Berisha tregon shënimin që la në SPAK: Altin Troplini alias Dumani është një mashtrues publik i rangut më të lartë, i njëjtë me Ramaduron

PRONONCIMI PËR MEDIA I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA PARA SPAK

EKSTRAKT

Sot, përpara ambienteve të SPAK, kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumanin, të cilin e quajti publikisht mashtrues dhe mbrojtës të krimit elektoral. Berisha e krahasoi Dumanin me kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ky i fundit po përdor organet e drejtësisë për të manipuluar proceset zgjedhore dhe për të mbrojtur figurat e përfshira në krime elektorale. Ai theksoi se Altin Dumani ka mashtruar publikun shqiptar duke mohuar ekzistencën e provave për dhjetëra kallëzime penale që lidhen me shkelje zgjedhore, dhe ky është një akt i rëndë që opozita do ta zbardhë në Kuvend.

Berisha i riktheu vëmendjen edhe çështjes së Thoma Gëllçit, ku akuzoi Dumanin se ka dezinformuar qytetarët në lidhje me vendimin e Gjykatës së Strasburgut. Sipas tij, Dumani ka pretenduar rrejshëm se Strasburgu u bazua në mashtrime, ndërkohë që procedurat e këtij institucioni ndërkombëtar janë të qarta, të rregullta dhe transparente. Ai e cilësoi këtë deklaratë të Dumanit si një akt të pacipë dhe një përpjekje të qëllimshme për të krijuar konfuzion publik. Berisha vazhdoi me akuzat ndaj Dumanit, duke e përshkruar atë si një njeri me formim ekstremist të majtë dhe me pasuri të pajustifikuara, duke ironizuar faktin që ai zotëron katër shtëpi ndërkohë që ka qenë gjithmonë me rrogë shteti.

Në vijim, lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi Dumanin se po vepron si mercenar i Edi Ramës, duke mbrojtur Irena Gjokën, një gjyqtare që sipas tij është e diskredituar si në aspektin moral, ashtu edhe në atë ligjor. Ai deklaroi se Dumani po mohon vlefshmërinë e dokumenteve me vulë apostile, të cilat në të gjitha standardet ndërkombëtare përbëjnë prova të padiskutueshme. Më tej, Berisha akuzoi vetë Irena Gjokën për mashtrim në formularin e dekriminalizimit, fshehje të një dënimi penal dhe për sjellje të papërshtatshme në jetën personale, gjë që sipas tij cënon rëndë integritetin e sistemit të drejtësisë në vend.

Lideri i opozitës denoncoi ashpër mënyrën se si funksionon drejtësia në Shqipëri, duke thënë se prokurorët kontrollojnë gjykatat dhe madje edhe komunikimet private të gjyqtarëve, çka sipas tij nuk ndodh në asnjë vend tjetër demokratik të botës. Ai kërkoi me forcë krijimin e trupave gjykuese që të jenë realisht të pavarura nga ndikimi i prokurorisë, duke e cilësuar sistemin aktual si të kapur dhe të korruptuar.

Në vijim të deklaratës, Berisha përmendi emra konkretë si Ymer Lala, Altin Hajri dhe Elvis Doçi, duke e akuzuar Dumanin për ndërhyrje direkte në hetime, fshehje të urdhër-arresteve dhe për amnisti të figurave të rrezikshme të botës së krimit. Ai paralajmëroi se këto çështje do të shkojnë deri në Gjykatën e Strasburgut dhe do të trajtohen në Këshillin e Europës, me qëllim ndërkombëtarizimin e krizës në drejtësi, që sipas tij është kthyer në një turp kombëtar.

Kryetari i PD, Sali Berisha nuk la pa përmendur edhe rastin e Ilir Metës, për të cilin tha se mbahet në burg pa asnjë provë dhe se rasti i tij përfaqëson një skandal të pastër të sistemit të drejtësisë. Ai përgëzoi Avokatin e Popullit për ndërhyrjen në këtë çështje dhe e ftoi të vizitojë burgjet për të parë nga afër gjendjen e rëndë të të paraburgosurve.

Në fund të deklaratës, Berisha ngriti një tjetër akuzë të rëndë, duke thënë se Ulsi Manja, bashkë me një biznesmen të lidhur me grupin “Troplini”, ka vizituar Veliajn në burg dhe e ka kërcënuar për të mos folur, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të rëndë ligjore dhe penale. Ai përfundoi deklaratën me një apel për ndërgjegjësim të opinionit publik dhe të institucioneve ndërkombëtare, duke paralajmëruar se në burgjet shqiptare ka qindra qytetarë që mbahen pa gjyq, në kushte çnjerëzore, dhe se kjo situatë do të denoncohet në instanca si Komiteti Ndërkombëtar kundër Torturës. Ai e quajti këtë gjendje një krim shtetëror kolektiv që duhet ndalur dhe nxjerrë para përgjegjësisë.

PRONONCIMI I PLOTË

Tani, së pari ju përshëndes ju dhe të gjithë demokratet dhe demokratët kudo që janë.

Në paraqitjen time, unë lashë këtë shënim:

“Altin Troplini alias Dumani është një mashtrues publik i rangut më të lartë, i njëjtë me Ramaduron”.

Deklaroi se paditë e sjella në SKAP, me dhjetëra e dhjetëra padi për krim elektoral, pati amoralitetin e plotë të mashtrojë shqiptarët se këto padi nuk kishin prova.

E garantoj se do të përgjigjet para shqiptarëve për këtë mashtrim publik dhe se parlamenti, opozita do të nisë punën pikërisht me zbërthimin e këtij mashtrimi publik.

Sepse me këtë mashtrim publik, Altin Troplini është edhe avokati kryesor i krimit të shëmtuar elektoral, garancia më madhore e dhunimit të çdo ligji, norme dhe standardi për votimin e lirë të shqiptarëve.

Po kështu, në një mashtrim të pacipë, ai u deklaroi shqiptarëve se Strasburgu u dezinformua për çështjen Gëllçi, sepse gazetari Gëllçi nuk u dorëzua, por u arrestua.

Dhe sipas tij, Strasburgu vendosi mbi bazën e një mashtrimi.

Ordiner, e ka pak ta quash këtë.

Avokati i Thoma Gëllçit deklaroi se Thoma Gëllçi ka marrë në telefon shefin e komisariatit të policisë së po vij.

Tani se kush është dorëzim dhe kush nuk është dorëzim, imagjinojeni ju se çfarë mashtruesi ordiner.

Pra, në vend se të kërkojë ndjesë publike për masat represive që urdhëroi ndaj gazetarit Gëllçi, mashtron shqiptarët sikur Gjykata e Strasburgut ka vendosur mbi bazën e mashtrimit, çka nuk mund të ndodhë kurrë.

Ta dini ju një gjë, Strasburgu vepron në këtë mënyrë, për çdo çështje që merr, merr me shkrim përgjigjen e të gjitha pyetjeve që shtron për të dy palët, për palën paditëse dhe palën tjetër.

Pra, i pacipë, me një formim ekstremisti të majtë mizerabël, i marrë peng nga katër shtëpitë e tij, që ka edhe gazetar që thotë se është i ndershëm ai. I ndershëm me katër shtëpi dhe një rrogë shteti.

A mund të imagjinoni ju? Të dalë njeri të blejë tre shtëpi dhe të katërtën kollovar të vjehrri, ndërtuar në kushtet më misterioze.

Të njëjtin qëndrim vazhdon të mbajë ndaj Irenës me 5 mbiemra, figurës më të shëmtuar në rrafshin moral ligjor të drejtësisë shqiptare.

Ju e dëgjuat që tha duhen dokumentet.

Për Altin Troplinin, këtë mercenar të Edi Ramës, vula apostile nuk është dokument absolut.

Në të gjithë botën, në të gjitha gjykatat, prokuroritë e botës, vula apostile është dokumenti më i pakundërshtueshëm.

Por i marrë peng nga Edi Rama, vazhdon të mbrojë Irenën me 3 apo 5 mbiemra, e cila është për të paktën 3 vepra penale.

Së pari, mashtrimi që ka bërë në formularin e dekriminalizimit.

Së dyti, nuk mund të jetë kurrë një gjykatëse një person që ka fshehur dënimin.

Së fundmi, ka hyrë në Gines dhe pasi i ka marrë burrin gruas tjetër, deklaron se kam marrë dhe borxh prej saj. 60 milionë lekë më kanë ardhur prej saj. Nuk kisha dëgjuar kurrë. Si quhen këto? Shemra? Jo, nuk janë shemra këto.

Pra, ajo deklaron se këto para i mora hua nga gruaja që i mora burrin dhe këta i firmosin si të vërteta.

Një klub i turpshëm, njerëz pa dinjitet, njerëz pa karakter.

PYETJE-PËRGJIGJE

Anila Hoxha: Në dosjen e Themelit, avokatët e dosjes Partizani, midis tyre edhe avokatët tuaj, kanë kërkuar të gjykohen jo nga Gjykata e Posaçme, por nga një gjykatë tjetër, prë shkak se gjyqtarët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kontrollohen sipas tyre nga SPAK. A do ta kundërshtoni, do të mbani të njëjtin qëndrim në të gjitha gjykatat.

Berisha: Sipas meje? Jo sipas jush.

Jo, këtu duhet të jemi bashkë.

Ata kontrollohen…

Tani, kjo nuk ka të bëjë me asnjë nga gjykatësit si person i veçantë, besoj se jam i qartë.

Kjo ka të bëjë me një parim që nuk ekziston kund në botë përveçse në Shqipëri, që gjykatësi, të cilit i dorëzohet dosja, i kontrollohet korrespondenca dhe telefoni nga prokurori që i dorëzon dosjen.

Kjo nuk mund të ndodhë.

Kjo është një drejtësi, unë nuk mund të them, por ndoshta edhe në diktaturë nuk ka ekzistuar e tillë.

Por kjo shtë absolutisht në kundërshtim me çdo parim.

Sigurisht që unë do të luftoj gjer në fund, nuk e kam për veten time, për një parim ndërkombëtar të drejtësisë për çdo qytetar shqiptar.

Askush nuk duhet të jetë jashtë kontrollit ligjor.

Sot jashtë kontrollit ligjor është vetëm një grup këtu i skapistëve, të cilët me dokumente zyrtare fshehin krime monstruoze të prokurorëve që punojnë këtu.

Dhe do ua sjell unë këtu të gjitha dëshmitë e Eriona Dautajt, ajo e BKH-së, të gjitha bisedat që ajo bën me eksponentë kryesorë të Skapit.

Por kur Altin Troplini thirri njërin dhe i tha, po ti i tha me dosjen e Ymer Lalës, të akuzuar për vrasje, të cilit i bëre 19 pyetje dhe asnjë pyetje për vrasjen? Dhe ky e qepi gojën.

Se ky kishte bërë atë trajtim.

Tjetri i rikujtoi dosjen e Altin Hajrit, për të cilën thonë se ky ka marrë 700 mijë euro, nuk e di, kështu thonë, e akuzojnë direkt këtë.

Dhe së fundmi, akti më klamoroz është amnistia që ky i bëri Elvis Doçit, kapos kryesor të kartelit Troplini.

Mbajti në xhep urdhër-arrestin të cilën gjykata e firmosi pasi e mbajti për dy muaj.

Edhe sot ai është në shtëpinë e tij sepse ka garanci Altin Troplinin.

Kështu pra, çdo gjykatë, e cila është në kontrollin e prokurorit që çon dosjen, ka të njëjtin trajtim nga ne.

Sigurisht këta do marrin këto vendime, por zgjidhja është të krijohen trupa gjykuese jashtë kontrollit të tyre.

Se këta kontrollojnë gjykatën speciale, nuk kontrollojnë gjykatën e Tiranës.

Por kjo do shkojë në gjykatën ndërkombëtare në Strasburg, do jetë çështje kryesore në Këshillin e Europës dhe afërmendshi do marrë turpin e tij me deklaratën që bëri afërmendsh.

Anila Hoxha: Z.Berisha, javën e kaluar Avokati i Popullit disponoi me pretendimet e Ilir Metës në qeli se si e ka trajtuar atë drejtësia dhe sistemi, po ashtu po përpilon raportin edhe për pretendimet e Erion Veliajt se si është trajtuar ai në burg. Ju vet. Do t’i kërkoni Avokatit të Popullit, apo e shikoni si mundësi t’i kërkoni Avokatit të Popullit se drejtësia ka mbajtur qëndrim gjatë kohës që ishit nën arrest shtëpiak?

Berisha: Çështja ime është çështje që është diskutuar, është e tëra në Strasburg. Avokatit të Popullit nuk i kam kërkuar se, në rast personal, por unë e përgëzoj Avokatin e Popullit që është marrë me këto dy raste skandaloze, skandaloze.

Rasti i Ilir Metës është rast që ju nuk mund ta imagjinoni. Vetëm pse ka dhënë një intervistë i heqin 10 ditë të drejtën e çdo komunikimi, sikur të ishin Stalinistë apo nazistë.

Shkojnë tre familjarë, motra me fëmijët dhe njërit nga fëmijët i thonë, jo se lejohen vetëm tre. Dhe raste të tjera.

Plus që është absolutisht, ta dijë çdo shqiptar, pa asnjë fakt në dosje. Nuk mbroj njeri që ka fakt penal.

Për Erion Veliajn, çështja është siç e patë ju, dëshmitarët njëri pas tjetrit, pasi kanë kaluar në zyrën  e Ramës, nuk e di, por kjo të provojë, ta hetojnë, kanë bërë dëshmira, të cilat faktojnë për mua, faktojnë të vërtetën e vjedhjeve të tmerrshme që kanë bërë.

Megjithatë çdo njeri i padënuar dhe dënuar, ka një paketë të drejtash të cilët duhet të respektohen.

Me Erion Veliajn janë sjellë në mënyrën më të papranueshme. Dhe të jeni të sigurtë, që për Erion Veliajn kam konsideratën më të keqe. Ua them këtu. Mund të flas shumë, shumë kohë dhe ndonjë ligësi njerëzore si atë nuk njoh, përveç Edi Ramës.

Por tani është seç është, por të drejtat e tij nuk mund të përcaktohen nga vullneti im. Të drejtat e tij janë të drejtat e një qytetari të garantuar me ligj dhe kushtetutë.

Që të marrë Edi Rama, zyra e shtypit dhe të botojë statuse të pashkruara nga Erion Veliaj, kjo mund të ketë ndodhur në proceset më të zeza të kohës së sigurimit të shtetit. Çfarë nevoje kishte të shkruante statuse se Olsi Dado është i tillë dhe atillë, dhe Altin Dumani është heroi siç donte Edi Rama, në një kohë kur ai ishte i zhytur. Ju e patë vetë që paratë binin si nga qielli te Velica, me kompani me këto.

Çfarë nevoje kishte ta bënte këtë? Ua them unë, kishte nevojë se Edi Rama donte me çdo kush të zemëronte gjykatësit dhe prokurorët me të dhe ta mbante aty ku është.

Kjo për mua është shumë e dënueshme, sepse kjo përbën vepër penale në vetvete.

E dyta, thuhet që e kanë keqtrajtuar. Vizita e Ulsi Manjës. Në këtë vizitë Ulsi Manja është shoqëruar nga një biznesmen. Të gjitha të dhënat janë se, biznesmeni ka qenë përfaqësuesi kryesor i klanit ‘Troplini’ të cilët i çojnë, ua kanë dërguar dhe të tjerëve për ti dhënë ultimatum që, po fole këto pëson gruaja, këto pëson fëmija, këto pëson gjyshja, këto pëson gjyshi dhe me radhë.

Edhe kjo është një akt absolutisht i papranueshëm dhe i dënueshëm. Këto qëndroj unë për këto dhe më vjen mirë që Avokati i Popullit është marrë dhe po merret.

Por unë i kërkoj Avokatit të Popullit gjithashtu të shkojë nëpër burgje dhe të shohë një tmerr të pafund.

Me qindra mijëra djem të rinj, qytetarë për akte më të parëndësishmet janë të plasur atje dhe nuk u bëhet as procesi gjyqësor.  Kanë marrë vetëm masën e sigurisë dhe në kundërshtim me ligj e kushtetutë, lihen në kushte më çnjerëzore në burg, sikur nuk janë qenie të gjalla, çka përbën një torturë kolektive.

Unë e kam denoncuar këtë, siç ua kam raportuar ju, e kam denoncuar në Komitetin Ndërkombëtar të Torturës. Unë do ta denoncoj këtë gjendje kudo.

Por i pari që duhet ta ngrejë është Avokati i Popullit i  cili nuk mundet kurrë të mos denoncojë publikisht këtë krim kolektiv të shëmtuar.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale