FJALA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT TEK SPAK
EKSTRAKT
Përpara ambienteve të SPAK, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lëshoi akuza të forta ndaj Edi Ramës dhe Irena Gjokës. Gjatë fjalës së tij Berisha komentoi edhe ndryshimet në Kodin Penal që ka propozuar Rama, për të mbrojtur Belinda Ballukun, duke e cilësuar si moment kritik për shtetin ligjor dhe integrimin europian të vendit, duke deklaruar se ‘Edi Rama i mbylli dyert integrimit për të mbrojtur veten’, ndërsa theksoi se ‘Venecia është shprehur pro pezullimit’, duke iu referuar qëndrimeve të Komisioni i Venecias mbi çështjen e pezullimit në funksion të hetimeve.
Lideri i PD-së, Sali Berisha foli edhe për mesazhin që la në SPAK: ‘Altin Troplinit, armikut primitiv të pluralizmit politik, mercenarit të Edi Ramës dhe partisë së krimit… drejtësia vonon, por nuk harron.’ Kryedemokrati Sali Berisha bëri publik edhe listën e kërkesave të firmosura për hetime të gjera ndaj tij dhe familjarëve të tij, të cilat sipas tij shtrihen në mënyrë absurde ‘edhe katër vite para lindjes së mbesave të mia’. Sipas Berishës, brenda një dite janë dërguar ‘16 kërkesa për hetim 30-vjeçar’, të cilat ai i konsideroi si pjesë të një procesi politik dhe jo juridik.
Duke iu referuar dosjes ‘Partizani’, lideri i demokratëve Sali Berisha e cilësoi atë si ‘një piramidë’ dhe paraqiti një botim që dokumenton ‘35 falsifikime’ në procesin hetimor, duke përmendur emra konkretë të prokurorëve dhe gjyqtarëve që, sipas tij, kanë manipuluar procedurën. Ai deklaroi se ‘secili prej tyre përbën krim të rëndë në procesin e dosjes Partizani’, duke nënvizuar se materiali do të shpërndahet në formë dixhitale për publikun dhe median.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha reagoi ashpër ndaj nismës së qeverisë për ndryshime ligjore lidhur me imunitetin e ministrave, duke e cilësuar atë si ‘akti më i rëndë, më kriminal, më poshtërues ndaj qytetarëve shqiptarë’. Sipas tij, amendamenti synon të vendosë ministrat ‘mbi ligjin’ dhe përbën ‘goditjen më të rëndë ndaj shtetit ligjor’. Ai paralajmëroi se një hap i tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Duke iu referuar protestës së paralajmëruar më 20 shkurt, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi: ‘20 shkurti do jetë dita e kryengritjes së madhe kundër korrupsionit… kryengritja paqësore më e fuqishme që ka njohur Shqipëria që nga përmbysja e shtatores së Enver Hoxha.’ Ai theksoi se ndryshimi politik në regjime që i cilësoi si autoritare ‘vjen përmes revoltës qytetare’, duke shtuar se opozita është e vendosur për një ‘kryengritje paqësore’.
MESAZHI NE SPAK:
Altin Troplinit, armikut primitiv të pluralizmit politik, mercenarit të Edi Ramës dhe partisë së krimit, avokatit të Irenës me 5 mbiemra, drejtësia vonon, por nuk harron.

FJALA E PLOTE:
Këtu keni një listë kërkesash të firmosura nga Altin Troplini për të gjitha, për 16 institucione, për të hetuar Sali Berishën dhe mbesat e tij, edhe katër vite para lindjes së tyre.
Dërguar çdo institucioni, pa asnjë lidhje, vetëm në kërkim të zbatimit të urdhrit të Edi Ramës, i cili tha se Skapi duhet të hetojë dhe ndëshkojë Sali Berishën.
Kjo është lista, ata brenda një dite kanë dërguar 16 kërkesa për hetim 30-vjeçar.
Kjo nuk ka lidhje me dosjen.
Dosja nuk ishte gjë, dosja është një piramidë.
Meqë jemi këtu, keni një libër monumental të drejtësisë së falsifikuar dhe manipuluar.
Një proces politik kundër liderit të opozitës dhe pronarëve legjitimë, në të cilin ju do gjeni 35 falsifikime të falsifikatorëve Dumani, Kraja dhe Millonai.
Domethënë Troplini, ish-xhelati i Sigurimit të Shtetit, Kraja dhe ndrikulla e kartelit të drogës së Elbasanit, Enkelejda Fetahu.
Në këtë publikim janë të rreshtuara me fakte të pakundërshtueshme 35 falsifikime, secili prej tyre përbën krim të rëndë në procesin e dosjes Partizani.
Tani, meqenëse kjo është vetëm një dosje, do ua dërgojmë të gjithëve në formë dixhitale.
Sepse kopjet janë më të pakta, do donim që secili prej jush ta kishte në bibliotekë, por me kërkesat e mëdha është shumë e vështirë ta përballosh.



Kthehemi aty ku është turpi i turpit të turpit të sistemit të drejtësisë, dëgjoni tani për Irenën me 5 mbiemra.
Dëgjoni tani!
Irena me 5 mbiemra, i ndjeri komisioner Dariel Sina, e kishte kapur në krime të shëmtuara gjatë deklarimit të pasurive.
Irena me 5 mbiemra nuk ka deklaruar apartamentin me sipërfaqe 63.65 metër katrorë në Fier. Apartament banimi, sipërfaqe 2 plus 1.
Kjo fshehje pasurie është justifikuar nga Irena me 5 mbiemra dhe ka fituar, natyrisht se është shoqe e ngushtë e Lindës së Surrelit dhe disa personave të tjerë me pushtet.
Ka qenë një këshilltare besnike e Ergys Agasit.
Pra, Irena me 5 mbiemra, kur është kapur mat me mashtrimin, ka thënë e harrova, e kisha harruar.
Mos harroni se për një garsionere i kanë nxjerrë gjykatësit, i kanë flakur në rrugë, jo se e kanë harruar, por se e kanë deklaruar se e kanë dhuratë nga i ati i vet.
Por Irena nuk është vetëm kaq. Jo.
Irena që mbrohet nga llumi i llumit të këtij sistemi, apartamentin tjetër në Tiranë me sipërfaqe 66 metër, të cilin thotë njëherë se e bleva me 10 mijë euro, dhe pastaj këtë çmim e rrit në 22 mijë euro.
Ku i paratë, i thonë, kam harruar thotë. Reale kjo.
Nuk ka treguar burimin e parave që ua ka marrë ryshfet klientëve të saj.
Kjo është gjykatësja.
Dhe prandaj Dariel Sina, këtë e përjashtonte nga sistemi.
Por së fundmi nuk mbaron këtu.
Irena me 5 mbiemra, ka fshehur dy garazhe në Tiranë. Nuk i ka deklaruar në procesin e vlerësimit të vetingut.
Pra, vetëm me këto, Irena me 5 mbiemra, meriton disa vite burg për fshehjen e pasurive të paligjshme.
Ajo mbahet si monumenti më i shëmtuar i sistemit që përfaqëson.

Pyetje: Zoti Berisha, zoti Rama ditën e sotme ka deklaruar se do paraqesin kërkesën për ndryshime ligjore sa i përket imunitetit të ministrave. Çfarë do bëjë opozita në rastin konkret sepse duket si një përpjekje e kryeministrit për të mbrojtur jo vetëm zonjën Balluku, por në të ardhmen edhe ministra të tjerë nga masat e SPAK. Ju si do veproni si opozitë?
Sali Berisha: Ky është akti më i rëndë, më kriminal, më poshtërues ndaj qytetarëve shqiptarë, që Edi Rama guxon të marrë. Në sytë e botës, Edi Rama u thotë shqiptarëve se personalisht ai dhe organizata e tij kriminale dhe ministrat, qëndrojnë mbi ligjin, qëndrojnë mbi çdo gjë tjetër në këtë vend dhe nuk mund të hetohen.
U kemi vjedhur dhe do u vjedhim.
Ky është morali, e vërteta e këtij amendamenti që ata paraqesin sot.
Dhe kjo është goditja më e rëndë që u bëjnë ata aspiratave të qytetarëve shqiptarë.
Kjo është goditja më e rëndë që i bëjnë ata shtetit ligjor, është mbrojtja më e fuqishme ndaj sistemit të korrupsionit që kanë vendosur.
Qytetarët duhet ta dinë, pas anulimit me ligj të këtij funksioni të prokurorisë speciale, prokurorëve nuk u mbetet asgjë tjetër përveç imunitetit. Por imuniteti nuk është në dorën e tyre, imuniteti është në dorën e Edi Ramës.
Dhe Edi Rama, për ata që bënë ligjin mburojë, imunitete nuk heq.
Në këtë rast, unë e paralajmëroj atë se do paguajë çmimin më të shtrenjtë me këtë akt dhe se po u fakton shqiptarëve dhe botës se çfarëhajduti i pafytyrë është ky.
Se si ky njeri, i kapur në flagrancë me afera të mëdha korruptive, vetë, baxhanaku, e shoqja e tij, enturazhi i tij, tani do të bëjë ligjin që të vjedhë sa të mundet dhe të mos mund ta pezullojnë.
Sqaroj edhe njëherë, pezullimi është një e drejtë ligjore.
Pezullimin e ka miratuar plotësisht, pas ekspertizës që i ka bërë ligjit të procedurës penale të Kosovës, Komisioni i Venecias.
Komisioni i Venecias është shprehur se pezullimi nuk bie ndesh me parimet e Kushtetutës dhe pushteteve.
Edi Rama kërkon me çdo kusht të mbrohet nga vjedhjet që ka bërë, bën dhe do të bëjë me amendamentin që dërgoi sot në parlament.
Ndaj ja ku jemi në këmbë.
Një gjë do u them shqiptarëve, se me këtë akt, ai i mbyll dyert e integrimit të Shqipërisë në BE dhe krijon fushën më të madhe të mundshme për vjedhjen, plaçkitjen e tyre, varfërimin e mëtejshëm, të tejskajshëm dhe është në dorën e tyre të marrin fatin.
Data 20 po vjen, është dita e qytetarëve.
Kryengritja paqësore opozitare ka pasur jehonën më të jashtëzakonshme dhe më dashamirëse në të gjithë botën.
Ju besoj e keni ndjekur se çfarë paraqitje, në qoftë se rrjetet kryesore gjermane e kanë paraqitur me 10 minuta, rrjetet proqeveritare shqiptare, pas protestës i kanë kushtuar 2, 3, maksimumi 4 minuta.
Janë përpjekur ta fshehin.
Bota e pa, edhe dje rrjeti më i madh televiziv në botë, Foksi, kishte një kronikë të madhe të zgjeruar për protestën vigane të opozitës shqiptare.
Pyetje: Ama zoti Berisha, asnjë qeveria gjer më sot nuk është rrëzuar me protesta. Pra ju besoni vërtet se do ta rrëzoni Edi Ramën përmes protestave?
Sali Berisha: Në fakt që të gjitha diktaturat, qoftë totalitare, qofshin autoritare, kanë rënë vetëm me protesta.
Kanë rënë diktaturat në Bangladesh, në Nepal, në Sri Lanka dhe një seri vendesh.
Diktaturat nuk rrëzohen me votë, por rrëzohen vetëm me revoltën qytetare.
Revoltat janë të dhunshme, të padhunshme.
Ne jemi të përcaktuar për kryengritje paqësore, të bindur se do realizojmë fitoren.
A e patë ju se si i nxorën kartonin e zi në Mynih?
A e patë? A e dini ju që kishte dërguar gjysmën e ekipit?
Lexoni pak shkrimin e Baton Haxhiut nga Mynihu, ku thoshte se këtu po pritet me padurim lideri global për të dhënë idetë e tij, për të mbajtur fjalimin e tij.
Por dikush pas këtij shkrimi ia fiku kandilit Edi Ramës dhe i tha se ti në Mynih nuk mund të shkelësh.
Pse e tek, e merrni vesh vetë, se është kuptuar se është një hajdut i paskrupullt që kërkon të mbrojë vjedhjet e tij.
Se sa për Lubinë, do t’i shkrinte plumb në vesh në mesnatë, ose vaj të djegur si në tragjedinë e Makbethit, do i hidhte vaj të djegur në vesh për ndjenjat që ka.
Por ai ka hallin e vet.
Kjo është e vërteta.
Pyetje: Zoti Berisha, ju thoni se Edi Rama nuk shkoi në Berlin, por ama nga ana tjetër, zoti Rama ka deklaruar ditën e djeshme se do të udhëtojë drejt Uashingtonit…
Sali Berisha: Në Uashington është takimi i Bordit të Paqes ku Shqipëria është anëtare.
Pra, në Uashington shkon Shqipëria si anëtare bordi.
Tani është si të thuash pse shkoi në OKB. OKB është organizatë ndërkombëtare.
Edhe kjo është një organizatë e konceptuar në ngjashmëri me OKB-në.
Dhe aty do të shkojë, po kjo nuk do të thotë se bëhet më pak hajdut.
Përkundrazi shkon hajdut, kthehet hajdut dhe e pret populli opozitar.
Pyetje: Zoti Berisha, së shpejti në parlament do të mbërrijë një projektligj për amnistinë penale. Edhe pse mazhoranca i ka votat e nevojshme, cili do jetë qëndrimi i deputetëve të opozitës?
Sali Berisha: Qëndrimi i deputetëve të opozitës është i qartë, absolutisht asnjë person i dënuar për korrupsion nuk mund të përfitojë nga amnistia penale.
Asnjë punonjës i kësaj administrate, i dënuar për lidhje me krimin, nuk mund të përfitojë.
Këto janë.
Përndryshe, amnistitë për personat e tjerë, janë një rutinë e pëvitshme që bëhet zakonisht në prag të vitit të ri, por këta kushedi pse…
Ky është qëndrimi ynë. Ne nuk pranojmë të amnistohet asnjë njeri i dënuar për korrupsion.
Pyetje: Zoti Berisha, ju na prezantuat një libër ditëm e sotme. Ndoshta SPAK u thërret dhe ju pyet për financimin. A jeni të gatshëm të jepni shpjegime?
Sali Berisha: Mirë që e the këtë, sa bukur. Çfarë bëjnë këta tani? Thërrasin njerëz dhe i pyesin, ku i mori naftën Sali Berisha kur bëri foltoren. Absolute kjo që po u them.
Se kjo ka lidhje me dosjen Partizani. Ish-xhelati i Sigurimit të Shtetit, Arben Kraja dhe Altin Troplini, kanë futur në hetim naftën që ka përdorur Sali Berisha deputet për të bërë foltoren.
Dhe mund t’u them shumë raste të tjera.
Kanë thirrur Ledina Aliollin, të cilin në vitin 2023 e kanë pyetur se nga i more ti paratë e stilolapsave që bleve për fushatë.
E kuptoni apo jo?
E kuptoni se çfarë bëjnë këta?
Pyetje: Por në fakt zoti Berisha, është detyrë funksionale e SPAK të hetojë pasurinë e zyrtarëve të lartë? Pse relativizohet kjo gjë?
Sali Berisha: Po, sepse ata kanë bërë një veting 32-vjeçar, jam i vetmi person, e thashë edhe njëherë, kanë kërkaur hetimin e mbesave të mia, katër vite pa lindur ato.
Pra, absolutisht asnjë objeksion për hetimin e pasurive, por e kanë hetuar, e kanë stërhetuar dhe kanë gjetur zero shkelje ligjore.
Familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fondet publike.
Kanë gjetur se është zbatuar ligji dhe vetëm ligji.
Dhe kanë gjetur gjithsej në 54 vite punë si mjek dhe në politikë bashkë me bashkëshorten, 100 mijë euro dhe një apartament 45 metër më të madh se sa ishte.
Pyetje: Zoti Berisha, për t’u rikthyer edhe njëherë pyetjes së parë. A do e votojë opozita ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës penale që propozon qeveria?
Sali Berisha: Kurrën e kurrës. Ai është nen që prek të ardhmen e çdo shqiptari.
Ai është nen që dënon çdo qytetar shqiptar me mbylljen e dyerve të integrimit.
Ne jo vetëm që nuk do e votojmë, por do e kundërshtojmë atë në mënyrën më të fuqishme.
Dhe 20 shkurti do jetë dita e kryengritjes së madhe kundër korrupsionit. Do jetë dita e kryengritjes së madhe kundër narkodiktatorit, kundër organizatës kriminale dhe kreut të saj.
Ju ftoj të gjithë me 20 shkurt në kryengritjen paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria që nga përmbysja e shtatores së Enver Hoxhës gjer sot.


