Berisha: Rama po varros vendimin për bllokimin e arrestimit të Lubi Ballukut, emri i saj është i ndaluar të përdoret në studiot televizive. Adriana Kalaja është kërcënuar me jetë për denoncimet e saj

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë konferencës së mbajtur sot me gazetarët, lëshoi akuza të forta ndaj Edi Ramës, duke i cilësuar veprimet e tij që po censuron lajmet për bllokimin e arrestimit të Lubi Ballukut, si ‘krimi më i shëmtuar’ i qeverisë, si një përpjekje sistematike për të fshehur të vërtetën përpara opinionit publik. Berisha theksoi se ‘Edi Rama përpiqet të varrosë krimin e tij më të shëmtuar, vendimin për bllokimin e hetimit dhe arrestimit të Lubi Ballukut’, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë çështje me përgjegjësi personale të kreut të qeverisë.

Kryedemokrati Sali Berisha ngriti shqetësimin për atë që e konsideron censurë të hapur mediatike, duke deklaruar se ‘emri Lubi Balluku është i ndaluar të përdoret në studiot televizive’ dhe se kjo përbën ‘shkallën më të lartë të censurës’, një situatë që sipas tij ‘tejkalon çdo lloj standardi’ dhe përfaqëson një deformim të rëndë të rolit të medias në një shoqëri demokratike.

Lideri i opozitës Sali Berisha theksoi se ky zhvillim institucional ka pasoja të drejtpërdrejta për të ardhmen europiane të vendit, duke deklaruar se ‘me këtë akt ai de facto i mbylli dyert integrimit europian të Shqipërisë’. Sipas tij, mosveprimi i institucioneve dhe heshtja mediatike për çështje të tilla madhore tregojnë një krizë të thellë të shtetit ligjor dhe të mekanizmave të kontrollit demokratik.

Një pjesë të rëndësishme të konferencës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha ia kushtoi edhe denoncimit të presioneve dhe kërcënimeve që ka marrë Adriana Kalaja. Ai theksoi se, ‘Kalaja ka marrë kërcënime me vdekje për paditë që ajo i ka bërë personalisht Edi Ramës’, duke shtuar se pavarësisht denoncimit, ‘është bërë një muaj dhe çështja fle në prokurorinë e Tiranës’. Berisha ngriti akuza për përdorimin e mjeteve të intimidimit ndaj kundërshtarëve politikë dhe kritikëve të qeverisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve në lidhje me çështjet e politikës së ditës, në lidhje me hetimet e SPAK-ut ndaj dosjes ‘Balluku’. Berisha u pyet edhe për çmimin e naftës, që shqiptarët po e paguajnë me shtrenjtë jo vetëm se të gjitha vendet e rajonit, por edhe të Europës. ‘Nuk ka nevojë për bord, përgjysmo taksat, vendos nivelin e taksave që ka Kosova dhe Maqedonia dhe pastaj le të guxojë kush të shesë një qindarkë më shtrenjtë naftën në pompat e Shqipërisë që të marrë atë që meriton’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.

FJALA E PLOTE:

Edi Rama përpiqet të varrosë krimin e tij më të shëmtuar, vendimin për bllokimin e hetimit dhe arrestimit të Lubi Ballukut për shkak se është vetë direkt protagonisti kryesor i dosjes.

Siç e shikoni, emri Lubi Balluku është i ndaluar të përdoret në studiot televizive.

Nuk ekziston më në asnjë lajm, në asnjë debat, në asnjë koment akti më i rëndë në historinë e pluralizmit në Shqipëri, grushti i shtetit, akti me të cilin Edi Rama mori publikisht para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar të gjitha pushtetet në një dorë.

Akti në të cilin ai asgjësoi një institucion të ngarkuar për akuzën e zyrtarëve imunitare në rast se ata përfshihen në vepra korruptive.

Akti me të cilin ai de facto i mbylli dyert integrimit europian të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Është shkalla më e lartë e censurës që do t’ia kishin lakmi edhe Ajatollahët e Teheranit një censurë të tillë mediatike.

Tejkalon çdo lloj…

Kjo censurë, ky injorim i dosjes Balluku, që është de facto dosja Rama, tregon se për këto media, këta puthadorë të regjimit, interesi publik nuk ekziston, paçka se ata janë aty për shkak të valës. Vala është publike.

Është gjë tmerrësisht e rëndë, është një shkelmim flagrant i interesit publik të shqiptarëve dhe lakejve të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, të cilët përpiqen edhe në këtë rast të gjejnë opozitën sepse opozita nuk publikon dosjen.

U them këtyre puthadorëve të pafytyrë, të pander, ju duket pak ju 50 milionë euro të tunelit të Llogarasë?

Ju duken pak 1 miliardë euro në rrugë dhe dëshmitë, dokumentet se si janë ndërtuar 1 km me 20 milionë euro, shpërndarja e tyre tek Bolinot dhe stërbolinot?

Po kur nuk kanë turp, nuk dinë se ç’bëjnë.

Pra, nuk ndalen tek akti i grushtit të shtetit që bëri ndaj drejtësisë.

Ato që janë publikuar për Belinda Ballukun, ato janë të mjaftueshme siç tha prokurori, o mjeranë dhe puthadorë të Edi Ramës, për 36 vite burg.

Ato kanë dalë dhe ju nuk i fshihni dot me asgjë.

Anëtarët e Komisionit të Mandateve nga opozita kanë firmosur me përgjegjësi penale se do i përmbahen kërkesës së prokurprisë dhe ky është një kusht i shtetit ligjor.

Dhe opozita nuk e shkel këtë pse mjeranë, puthadorë përpiqen të errësojnë me këtë dosjen e tunelit të Llogarasë, dosje me 50 milionë euro të zhdukura qartësisht, në fakt 90, dosjet e Unazës së Tiranës dhe dosjet e tjera.

Pra, në vend se mediat ta kenë çështje kryesore asgjësimin e sistemit të drejtësisë, merren me çështje krejtësisht tjera, problemi i tyre më preokupues është se pse po proteston opozita.

Nuk ka skllavëri më të madhe ndaj regjimit se sa kjo.

Ndaj dhe dënoj me forcën më të madhe këtë censurë të vendosur me para dhe me presion politik mbi median nga Edi Rama dhe Lubi Balluku.

Shikoni se çfarë ndodh, ka dy javë parlamenti ka mbyllur dyert si dyqani i Lubisë. Është bërë si dyqani Rama-Lubia.

Nuk ka seanca, vetëm e vetëm që shqiptarët të mos dëgjojnë nga deputetët e opozitës denoncimin e këtij akti.

Edhe parlamentin e shndërrojnë në një institucion privat.

Ndaj dhe u bëj thirrje medieve të rikthehen në misionin e tyre të mbrojtjes së interesit publik, përndryshe ju që përdorni studiot dhe fjalën si hanxhar kundër të vërtetës, do rreshtoheni në mënyrën më të turpshme dhe do përfundoni në analet e diktaturës.

***

Çështje tjetër që dua të paraqes këtu, të denoncoj me forcën më të madhe Edi Ramën.

Prej mbi një muaji dhe më shumë, Adriana Kalaja, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD dhe kryetare e gjykatës së saj, ka marrë kërcënime me vdekje për paditë që ajo i ka bërë personalisht Edi Ramës dhe Linda Ramës në Skap për sarajet e Surrelit dhe aferat e tjera korruptive.

Duhet të them se policia e bëri detyrën e vet.

Policia, pas njoftimit të zonjës Kalaja, përcolli çështjen në prokurori.

Por është bërë një muaj dhe çështja fle në prokurorinë e Tiranës me gjithë emergjencën që ka kërcënimi me jetë i një njeriu dhe nuk është hapur asnjë çështje penale.

Faqja në ueb e vrasësit dixhital me pagesë të Edi Ramës është e hapur.

Por vrasësi dixhital me pagesë i Edi Ramës është i mbrojtur nga Edi Rama dhe as faqja nuk i mbyllet.

Imagjinoni ju se si përdoren të gjitha mjetet për të terrorizuar qytetarët, kundërshtarët.

Adriana Kalaja natyrisht nuk mposhtet, nuk ndikohet nga kërcënimet e Edi Ramës dhe banditëve të tij.

Por jam këtu për ta paralajmëruar se në mënyrë absolute çdo lloj incidenti me zonjën, do ta paguajë ai vetë.

Nuk ka dyshim.

Ai nxit vrasës dixhitalë me pagesë që të kërcënojnë me jetë njerëz të bëjnë detyrën ndaj qytetarëve dhe padisin në prokurori dhe në gjykata Edi Ramën.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Marsi Korreshi, SYRI TV: Tani që precedenti i Belinda Ballukut ekziston, pra kemi një bllokadë që parlamenti ka bërë për refuzimin e heqjes së imunitetit të saj, por nga ana tjetër PS harton dhe miraton ligje për të mbrojtur veten dhe zyrtarët e lartë nga hetimet. A ka fuqi SPAK të hetojë përtej bllokadës parlamentare. A keni ju një thirrje për drejtësinë për këtë rast, ndofta jo vetëm për Ballukun, por nesër edhe për zyrtarë të tjerë të lartë, të qeverisë që përfshihen në afera korruptive.

Sali Berisha: Ajo çka dua të them, nuk kam patur kurrë dyshim se, SPAK është në kontroll të plotë të Edi Ramës. Këtë nuk kam dyshuar.

Por ndodhi që një prokuror, besnik i ligjit i gjetur para dokumenteve dhe fakteve, dhe dëshmive flagrante mori guximin dhe ngriti aktpadinë, ndaj Lubi Ballukut.

Dua të them këtu, se Altin Troplini e frenoi atë rreth 3 muaj, dhe kjo është e vërteta, e më në fund kur prokurori i çështjes e firmosi, u detyrua ta firmosë.

Tani, ky prokuror zbatoi ligjin, u kërcënua, ky prokuror është kërcënuar në mënyrën më të egër. Është kërcënuar nga vrasës të dërguar nga Lubi Balluku dhe Edi Rama. Është kërcënuar nga Edi Rama vetë, është kërcënuar nga të gjitha anët. Ky prokuror nuk është tërhequr, i ka qëndruar deri në fund ligjit, siç duhet ti qëndrojë.

Natyrisht SKAP ka një numër, 20 prokurorë, 80 BKH-ista. Midis tyre sigurisht ka njerëz që bëjnë ligjin, besnik të ligjit. Por ka pastaj kriminelë, më të këqinj se çdo kriminel tjetër, që komunikojnë me Edi Ramën, që dekonspirojnë çdo hetim, që komunikojnë me kriminelë.

Por përpjekja e fundit e SPAK për Lubi Ballukun, dëshmoi se Edi Rama është i aftë të marrë çdo vendim për të mbrojtur korrupsionin e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

Ju e dini, në vitin 2011 ish-zv/kryeministri Ilir Meta dha dorëheqjen dhe dorëzoi imunitetin përpara se të kërkonte prokuroria atë. Por këta që thonë se, shqiptarët e kanë si me thënë korrupsionin, moral të tyre. Ata që e thonë këtë kanë vetë moral korrupsioni me Edi Ramën.

Por shqiptarët kanë zbatuar ligjet, kanë pasur shtet ligjor, kanë zbatuar kushtetutën, nuk kanë bllokuar kurrë prokurorinë në asnjë rast, cilado që kanë qenë marrëdhëniet me të.

Ndaj dhe duhet pranuar se de fakto, SPAK nuk ekziston më. Misioni i tij është hetimi dhe ndjekja penale e personave me imunitet dhe krimit të organizuar.

Tani hy në fuqi vendimi famëzi ‘Sadushi’. Vendim i cili nuk lejon më arrestimin pa vendim përfundimtar të bosëve të karteleve të drogës, dhe anëtarëve të organizatës kriminale të kryesuar nga Edi Rama, të qeverisë shqiptare.

Kjo është situata, mbeten vetëm shqiptarët të thonë fjalën e tyre, të marrin në dorë fatin e tyre, protestat.

Marsi Korreshi: Kur do jetë protesta e radhës e opozitës zoti Berisha?

Sali Berisha: Protesta e radhës do jetë shumë shpejt. Do jetë shumë shpejt dhe shumë e fuqishme.

Sot, rruga e vetme është protesta.

Marsi Korreshi: Edhe një pyetje të fundit për bordin e naftës që është paralajmëruar se do mblidhet sot pas rritjes së çmimit të naftës. Si i shikoni masat që ka marrë qeveria gjer tani?

Sali Berisha: Në shkelmim flagrant të interesave të qytetarëve. Në mbrojtje të oligopolit dhe interesave të qeverisë.

Nuk ka nevojë për bord, përgjysmo taksat, vendos nivelin e taksave që ka Kosova dhe Maqedonia dhe pastaj le të guxojë kush të shesë një qindarkë më shtrenjtë naftën në pompat e Shqipërisë që të marrë atë që meriton.

Por nëse ke vendosur ngarkesën fiskale shumë më të lartë se vendet e OECD,33 përqind më të lartë se vendet e OECD, të cilat i kanë të ardhurat për frymë pesë ose gjashtë herë më të lartë se Shqipëria, atëherë ti ke vendosur gjobë të rëndë mbi qytetarët e vendit.

Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, deputetja Jordida Tabaku është shprehur kundër vendimit për përjashtimin e Ervin Salianjit me argumentin se PD nuk e ka luksin të humbasë askënd…

Sali Berisha: Së pari njëherë, deputetja ka shprehur mendimin e vet dhe kjo është një gjë krejt normale.

Së dyti, nuk është përjashtuar, është vetëpërjashtuar. Vetëpërjashtimi është kur ti shkel në mënyrë flagrante ato që thotë statuti i partisë tënde.

Kjo është e vërteta.

Për dijeni, nuk ka pasur asnjë funksion, as në Këshill Kombëtar, as në Kryesi, në asnjë institucion.

Pasi doli nga burgu, për ta respektuar, u kooptua përkohësisht në Kryesi dhe tregoi se nuk ishte i denjë. U vetëpërjashtua me aktet që bëri.

Kaq.

Nuk ka, bashkëpunimin me krimin nuk e falim ne si parti.

E kemi të prerë atë në mënyrë absolute.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale