FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme njoftoi nisjen e një serie protestash të pandërprera para Kryeministrisë, të cilat i cilësoi si “foltorja parlamentaro-qytetare”. Berisha tha se, qëllimi i protestës së sotme është kërkesa e prerë për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku, si hap drejt krijimit të një qeverie teknike dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira.
Lideri opozitar, Sali Berisha akuzoi qeverinë aktuale se ka shndërruar procesin zgjedhor në “farsë të plotë” dhe se parlamenti është “konfiskuar” nga mazhoranca, duke mos lejuar debat dhe duke rrëzuar komisionet hetimore e interpelancat e kërkuara nga opozita. Berisha tha se protesta para Kryeministrisë është zgjedhur sepse Rama është “autori kryesor” i aferave të mëdha korruptive, ndërsa Balluku “vetëm masha e tij”.
I pyetur nëse protesta lidhet me thirrjen e tij në SPAK për çështjen e 21 janarit, Berisha e quajti këtë pretendim vulgar dhe tha se ka shkuar dhe do të shkojë gjithmonë para drejtësisë kur thirret, duke theksuar se për 12 vite nuk është thirrur sepse kishin frikë nga dëshmitë e tij.
Sa i përket protestës së sotme, e cila është lejuar nga policia nga ora 18:00 deri në 20:00, Berisha tha se nuk ka plan të zgjasë përtej këtij orari, duke e cilësuar atë si hapin e parë të një sezoni të gjatë protestash kombëtare.
FJALA E PLOTË
Sot, populli opozitar inauguron fillimin e foltores së parlamentit parlamentaro-qytetar para ndërtesës së kryeministrisë me kërkesën e prerë dhe të vetme, dorëheqjen e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut si hapi i parë për të ecur drejt një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Kjo protestë thirret në kushtet kur opozita bëri gjithçka për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Por qeveria bëri gjithçka për të shndërruar procesin zgjedhor në një farsë të shëmtuar zgjedhore.
Duke u faktuar kështu shqiptarëve dhe botës se shpresë për ndryshimin e pushtetit me votën e lirë nuk ka për sa kohë Edi Rama të jetë kryeministër.
Fillimi apo çelja e siparit të stinës së pandërprerë të protestave mund të ishte më i hershëm, por këtë fillim e diktoi një kompleks rrethanash.
E vërteta është se sot çdo shqiptar që do, që ka ideal votën e lirë dhe do të lutojë për votën e lirë, ka në duart e veta dokumente të pakundërshtueshme kombëtare dhe ndërkombëtare se provojnë se Edi Rama zhvillon farsë dhe jo zgjedhje.
Pra, opozita ia doli me përkushtim dhe e vendosur të mbrojë në kuptimin ligjor votën e shqiptarëve. Në kuptimin ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar.
Rikthimi i saj është në duart e qytetarëve shqiptarë, reagimit të tyre, luftës së tyre, betejës së tyre për rikthimin e votës së lirë.
PD do bëjë gjithçka në këtë betejë të vështirë.
Do përballet dhëmb për dhëmb me qeverinë e krimit, drogës.
Do bëjë çdo përpjekje për të rikthyer në Shqipëri votën e lirë.
Ftoj çdo shqiptar të analizojë me gjakftohtësi të gjithë faktorët që degraduan procesin zgjedhor në farsë zgjedhore.
Kjo, në interesin e tij më të mirë.
Në interesin e të vërtetave që ai duhet të besojë.
Dhe pastaj të marrë vendimet e duhura.
Vendimin që do dëshirojë.
Ne do respektojmë çdo vendim të çdo qytetari, por unë besoj se ata qindra mijëra qytetarë që votuan kundër qeverisë, kërkojnë t’u dilet zot votës së tyre.
Protesta sot para parlamentit fillon gjithashtu për të krijuar një tribunë parlamentaro-qytetare pasi narko-parlamenti ka mbyllur çdo mundësi, çdo hapësirë dhe ka shkelur çdo të drejtë kushtetuese për opozitën.
