet.

Pra, unë mund të them se, opinionin publik ndërkombëtar dhe zyrtar është totalisht në mbështetje të opozitës shqiptare, në mbështetje të qytetarëve shqiptarë dhe kundër kreut të organizatës kriminale dhe organizatës së tij, Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Ndaj dhe duhet të japë dorëheqjen menjëherë, duhet të japë dorëheqjen menjëherë!                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                     

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale