‘Foltorja’ në Lezhë/ Berisha-Ramës: Po bllokove drejtësinë, do kesh fatin e babait tënd shpirtëror, Enver Hoxhës. Me 24 janar, Tirana, sheshet dhe rrugët janë të opozitës

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E LEZHËS

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i pranishëm në ‘Foltoren’ e mbajtur në Lezhë, që përkon dhe me 35 vjetorin e themelimit të kësaj dege të PD, pasi ka përshëndetur të gjithë qytetarët dhe demokratët, u shpreh se, analiza e këtyre 35 viteve, çdo demokrati dhe demokrateje, duhet t’i shërbejë para së gjithash si një përgjegjësi, si një barrë e re për misionin e madh, misionin e ri që kemi. Sipas tij, Partia Demokratike ndër vite, ka treguar një besnikëri të palëkundur ndaj demokracisë dhe vlerave të saj.

Gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ në Lezhë, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh para demokratëve se, beteja e tyre nuk ka qenë vetëm me qeverinë, por edhe misionarët e saj në PD, si dhe kreun e mafias botërore, Xhorxh Soros. ‘Një kalbësirë e brendshme e kapi PD-në. Një kryetar që ju i dhatë besimit, ditën ishte me ju, natën me Edi Ramën ndante paratë dhe pazaret. Punonte kundër jush’, u shpreh Berisha. ‘Unë e them këtu, vendimi më i rëndësishëm i jetës tuaj dhe më i vështirë ishte vendimi për të mbështetur në vjeshtën e vitit 2021 Sali Berishën. Ishte vendimi për të dalë nga fasadë opozita në opozitë të vërtetë. Por kësaj here, betejën nuk e kishit vetëm me qeverinë shqiptare dhe misionarët e saj në PD. Beteja juaj ishte globale. Ishte me kreun e mafies botërore, që ishte Xhorxh Sorosi’, theksoi lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur në takimin me demokratët në Lezhë, ka akuzuar Edi Ramën dhe Xhorxh Sorosin se, kërkon të izolonin PD-në, duke mendua se do ta shuanin, por gabuan rëndë.  ‘Ne donim të ishim njerëz me dinjitet, të merrnim vetë vendimet. Nuk mund të pranonim opozitë shërbëtore të qeverisë. Dhe menduan se me izolimin tonë do të na shuanin. Por gabuan rëndë. Ua them unë ju këtu sot, ne festojmë këtë 35-vjetor më të fuqishëm se kurrë në ekzistencën tonë.  Sot ne festojmë këtë 35-vjetor më të gatshëm se kurrë për triumfin tonë, më të sigurt se kurrë në këtë triumf’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë takimit të 35 vjetorit të themelimit të degës së Lezhës, ka akuzuar Edi Ramën se, është duke bllokuar drejtësinë për të shpëtuar veten e tij.  ‘Tani na del fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe thotë që unë nuk njoh vendimet. Thotë që unë do përdor imunitetin për të mbrojtur Lubinë, për të mbrojtur Lindat e tij, Lindën e AKSHI-t dhe Lindën e Surrelit. Thotë se ju, o demokratë, o shqiptarë, ju kam vjedhur, do t’u vjedh dhe ju nuk keni se ç’bëni. Ja këtu po i them nga Lezha, në mënyrë absolute, po bllokove drejtësinë, fatin e babait tënd shpirtëror, Enver Hoxhës do kesh’, nënvizoi lideri i opozitës, Sali Berisha.

Gjatë takimit me simpatizantët dhe qytetarët në Lezhë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita shqiptare ka fituar çdo betejë historike sa herë ka dalë në shesh me moton ‘ja vdekje, ja liri’, duke theksuar se nuk ekziston asnjë forcë që mund të ndalë vullnetin e qytetarëve për liri dhe demokraci.  ‘ Kemi fituar në vitet ’90 me këtë moto. Kemi fituar në vitet ‘98-‘99 po me këtë moto, na vranë. Po ne u hodhëm me moton ja vdekje, ja liri. Dhe kur ne themi këtë, nuk ka forcë në botë që na mposht ne. Ndaj dhe ky është misioni’. Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë për vjedhje zgjedhjesh, korrupsion masiv dhe kapje të drejtësisë, duke nënvizuar se Shqipëria ka nevojë urgjente për një qeveri legjitime të dalë nga vota e lirë e shqiptarëve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka ftuar qytetarët që ti bashkohen protestës së 24 Janarit që do të mbahet tek kryeministria. ‘Me 24 janar, Tirana, sheshet dhe rrugët janë të opozitës. Ndaj dhe u ftoj të derdhemi të gjithë në Tiranë për të treguar vendosmërinë tonë për të larguar me vendosmëri këtë qeveri nga pushteti’, theksoi Berisha.

FJALA E PLOTE:

Një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju këtu dhe një mirënjohje të pakufishme për ju dhe të gjithë qytetarët e qarkut të Lezhës për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Partisë Demokratike.

Mirënjohja jonë është e pakufishme, nderimi ynë është më i madh se kurrë për ju.

Të dashur miq, ne sot mblidhemi në një datë, 35-vjetorin e themelimit të PD, ndaj dhe unë duhet të përulem me nderimin më të madh para atyre djemve dhe vajzave, djemve dhe vajzave të këtij rrethi që 35 vite më parë, në kushtet e terrorit të vërtetë komunist me vendosmëri dhe guxim themeluan këtu në Lezhë, PD-në, themeluan pluralizmin politik, ndanë epokat, përmbysën sistemin më çnjerëzor që shqiptarët kishin provuar në tërë historinë e tyre, sistemin komunist, dhe çelën dyert e lirisë, demokracisë në këtë qark dhe mbarë Shqipërinë.

Nderimi më i madh për ta.

Ne festojmë këtë 35-vjetor natyrisht me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë për detyrimet që kemi.

Kjo analizë e këtyre 35 viteve, secilit prej ndesh, çdo demokrati dhe demokrateje, duhet t’i shërbejë para së gjithash si një përgjegjësi, si një barrë e re për misionin e madh, misionin e ri që kemi.

Në vitet ’90, ne, njerëz qenë tërësi nuk kishim asnjë dijeni se çfarë është rendi demokratik, por që lirinë e kishim aspiratë të brendshme shpirtërore, por jo diçka të përjetuar, sistemin dhe vlerat e demokracisë i kishim tërësisht të panjohur, ne me guxim përmbysëm rendin dhe ndërtuam sistemin e idealeve dhe aspiratave tona, Shqipërinë e lirë, qytetarëve të lirë dhe dinjitozë, lirisë së besimit, lirisë së pronës, iniciativës së lirë, Shqipërisë së hapur ndaj miqve dhe e rreshtuar në anën e drejtë të historisë, Shqipërisë së vokacionit perëndimor, integrimit të saj në institucionet euroatlantike.

Pra, njerëz, të cilët pa asnjë lloj praktike siç ishim ne, realizuam gjëra shumë të mëdha.

Justifikuam plotësisht atë përpjekje të madhe që u bë nga shqiptarët dhe ne si PD, me programin tonë, krijuam ekonominë e tregut.

Me programin tonë krijuam institucionet e demokracisë.

Siç është e pashmangshme, ne bëmë edhe gabimet tona, por ne vazhduam të mbrojmë vlerat që besojmë.

Ne, pasi njohëm gabimin tonë, bëmë zgjidhjen më të drejtë ligjore, u dhamë problemeve të krijuara në mënyrën më të drejtë, më të ndershme.

Nuk pranuam që me ndërgjegje të kryenim veprime amorale, të merrnim paratë e atyre që nuk kishin vendosur asnjë qindarkë në skemat piramidale dhe t;ua jepnim atyre që i kishin humbur, jo, ne ndoqëm standarde morale, pavarësisht nga çmimi që mund të paguanim.

Dhe përsëri, shqiptarët e vlerësuan këtë.

Shqiptarët panë tek ne një forcë politike me moral.

Një forcë politike që e lëshoi karrigen, doli në gjuqin publik, mori përgjegjësitë, por mbeti e ndershme në moralin e saj.

Nuk mashtroi qytetarët.

Mos harroni, rivali im u tha qytetarëve do u rikthejmë çdo qindarkë.

Unë thashë asnjë qindarkë nuk mund të kthej sepse një borxh që nuk është marrë, nuk mund të njihet kurrë.

Qeveria juaj atë borxh nuk e kishte marrë. Kjo ishte e vërteta.

Në krye të katër viteve, shqiptarët votuan në shumicë PD-në.

E votuan pavarësisht na gabimi që kishte bërë, por e votuan për parimësinë që ajo tregoi, për guximin që ajo tregoi.

Ajo u ngrit si Feniksi nga hiri dhe fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, të cilat e dinë shqiptarët se si u grabitën me fenomenet e Dushkut, etj, etj.

Përsëri ne qëndruam, e gjunjëzuam pushtetin, mbrojtëm votën, u shndërruam në mbrojtësit më të sigurt, më të vendosur të votës së shqiptarëve.

Nuk ka ndodhur kurrë që ata, të cilët vëzhguan zgjedhjet, të shkruajnë në raportin e tyre se ne e ndryshuam raportin pasi opozita solli prova të pakundërshtueshme.

Raporti ndryshoi, zgjedhjet u damkosën.

Faktikisht, qeverisë së asaj kohe, ne i hoqëm legjitimitetin.

Dhe ashtu siç jemi ne Parti Demokratike e vlerave, e përcaktuar në rrugën tonë për realizimin e qëllimeve me mjete demokratike, ne vazhduam betejën dhe fituam në mënyrë plebishitare në vitin 2005.

Vite të qeverisjes, të cilat sollën ndryshime që Shqipëria nuk i ka pasur kurrë.

Sollën ndryshime thelbësore.

Shqipëria nga honet e mjerimit dhe varfërisë që ishte, ndoshta edhe shekuj, në grupin e vendeve me të ardhura më të ulëta, u ngjit në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Shqiptarët për herë të parë në historinë e tyre ishin njerëzit më të paguar në rroga dhe pensione në rajon.

U transformua infrastruktura.

U anëtarësua vendi në NATO.

Arsimi mori një pamje tjetër.

Shqipëria ecte me hapa të sigurta drejt integrimit në BE.

Dhe ne në vitin 2013, humbëm zgjedhjet, pranuam rotacionin, dolëm në opozitë duke treguar një besnikëri të palëkundur ndaj demokracisë dhe vlerave të saj.

Miq, po të hyjmë të numërojmë arritjet e të shkuarës janë të shumta, por unë dua t’u them ju se në qoftë se do kishte një emër tjetër, kjo parti, emri i saj do ishte e pamposhtur.

Në qoftë se demokratët do të kishin një emër të dytë, të pamposhtur.

Asgjë nuk na mposhti ne, asgjë nuk e mposhti këtë parti.

Ua thashë edhe njëherë, menduam se e fshinë nga harta politike, jo, përkundrazi, u ngritëm si Feniksi nga hiri.

Në këto vite, ju demokratët, të gjithë demokratët, kaluan kaluarin më të pamerituar, por edhe provën më të madhe të dinjitetit të tyre, provën më të madhe të guximit të tyre.

Një kalbësirë e brendshme e kapi PD-në.

Një kryetar që ju i dhatë besimit, ditën ishte me ju, natën me Edi Ramën ndante paratë dhe pazaret.

Punonte kundër jush, punonte kundër idealeve tuaja, interesave tuaja sepse i tillë ishte Edi Rama në radhë të parë, por edhe ai. Një armik i pluralizmit, bastard, pasardhës i një xhelati që firmoste varjen në litar.

Nga njëra anë hiqej si intelektual, skulptor, nga ana tjetër ulej dhe firmoste varjen e poetëve, varjen e qytetarëve të thjeshtë, krejtësisht të pafajshëm, vetëm si kundërshtarë politikë.

Ky armik i egër i pluralizmit gjeti dobësitë, dhe faktikisht po përpiqej ta rrënonte nga brenda PD-në.

Unë e them këtu, vendimi më i rëndësishëm i jetës tuaj dhe më i vështirë ishte vendimi për të mbështetur në vjeshtën e vitit 2021 Sali Berishën.

Ishte vendimi për të dalë nga fasadë opozita në opozitë të vërtetë.

Por kësaj here, betejën nuk e kishit vetëm me qeverinë shqiptare dhe misionarët e saj në PD.

Beteja juaj ishte globale.

Ishte me kreun e mafies botërore, që ishte Xhorxh Sorosi.

Ky Karl Marksi i post-marksizmit, armik i egër i PD dhe vlerave demokratike.

Por, edhe njëherë, ju u provuat të pamposhtur me zgjidhjet që bëtë.

Ju zgjodhët idealet tuaja.

Ju zgjodhët dinjitetin tuaj.

Ju zgjodhët interesin kombëtar.

Ju zgjodhët vokacionin perëndimor.

Ju zgjodhët sovranitetin e vendit.

Në kushte kërcënimesh, në kushte mjegullnash të mëdha, ju zgjodhët pluralizmit që themeluat, shpëtimin e tij.

Dhe atë kalvar, atë izolim, besuan se na varrosën 7 pashë nën tokë me izolimin.

Por ja ku jemi sot, shtatë rezoluta në mbështetjen tonë sepse qëndruam.

Nga buron kjo forcë e jona njerë të thjeshtë?

Shumica juaj, njerëz me privacione reale, ekonomike dhe të tjera, nga buron kjo forcë?

Ky forcë buron nga misioni që ne besojmë, tek misioni që ne kemi marrë.

Buron tek kauzat që mbrojmë.

Kauza e lirisë, kauza e pluralizmit, kauza e dinjitetit njerëzor, kauza e interesit kombëtar, kauza e vokacionit kombëtar, janë kauzat më të drejta të individit, të Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Ne i mbrojtëm ato në çdo rrethanë.

Ditën që u themeluam kemi deklaruar, mos harroni kurrë se ylli ynë polar është çështja kombëtare, se ylli ynë kombëtar është interesi kombëtar.

Miq, pra edhe njëherë, na izoluan, po pse na izoluan?

Sepse mbronim interesin e qytetarëve shqiptarë nga një organizatë kriminale qoi vidhte ata nga mëngjesi gjer në darkë.

Po pse na izoluan?

Sepse mbronim interesin kombëtar nga një tradhtar që me mburrje deklaronte se unë merrem vesh shumë mirë me kryeministrin serbomadh të Beogradit se sa me kryeministrin e Kosovës.

Pse na izoluan?

Sepse ne donim të ishim njerëz me dinjitet, të merrnim vetë vendimet.

Nuk mund të pranonim opozitë shërbëtore të qeverisë.

Dhe menduan se me izolimin tonë do të na shuanin.

Por gabuan rëndë.

Ua them unë ju këtu sot, ne festojmë këtë 35-vjetor më të fuqishëm se kurrë në ekzistencën tonë.

Sot ne festojmë këtë 35-vjetor më të gatshëm se kurrë për triumfin tonë, më të sigurt se kurrë në këtë triumf.

Ne, edhe në kushtet më të vështira, mbrojtëm parimet që besojmë dhe arritëm t’i faktojmë botës se Edi Rama është një armik i egër i votës së lirë.

Se Edi Rama, ai klouni me atlete të bardha që kalon nga një samit në tjetër, është hajduti më i madh i Shqipërisë dhe Europës.

Se Edi Rama është më bandit se çdo bandit i bandave të Shqipërisë.

Ne i mbrojtëm këto teza se ishin të vërteta.

Edhe kur kthenin kokën anash, edhe kur turfullonin kur ua thonim.

Koha fakton sot qëndrimin tonë të drejtë.

Një propagandë e tmerrshme, e paimagjinueshme kundër jush për t’u mashtruar ju çdo ditë,

për t’u fshehur ju çdo ditë të vërtetat, për të glorifikuar çdi ditë të keqen para jush, për t’u verbuar dhe errësuar mendjet dhe sytë.

E paguar e gjitha me paratë tuaja, me kafshatën e kafshatës tuaj.

Kjo ishte, por prapë kthehemi edhe njëherë.

Të pamposhtur.

Ne, nga tetori i vitit 2024, gjer në 5 dhjetor, 7 rezoluta të firmosura nga të gjitha partitë e djathta dhe të qendrës së djathtë në botë në mbështetje të kauzës së PD.

Si askund tjetër, se ato që mbrojtëm ne ishin të drejta.

Nuk ishin vetëm për ne, por ishin për njerëzit e lirë kudo në botë.

Ndaj dhe rikthehemi tani në këtë 35-vjetor.

Çfarë është ky 35-vjetor për ne?

Ky 35-vjetor është një kushtrim për ne, është një kushtrim i madh të përmbushim misionin tonë.

Miq, kemi dalë në fushëbetejë.

Kemi qartësuar për çdo shqiptar dhe çdo njeri të lirë në Europë dhe botë se armiku i vullnetit të qytetarëve shqiptarë e ka emrin Edi Rama.

Se ai ka zero legjitimitet.

Se ai ka grabitur mandate me të gjitha mënyrat.

Se ai qëndron në pushtet si përfaqësues i karteleve më të rrezikshme të drogës në Shqipëri dhe Europë.

Por, një gjë, që një qeveri të qëndrojë në pushtet pa legjitimitet, çdo ditë që ajo qëndron, qëndron për shkak se opozita nuk i ka dhënë asaj drurin që meriton.

Një pushtet i paligjshëm nuk tolerohet.

Një pushtet i paligjshëm rrëzohet dhe vetëm rrëzohet.

Sot presidenti Donald Trump u bëri thirrje iraniane, pushtoni institucionet tuaja sepse xhelatët e Teheranit vranë mbi 2 mijë protestues paqësorë në rrugët e qyteteve të tyre.

Si qëndron puna tek ne?

Ne përsëri jemi parti, besojmë në votën e lirë, në pushtetin me votën e lirë dhe në rrugë paqësore.

Ne nuk i drejtohemi dhunës dhe u them unë ju këtu, ta keni shumë të qartë, secili prej jush këtu dhe çdo demokrate e demokrat, është i aftë të bëjë zap 100 hajdutë të këtij pushteti kudo që janë.

Hajduti ka vetëm një ligj, vodha, ika, u fsheha.

Kështu janë këta, ia mbathin si minjtë.

Mos harroni kurrë, nuk ka kriminelë më të rrezikshëm, nuk ka hajdut më të madh askund, as tek Troplinët, as tek Çelët dhe në asnjë klan tjetër se sa Edi Rama në qeveri, se sa Taulant Balla në krye të grupit parlamentar, se sa Lubi Balluku. Etj, etj.

Jo, jo, nuk kanë të krahasuar.

Duhet t’i shohim gjërat siç janë.

Çfarë bënë tani?

Ne i përmbushëm detyrimet tona, mbrojtëm votën.

Por edhe këta ditë e natë i denoncuam për çdo vjedhje, për çdo akt dhe për çdo gjë.

Dhe ato po faktohen.

Tani na del fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe thotë që unë nuk njoh vendimet.

Thotë që unë do përdor imunitetin për të mbrojtur Lubinë, për të mbrojtur Lindat e tij, Lindën e AKSHI-t dhe Lindën e Surrelit.

Thotë se ju, o demokratë, o shqiptarë, ju kam vjedhur, do t’u vjedh dhe ju nuk keni se ç’bëni.

Ja këtu po i them nga Lezha, në mënyrë absolute, po bllokove drejtësinë, fatin e babait tënd shpirtëror, Enver Hoxhës do kesh.

Po qe se beson se pasi na i ke lënë të sëmurët në spitale pa ilaçe, fëmijët në shkolla pa ngrohje duke i vjedhur, rrogat dhe pensionet më të ulëtat në rajon, pasi ke ndërtuar parajsën tënde me paratë e qytetarëve, kafshatën e tyre dhe je kapur me dokumente për të gjitha këto, mendon se do përdorësh imunitetin, gjej vrimën e miut.

Ja ku po ta them, se kurrë nuk do ta pranojmë.

Edhe njëherë, ne, mbajeni mend, të mos e harrojmë asnjëherë, kemi fituar në të gjitha rastet kur kemi dalë në shesh ja vdekje a liri.

Kemi fituar në vitet ’90 me këtë moto.

Kemi fituar në vitet ‘98-‘99 po me këtë moto, na vranë.

Po ne u hodhëm me moton ja vdekje, ja liri.

Dhe kur ne themi këtë, nuk ka forcë në botë që na mposht ne.

Ndaj dhe ky është misioni.

Ky është misioni që na thërret çdo demokrati e demokrateje, çdo shqiptari e shqiptareje.

Po tejkalohet çdo lloj kufiri.

Miq, ai bënte batërdinë me votat.

Makineria e tmerrshme, e neveritshme vërsulej, i fitoi zgjedhjet.

Njeriu që bënte farsën, nuk bënte zgjedhjet, i fiton zgjedhjet ky.

Tani, njeriu që vjedh me qindra e qindra milionë e miliarda, jo, thotë se nuk janë dokumente ato.

Do t’i tregoj popullit dokumentet.

Prandaj i them këtu mos blloko drejtësinë.

Drejtësia është e tëra në kontrollin e tyre.

Ne, siç e dini.

Por përsëri ka një gjë miq, që kur është krijuar shteti 5 mijë vite më para, ai pushtet është lënë të gjykojë këta që qeverisin.

Dhe po të mos jetë ai, atëherë ne dalim në një rend parashtetëror, dalim me një rend mijëra vjet më para.

Por me mendësinë e tij ky beson se do mund të shpëtojë.

Për t’ia bërë të qartë edhe njëherë, ke zero legjitimitet.

Bëj lobime, shko ku të duash dhe bëj ç’të duash.

Ke vjedhur zgjedhjet, ke vjedhur qindra e qindra milionë ose miliarda para të qytetarëve shqiptarë.

Nuk ka pasur kjo tokë hajdut si ti, me veten, me familjen, me rrethin, me të gjithë me radhë.

Ndaj dhe miq, ta mbyll edhe njëherë, ne jemi të pamposhtur, ne  e kemi faktuar.

E kemi faktuar që jemi të pamposhtur dhe do ua faktojmë shqiptarëve në mënyrën më të vendosur.

Vendi kërkon qeveri legjitime, vendi kërkon qeveri të dalë nga vota e lirë.

Ja, ky është dallimi i madh i yni

Vendi kërkon që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, të zgjedhin atë që duan.

Forcë në botë që të na pengojë ne në këtë mision nuk ka.

Rrofshi ju.

Rroftë Lezha.

Rroftë Shqipëria.

***

Ju falënderoj shumë për ndërhyrjet tuaja, për këtë pritje.

U garantoj se PD do përmbushë misionin e saj, detyrimin që ka për të garantuar notën e lirë të shqiptarëve dhe fitoren e opozitës.

Me 24 janar, Tirana, sheshet dhe rrugët janë të opozitës.

Ndaj dhe u ftoj të derdhemi të gjithë në Tiranë për të treguar vendosmërinë tonë për të larguar me vendosmëri këtë qeveri nga pushteti.

U garantoj se PD është në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të ripërtëritjes, të përpunimit të programit dhe strategjisë për të realizuar misionin e saj, përmbysjen e diktaturës së dytë në Shqipëri dhe rikthimin e demokracisë.

Rrofshi ju, rroftë Lezha, rroftë Shqipëria.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale