Berisha: Rama vazhdon ndëshkon shqiptarët, nuk pranon përgjysmimin e taksave për naftën! Të bashkohemi më 17 prill, t’i tregojmë botës se ne qëndrojmë të pamposhtur

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi ditën e sotme një bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale, ku artikuloi një seri akuzash ndaj qeverisë aktuale, duke u ndalur në çështjet ekonomike, korrupsionin, zgjedhjet dhe situatën në sektorë kyç si shëndetësia dhe energjia. Bashkëbisedimi u hap me një minutë heshtje në nder të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, të cilin Berisha e cilësoi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Në vijim të bashkëbisedimit, fokusi i deklaratës hyrëse ishte çmimi i lartë i naftës, që ka arritur nivele rekord për shkak të barrës së lartë fiskale. Berisha theksoi se taksat mbi karburantin janë ndër më të lartat në botë dhe akuzoi qeverinë se refuzon t’i ulë ato në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Lideri demokrat, Sali Berisha kritikoi gjithashtu vendimin për heqjen e subvencioneve për fermerët, duke paralajmëruar pasoja për bujqësinë dhe prodhimin vendas. Në të njëjtën linjë, ai u ndal te pensionistët, duke e cilësuar mbështetjen financiare të qeverisë si të pamjaftueshme dhe simbolike.

Një tjetër pikë kyçe e diskutimit ishte projekti i Portit të Durrësit. Kryedemokrati, Sali Berisha e cilësoi atë një aferë me vlerë miliarda euro, që dëmton interesin publik dhe dobëson pozicionin strategjik të Shqipërisë në rajon. Ai kritikoi gjithashtu projektin për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, duke argumentuar se kapaciteti i tij është më i ulët dhe se mund të ndikojë negativisht në konkurrueshmërinë e porteve shqiptare përballë rajonit.

Në sesionin pyetje–përgjigje, Berisha ngriti akuza për korrupsion në institucionet shtetërore, përfshirë sektorin e teknologjisë dhe prokurimeve publike. Ai përmendi raste konkrete që lidhen me abuzime financiare dhe ndikim të grupeve kriminale në vendimmarrje. Gjithashtu, ai foli për lidhjet mes qeverisë dhe karteleve të drogës, duke i konsideruar ato si rrezik për ekonominë dhe integrimin europian të vendit.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua sistemit shëndetësor, të cilin Kryetari i PD theksoi se është në gjendje të rëndë. Ai evidentoi mungesën e ilaçeve, mosfunksionimin e aparaturave dhe vështirësitë që hasin qytetarët për të marrë shërbime bazë. Berisha theksoi se situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme, përfshirë rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët, si dhe garantimin e furnizimit me barna dhe pajisje.

Sa i përket procesit zgjedhor, lideri demokrat deklaroi se opozita do të synojë të paraqesë kandidatë përfaqësues dhe konkurrues në zgjedhjet vendore. Megjithatë, ai theksoi se zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të zhvillohen në kushtet aktuale. Berisha akuzoi qeverinë për kontroll të administratës dhe ndikim mbi median, duke e cilësuar procesin zgjedhor si të deformuar.

Në përmbyllje të fjalës së tij dhe mesazhit për qytetarët, Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke veçuar protestën e paralajmëruar më 17 prill si një moment të rëndësishëm për reagim ndaj situatës ekonomike dhe politike. Lideri demokrat e cilësoi protestën si një mjet demokratik për të kundërshtuar korrupsionin, varfërinë dhe politikat qeveritare, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen pavarësisht bindjeve politike.

FJALA PËRSHËNDETËSE

Të dashur miq, këtë takim me ju në rrjetet sociale, duhet ta filloj me nderimin me një minutë heshtje të njërit prej miqve më të shquar, më të shtrenjtë dhe më të çmuar të kombit shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo që ndodhen, ish-kongresmenin Eliot Engel.

Eliot Engel punoi si kongresmen për 16 legjislatura në Kongresin e SHBA, ndau kohën dhe zemrën e tij krahas zgjedhësve dhe vendit të tij madh edhe si promotor, avokat, zë i pamposhtur i kauzës së drejtë të shqiptarëve të Kosovës, shqiptarëve në Mal të Zi dhe për demokracinë shqiptare.

Në jetën time politike nuk kam njohur kurrë një njeri që të ketë bërë më shumë për kombin tonë me aq dashuri dhe pasion çfarë kishte mundësi, se sa Eliot Engel.

Nderojmë ne me një minutë heshtje kujtimin e tij.

I paharruar kujtimi i mikut tonë të madh!

Rikthehemi në bisedën tonë të përjavshme.

Java që kaloi me këtë qeverisje ishte një javë përsëri ndëshkimi për shqiptarët.

Qeveria e Edi Ramës, në dallim nga çdo qeveri tjetër në Europë dhe botë, mbajti qëndrim cinik ndaj rritjes së çmimit më të lartë në botë për naftën.

Nafta 224 lekë për litër shënoi çmimin rekord botëror dhe kjo jo se nafta u rrit kaq shumë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, por për shkak të ngarkesës më të lartë fiskale që Edi Rama ka vendosur për çdo litër naftë, për shkak të taksës më të lartë që ua merr qytetarëve shqiptarë në çdo litër naftë prej 1.1 euro.

Jo vetëm që refuzon të përgjysmojë barrën fiskale apo ta sjellë në nivelin e ngarkesës fiskale që ka Kosova dhe Maqedonia në mënyrë që çmimi i naftë të arrijë në këto nivele, por ai njoftoi këto ditë se do heqë edhe subvencionet për naftën e fermerëve.

Domethënë, miliarderët që vijnë dhe marrin nga 1 milion litra naftë me jahtet e tyre superluksoze në portin e Durrësit, e marrin naftën me 60 lekë litrin, kurse fermeri detyrohet ta paguajë naftën me 220 lekë litrin, çka do të thotë se sipërfaqe qindra e mijëra hektarë do mbeten djerrë dhe qindra mijëra fermerë do falimentojnë.

Ky është një qëndrim cinik, një qëndrim i pashpirt, siç është i pashpirt dhe cinik qëndrimi ndaj pensionistëve, të cilëve ua mbajti bonusin që duhej t’ua jepte që në janar, dhe tani doli kokoshi i katandisur në thelë, u jep 8 euro për shumicën dhe për një pjesë të vogël të tyre shtesa është gjithsej 18 euro.

Pra u jep shumicës së pensionistëve dy kile domate në shtesë mujore.

Kjo është një tallje të cilën e bëjnë ata që nuk kanë ndjenja, shpirt, zemër njeriu, por shohin vetëm pasurimin e tyre.

Ndërkohë, zemërimi dhe revolta e qytetarëve shqiptarë po zien gjithmonë e më shumë.

Unë dje isha në Durrës për një nga aferat më tronditëse, atë të portit të Durrësit.

Porti i Durrësit, që Edi Rama do ta shndërrojë në Dubain e 1001 netëve përbën një grabitje të pasurisë publike prej të paktën 3.8 gjer në 4 miliardë euro dhe një gjobë për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano prej 1 miliardë euro.

Ndërkohë duhet thënë se Porto Romano me përmasat dhe projektin që ka është një port që zhvlerëson në mënyrë përfundimtare portet e Shqipërisë, u jep përparësi porteve të tjera të rajonit.

Ky port ka një të katërtën e kapacitetit aktual të portit të Durrësit, dhe një të tetën gjer në një të pesëdhjetën e porteve të rajonit.

Kështu që Shqipëria nga një vend me port strategjik për BE siç është porti i Durrësit, del në një vend pa porte të rëndësishme dhe kjo vetëm e vetëm që Edi Rama të bëhet supermiliarder.

Ndaj dhe u ftoj të debatojmë për këto çështje dhe çfarë çështje e konsideroni të rëndësishme.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

Xhulian Plaku: Ju jeni i pari që keni denoncuar rrëmbimin e Daniel Shimës, ndërkohë që ka dalë dëshmia e tij në SPAK, ku thotë se aktualisht në krye të AKSHI-t është njeriu i besuar i Ermal Beqirit, pra Igli Tafa. Pra ky institucion jetik edhe për partnerët, drejtohet de fakto nga një person në kërkim ndërkombëtar.

Sali Berisha: Shqiptarët nuk e dinë se, AKSHI është gropa më e zezë dhe institucioni më fitimprurës për Ramën dhe familjen e tij. AKSHI është institucioni ku Armang Frangu i shet shtetit kompjuter sikur ka blerë me çmimin 10 herë më të shtrenjtë se, sa e kanë në dyqanet e Parisit dhe inteligjencën artificiale me 75 mln euro, në një kohë kur Kina e ka bërë chatbotin e saj të inteligjencës artificiale me 6 mln euro, Deep Seek.

Ndërsa në Shqipëri nuk ka nam e as nishan.

Daniel Shima është ish-zv/drejtori i përgjithshëm i AKSHI-t u rrëmbye në mes të ditës në datën 18 gusht fiks 6 ditë pas rrëmbimit të Geron Meçes në sheshin e Tiranës nga njerëz me uniformë.

Dhe u dërgua në të njëjtin vend, u dërguan në bodrumet e Suel Çelës, në të cilat ai u keqtrajtua shtazërisht, iu mbyll goja dhe ju bë e ditur se, po të fliste do ti ikte koka dhe duhej të tërhiqej nga çdo kërkesë për tendera që kishte paraqitur në AKSHI.

Cila është historia e tij?

Unë e denoncova disa herë. Çfarë bëri Edi Rama me Prodën e tij. E thirri dhe bëri një deponim në polici të cilën nuk e dërgoi në SPAK, por e dërgoi në Prokurorinë e Tiranës.

Dhe SPAK nuk e thirri Daniel Shimën, por SPAK e la në kompetencë të Prokurorisë së Tiranës dhe kur e cila e pyeti SPAK nëse keni një hetim për këtë, jo thanë. Altin Dumani u përgjigj se nuk ka një hetim për këtë.

Tani më thonë se, dosjen e SPAK e ka marrë prap Altin Dumani dhe sikur Danielin e paskan pyetur, por atë nuk e kanë marrë as të pandehur dhe asgjë.

Duket se duan të zhvlerësojnë me çdo kusht dëshminë e tij. E vërteta është se Danieli di gjithçka dhe ai e di mirë, sikundër Gerondi se, Linda e vërtetë e AKSHI-t është Linda e Surrelit, kurse Mirlinda e AKSHI-t është një hajdute, në emër bashkëhajdute me ta që ka blerë nja 3-4 vila dhe që për Edi Ramën është e ‘gjora që banon me qira’.

Pra mos presim ndonjë gjë të madhe prej tyre sepse këta kanë marrë përsipër të mbyllin çdo hetim që lidhet me Edi Ramën.

Unë dje isha në Durrës dhe çfarë ju rikujtova qytetarëve? Ju rikujtova se në vitin 2013 ne kishim një projekt për Marinën e Durrësit, për një port turistik të Durrësit. Dhe ky projekt ishte diku mes hotel Vollgës dhe Currilave. Ishte bërë tenderi, projekti dhe kishte fituar garën ndërtuesi.

Pasi ikëm ne nga pushteti, Edi Rama e anulon tenderin sepse i kërkoi Ylli Ndroqit që ti thoshte kompanisë së ndërtimit se, i donte të paktën 10 mln euro rryshfet dhe Ylli Ndroqi i tha jo, unë nuk e marr përsipër t’ja kërkoj këtë sepse është një shumë që nuk më thotë mendja, të jam them kurrë.

Këto të gjitha i thashë këtu, për të parë se ligj për Edi Ramën nuk ka, prokurori për Edi Ramën nuk ka.

Për Edi Ramën ka vetëm zemërim qytetar, zemërim qytetar, zemërim qytetar.

Familja Blu Demokrate: Do të doja një përgjigje nga ju në lidhje me zgjedhjet vendore në Tiranë. A do jetë kandidati i PD një figurë politike apo një profil qytetar gjithëpërfshirës? Dhe duke pasur akuzat e vazhdueshme dhe me vend për përdorimin e mekanizmave kriminale dhe të paligjshme nga qeveria e Ramaduros gjatë proceseve zgjedhore, për çfarë garancish konkrete po punoni? Dhe a mendoni se po punohet mjaftueshëm me bazën për të siguruar një përfaqësim real dhe një proces të ndershëm?

Sali Berisha: Ne do bëjmë gjithçka që të kemi kandidatët më përfaqësues në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë. Nga ana tjetër theksoj se rruga e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme është largimi i Edi Ramës nga pushteti.

Edi Rama është armiku më i egër i votës së lirë dhe dua të them se çdo iluzion se Edi Rama pranon zgjedhje të lira dhe të ndershme është një mbështetje e hapur për diktaturën.

Ajo që ne arritëm, dhe kjo sigurisht ishte jetike dhe e domosdoshme, ne arritëm t’i faktojmë botës, t’i faktojmë komunitetit ndërkombëtar se në Shqipëri zgjedhjet zhvillohen në kushtet e partisë shtet.

Se në Shqipëri, zgjedhjet përcaktohen nga kartelet e drogës.

Se Edi Rama ka shndërruar administratën në polici politike elektorale.

Se zgjedhjet në Shqipëri janë një farsë e mirëfilltë elektorale.

Kjo tashmë është e qartë para gjithë botës.

Por në qoftë se komuniteti ndërkombëtar e ka realizuar këtë plotësisht, e ka sanksionuar këtë në dokumente ndërkombëtare më serioze, na takon ne shqiptarëve t’i japim duart këtij krimineli elektoral, këtij armiku të egër të votës dhe lirisë së shqiptarëve.

Natyrisht këtu kemi të bëjmë me një fakto shtesë, kemi të bëjmë me një censurë të tmerrshme, të cilën kanë tendencë ta mohojnë me manipulimin e jashtëzakonshëm që mediat e kontrolluara nga qeveria u bëjnë të vërtetave dhe realitetit.

Do t’u jap një shembull. Në muajin gusht, të gjithë qeveritarët ishin me pushime dhe nuk bënin lajme me lakuriqësinë e tyre në plazhe.

Në muajin gusht unë isha në seli duke dënuar çdo ditë farsën elektorale.

Dy motrat siameze, secila më e ligë se shoqja, nuk po e çoj gojën më tutje, të AMA-s, bënin raporte se mediat 90 përqind të kohës ia kushtonin Sali Berishës.

U bënë famoze për mashtrimet e tyre të turpshme.

Po kështu janë faktuar tashmë se nga zyrat e Edi Ramës, mediat marrin lista se cilët persona nuk duhet të shkelin në studiot e tyre, se cilët persona duhet të ftohen dhe diskreditohen në studiot e tyre dhe se cilët persona duhet të ftohen dhe lavdërohen në studiot e tyre.

Natyrisht kjo tani po bëhet gjithnjë e më evidente, prandaj edhe në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet thuhet se 90 përqind e medieve kontrollohen nga qeveria.

Kristi Meshini: Në protestat opozitare ku kam qenë edhe vet kam parë një revolte nga qytetarët por të ndaluar nga strukturat e rretheve ose qarkut. Vijnë 2 orë para kryeministrisë e shumica largohen sa për foto e video në rrjete sociale. A nuk duhet koordinim që të ketë aksion deri në fund me deputetët e zonave dhe kryetaret e degëve? Sa mendoni se do rezistojmë nga protesta në protestë dhe sa nga ndërkombëtaret mendoni të bindni me protesta paqësore, sepse Rama në 2011 erdhi me dhunë në pushtet jo protesta paqësore dhe sot ndërkombëtarët nuk po bëjnë asgjë për largimin e tij skandal pas skandali.

Sali Berisha: Faleminderit Kristi. Ne në asnjë rrethanë, dhe asnjëherë që nga themelimi gjer sot, nuk kemi synuar dhe nuk synojmë të marrim pushtet me dhunë.

Kjo është alternativa jonë dhe ne i qëndrojmë besnik kësaj alternative.

Protestat tona sigurisht që nuk kanë realizuar qëllimin madhor të përmbysjes së qeverisë, por kanë arritur diskrimimin më të madh të saj, në tërë qenien e kësaj qeverie. Kanë arritur të përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, në një moment kur lobistë racistë antishqiptarë i kanë lejuar vetes të lëshojnë gojën dhe të flasin se, shqiptarët janë të pandjeshëm ndaj vjedhjes dhe korrupsionit të pasurive të tyre.

Unë jam dakord që shumë nga protestuesit do të donin skenarë të tjera, por jam i sigurtë se ky skenar paqësor, është më i miri, i cili do të na çojë drejt realizimit të qëllimit tonë.

Albanian Americans: Zoti Berisha, Rama pak ditë më parë tha se për shkak të luftës, turistët që zgjedhin Turqinë dhe Dubain, do i marrë Shqipëria. A është kjo një mundësi reale për vendin apo thjesht një tjetër propagandë qesharake?

Sali Berisha: Kjo është si puna e miliardave të Shpiragut dhe fondit saudit të investimeve që do krijonte Edi Rama me miliardat e Shpiragut dhe që do notonin pensionistët në para dhe Shqipëria në naftë.

Ky është një mashtrues ordiner, që i gëzohet mashtrimit që nxjerr.

Turizmin në Shqipëri e boshatisi për vdekje rrëzimi i euros dhe dollarit me 35 përqind.

Ky zhvlerësim dy vitet e fundit boshatisi plazhet e Shqipërisë dhe u garantoj se këtë vit do jenë edhe më të boshatisura, sidomos tani pas njoftimit të një rreziku potencial iranian, Shqipëria do vazhdojë në ecurinë e dy viteve të fundit.

E thatë bukur, nga Semani gjer tek Kepi i Stillës, jo vetëm nga Semani, nga Velipoja gjer në Kepin e Stillës, ndonëse ne ndërtuam 11 impiante të përpunimit të ujërave të zeza, përveç njërit, asnjëri nuk punon.

Të gjithë ujërat e zeza derdhen në det.

Ndërkohë impiantet janë, por nuk paguajnë energjinë elektrike për funksionimin e tyre.

E çfarë turizmi u ofrojnë këta? Turizmin e gjirizit.

Ndaj dhe braktisen plazhet dhe dalin mediat e kontrolluara nga qeveria dhe të censurës dhe thonë se plasi turizmi dhe japin skena qesharake dy-tre vetë në distancë sikur ka plasur turizmi, në një kohë kur plazhet janë tërësisht bosh.

Dhe numërojnë për turistë pasagjerët e linjave të lira të aeroportit të Rinasit.

Ky është turizmi, ky është bumi turistik i Edi Ramës.

Halit Pepmarku: Doktor Berisha, gjithë populli e di mirë se ti ke një çelës për të larguar Edi Ramën nga pushteti kriminal. A do ta hapësh këtë muaj që në verë të vijmë dhe të çmallemi në vendin tonë. Nxirre atë çelës të lutem.

Sali Berisha: Zemërimi qytetar, revolta qytetare është çelësi i vetëm për të larguar Edi Ramën dhe bandën e tij.

Dhe ne do bëjmë gjithçka që kjo të ndodhë sa më shpejt.

Delvi Sinan Iliaj: Zoti Berisha, mediat në Meksikë kanë shkruar për mafien shqiptare si të lidhura me kartelet meksikane të përfshira në trafik drogë. Ndërkohë një prej personazheve, që sipas këtyre medieve, pastron paratë e karteleve meksikane, është pritur nga Edi Rama në zyrë. Sa e minon integrimin në BE kjo politikë e Edi Ramës për t’u lidhur me kartelet e drogës dhe sa e dëmton raportin me aleatin tonë strategjik, SHBA?

Sali Berisha: Siç e dini, Shqipëria është narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë.

Lidhjet e Edi Ramës me Sinaloan janë një problem madhor sigurie për Shqipërinë, Europën dhe botën.

Janë një rrezik shumë serioz.

Por këto janë vetëm një aspekt, sepse lidhjet e Edi Ramës janë polivalente.

Janë një numër tjetër i madh kartelesh me të cilat Edi Rama mban lidhje dhe kërcënon sigurinë e rajonit dhe më gjerë.

E vërteta është se këto klane, këto kartele janë armike të egra të shqiptarëve dhe të Shqipërisë dhe po e shkatërrojnë atë.

Këto ditë, në qoftë se e keni ndjekur, Edi Rama flet për ndërtimin dhe përpiqet të ndërsejë ndërtuesit kundër opozitës pse opozita denoncon kullat e drogës si monumente droge dhe korrupsioni.

Unë duhet t’u them shqiptarëve se ne nuk jemi kundër ndërtimit, por jemi kundër makinerisë gjigante të larjes së parave të drogës në ndërtim dhe ndërtimit të karteleve të drogës.

Sepse ky ndërtim po shkatërron ekonominë e Shqipërisë.

Ëshët e vërtetë se disa mijëra punësohen, por është e vërtetë se qindra mijëra të tjerë falimentojnë për shkak të parave të drogës.

Është e vërtetë se ndërtimet e klaneve të drogës kanë rritur në stratosferë çmimet e banesave dhe e kanë bërë mollë të ndaluar për qytetarët e Tiranës dhe shqiptarët detyrohen të largohen.

Është e vërtetë se paratë e drogës që ndërtojnë kulla kanë rrëzuar përdhe euron dhe dollarin.

Kanë shkatërruar me dhjetëra mijëra ndërmarrje eksporti dhe kanë përzënë nga Shqipëria qindra mijëra shqiptarë për shkak të humbjes së vendeve të punës.

Pra, ndërtimi me paratë e drogës është ndëshkim për shqiptarët.

Qeveria e PD është zotuar se do ndërmarrë ndërtime vetëm e vetëm për të shkatërruar ndikimin e tmerrshëm të karteleve të drogës mbi ndërtimin në Shqipëri.

Se ata do shiten me çmime të leverdishme në mënyrë që të rinjtë shqiptarë të mund të strehohen dhe do u jepen kredi.

Pra, këto kulla droge kanë bërë emergjente një politikë sociale strehimi dhe në qëndrojmë plotësisht pas saj.

Maksi Boni: Doktor, e çuditshme se si nuk paska komente negative sot, mesa duket administrata Aktivisti paska marrë pushim meqë është edhe Pashkë.

Sali Berisha: Tani, të them një gjë, hajdutët nuk kanë as Pashkë, as Bajram, por janë duke tretur vjedhjet e tyre se Zoti nuk i pranon ata që vjedhin të varfrit për të krijuar pasurinë e tyre.

Qëndresa Shqiptare: Sistemi shëndetësor në Shqipëri edhe pse ka godina dhe fasada me ngjyra, vazhdon të torturojë njerëzit që kanë hall. Personalisht po përballem me një burokraci të paparë. Çdo analizë bëhet jashtë QSUT-së, mosha e tretë e ka të pamundur të ja dalë vetë derë më derë në çdo cep të Tiranës nëse nuk ka një shoqërues, fëmijën e vet apo një familjar. QSUT nuk bën edhe një grup gjaku jo më analizat e tjera të protokollit. Është një gjendje dramatike në menaxhim, kemi mbetur vetëm të falënderojmë mjekët që të paktën ekzistojnë, aq pak sa kanë mbetur me dinjitet dhe profesionalizëm duke na dhënë zgjidhje, ndonëse në kushte shumë të vështira. Si mendoni ju ta zgjidhni këtë situatë kur PD të vijë në pushtet?

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen dhe konstatimi juaj është konstatimi më i dhimbshëm. Shkatërrimi që ju keni parë në rrugët e vendit, është e vërteta që është vetëm një anë e shkatërrimit total të këtij vendi.

Por në të gjitha shkatërrimet, më i dhimbshmi është shkatërrimi i shëndetësisë, në të cilin të sëmurët kanë dy ndëshkime; ndëshkimin e sëmundjes dhe ndëshkimin për mungesën e kujdesit të duhur shëndetësor, ndëshkimin qeveritar.

Po jap një shembull. Dje dëgjoja një mjek të njohur i cili thoshte se unë, importuam një aparaturë 600 mijë euro. Në instalimin e saj mori pjesë ministrja dhe drejtoresha e përgjithshme e spitalit. Por natyrisht thotë, aparatura nuk u përdor për të sëmurin sepse mungonin disa aksesorë krejtësisht të parëndësishëm.

Ato operacione nuk bëhen as sot tha doktori, sepse aksesorët përsëri mungojnë. U detyrova tha që të marr në telefon ministren dhe këtu ka gabuar ai. Se ata nuk meritojnë as telefon. Ato janë njerëz pa dinjitet, pa personalitet, sepse janë automat të turpshëm dhe pastaj kishte marrë një përgjigje të denjë vetëm për ministren.

Çdo javë nga spitali onkologjik raportohet se, këto ilaçe mungojnë, se brankiterapia prej 3 muajsh nuk funksionon, se të sëmurët mbeten pa mjekim, se të sëmurët qëndrojnë në karrige.

Po kështu janë në sektorë të tjerë. Spitali njofton se analiza nuk bën më. Këto ditë të javës nuk presim për analiza se nuk ka reagen.

Së pari duhet të pranojmë se, shëndetësia edhe më parë kishte probleme të pamohueshme, por kurrë, kurrë nuk ishte në këtë gjendje. Nuk ndodhte kurrë që të mungonin ilaçet në spitalin Onkologjik, asnjëherë.

Nuk ndodhte kurrë që aparaturat të rrinin 1-2 vite të pahapura sepse mungonte kjo apo ajo pjesë.

Nuk ndodhte kurrë që të bëheshin tenderat, të jepeshin paratë dhe ilaçet të mos vinin, siç është faktuar.

Pra, një ndryshim dramatik do të ndodhë. Përsëri ka një problem për mjekët që ju i falënderuat.

Ne do rrisim rrogat e mjekëve, do i afrojmë ato me rrogat e larta të vendeve të tjera. Përndryshe nuk do të kemi mjek.

Ne do rrisim rrogat e infermierëve, do i afrojmë ato me rrogat e larta të vendeve të tjera. Përndryshe nuk do të ketë njeri të kujdeset për ne.

Ne do të sanksionojmë të drejtat e të sëmurit dhe do të bëhet përgjegjës çdo individ, institucion që nuk garanton ato të drejta.

Garantoj shqiptarët se nuk do të mungojë në mënyrë absolute asnjë ilaç i standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë apo i domosdoshëm për jetën dhe shëndetin e tyre.

Pse u krijua kjo situatë? Kjo situatë u krijua sepse, Edi Rama mori përsipër analizat. Gjeti një murator dhe i dha laboratorin më modern. Ju them unë ju, spitali numër 1, u pajis me një nga laboratorët më modern në rajon dhe kishte aty shkencëtarë të vërtetë, mjek të shquar, pasionantë të cilët punonin me përkushtim të madh.

Edi Rama ia dha muratorit të vet. I dha sterilizminin patronazhistit duke rritur koston e sterilizimit 83 herë sipas KLSH-së.

Dhe checkup bashkëshortes së kushëririt për të ndarë paratë me to, e cila në të vizituarit e saj ka marrë para shtetit shqiptar të paktën për gjysëm milioni qytetar që janë ndarë nga jeta vite më parë, sikur ata kanë bërë checkup.

Këtë kaos e krijoi Edi Rama, këtë mafie të pashpirt e krijoi Edi Rama dhe mafia e shëndetësisë është mafia më e pashpirt e të gjitha të tjerave.

Isuf Zalli: Përshëndetje doktor, ju shkruaj nga Dublini, vij në çdo protestë që ke bërë. Dua të ju pyes me 17 prill a do rrijmë në shesh sa ta largojmë bashkë me aleatët, sepse Edi Rama ia ka shpifur të gjithë popullit shqiptar edhe nëpër botë.

Sali Berisha: Njëherë një mirënjohje të pakufishme Isuf për ty që vjen nga Irlanda në protestë. Shumë, shumë mirënjohje.

Ne do të bëjmë gjithçka për largimin e tij dhe PD nuk përmbush misionin e saj, nëse nuk largon Edi Ramën që shqiptarët të jetojnë të lirë.

Çajup Shehaj: Zoti Berisha, Edi Rama, njeriu që ka orkestruar pastrimin e parave në ndërtim, u shpreh se do bëjë politikë për strehimin social. Me pak fjalë, paralajmëroi se strehimi social do jetë karta e tij elektorale në vitin 2027. Po a mundet të bëjë propagandë për strehim social një njeri që bashkëpunoi me kartelet për pastrimin e parave në ndërtim dhe sa është rreziku që me paratë e taksave të shqiptarëve të subvencionojë blerje apartamentesh tek sipërmarrës të lidhur me krimin e organizuar?

Sali Berisha: Papagalli ka përsëritur premtimin tonë, por të garantoj që nuk do i përmbahet se atij i diktojnë çdo gjë kartelet e drogës dhe ryshfeti, katet që merr ai në kulla dhe pallate.

Kështu që ajo e ndërtimit social është thjesht një pjesë e programit e deklaruar nga unë dhe PD në një seri rastesh, por ai nuk e ka ndërmend se nuk ia ndjen atij.

Pyet qytetarët e Durrësit që u përmbytën në mënyrë të dhimbshme, e them këtu, kam ndjerë shumë dhimbje ato ditë kur shihja me qindra banesa të përmbytura, cili prej tyre ka përfituar një qindarkë dëmshpërblim?

Çfarë u dha ai qytetarëve të Durrësit? Asgjë.

Po qytetarët e Durrësit ta gjuajnë atë me vezë dhe me diçka tjetër, se tani më thonë se domatja është shtrenjtuar.

Se më shkruante një bashkëbisedues, një anëtar i PD, Doktor mos thuaj më për domaten se është rritur çmimi i domates dhe nuk na del hesapi.

Dajona Ruka: Doktor përshëndetje. Çmimet janë çmendur, paratë e rrogës nuk mjaftojnë as për gjysmën e muajt. Ky i gjati premtoi në 2013 uljen e TVSH për ushqimet e shportës në 6% si dhe uljen e TVSH për energjinë. Ndërkohë të gjitha janë rritur dhe asgjë nuk po indeksohet. PD çfarë do të propozonte në këtë situatë?

Sali Berisha: PD siç shqyrtoi problemin e naftës, po shqyrton këto ditë dhe do të paraqesë para qytetarëve platformën e saj, përsa i përket ushqimeve të shportës. Unë të garantoj se, si hap i parë do të jetë ulja e TVSH në 6 përqind për të gjitha ushqimet e shportës. Dhe kjo është bërë e domosdoshme.

Sot ky flet në këto kohë se ka rritur rrogat. Çfarë del nga rritja e tij e rrogave? Nga rritja e tij e rrogave del se rrogat në Shqipëri janë përsëri më të ulëtat në rajon, në një kohë kur ato ishin më të lartat në rajon në vitin 2013.

Në një kohë kur, Maqedonia ka TVSH e ushqimeve 6% dhe i ka ushqimet shumë më lirë. Kosova i ka ushqimet shumë më lirë.

Është e domosdoshme një ulje e madhe e TVSH-së në të gjitha ushqimet e shportës dhe kjo do të ndodhë.

Gëzim Brunga: Përshëndetje Doktor, përtej vjedhjeve dhe çdo ide që realizon Rama në dëm të popullit shqiptar, a do arrihet që në zgjedhjet lokale të japim një kandidat për të marrë në duar qeverisjen vendore pas dhuratës që në vitin 2019, PD e atëhershme i dhuroi bandës së rilindjes?

Sali Berisha: Do bëjmë gjithçka për t’u paraqitur shqiptarëve kandidatët më të mirë, më të pëlqyer, më të aftë për ta.

Uesli Arben Shurdho: Doktor Berisha, a do ketë lidhje numri i bashkive me reformën e re territoriale, e cila të ketë prioritet qytetarët, me reduktimin e punonjësve fiktivë, patronazhistëve, të cilët nuk shkojnë në punë, por vetëm firmosin në bordero dhe përdoren për presion ndaj qytetarëve?

Sali Berisha: Duhet t’u informoj se komisioni i reformës do të fillojë dëgjesat publike.

Z. Luçiano Boçi ka shpërndarë platformën për debatin publik dhe jam i bindur se edhe në zonën tuaj do zhvillohet ky takim dhe do merren gjerësisht mendimet e qytetarëve.

Pa diskutim që në projektin tonë kemi si qëllim të ofrojmë shërbimet qytetarëve.

Ky do jetë parimi themelor i yni.

Sikundër në rast se kujtoni, kur Edi Rama me një të rënë të lapsit për qëllime elektorale dhe antishqiptare në mënyrë që të shpopullonte Shqipërinë, kaloi nga 410 komuna dhe bashki, u tha shqiptarëve se u hoqa nga shpatullat dhjetëra mijëra rrogëtarë që si parazitë paguheshin me taksat tuaja.

E vërteta është se numri i rrogëtarëve në njësitë vendore të pazgjedhura nga qytetarët është minimumi dy gjer në tetë herë se sa ç’ishte kur ato zgjidheshin.

Pra, u krijua një ushtri patronazhistësh, e cila rrjep qytetarët me rrogat e tyre dhe nuk u ofron asnjë shërbim. Nuk u afron asgjë.

Kështu që duke vendosur këtë kriter, ne do marrim mendimin e qytetarëve.

Ne do jemi transparentë para të gjithë shqiptarëve se cili është projekti ynë.

Diaspora Shqiptare: Z. Berisha, një pyetje konkrete, pse nuk e thërrisni popullin për rritjen e karburantit? Përveç protestave që po bëni, duhet edhe kjo protestë specifike.

Sali Berisha: Shumë i drejtë sugjerimi. Dhe protestën e ardhshme janë të ftuar të gjithë.

Është e domosdoshme.

Kjo që ndodh me karburantet në Shqipëri nuk ndodh kund.

Dje unë po shihja një koment të një televizioni të huaj dhe tregonte çmimin më të lartë në botë, vinte çmimin 2.24 që është çmimi i Shqipërisë.

Dhe ky çmim vjen absolutisht kryekëput për shkak të tatimit më të lartë në botë.

Edhe njëherë ua them shqiptarëve, bëni një kontroll, nuk do gjeni kurrë taksë mbi litrin e naftës në 61 përqind të çmimit të saj si në Shqipëri. As Singapori, as Hong Kongu, as dhe një vend tjetër.

Pyetje: Doktor, flitet që për ukrainasit nuk nevojitet vizë për të ardhur në Shqipëri. Mos vallë Rilindja e sheh këtë si mundësi për të pastruar paratë e pista në ndërtim përmes blerjes së apartamenteve nga ukrainasit që preferojnë të vijnë dhe të jetojnë në Shqipëri?

Sali Berisha: Është një praktikë heqja e vizave për një seri vendesh dhe unë nuk kam një kundërshtim për ukrainasit.

Por këtu paratë lahen nga kartelet më të mëdha të drogës në botë siç është Sinaloa, siç është Franc Çopja.

A mund të imagjinoni ju, një njeri që nuk ia ke dëgjuar emrin kurrë gjer para 3-4 muajsh, që na del se në vitin 2021 ka disponuar dhe ka transportuar drejt Europës nga Ekuadori, 28 ton kokainë. Dhe i thoshte ortakut në telefon se u bëmë kampion të Europës.

Ai është lidhje direkte e Edi Ramës, që ta dish ti, se ai është anëtar i kartelit Çela. Adelajda Rroko është ndrikulla e drogës që vjen direkt pas Edi Ramës për lejet e ndërtimit në Shqipëri.

Pra janë kartelet e mëdha të drogës që dominojnë krejtësisht kullat e drogës si monumente korrupsioni dhe droge.

Çajup Shehaj: Z. Berisha, nëse PD do ishte në pushtet dhe ju do ishit kryeministër, çfarë do bënit për çmimin e naftës?

Sali Berisha: Për çmimin e naftës, akti i parë rrëzimi i ngarkesës fiskale në nivele të barabarta me Maqedoninë dhe Kosovën.

Së dyti, Shqipëria prodhon naftë edhe sot, prodhon dhjetëra mijëra fuçi në ditë.

Por këta shndërruan në skrap Ballshin.

A ishte Ballshi për t’u shndërruar në skrap?

Absolutisht jo. Sepse ajo u privatizua me një vlerë prej 110 milionë euro dhe kompani në botë që të blinte skrap me 110 milionë euro, nuk ka.

Por Ballshi kishte nevojë për investime, gjatë periudhës që ne ishim në pushtet, Ballshi prodhonte 200 mijë ton naftë të rafinuar të standardeve shumë të mira.

Këta i privuan shqiptarët dhe nga kjo.

Pse kështu? Sepse me importin vjedhin më shumë.

Çfarë ndodh sot? Pse ky çmim kaq i lartë? Përveç taksës më të lartë.

350 gjer në 400 mijë ton naftë futen kontrabandë.

Anije të tëra vijnë nga Libia të mbushura me naftë.

Po cili mund të fusë, përveç qeveritarëve, anije nafte kontrabandë?

Përveç Edi Ramës dhe ministrit të financave, askush tjetër. Anijet duken.

Shiko se çfarë ndodh, u kap një anije, doli pronari i saj, epo tha se e kisha për të shkuar këtu e atje, iku nafta dhe as nuk ia konfiskuan.

Pra, është faktori i dytë i këtij çmimi stratosferik.

Një gjë do të them, gjatë viteve në pushtet ne kishim gjysmën e veturave që janë të regjistruara sot, por zhdoganonim rreth dyfishin, duke marrë edhe prodhimin e Ballshit.

Përveç kësaj, fusnim në tregun e vendit 200 mijë ton naftë të prodhuar në Ballsh.

Kurse këta zhdoganojnë më pak se Kosova, e cila ka gjysmën e veturave që ka Shqipëria.

E kanë shndërruar naftën në një mall që vjedhin nga mëngjesi gjer në darkë.

Adelina Dragoshi: Dje me pensionistët Rama tha se, shqiptarët marrin 11 mijë euro për frymë. Nuk e di se si mund të jetë njeriu kaq mashtrues.

Sali Berisha: Adelina do më falësh, e kam thënë disa herë, por ai meriton çdo epitet. Por mund t’ju them një gjë, që në mënyrë absolute njeri më injorant përsa i përket qeverisjes nuk është ulur kurrë në atë karrige.

Nëse të kujtohet, ky kur shkonte në fushatë elektorale, shkruante në pëllëmbë të dorës termat GDP, GDP për frymë etj., etj., me radhë se nuk i dinte.

Ky në radhë të parë nuk ka asnjë ide se, çdo të thotë GDP për frymë, se, çdo të thotë GDP nominal, se çdo të thotë me për procesin dhe se, sa pasqyron ai të ardhurat që marrin qytetarët.

Po Shqipëria ka një rritje 3 pikë sa përqind, dhe kjo rritje që përkthehet apo shprehet ta supozojmë në kaq mijë euro të ardhura për frymë, këto të ardhura shkojnë në radhë të parë oligarkëve.

Imagjinoni tani ju. Kryetrafikanti i drogës me 6 miliardë euro, i fut dhe i shndërron në ndërtim dhe ato u quhen të ardhura për frymë. Ju nuk keni asnjë përfitim, përkundrazi ju dëmtoheni shumë nga kjo.

Pse dëmtoheni, sepse ai përveç të tjerash blen katet me çmime stratosferike, përveç të tjerash shkatërron prodhimin në vend, importet rrisin çmimet.

Pra kjo lloj rritje që ndodh, është një rritje pa fryt, është një rritje që disa i çon në qiell me pasuri, kurse të tjerët i le përtokë në varfëri.

Ky thashë nuk ka as nocionet më elementare.

Do të ju jap dy të dhëna të tjera, se çfarë ndodh me këtë rritje.

Rritja ekonomike e Shqipërisë duhet të ishte produkt i ekonomisë shqiptare, GDP e përgjithshme.

Nuk është produkt i ekonomisë shqiptare. Vetëm 49 për qind vjen nga ekonomia. Nga vjen tjetra? Tjetra vjen nga taksat e larta, nga përqindja që merr në çdo kilogram vaj, çdo ilaç, nga çdo gjë me TVSH-në dhe nga taksat e tjera.

Nga 1.1 euro që merr për çdo litër naftë, në një kohë kur në vitin 2013 paguanit taksë qarkullimi 7 lek, sot paguani 28 lek.

Nga vjen kjo rritje? Vjen nga ndërtimi i cili vjen nga paratë e drogës.

Por ka dhe një aspekt tjetër që duhet ta dinë shqiptarët. Investimet e huaja.

Ky është një mashtrues i paskrupullt. Edhe instituti i tij. Informon se investimet e huaja në 2025 arritën në 1.6 miliardë euro, rekord.

E vërteta është se, është një mashtrim. Është njëlloj si eksportet. E dini çfarë bëri ky. Kur i ranë eksportet cilësonte eksport naftën që sillte Kosova në Durrës dhe e kalonte në Morin. Dhe këtë e quante eksport Edi Rama.

Ajo importohej për Kosovën dhe dilte se, Shqipëria po eksportonte naftë, gjersa qeshi gjithë bota me të dhe e la.

Edhe këtu tani, vijmë tek investimet e huaja. Si janë këto? 800 milionë, asnjë qindarkë e tyre nuk është e huaj. Janë kompani të huaja që punojnë në Shqipëri dhe që investojnë paratë e tyre për zgjerimin e kompanisë në Shqipëri.

Pra para të mirëfillta shqiptare. Nuk vjen asgjë nga bankat apo kapitalet e krijuara jashtë Shqipërisë. Nuk janë investime direkte siç ishin ta zëmë, investimet që bëheshin për TAP, siç ishin investimet që bëheshin për hidrocentralin e Moglicës dhe Banjës, siç ishin investimet për hidrocentralet e Fanit.

Pra këto investime nuk vijnë nga jashtë. 800 milionë janë të brendshme, por ky i quan të jashtme.

Pse i quan të jashtme, sepse pronarët mund të jenë emra të huaj.

Së dyti nga ato që mbeten çfarë ndodh. 30 përqind janë blerje dhe ndërtesa nga kosovarët, nga shqiptarët e Maqedonisë, nga jo shqiptarë në Shqipëri.

Sa japin punësim ato, më thoni pak? Është forma më rudimentare e punësimit që japin ato. Maksimumi mund të punësojnë një njeri për ti ruajtur vilën, apartamentin apo asgjë.

Pra u bënë 80% investime pa fryt. Mbeten gjithsej 18%. 18 përqind janë nivele katastrofale investimi. Janë të barabarta me investimet që bëheshin në vitin 2004-2005 dhe asgjë tjetër.

Ndërkohë kur në vitin 2011 Shqipëria mori 1 miliardë dhe 400 milionë investime.

Gjatë viteve në vazhdim ishin investimet e TAP-it, investimet e kaskadës së Devollit, investimet e kaskadës së Fanit etj., të cilët përbënin portofolin kryesor të investimeve, pra ishin para të huaja që investoheshin në Shqipëri.

Ndaj dhe të gjitha që thotë ai, vetëm një njeri që nuk ka ABC, nuk ka haberin dhe që e ka pasion gënjeshtrën mund të thotë se, shqiptarët marrin 11 mijë euro në vit.

FJALA PËRMBYLLËSE

Mesazhi im i fundit është një thirrje nga zemra për çdo qytetar shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij politike, për çdo të ri shqiptar, për çdo pensionist, për çdo punëtor, për çdo punonjës, për çdo intelektual, të bashkohemi më 17 prill, t’u tregojmë shqiptarëve kudo që janë, t’i tregojmë Europës dhe botës se ne qëndrojmë të pamposhtur përballë këtyre hajdutëve, që nuk kanë ligj as moral, që shkelin Kushtetutën.

Që po i mbyllin Shqipërisë dyert e integrimit në BE.

Të mos harrojmë se protesta jonë është shpresë për shqiptarët, është shpresë për miqtë tanë në Europë dhe në botë.

Është mesazh se ne qëndrojmë kundër korrupsionit, vjedhjeve.

Ne qëndrojmë për shtetin ligjor, për të ardhmen evropiane.

Ndaj të bashkohemi kundër këtij ndëshkimi që i bën Edi Rama çdo qytetari shqiptar me çmimin më absurd të naftës.

Me taksën fiskale më të lartë në botë për një litër naftë.

Të bashkohemi për këtë varfëri që po përpin gjithnjë e më shumë qenien tonë.

Në historinë e tregut shqiptar, kurrë kilja e domates nuk ka pasur këtë çmim që ka sot.

Ju garantoj se qëndrimi në heshtje është mbështetje për Edi Ramën.

Prandaj të ngrihemi, të ngrihemi dhe të mos pajtohemi me këtë situatë gjer në përmbysjen e tij.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale