Denoncimi/ Berisha: Klubin Dinamo e ka marrë Ergys Agasi, klubin Partizani e ka Olsi Rama! Kërkoj urgjent hetim ndërkombëtar

Në vijim të deklaratës së tij gjatë konferencës me gazetarët, Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi ndërhyrjet e forta politike dhe interesat kriminale në sport, duke përmendur konkretisht klubet KF Dinamo Tirana dhe FK Partizani Tirana. Sipas tij, këto klube janë marrë nën kontroll nga persona të lidhur me qeverinë dhe përdoren për pastrim parash dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Ai kërkoi një hetim ndërkombëtar për të verifikuar këto pretendime.

Gjatë sesionit pyetje-përgjigje, Berisha komentoi edhe deklaratat e komisioneres për zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe fyese ndaj shoqërisë shqiptare. Lideri demokrat replikoi gjithashtu edhe zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke ironizuar debatet mes eksponentëve të saj. Ai u ndal te deklarata publike e Elisa Spiropalit kundrejt Taulant Ballës, duke u shprehur se ajo “po kërkon qiqra në hell”, pasi nuk mund të ketë debat të hapur në një parti e cila është “shpellë e mafies”. Berisha shtoi se Rama është një version i Belinda Ballukut me pantallona.

Në lidhje me situatën e brendshme në Partinë Demokratike, Berisha sqaroi përjashtimin e dy këshilltarëve bashkiakë në Durrës, duke theksuar se vendimi nuk lidhet me qëndrime apo deklarata, por me veprime konkrete që kanë dëmtuar interesat e partisë dhe të qytetarëve, përfshirë bashkëpunimin me Partinë Socialiste dhe përfitime personale.

DEKLARATA E PLOTË

Çështja tjetër që dua të sjell këtu është çështja e klubit Dinamo.

Klubi Dinamo, pasi i morën 75 mijë metër katrorë tokë, ia plaçkitën, e transferuan në Durrës për Ergys Agasi City.

Klubin Dinamo e kishte më parë një Paskuçi, në mos gaboj unë, është një tregtar i vjetër kafeje.

Këtij, në mënyrat që i dinë vetë këta, e detyruan të shesë aksionet.

Po kush janë blerësit e aksioneve?

Ergys Agasi dhe Soto Jr.

Por, de facto është Ergys Agasi dhe pas saj vjen Agasi Manchester City.

Pas kësaj vjen Agasi Akademia e Futbollit.

Pra, shikoni se si kreu i Meduzës, se si kreu i organizatës kriminale, akaparoi dy klubet e mëdha sportive të vendit.

Me Olsin, klubin Partizani që lajnë paratë nga mëngjesi në darkë.

Me Gysin, klubin Dinamo. Manchester City.

I bëj thirrje federatës ndërkombëtare të futbollit të ndërmarrë një hetim urgjent ndërkombëtar për çmontimin e këtyre strukturave sipermafioze që kanë pushtuar dy klubet prestigjioze me histori të pamohueshme në futbollin shqiptar dhe që përdoren në funksion të interesave strikt mafioze të familjes Rama.

Të familjes së Edi Ramës.

Këtu janë të gjitha dokumentet e këtyre transaksioneve dhe veprimeve. Në çdo hap shkelje ligjore dhe mafioze për të cilat sigurisht do paraqiten para organeve të drejtësisë, por hetimi ndërkombëtar është i domosdoshëm.

Klubi Dinamo është një pasuri e madhe, dhe klubi Partizani janë në vetvete pasuri kombëtare, shfrytëzohen nga Olsi dhe Agasi.

Rastësi është kjo që familja Rama ka shtënë në dorë të dy klubet?

Jo!

Aty lahen paratë e drogës në të dyja.

Aty janë kthetrat e mafies mbi bastet sportive dhe bastet e tjera.

Dënoj këtë veprimtari kriminale të familjes Rama dhe tentakulave të saj.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z. Berisha, dje Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, bëri një deklaratë lidhur           me çështjen Balluku në Shqipëri, ku tha se Brukseli po monitoron këtë çështje, por gjeti si problem pranimin që shoqëria shqiptare i bën korrupsionit. Keni një përgjigje për zonjën Kos?

Sali Berisha: Deklarata e komisioneres Marta, një ditë pasi partia e parë fitoi zgjedhjet në Slloveni dhe që nuk foli gjer dje, është një deklaratë e mirëfilltë raciste dhe korruptive.

Nëse kemi të bëjmë me korrupsion politik apo korrupsion monetar, kjo është çështje e institucioneve të hetimit të BE.

Por të akuzosh një shoqëri se pranon korrupsionin, në një kohë kur mbështet hajdutin me të gjithë peshën që ka Komisioni, pak me thënë, po ngjet si ortak i tij.

Kaq kam për këtë koment.

Anisa Kadesha, RTSH: Z. Berisha, a keni një koment për debatet e brendshme të PS, të cilat u bënë dje publike përmes replikave në distancë të Spiropalit dhe Ballës?

Sali Berisha: Komenti im është ky, Elisa kërkon qiqra në hell. Elisa kërkon në shpellën e mafies debat të hapur.

Pra, kjo është shprehja më e butë që mund të përdorja për kërkesat e Elisës.

Kërkon debat të hapur për Lubinë dhe ia kërkon Taos debatin, në një kohë që e di se Skënderbuçi i saj është kryekëput, është, të themi, Lubia me pantallona.

Ky është komenti.

Daniela Maloku, Report Tv: Dy ditë më parë nga PD ka dalë një vendim që përjashton nga grupi i këshilltarëve të bashkisë së Durrësit dy emra, Dritan Burgija dhe Arlind Boshku. Sipas reagimeve të këtyre dy emrave në rrjetet sociale, përjashtimi lidhet me një drekë që ata kanë pasur me Ervin Salianjin apo me mbështetjen tashmë publike që i kanë dhënë atij. Në një reagim tjetër dje, PD sqaroi se bëhet fjalë për shkelje që këta dy emra kanë bërë duke dëmtuar interesat politike të PD. A lidhet përjashtimi i tyre me mbështetjen ndaj Salianjit dhe a do kenë të njëjtin fat të gjithë ata që kanë dalë publikisht në mbështetje të tij? Dhe nëse nuk është kjo arsyeja, cilat janë veprimet konkrete që ata kanë bërë apo lidhjet konkrete që ata kanë pasur, përfitimet e ndryshme që këta emra kanë pasur që ka sjellë përjashtimin e tyre?

Sali Berisha: Së pari, më duhet të them se këtu, para jush, në mënyrë të përsëritur, por edhe para anëtarësisë së partisë në Durrës, këta dy zotërinj janë denoncuar nga Sali Berisha për qëndrimet e tyre antistatutore gjatë fushatës elektorale dhe qëndrimet si këshilltarë të PD-së në këshillin bashkiak të Durrësit. Njëri kryetar, tjetri këshilltar.

Pra, ata që pretendojnë se janë ndëshkuar për fjalët, për mendimet, ata mashtrojnë veten dhe mashtrojnë të tjerët.

Në mënyrë absolute, jo.

Por ata të cilët ngatërrojnë fjalët dhe mendimet, të cilat në këtë parti kanë qenë dhe do mbeten gjithmonë të lira, me qëndrimet, ata bëjnë një gabim që duhet ta rishqyrtojnë.

Nuk ka asnjë lidhje se nuk mund të më citojë kush një deklaratë të tyre. Më thoni ju mua një deklaratë që ata kanë bërë.

Jo. Asnjë deklaratë nuk kanë bërë ata.

Nuk kam unë një deklaratë.

Çdo njeri është i lirë të bëjë çdo deklaratë që do, liria e mendimit është e garantuar.

Por qëndrimet janë qëndrime.

Në qoftë se ti, në fushatë elektorale në betejë, besimin që ta dhanë, sekretar politik dege, e përdor si Dash Sula, atëherë ti e përjashton veten nga partia dhe organet.

Në qoftë se punon për kandidatët e PS, dhe jo për kandidatët e PD duke mbajtur postin që ke, ti ke mbajtur një qëndrim që ke nxjerrë veten vetë jashtë partie.

Daniela Maloku, Report Tv: Cilin kandidat të PS kanë mbështetur ata?

Sali Berisha: Do vij unë aty. Së dyti, në qoftë se ti je në këshill dhe shkon njëherë në 6 muaj sa për të marrë ato lekë, nuk shkon në mbledhje të këshillit për të mbrojtur interesat e qytetarëve, ti tradhton dhe shkelmon ata që të kanë votuar.

Apo nuk është kështu?

Në qoftë se ti je në këshill dhe përdor pushtetin si këshilltar për të asfaltuar apo për të përfituar favore personale, nuk është ky pse të kanë votuar qytetarët e Durrësit.

Jo, qytetarët e Durrësit të kanë votuar për të mbrojtur interesat e tyre, jo për të zgjidhur çështjet e tua personale.

Ndaj dhe këta, asnjë prej tyre, këta të dy, nuk kanë asnjë lidhje me fjalë dhe mendime, por kanë lidhje me veprime, veprime dhe vetëm veprime.

Dhe në mënyrë absolute, çdo bashkëpunim me PS-në dhe qeverinë do të ndahet përfundimisht.

Ato kohëra kanë marrë fund për PD-në njëherë e mirë.

Kështu që, nuk ka asnjë lidhje me ato që thoni ju, le ta lidhin kush të dojë.

Ka një statut që është zbatuar plotësisht për të gjitha.

Është procedurë e degës, i ka kërkuar qendrës dhe qendra ka mbajtur qëndrimin e saj për qëndrimet e tyre, jo fjalët e tyre.

Nuk mund të dënohet kush për mendimin dhe fjalën.

Në qoftë se bën fushatë për PS, në qoftë se përdor pushtetin për qëllime personale, jo, nuk shkon ajo.

E kam thënë këtu tek ju, është nënkryetare e bashkisë në Tropojë, ajo ka ndërtuar një urë në një përrua pranë shtëpisë së vet. Ajo është në gjykatë sot, e ka dërguar PD atë për gjykim.

Ka përdorur pushtetin për interesa personale.

Nuk mund të kemi dy standarde ne.

Jo.

Kjo është shumë e thjeshtë.

Megjithatë, kjo parti ka institucionet e veta, është e hapur. Ata kanë të drejtë të ankohen. Por nuk ndëshkohet kush për fjalën dhe mendimin. Jo, nuk ka asnjë gjë të tillë.

Nuk mund të ketë.

Shënim: Rama dhe Manastirliu, vetëm 20 ditë para zgjedhjeve të 11 majit, në 21 prill 2025, duke inspektuar ambientet e Dyrrah City Football Academy (Manchester City), pasi i kanë kaluar në pronësi të Agasit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale