FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PROTESTËN KOMBËTARE
EKSTRAKT
Duke iu drejtuar mijëra shqiptarëve në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se, kombi, Shqipëria është në momentin e tij më kritik.
Duke folur në protestën kombëtare, ai u shpreh se, pasi vodhi zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të bëhet milimiliarder duke vjedhur paratë e shqiptarëve.
‘Edi Rama, hidhi sytë këtij bulevardi, nga sonte ti kurrë nuk do njihesh më në Shqipëri as në botë si kryeministër, por si kapobandë, si kapobandë, si kapobandë’, u shpreh Berisha.
Gjatë fjalës në protestën kombëtare, kryedemokrati Sali Berisha, akuzoi Edi Ramën për shndërrimin e zgjedhjeve në farsë elektorale, kapjen e institucioneve dhe instalimin e asaj që ai e cilësoi si ‘narkodiktaturë’. Berisha deklaroi se, pavarësisht represionit politik, censurës mediatike dhe presionit ndaj opozitës, Partia Demokratike dhe qytetarët opozitarë janë ‘më të vendosur se kurrë’ për të përmbysur regjimin aktual dhe për të rikthyer pluralizmin politik në Shqipëri.
‘Rama nuk ikën me vota dhe as me drejtësi!’. Ky ishte mesazhi i drejtpërdrejtë i kreut të PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tij, duke iu drejtuar popullit opozitar, dhe artikuloi me bindje se largimi i Edi Ramës nga pushteti nuk mund të vijë më përmes mekanizmave tradicionalë demokratikë. Sipas tij, vetëm mobilizimi dhe vendosmëria e qytetarëve opozitarë mund t’i japin fund asaj që ai e cilëson si një regjim i kapur nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, duke e shndërruar përballjen politike në një betejë të hapur mes qeverisë dhe popullit.
Duke folur në protestën kombëtare, lideri i opozitës, Sali Berisha u shpreh se, Edi Rama i ka shpallur luftë shqiptarëve, dhe në këtë moment edhe shqiptarët do ti shpallin luftë atij. Berisha deklaroi se, qytetarët nuk do ti ndahen dhe reagimi do të jetë i drejtpërdrejtë, pa tërheqje dhe pa kompromis, deri në largimin e tij nga pushteti. Mesazhi i Berishës ishte i qartë: opozita nuk do të ndalet as në shesh dhe as përpara rezidencës së kryeministrit në Surrel, duke e cilësuar këtë betejë si një mision për liri, dinjitet dhe mbijetesë demokratike.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në protestën kombëtare në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, bëri thirrje për bashkim kundër kësaj qeverie. Berisha theksoi se, do të bashkëpunohet me çdo faktor, çdo qytetar apo çdo force politike me qëllim me qëllim krijimin e frontit më të gjerë që Shqipëria ka parë deri më tani. ‘Duhet të keni besim se siç e shpëtuam opozitën kur donin ta zhduknin, do shpëtojmë Shqipërinë, do shpëtojmë shqiptarët, do u japim vendin që meritojnë.’, u shpreh gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës, demokrate e demokratë, shqiptare e shqiptarë kudo që jeni sonte, në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Të nderuar deputetë, të nderuar aleatë të PD.
Përshëndetjet më miqësore, nderimin më të madh ju burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që u ngritët sonte si uragan i shpresës, i besimit, i shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Të dashur miq, u flas sot në një nga momentet më kritike të kombit, jo vetëm në 35 vitet e fundit, por ndoshta gjatë gjithë historisë së tij mijëravjeçare.
Në 10 vitet e fundit të këtij regjimi, shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga çdo epidemi, nga çdo pushtim, nga çdo zi buke dhe çdo gjë tjetër.
Shqiptarët, në 10 vite të këtij regjimi, kanë shkuar mbrapa 100 vite për lindshmërinë e tyre.
Sot ata kanë humbur mbi gjysmën e rinisë së tyre.
Kanë humbur të ardhmen dhe çdo vit bëhen gjithnjë e më pak në këtë dhe të bekuar.
Ne mblidhemi në një moment kritik, ndoshta si kurrë më parë, sepse Edi Rama, pasi i shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, del se ka vendosur të bëhet multi-miliarder me paratë tuaja, me pasuritë tuaja publike.
Dhe jo vetëm kaq, por ai ka vendosur veten mbi ligjin, mbi Kushtetutën.
Ka vendosur veten mbi çdo pushtet, dhe na thotë nga Surreli, apo kjo ndërtesë e krimit, se unë u shumëzoj me zero.
Se unë jam mbi ligjin, mbi Kushtetutën.
Edi Rama, hidhi sytë këtij bulevardi, nga sonte ti kurrë nuk do njihesh më në Shqipëri as në botë si kryeministër, por si kapobandë, si kapobandë, si kapobandë.
Të dashur miq, pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, duke organizuar me paratë tuaja mijëra veprimtari të paligjshme në periudhë elektorale, duke arrestuar liderët kryesorë të partive opozitare, duke përdorur tonelatat e drogës të karteleve, duke shndërruar nëpunësit e shtetit në policë të votës së lirë, duke falur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata vetëm për karrigen e tij, ai në një revansh të paparë bëri gjithçka që të mbyllë çdo hapësirë opozitës.
Ai mendoi se projektin e tij Shqipëria pa opozitë, tani do e realizojë.
Miq, rrallë ndonjëherë ka vendosur, vetëm në disa vende të Afrikës, që qeveritarët të bëhen multi-miliarderë dhe miliarderë dhe qytetarët të varfërohen dhe të braktisin vendin e tyre.
Me paratë tuaja, Edi Rama ka vendosur vellon e zezë të censurës, paguan mediat e tij, të cilat glorifikojnë të keqen, i thurin lavdi krimit të tij, demonizojnë opozitën, mashtrojnë qytetarët.
Me paratë që u grabit ju, ky armik i egër i qenies shqiptare, kontrakton lobistë, ish-ministra, ish-kryeministra, diplomatë, ambasadorë, zyrtarë të lartë, për deklarata të paguara, për mashtrime ndërkombëtare, për beteja kundër opozitës.
Të gjitha duke besuar se Shqipëria pa opozitë është projekt që do e realizojë së shpejti.
Po ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë, më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë për të përmbysur këtë narkodiktaturë siç përmbytëm etërit e tij 35 vjet më parë.
Miq, këto dy javë në Shqipëri është zhvilluar një betejë e pashembullt.
Një prokuror guximtar pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren, njeriun më hajdut pas Edi Ramës në tërë historinë e kombit.
Një gjykatë turpi u ble, një gjykatë supreme e kombit i hoqi jashtë çdo rregulli, masën e pezullimit, e ktheu Lubinë në detyrë që të vjedhë ditë e natë.
E ktheu Lubinë në detyrë që të prishë çdo provë.
E ktheu Lubinë në detyrë që si bandite të kërcënojë çdo dëshmitar.
Edi Rama me këtë akt, me këtë vendim që i diktoi Gjykatës Kushtetuese, na tha shqiptarëve se unë u kam vjedhur dhe do u vjedh pa kufi, pandalshëm, sepse jam mbi ligjin, mbi Kushtetutën, mbi gjykatat.
Reagimi tjetër i tij, i pashembullt në tërë ekzistencën e pluralizmit.
Miq, kërkesës për arrestimin e zëvendëskryeministres, pasi u shtrua në afera që provojnë se ajo dhe Edi Rama së bashku kanë vjedhur dhe shpërdoruar dhe dëmtuar shqiptarët, vetëm me ato afera, 1.2 miliardë euro, Edi Rama përsëri mori pushtetin e parlamentit, bllokoi parlamentin, bllokoi heqjen e imunitetit, kreu grushtin e shtetit për të shpëtuar lëkurën e tij.
Po miq, Edi Rama nuk lejoi dhe nuk mund të lejonte kurrë të arrestohej Lubia sepse e dinte mirë se i dyti do jetë ai. Në fakt duhej të ishte i pari.
Edi Rama është autori i vjedhjeve të përmasave të paimagjinueshme nga ne.
Çfarë mësuam ne këto ditë?
Ne mësuam se zëvendëskryeministrja në ato deftere që janë gjetur gjer sot, ka mbi 300 apartamente, ka edhe dy jahte luksoze, ka 15 supermarkete, ka me qindra prona të tjera.
Por mos harroni se nëse ajo ka këto prona, Edi Rama hyri në këtë ndërtesë pasi kishte depozituar në bankat offshore 200 milionë euro, që të kthyera në apartamente, ato janë baraz me 1800 apartamente.
Dhe të gjitha këto, para vitit 2014.
Miqtë e mi, Edi Rama nuk do pranojë kurrë të heqë imunitete.
Edi Rama nuk do pranojë kurrë të shkarkojë Lubi Ballukun apo të japë dorëheqje.
Nuk duhet të gabohemi.
Jo, Edi Ramën do ta heqim ne.
Do ta heqim ne, populli opozitar.
Do ta heqim ne, populli opozitar.
Askush të mos ketë iluzion se Edi Rama ikën me votë.
Jo, kurrë.
Por sot nuk ka shqiptar që beson më se Edi Rama ikën me votë.
Mund të ketë tek tuk njerëz që besojnë se mund të ikën me drejtësi.
Naivitet.
Jo, kurrë.
Ai është i gatshëm ato 84 mandate t’i përdorë si bajoneta krimi kundër drejtësisë, kundër qytetarëve, kundër drejtësisë, kundër ligjeve.
Atëherë vota jo, drejtësia jo, do jenë qytetarët, do jenë idealistët, do jenë guximtarët ata të cilët do hedhin në banesën e turpit të historisë.
Do të jenë ata që do i rezervojnë Edi Ramës atë që i kanë rezervuar popujt e shtypur Idi Aminit, Gadafit, Mobutusë.
Apo atë që i rezervuan kombet e largëta, Nepali, Bangladeshi, Sri Lanka, diktatorëve autoritarë si Edi Rama.














Miq, zhurmë e madhe, opozita, opozita.
Ku i ka forcat, ku i ka?
Mjerë ata që i japin zemër Edi Ramës me gënjeshtra.
Ja ku është opozita dhe do ua them unë ju.
Ju jeni njerëz të bekuar.
Por, opozita disa detyra të mëdha, detyrime shumë të mëdha që kishte para jush, i ka bërë.
Opozita ia doli t’i dëshmojë botës se çfarë përfaqëson narkoshteti shqiptar.
Ia doli t’i faktojë botës se si Edi Rama shndërroi në farsë votën tuaj.
Ia doli të faktojë se Edi Rama është një armik i egër i pluralizmit.
Se është një bos i karteleve më të rrezikshme të drogës në Europë.
Të gjitha këto ishin të domosdoshme.
Por të gjitha këto kanë një mesazh: në këmbë shqiptarë në misionin historik për të larguar Edi Ramën, për të shpëtuar Shqipërinë, për të shpëtuar demokracinë, për të shpëtuar familjen shqiptare.
Ndaj dhe ne jemi këtu sot, jam i bindur se me të drejtë, jo pa të drejtë, ka qytetarë këtu në shesh, ka edhe të tjerë që na ndjekin, që thonë se çfarë do bëjnë këta.
E keni shumë të drejtë pyetjen.
Por u jap fjalën që ne do bëjmë atë, ja do vdesim, ja do rrojmë për liri.
Mjerë ai që provohet me ne.
Dhe dijeni mirë se kur ne kemi dalë me këtë zotim, kurrë nuk kemi humbur, kemi fituar, kemi fituar, do fitojmë.
Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbë ne.
Nuk mundet kurrë nje grusht hajdutësh, narkotrafikantësh të shkelmojnë mbi dinjitetin tonë, mbi të ardhmen tonë, të nxijnë Shqipërinë, të na përzënë nga Shqipëria.
Jo, kurrë.
Ta harrojnë!
Kemi dalë në shesh.
Mos e harro këtë Edi Rama.
Sheshi është i yni.
Kudo që të jesh, nuk të ndahemi.
Nuk të ndahemi këtu, po të jap fjalën se nuk të ndahemi as në Surrel.
Hapi sytë dhe shih këta njerëz.
Marshim drejt Surrelit.
Po, po u them unë.
Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë.
Ai i ka shpallur luftë shqiptarëve, ne i shpallim luftë armikut të shqiptarëve.
Ke prekur votën ti mor bastard, harrove ti se daja yt dhe babai yt për votën donin të na fusnin tanket.
Të rikujtoj këtu Edi Rama 20 shkurtin, kur me autoblind përfundove në bunkeret e Enver Hoxhës.
Edhe bunker nuk do gjesh më.
Ndaj miq, le të na shërbejë ky takim madhështor proteste për një betim, betimi i njerëzve të lirë.
Betimi i burrave dhe grave guximtarë, i djemve dhe vajzave guximtarë, të bashkohemi sa më shumë, dhe në emër tuaj ftoj të gjitha forcat politike opozitare, ftoj çdo opozitar, ftoj çdo guximtar të bashkohet në këtë betejë.
Në këtë betejë vendimtare për fatin e këtij kombi që po shuhet, që po shkretohet, për fatin e këtij vendi të bekuar, nga i cili po largohen bijtë dhe bijat e saj sepse nuk i besojnë më, pavarësisht se ka pasuri përrallore.
Për familjen shqiptare, të cilën duan me cdo kusht ta shkatërrojnë sepse barti kombin nga shekulli në shekull, nga mijëvjeçari në mijëvjeçar dhe tani duan ta zhdukin kjo racë armiqsh.
Iu bëj thirrje intelektualëve shqiptarë, hiqeni mantelin e konformizmit, intelektuali ka armik numër 1 konformizmin, është virusi më shkatërrimtar i tij.
Dilni në shesh si në vitin 1991, dilni të përballemi se kem detyrime ndaj familjeve tona, ndaj qytetarëve që na besojnë.
Dilni se nuk mundet kurrë një bandë si këta të përvetësojë, të privatizojë shtetin dhe gjithçka.
Thirrje fermerëve të Shqipërisë, shikoni fqinjët tuaj se si u bllokuan rrugët për të drejtat e tyre, që i kanë 100 herë më të mëdha se në Shqipëri, bashkohuni se tokat tuaja po mbeten djerrë, se fëmijët tuaj po shkojnë të punojnë tokat nëpër botë, të shpëtojmë sa më shpejt nga ky regjim.
PD qëndron e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor, me çdo qytetar, me çdo forcë politike në një front më të gjerë që Shqipëria ka parë.
Edi Rama, sonte është një kufomë politike.
Rilindja sonte është një kufomë politike.
Ajo pret funeralin, do t’ia bëjmë ne funeralin.
Ndaj dhe duke u përulur edhe njëherë me nderimin më të madh para jush, duke falënderuar edhe ata që lanë pa drita këtë tabelë dhe unë nuk lexova fjalimin, por fola nga zemra dhe shpirti për ju, iu uroj, u falënderoj, përulem me nderim të madh.
I keni bërë vendit një shërbim të jashtëzakonshëm.
Jeni lodhur, keni dalë nga shtëpitë tuaja, keni ardhur nga anekënd, por rrallë ndonjëherë keni dhënë kontribut kaq të madh.
Duhet të keni besim se siç e shpëtuam opozitën kur donin ta zhduknin, do shpëtojmë Shqipërinë, do shpëtojmë shqiptarët, do u japim vendin që meritojnë.
Ndaj dhe rrofshi ju, rroftë Shqipëria, fitore, fitore, fitore!
Faleminderit.


