I ftuar në tryezën për reformë territoriale, eksperti Taulant Biturku theksoi se reforma territoriale e vitit 2014, e prezantuar si një mjet për rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e shërbimeve lokale, nuk ka arritur objektivat e saj një dekadë më vonë.
Sipas Biturkut, problemi kryesor i reformës ka qenë mungesa e konsensusit politik dhe konsultimit me komunitetet lokale, duke e kthyer procesin në një centralizim të pushtetit në vend të një decentralizimi efektiv. Ai vuri në dukje shembullin e Bashkisë Kavajë, ku shërbimet kryesore, përfshirë arsimin, shëndetin publik dhe zyrat kadastrale, janë përqendruar në Durrës dhe Tiranë, duke e larguar mbështetjen nga qytetarët.
Biturku propozoi rishikimin e kufijve territorial, forcimin e autonomisë vendore dhe transformimin e reformës në një proces të hapur, të korrigjueshëm dhe me shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët. Ai sugjeroi gjithashtu përdorimin e të dhënave historike dhe softuerëve të gjeodezisë për të garantuar kufij të qartë territorial, duke e bërë pushtetin vendor më afër komuniteteve.
Fjala e Taulant Biturkut:
Përshëndetje doktor Berisha, të nderuar pjesëmarrës.
Unë do ti bie shumë shkurt me disa propozime konkrete. Reforma territoriale e 2014 u prezantua si domosdoshmëri për rritjen e efikasitetit, përmirësimin e shërbimeve në njësitë vendore.
Në teori bashkimi do të sillte edhe ekonomi shkalle dhe administrim racional të burimeve. Reforma nuk lidhet thjeshtë me pushtetin vendor, por lidhet dhe me shumë shërbime të tjera, që kanë të bëjnë edhe me harmonizimin e pushtetit nga qeveria qendrore.
Në praktikë pas 1 dekade nuk është fare e qartë që këto objektiva u realizuan.
Problemi kryesor i asaj reforme ishte që u konceptua dhe u zbatua pa konsensus politik, pa konsultim me komunitetet dhe u kthye më shumë në një proces centralizim pushteti dhe jo decentralizim të mirëfilltë.
Kjo u vu re shumë në bashkinë Kavajë, ku është reflektuar në mënyrë shumë konkrete për shërbimet ndaj qytetarëve, siç është arsimi në përgjithësi dhe ai profesional në veçanti, ujësjellës-kanalizimet, shëndetit publik, zyrat kadastrale, etj.
Të gjitha këto janë larguar nga qyteti dhe janë përqendruar në Durrës dhe Tiranë dhe ne nuk e marrim vesh nëse jemi në varësi të prefekturës së Tiranës apo Durrësit. Është një konflikt që ka ekzistuar prej tash 80 vitesh për këtë bashki.
Në vend që shërbimet ti afrohen qytetarëve ato po i largohen.
Kush është thelbi i reformës territoriale është menaxhimi i territorit dhe ofrimi i shërbimeve dhe problematika nuk ndalen vetëm tek shërbimet, por janë thelbësore edhe për nga mënyrat se si janë konceptuar kufijtë territorial.
Nëse ti nuk ke kufij të qartë mbi pronën nuk mund të ushtrosh dhe detyrimin dhe përgjegjësitë që ke në lidhje me menaxhimin e kësaj pronësie.
Do të më vinte mirë që sot këtu të ishte dhe shoqata e Gjeodetëve se ata kanë një datazë që e quajnë kufijtë konsultativ dhe kanë një softuer me një punë prej 30-40 vjeçare.
Unë do të sygjeroja rishikimin e thelluar të kufijve territorial, forcimin e autonomisë vendore dhe si përfundim reforma territoriale të jetë një proces i hapur, i korrigjueshëm dhe me shërbime për qytetarët dhe duhet të bazohet në lidhje historike, gjeografike të komuniteve për të ndërtuar një pushtet vendor sa më afër qytetarëve.