Protesta para kryeministrisë zhvillohet natyrisht me kërkesën e prerë, dorëheqje e Ramës dhe Lubi Ballukut.
Janë jo të paktë qytetarët që mendojnë se kjo protestë duhet të zhvillohej para ministrisë së ekonomisë dhe energjetikës.
Por jo, sepse nuk është autore kryesore Lubia, është masha e Edi Ramës në aferën e Tunelit të Llogarasë, në aferën e Portit të Durrësit, në aferën e Aeroportit të Vlorës.
Pra, e vërteta, ajo ishte thjesht një instrument, një person që Edi Rama e ka përdorur prej 25 vitesh për të gjitha vjedhjet e tij.
Ajo ka përgjegjësi ligjore më të madhe se Mali i Dajtit, por akoma më të madhe e ka Edi Rama dhe janë bashkëautore në krime të shëmtuara, në vjedhje të mëdha.
Ndaj dhe unë ftoj qytetarët e Tiranës dhe të gjithë qytetarët e tjerë që dëshirojnë të paraqiten në këtë protestë, të nisim sezonin e protestave të vazhdueshme, të shumëllojta, gjer sa të realizojmë qëllimin tonë, t’u japim mundësi shqiptarëve të votojnë si qytetarë të lirë.
PYETJE-PËRGJIGJE
Andon Kello, Abc News: Z.Berisha, ka demokratë të zhgënjyer, të cilët kanë deklaruar se nuk do i bashkohen kësaj proteste, ndërsa mazhoranca socilaiste ju akuzon se, ju po e bëni këtë protestë për shkak të thirrjes suaj në SPAK për 21 janarin. A është koencidencë që, ju pasi thirreni për 21 janarin mbani një portestë ku ka ndodhur 21 janari 14 vite më parë?
Berisha: Shumë vulgare lidhja që bën, më vjen keq. Tani që unë kam deklaruar këtu para jush shumë herë, që protesta, protesta dhe vetëm protesta.
Ju dhe e kam thënë, se unë i them gjëra, nuk hezitoj ti them, nuk janë zhvilluar protestat dhe as analiza në parti sepse është pritur raporti ndërkombëtar për zgjedhjet, për të cilat qeveria bëri çdo përpjekje për ta ndryshuar. Dështoi.
Nëqoftëse ju lexoni raportet ndër vite, ky është raporti i farsës së plotë elektorale.
Së dyti, ju jeni dëshmitarë se, në 10 seanca në parlament, opozita është lejuar të debatojë vetëm në një seancë, në një kohë kur ajo duhej të kishte debatuar në çdo seancë dhe orë të tëra.
Pra Ramaduro ka zgjedhur të mos lejojë debatin në parlament. Një kryeministër që voton qeverinë e tij dhe programin 4 vjeçar për 28 minuta, nuk e meriton kurrë as 20 minuta të qëndrojë kryeministër.
Ai ka aq frikë dhe tmerr nga krimet dhe bëmat e tij sa nuk duron dot as 1 orë debat.
Janë dorëzuar një seri kërkesash për komisione hetimore parlamentare, e drejtë kushtetuese dhe që të gjitha janë hedhur poshtë. Absurditeti i Edi Ramës shkon në atë shkallë sa hidhet me votë poshtë, e drejta, detyrimi kushtetues i interpelancës. Nuk ka ndodhur kurrë. Jo vetëm për Edi Ramën, ministrat e tij.
Thirret për interpelancë ministrja e Shëndetësisë, për krimin monstruoz të njerëzimit, që është lënia pa ilaçe e të sëmurëve me proceset neoplazike. Dhe narkoparlamentin voton kundër interpelancës.
Kemi të bëjmë me një konfiskim të plotë të parlamentit.
Atëherë cila është zgjidhja? Parlamenti në shesh.
Ta vijmë tek ajo thirrja. Nuk mund të ketë asnjë lidhje. E kam thënë, e them, absolutisht për çdo gjë, sa herë të thirrem unë do të shkoj, qoftë në gjykatë, qoftë në prokurori. Sepse ai është ligji jashtë të cilit sistemi nuk mund të funksionojë, dhe unë nuk kam refuzuar kurrë ftesën për tu paraqitur.
Në radhë të parë shtro pyetjen ti. Pse nuk u thirr Sali Berisha 12 vite pasi iku nga pushteti? Kush e pengoi. Nga viti 2013, çështja është hetuar, nga 2013 e gjer para dy javësh, pse nuk u thirr, kush e pengoi.
Cilin institucion kontrollonte Sali Berisha? Ina Ramën, apo Arta Markun. Asnjë. Nuk u thirra asnjëherë të vetme dhe në rast se do të thirresha, pa diskutim që unë do të paraqitesha. Pra nuk u thirra se kishin frikë nga dëshmitë e mia. E tëra është kjo, nuk jam thirrur se kishin frikë nga dëshmitë e mia, dhe prap kanë frikë.
Çfarë ishte ajo? Ajo ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit. Komuniteti ndërkombëtar nëqoftëse kthehesh thotë; socialistët kishin në axhendë dhunën në këtë protestë dhe vetëkuptohet pse përdoret dhuna. Por gjëja që është më evidente është dhuna.
Atëherë si nuk do të shkoja unë? Unë nuk u ftova, kaq.
Prap dal tek e para. I përgjigjem çdo thirrje se ligji e parashikon dhe jashtë atij ligji ai sistem nuk funksiononte. Nuk kam marrë kurrë unë në telefon prokurorët ti them kush je ti që i heq zv/kryeministrit pasaportën, apo bën këtë apo atë.
Në periudhën e qeverisë time, zv/kryeministri ka shkuar para prokurorit. Ministra kanë shkuar para prokurorit, ka dhënë dorëheqjen njëri prej tyre. Ka pasur standard tjetër dhe ky standard mendoj unë, është standard i civilizuar është standardi demokratike. Kurse mosdorëheqja është standard i korrupsionit.
Dorëheqja nuk ka të bëjë as më fajësimin as me mosfajësimin, ka të bëjë me një standard moral. Nuk mund të jesh në atë detyre dhe të hetohesh nga një prokuror i thjeshtë, jo. Hiqu nga detyra, shko paraqitu para tij dhe të dalin konkluzionet.
Pra kjo është e gjitha.
Klajdi Bodlli, Syri Tv: Policia e Tiranës ka lajmëruar që leja për protestën është miratuar nga ora 18:00 deri në oran 20:00. A ka ndonjë plan që kjo protestë të vijojë përtej orës 20:00?
Berisha: Jo, nuk ka një plan.
Ora është e mjaftueshme.
Nuk ka një plan.
Kjo është foltore në të cilën do flasin deputetët, do flasin qytetarët dhe qëllimi i saj është të ftojmë shqiptarët dhe të bindim shqiptarët se rruga e vetme për ata që duan të votojnë të lirë është protesta.
Nuk është një punë e thjeshtë.
Nuk është një moment.
Jo.
Ne hapim siparin e protestave.
Do punojmë fort për protesta të mëdha, për protesta kombëtare, për protesta të qëndrueshme.
Ky është vetëm hapi i parë në këtë alternativë që është e vetmja.
Nuk ka një alternativë të dytë.
Ndaj dhe ata që vijnë sot, unë i falënderoj me shumë mirënjohje dhe i ftoj të vijnë sepse çelim siparin e një përpjekje të re të madhe në përputhje me idealet tona për rikthimin e votës së lirë, në një mision të ri të vërtetë.
Ne nisim një mision të ri të vërtetë.
Çdo njeri që vjen do mendojë se është misionar.
Siç ishin misionarë ata që nuk u lodhën, por shkuan 46 protesta tek bashkia gjersa Lali Vjedhësi përfundoi aty ku e ka vendin.
Edi Rama e ka shumë më tepër vendin atje, por kjo nuk bëhet përnjëherësh.

