Berisha: Rama do të vjedhë deri në 90 përqind të buxhetit prej 8 miliardë euro të vitit 2025! Buxheti përjashton vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Në konferencën për shtyp të mbajtur gjatë ditës së sotme nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u denoncua ashpër buxheti i vitit 2025, i cili, sipas tij, është “buxheti i vjedhjeve më të mëdha në historinë e Shqipërisë.” Berisha kritikoi qeverinë për keqpërdorimin e fondit prej 8 miliardë eurosh, duke theksuar se në vend të rritjes së rrogave dhe pensioneve, këto fonde do të shkojnë për projekte korruptive, veçanërisht në infrastrukturë. Sipas tij, ndërtimi i rrugëve dhe projekteve të tjera publike në Shqipëri realizohet me kosto shumë më të larta sesa në vendet e tjera të BE-së, si Kroacia, ku ai pretendon se vidhen deri në 90% të investimeve.

Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se buxheti i 2025 do jetë buxheti i vjedhjeve më të mëdha të qytetarëve nga narkoqeveritarët qendrorë dhe vendorë të tyre në tërë historinë e vendit.

Në konferencën për shtyp të mbajtur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ai u shpreh me vendosmëri për vazhdimin e mosbindjes civile dhe protestave kundër qeverisë.

Berisha theksoi se protestat do të intensifikohen, duke mos u shuar, dhe paralajmëroi qëndrimin e tij të palëkundur për largimin e Edi Ramës nga pushteti, krijimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira.

Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi ditën e sotme përballë gazetarëve se nuk mund të kemi një qeveri teknike me Ramën kryeministër pasi është jashtë çdo imagjinate, ky i fundit është modeli i dështimit të plotë. “Ne kemi përpara një armik të votës së lirë, Edi Rama dhe ne do përdorim të gjitha mjetet e mosbindjes civile për largimin e tij në mënyrë që shqiptarët të votojnë të lirë”-u shpreh Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve dhe të gjithë atyre që ndjekin këtë takim me gazetarët në kushte të veçanta.

Jam sot para jush për të denoncuar publikisht buxhetin e vitit 2025, të shpallur si buxhetin më të madh të kohërave prej 8 miliardë eurosh, por pasi jam njohur me strukturën e tij, informoj qytetarët shqiptarë se ky do jetë buxheti i vjedhjeve më të mëdha të qytetarëve nga narkoqeveritarët qendrore dhe vendorë të tyre në tërë historinë e vendit.

Kjo sepse në këtë buxhet prej 8 miliardë euro, i cili de facto bën të mundur dyfishimin e të gjitha rrogave dhe pensioneve në Shqipëri, por le të themi me dorë të kursyer rritjen me 50 përqind të tyre pa asnjë vështirësi, parashikohet jo kjo, por parashikohet një vjedhje e tmerrshme e këtyre shumë miliardave euro të qytetarëve shqiptarë.

Kështu sipas strukturës së përcaktuar nga narkoqeveria, buxheti do përdoret pasivisht për llokmat e rrugëve dhe jo rrugët, sepse ndërtimi i rrugëve siç e dini është zëvendësuar me ndërtimin e llokmave, apo siç i pëlqen Ramës dhe Lubisë, loteve të tyre.

Pra, do i përkushtohet kryesisht këtyre për faktin e vetëm se 1 km rrugë në të njëjtin terren në Shqipëri, ndërtohet me 10-fishin e çmimit me të cilin ndërtohet në Kroaci.

Çka do të thotë se në Shqipëri vidhen të paktën 90 përqind e investimit, madje edhe më shumë, po të kemi parasysh se rrogat në Kroaci janë dy herë më të larta se në Shqipëri.

Buxheti prej 8 milardë euro shënon fatkeqësinë e madhe të radhës për shqiptarët pasi ky buxhet në të gjitha punët publike të tjera, përveç rrugëve, shkollat, qendrat shëndetësore, çerdhet, zyrat, etj, parashikon një kosto 6 gjer në 10 herë më të lartë se sa në mesataren e BE.

Pra, parashikon një vjedhje, po të kemi parasysh dhe rrogat, 70 gjer në 94 përqind të të gjithë investimeve që bëhen në këto objekte.

Kurrë ndonjëherë një qeveri nuk ka vjedhur në mënyrë kaq të pamëshirë qytetarët e vet.

Buxheti i shpallur më i madhi në histori prej 8 miliardë eurosh, rikujtoj shqiptarët se rrogat vjetore të tyre janë rreth 800 milionë euro, pra buxheti prej 8 miliardë eurosh, në vend se t’i japë përgjigje përfundimtare probleme të kafshatës së përditshme me të cilën përballen qindra mijëra shqiptarë, përballën 600-700 mijë pensionistë, por edhe dhjetëra mijëra familje shqiptare, pra në vend që t’i japë zgjidhje problemit të kafshatës, duke vendosur minimumin jetik prej 200 eurosh, ky buxhet përjashton tërësisht vendosjen e këtij minimumi, i cili ka një rëndësi themelore për mbrojtjen dhe mbështetjen e qytetarëve shqiptarë më në nevojë.

Mos harroni se Shqipëria sot ka hendekun midis rrogave më të larta dhe atyre më të ulëta dhe pensioneve, më të madhin në Europë dhe ndër më të mëdhenjtë në botë.

Është rikthyer absolutisht proporcioni kur rroga e presidentit të Shqipërisë në diktaturë ishte rreth 14 herë më e madhe se rroga mesatare e një punëtori.

Është kthyer një disproporcion çnjerëzor.

Rikujtoj shqiptarët se rroga e presidentit të SHBA nuk është kurrë 4-5 herë më e madhe se rroga mesatare e shtetasve të SHBA.

Dhe ky proporcion që ekziston në SHBA, ekziston në tërësi në të gjitha vendet e lira.

Ky disproporcion i pamëshirë i kultit të pagesave super të larta të zyrtarëve ku presidenti merr një rrogë të barabartë me 60 pensionistë në muaj, ku kryeministri merr një rrogë të barabartë me 50 pensionistë në muaj, nuk mund të ekzistojë askund në një vend të lirë, ku të mirat, të ardhurat kthehen në mirësi për mbarë qytetarët.

Edi Rama kthen në këtë mënyrë buxhetin 8 miliardë në një lloj ndëshkimi për qytetarët, në kuptimin që ai e vjedh me lukuninë dhe organizatat e tij kriminale, 70 deri në 90 përqind të këtij buxheti.

Njëlloj siç kthen miliona turistë që vijnë në Shqipëri.

Sepse ju, për çdo turist paguani nga taksat tuaja, 230 euro në një kohë kur përfitoni nga të ardhurat që krijohen nga turistët që vijnë në Shqipëri, 4 euro për frymë.

Kështu, turizmi është shndërruar në një parajsë për oligarkët e qeverisë dhe një ndëshkim për qytetarët shqiptarë.

E njëjta gjë është rritja ekonomike.

Do të dëgjoni ju këtu se buxheti u rrit në 8 miliardë.

Se rritja ekonomike u dyfishua.

Kjo rritje ekonomike e dyfishuar është parajsë për qeveritarët hajdutë, për narkoqeveritarët hajdutë, për oligarkët gjakpirës, për klientelën e qeverisë.

Por kjo rritje, ky dyfishim është ndëshkim për qytetarët sepse është rritje stratosferike çmimesh të ushqimeve dhe apartamenteve. Ajo i shndërron apartamentet në molla të ndaluara për qytetarin e thjeshtë.

Injorim, shumëzim me zero në rritjen 8 miliardë të 700 mijë pensionistëve shqiptarë.

Edhe njëherë, rikujtoj çdo pensionist se ky është një qëndrim më çnjerëzor, për përçmues dhe përbuzës që mund të ketë mbajtur kush ndaj tyre.

E them këtë jo për politikë, por e them me bindje të madhe sepse nuk po kthehem mbrapa te koha kur pensionet u dyfishuan, por po qëndroj këtë vit në Kosovë.

Çfarë bëri qeveria e Kosovës? Qeveria e Kosovës deklaroi se do rrisë pensionet 20 përqind dhe më një akt të përgjegjshëm depozitoi në fondin e pensioneve, që ishte 500 milionë euro, edhe 100 milionë euro.

Shtoj këtu se në Kosovë, çdo qytetar, pavarësisht se a ka punuar një ditë, por ka ardhur në moshën e pensionit, merr 100 euro. Dhe që nga java e kaluar, do marrë 120 euro.

Kurse Edi Rama me njërën dorë ua dha 4 përqind indeksim, me dorën tjetër ua vodhi këtë shumë dhe i la me 1.6 përqind pensionistët tanë.

Duke përfunduar, unë u bëj thirrje shqiptarëve, të ngrihemi një betejë pa kthim.

Të mos lejojmë që parlamenti i krimit dhe drogës, që qeveria organizatë kriminale, të realizojë vjedhjen më të madhe në histori në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Rruga e vetme është krijimi i një qeverie teknike dhe unë edhe njëherë zotohem para jush se Shqipëria në aktin e parë do vendosë minimumin jetik 200 euro, çka nënkupton se nuk mund të ketë pension të asnjëlloji dhe nuk mund të ketë shqiptar që nuk do marrë 200 euro si minimum.

Dhe rroga minimale do rritet në 500 euro.

Nuk do paguajnë shqiptarët 215 euro për turist dhe të marrin gjithsej 4 euro. Merr fund kjo.

Merr fund koha kur ndërtohen rrugët me çmime 10 herë më të shtrenjta se në Kroaci.

Merr fund koha kur rrugët ndahen në llokma. Po ju rikujtoj vetëm Unazën e Madhe të Tiranës. Në vitin 2013 mbaruan 3 lotet e para të saj. Nga viti 2013 për 11 vite, në një autostradë që është gjithsej 27 kilometra, dhe që 6 ishin të përfunduara, para një muaji Rama dhe Lubia e tij Balluku deklaruan se është përfunduar në 70 përqind. Sepse e ndajnë në kilometër pas kilometri, për të vjedhur kilometër pas kilometri.

Kjo është teknika e tyre.

Ndaj dhe njëherë, ftesa ime për mbarë qytetarët, t’i japim fund kësaj vjedhje që po zhyt shqiptarët në mjerim, varfëri dhe po i përzë nga Shqipëria.

PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET

Osman Stafa, News24: Në datën 7 tetor keni deklaruar se, mosbindja civile e opozitës nuk do të ndalet, por dje në protesta para opozitës ishte krejt normale. Opozita mosbindjen civile e ka part time, apo fulltime.

Sali Berisha: Mosbindjen civile e ka dhe do ta ketë full time. Protestat nuk mund të shuhen, do të nxiten dhe të tjera, kudo që janë.

Osman Stafa, News24: Në këto vitet e fundit nga PD kanë dalë tre grupime politike. Partia Mundësia e Agron Shehajt, Djathtas e prezantuar sot nga Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha. Partia e re, Djathas 1912, është shprehur se, nuk i bashkojmë votat me kandidat Sali Berishën, kryeministër. A do ta ridiskutonte Sali Berisha, kandidaturën e tij për kryeministër për të maksimalizuar votat e demokatëve për të gjetur një kandidaturë tjetër për kryeministër.

Sali Berisha: Së pari njëherë për Tao Tao partitë, siç është kjo e fundit që përmende ti, e kupton vetë qëndrimin e Sali Berishës. Së dyti, për bizat antiopozitë të Edi Ramës është i njëjti qëndrim. PD-ja është e gatshme të bashkëpunojë dhe të bashkohet me të gjitha formacionet politike që kanë objektiv kryesor largimin e Edi Ramës nga pushteti, krijimin e qeverisë teknike dhe zgjedhjet e lira.  Vijmë tani te thelbi i pyetjes. Ata të cilët mendojnë se duhet të përcaktojnë kryeministrin e Shqipërisë, jashtë vullnetit të zgjedhësve shqiptarë, ata janë në një variant, talebanët e politikës, janë fondamentalist, janë vegla të Edi Ramës dhe mund tu vesh shumë epitete. As Sali Berisha dhe asnjë njeri tjetër, nuk mund të përcaktojë përveç shqiptarëve, atë që ata duan në drejtim. Nëse ndalesh në tre vitet e fundit të karrierës së Sali Berishës, thelbi i kësaj beteje është vetë kjo i dashur Osman: Unë isha një deputet defakto në largim. Por një vendim i sponsorizuar nga mafia, nga Edi Rama dhe Soros, me qëllimin e vetëm për një fasadë opozitë në funksion të Edi Ramës, për tu diktuar shqiptarëve se kush duhet të jetë në krye të opozitës. Pra një grusht shteti të mirëfilltë kundër sovraniteti të Shqipërisë. E them dhe njëherë, grushtet e shtetit nuk janë vetëm përmbysja e qeverisë. Sigurisht qeveria është mbartëse e sovranitetit të jashtëm dhe për aq sa është në aksione edhe në të brendshëm. Por mbajtëse e vërtetë e sovranitetit të brendshëm është opozitar. Dhe ata që përpiqen të rrënojnë opozitën, ta dekapitojnë apo caktojnë asaj kryetarin, ata janë puçistë që shkelin kombëtar dhe ndërkombëtar dhe ligjet e vendit të tyre. Pra ti imagjinosh ti apo ndonjë tjetër, se Sali Berisha do të lëkundet nga ky pozicion që e pranoi si mision në emër të qenies shqiptar, që i thotë mikut, mik, por që di ti thotë vetes, ‘Zot më ruaj nga miqtë, se nga armiqtë ruhem vetë’. Pra është iluzive të mendosh se për hir të mafias shqiptare e ndërkombëtare, Sali Berisha do të cedojë. Kurrë, kurrë, kurrë.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Kjo është dalja juaj e parë në konferencë pas vizitës së Erdogan, i cili inauguroi Xhaminë e Namazgjasë dhe i bëri një dhuratë Shqipërisë. Një ditë pas inaugurimit të Xhamisë, shkoi në Serbi ku ra dakord për krijimin e industrisë së mbrojtjes, ku në fokus janë dronët luftarake, ku mund të përdoren dhe kundër Kosovës. Si i komentoni këto vizita  dhe zhvillimet në Shqipëri dhe Serbi.

Sali Berisha: Komplekse. Por, lidhur me pjesën në Shqipëri. Unë kam një thirrje të veçantë sot për besimtarët myslimanë shqiptarë, të mos pranojnë kurrë që asnjë lloj ndërhyrje politike e kujtdo qoftë ajo, t’i përçajë ata. Të plagosë apo të dëmtojë vlerën supreme morale që kemi ne shqiptarët, tolerancën fetare dhe bashkëveprimin ndërfetar, të shkëlqyera. Ajo që mund të them unë, kam dënuar dhe dënoj me forcën më të madhe përpjekjet primitive antishqiptare të Edi Ramës, të pashembullta ndonjëherë në historinë e këtij vendi, të cilat janë dokumentuar me akte madhore të këtij antishqiptari këtë vjeshtë. Edi Rama shfrytëzoi përfaqësimin e shqiptarëve në OKB për të dalë aty si me qenë i biri i Ajatollahut dhe të shpallë për interesat e tij mafioze apo të tjera, por fund e krye antishqiptare, krijimin e shtetit islamik bektashi, duke harruar se nuk ekziston besim fetar bektashi. Se bektashinjtë shqiptarë janë myslimanë të shkëlqyer, janë atdhetarë, kanë kontribute njësoj si katolikët apo ortodoksët në këtë vend. Por Edi Rama nuk u ndal me këtë thikë pas shpine që u përpoq t’i fusë nga pozita armiqësore antishqiptare besimit mysliman shqiptar. Edhe në disa elementë të inaugurimit të xhamisë synonte pikërisht këtë gjë. Edhe njëherë, uroj nga zemra ta gëzojnë xhaminë e mrekullueshme të Namazgjasë besimtarët shqiptarë. Por nëse ka pasur një kundërshtar absolutisht të saj, që e ka mbajtur peng për vite e vite, ky quhet Edi Rama, i cili njëlloj si i biri i Enver Hoxhës, nxirrte tezën se nuk mund të ndërtohet xhami ngjitur me parlamentin. Ua them unë shqiptarëve këtë. U desh të largohej ai nga bashkia që qeveria vendore të firmoste lejen për ndërtimin e xhamisë. Do bëj edhe një sqarim të dytë këtu, ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë, sepse projekti më ka ardhur në zyrë me kryearkitektin e studios, çdo gjë ka qenë marrëveshje mes KMSH dhe familjes pronare apo familjeve pronare, të cilat bujarisht i dhuruan një sipërfaqe toke komunitetit. Dhe komuniteti pranoi që në plotësim të kushteve urbanistike, pa shkelje, të ndërtonin edhe ata një pronë në pronën e tyre. Kurse Edi Rama sillej me një maket që e ngrinte herë këtu dhe aty, por ishte kundër Namazgjasë. Pra, e mbyll këtë fjalë me një thirrje shumë miqësore për besimtarët, por edhe ortodoksë dhe katolikë, mos lejoni kurrë të politizojë, të përdorë nga politika. Kushtetuta ka një nen të artë që ndan shtetin nga feja dhe ky është interesi më i mirë i besimeve fetare. Përpjekjet e Edi Ramës për politizim janë përpjekje satanike, antishqiptare dhe antikushtetuese. Sigurisht nuk më vjen mirë absolutisht që Turqia të kontribuojë në forcimin e një ushtrie, e vetmja në rajon që përbën rrezik për paqen dhe stabilitetin. Dhe në vend që të shpallet një embargo ndaj një vendi që nuk respekton embargon ndaj Rusisë, deklarohet se do investohet dhe do ketë shitje armësh, etj, etj. Në fund të fundit, shqiptarët duhet ta dinë, ne jemi për marrëdhënie miqësore me Turqinë, por marrëdhëniet nuk mund të jenë kurrë ato që duhet kur kanë autokracitë. Me opozitën laike turke, e cila i përmbahet parimeve të kemalizmit, ne kemi dhe do kemi marrëdhëniet më të mira midis partive dhe vendeve tona.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju në fjalën tuaj denoncuat çështjen e buxhetit 2025, por deklaruar se opozita do të bëjë gjithçka që opozita do të bëjë gjithçka, që mazhoranca të mos e kalojë në parlament. Ju paralajmëroni në këtë mënyrë që protesta do të mbahet te parlamenti, apo do të  ketë një ngujim apo një hap tjetër në parlament.

Sali Berisha: Opozita do të shqyrtojë të gjitha variantet dhe do bëjë gjithçka që ky buxhet i vjedhjes më të madhe në histori, së bashku me qytetarët, të mos votohet në atë parlament.

Le ta votojnë në selinë e Partisë Socialiste po të duan.

Anisa Kadesha, RTSH: Objektivi juaj është krijimi i një qeverie teknike pa Ramën kryeministër, apo është i mjaftuar edhe modeli që u aplikua në 2017.

Sali Berisha: Ai është modeli i dështimit të plotë. Qeveri teknike me Ramën kryeministër, është jashtë çdo imagjinate. Dy gjëra duhet të përsëris këtu, ne jemi forcë demokratike dhe pushtet me dhunë nuk marrim kurrë. Ne jemi forcë demokratike dhe në pushtet vijmë vetëm me votë. Por ne kemi përpara një armik të votës së lirë, Edi Rama dhe ne do përdorim të gjitha mjetet e mosbindjes civile për largimin e tij në mënyrë që shqiptarët të votojnë të lirë.

Isa Myzyraj, OraNews: Teksa zgjedhjet janë duke u afruar, koordinatori i PS me diasporën Taulant Balla ka bërë 12 postime në Facebook nga takimet e tij me shqiptarët në Londër. Ku është PD në këtë aspekt, a keni diskutuar për gjetjen e një koordinatori për diasporën.

Sali Berisha: Do të ketë së shpejti një drejtues për diasporën. E ke vetë parasysh, të caktosh për diasporën njeriun e dokumentar, të angazhuar si porositësh vrasjesh, i akuzuar me dokumente, njeriun që akuzohet se ka porositur kurthe për të arrestuar një familje të tërë, për diçka që nuk kishte lidhje me të. Njeriu që Bajrat e shpallin njeri të tyre, Çelët e kanë super të tyre, Rrajat e kanë si vëlla, etj., etj. Pra të çosh një kriminel si ky, që e ka vendin në qeli, është fyerje për çdo shqiptar, kudo që ndodhet. le të postojë ç’të dojë. Ai nuk pastron veten për implikimet e tij të thella  në krime dhe trafiqe.

Edhe njëherë thirrja ime është të ngrihemi fuqishëm për të ndaluar vjedhjen më të madhe në histori të buxhetit, për të krijuar qeverinë teknike dhe ecur të sigurtë drejt zgjedhjeve të lira  dhe fitores së opozitës.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale